Aktori i njohur i humorit, Florjan Binaj ka vendosur t’i futet politikës. Që pasi u largua nga “Portokallia” u përfol se ai do të hapte një parti të re dhe duket se vetëm tani është bindur të bëjë një gjë të tillë.
Binaj do të bëhet bashkë me Adriatik Lapajn, duke krijuar një forcë të re politike. Aktori ka shpërndarë një video-mesazh shpalos edhe disa prej pikave që do të mbështesë.
“Përshëndetje, unë jam Florjan Binaj. Shtetet e mëdha i kanë bërë njerëzit ëndërrimtar, njerëzit mendjendritur, njerëzit punëtorë dhe mbi të gjitha ata që janë dhe që e duan atdheun.
Fatkeqësisht në vendin tonë gjatë këtyre 33 viteve të paskomunizmit kanë ikur nga Shqipëria më shumë shqiptarë nga ç’kanë ikur nga 500 vite pushtim osman, nga një luftë ballkanike dhe dy luftra botërore, nga 50 vite komunizëm të mbledhura së bashku.
Ne nuk mund të krijojmë zgjidhje me të njëjtat mjete që kemi krijuar këto probleme. Prandaj në këto momente teper të rëndësishëm pa ligjin e referendumeve, pa votën e emigrantëve, pa depolitizimin e administratës dhe pa ndryshimin e kodit zgjedhor, Shqipëria jo 33 vite por as 333 vite nuk do i dalin për ta bërë sërish Shqipërinë një vend të begatë. Shqipëria bëhet”, dëgjohet të thotë Binaj.
Bashkimi është konfirmuar dhe nga vetë Lapaj. “Kam kënaqësinë të jem krah për krah me të mirin Florjan Binaj! Kushdo ndjen se ka vlera për të kontribuar në ndryshimin e atdheut tonë, është i mirëpritur në ekip. Ecim… Shqipëria bëhet!”, ka thënë ai.