Fjala e fundit e Hashim Thaçit në Hagë: S’mund të isha indiferent ndaj masakrave në vendin tim!

0

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po mban fjalën përmbyllëse para trupit gjykues në Hagë, ku ka deklaruar se “ka vetëm një të vërtetë, unë jam plotësisht i pafajshëm”. Thaçi theksoi se synimi i UÇK-së ishte paqja dhe jo lufta. Ish-Presidenti hodhi poshtë pretendimet se qëllimi i UÇK ishte marrja e kontrollit të Kosovës, duke theksuar se armët do t’i dorëzoheshin NATO-s.

“Duke parë masakrat në vendin tim, nuk mund të qëndroja indiferent. Vendosa të vij në Kosovë dhe të bëj atë që do të bënte secili prej jush. Për këtë jam krenar dhe nuk pendohem asnjëherë. Është ofendim për kujtimin e heronjve dhe mijëra viktimave, si dhe për përpjekjet e NATO-s me të cilët bashkëpunuam ngushtë”, u shpreh ish-presidenti i Kosovës.

“S’ishte kthimi im nga Perëndimi arsyeja pse UÇK po masiviziohej, por ishte Millosheviçi. UÇK s’ishte ushtria e një shteti, ishte organizim popullor që po mbrohej nga një shtet agresor. Synimi ynë ishte paqja, s’ishte lufta. Kur bota demokratike thirri Konferencën e Paqes në Rambuje, ne iu përgjigjëm pozitivisht kërkesës së tyre. Kosova zgjodhi paqen dhe demokracinë, Serbia zgjodhi luftën dhe gjenocidin. Sot si mundet dikush të pretendojë se qëllimi ishte marrja e kontrollit të Kosovës, kur ne pranuam që bashkësia ndërkombëtare ta kishte rolin kryesor në Kosovë dhe që UÇK t’ia dorëzonte armët NATO-s, siç ndodhi më vonë. I vetmi pushtet që kisha unë ishte pushteti i zërit tim. Unë e përdora zërin tim për të promovuar një shoqëri shumëetnike, tolerante në Kosovë”, tha Thaçi.

Thaçi vuri në pah se është kritikuar në Kosovë për themelimin e Gjykatës Speciale, e cila tha ai nuk ka vepruar në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Kur votuam në Parlamentin e Kosovës për themelimin e kësaj gjykate (Gjykatës Speciale), ne besuam se ajo do t’i trajtonte akuzat në raportin e Dick Marty-t dhe do të vepronte në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Në praktikë asnjëra, as tjetra nuk ndodhi. Unë jam kritikuar shumë dhe kritikohem ende në Kosovë pse e mbështetëm Specialen”, vijoi ai.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu