Shkruan Albert Vataj
I ashtuquajturi poet i muzikës, romantiku i kompozimit, një nga polakët më të zëshëm dhe testamenti më i vyer i periudhës, teknikës dhe karakterit krijues. Ai ishte Frederik Shopen, u lind më 1 mars 1810 dhe u shua më 17 tetor 1849. Virtuozi i pianos së epokës romantike. Ai shkoi kryesisht për piano solo. Ka ruajtur famë në mbarë botën si një muzikant kryesor i kohës së tij. Dy dekadat e para të jetës, Frederik Shopeni i kaloi në Poloni si biri i një francezi dhe një nëne polake e cila i japi atij mësimet e para në piano. Jo më shumë se 8 vjeç ai duartrokitej si një fëmijë çudibërës. Në Varshavë, vizitojë liceun e në fund të liceut edhe konservatoriumin ku edhe e gjeti mësuesin e tij më të rëndësishëm Xhozef Elsneri (Joseph Elsner 1769-1854). Në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare, Shopeni për herë të parë udhëton për në Berlin, pas një viti (1829), udhëton për në Vjenë, Pragë dhe Drezden. Më 1831 ai vendosi të udhëtonte për në Paris. Në udhëtim e sipër ai mori vesh për okupimin e Varshavës nga rusët dhe nga kjo kohë Shopeni kurrë nuk u kthye më në vendlindje. Parisi u bë vendlindja e tij krijuese dhe promovuese.
Më datën ë 17 tetor 1849, një vdekje e trisht e ndalon udhën e romantikut të muzikës, “këputi” gishtërinjtë e harmonisë melankolike, theu çelësat e solit të fletëve të pentagramit, terroi qiellin nën peshën e pikëllimtë të vjeshtës dhe metamorfozën e stinës që shamaton nëpër pemë melodinë e dhimbshme të ndarjes. Ai u këput si një gjethe për të rënë në truallin e trishtimit dhe për të mbetur aty me të tjerë shtresëzime, duke krijuar atë humus që do të mëkonte gjenaratat e begatimit të pranverave të tjera të hareshme romantike.
Kompozitori polak, virtuozi romanti, Frederik Shopen ndërroi jetë dy vite pas ndarjes me Zhorzh Sand, dashuria me të cilën ishte qielli më i hyjshëm dhe Hadi më i thellë. Ajo i kishte premtuar se do të ishte aty, kur ai të ikte nga kjo botë dhe atij i mbeti peng se nuk vdiq në krahët e saj. Para se të vdiste, kërkoi një copë letër ku shkroi: “Si kjo tokë do të më mbysë, ju përgjërohem, ma hapni trupin, që të mos më varrosni të gjallë”. Në certifikatën e vdekjes shkaku i vdekjes u shkrua tuberkulozi, por në 2008-ën u ofrua një tjetër variant i vdekjes së kompozitorit: fibroza cistike. Ashtu siç kishte kërkuar para se të vdiste, zemra iu hoq nga trupi dhe u varros në vendin e tij të lindjes në Poloni, ndërsa trupi në Paris. Si epitaf iu shkrua një varg nga Bibla (Mateu 6:21): “Atje ku ke thesarin është dhe zemra jote”. Po sipas amanetit të tij, në ceremoninë e varrimit u luajt “Rekujemi” i Moxartit. Solist ishte Luigi Lablache, i cili ka kënduar “Rekuiemin” në funeralin e Haidinit, Bethovenit, Belinit dhe mikeshës së Shopenit dhe Sandit, mexosopranos Pauline Viardot.
Epizode nga jeta e kopozitorit
****
Kur Shopeni ishte në Londër u tha miqve se një natë më parë nuk kishte mundur të flinte. Ditën tjetër në shtëpi gjeti një krevat me sustë, një dyshek me pupla dhe dy jastëkë. Ato i kishte sjellë fshehurazi një admirues i Shopenit. Më vonë u mor vesh se ky ishte një fabrikant pianofortesh.
****
Në Angli dhe në Skoci për Shopenin tregonin kujdes të madh.
Ai u thoshte miqve të tij:
– Gjithë ky interesim më mërzit dhe më shqetëson shumë. Edhe pse kudo më rrethojnë njerëz, e ndiej veten të vetmuar tmerrësisht të vetmuar. Anglezët nuk janë si francezët e mi të dashur. Ata e duan artin jo se e kuptojnë po sepse është një luks. Ç’duhet bërë kur mbas darkës ata e zhytën në bisedat e tyre që unë nuk i kuptoj dhe në uiskin e tyre që unë nuk e pëlqej?
Nuk mund të bëj gjë tjetër vetëm se t’i vështroj kur flasin dhe t’i dëgjoj kur pinë.
****
Shopeni ishte shumë i varfër. Miqtë e tij përpiqeshin që t’i jepnin para fshehurazi, sepse nuk pranonte. Admiruesja e tij Stërling i dërgoi një letër anonime me njëzetepesëmijë lira. Portierja, që nuk e dinte se ç’kishte ajo letër, e vuri në sahatin e madh dhe e harroi atje. Muzikanti po jetonte gjithnjë e më keq. Pas disa kohësh Stërling e pyeti Shopenin në se e kishte marrë letrën. Kur mësoi se ai e kishte marrë, ajo qe e detyruar të thoshte të vërtetën. Shopeni protestoi dhe i tha:
– As mbretëresha e Anglisë nuk do të më detyronte të pranoja një dhuratë si kjo!
****
Një këpucar i pasur e ftoi Shopenin në shtëpi. Pasi hëngrën drekë ai iu lut mjeshtrit të ulej në pianoforte. Shopeni deshi të shmangej por tjetri nguli këmbë.
– Aman të lutem, – i tha i zoti i shtëpisë, – vetëm sa të shoh sesi luhet në piano.
Shpeni u detyrua të luante në piano. Disa ditë më vonë ishte ai që e ftoi për drekë këpucarin. Pasi hëngrën i solli të ftuarit në mes të dhomës një tryezë të vogël këpucari me gjitha veglat e duhura dhe iu lut të bënte një palë këpucë.
Kjo i habiti të gjithë, por Shopeni i tha pa të keq:
– Kini mirësinë, ju lutem, vetëm sa të shoh se si bëhen këpucët.
****
Midis admiruesve të Shopenit ishte edhe një zonjushë shumë e bukur skoceze nga një familje mjaft e pasur që kishte një kështjellë të mrekullueshme dymbëdhjetë milje nga Edinburgu. Ajo ishte dashuruar me Shopenin dhe donte të martohej me të. Miqtë e tij i thanë për këtë gjë Shopenit. Ai, duke tundur kokën me trishtim, u përgjigj:
– Po pse nuk më thoni më mirë të martohem me vdekjen?
Kjo ndodhi më 1848 kur muzikanti e ndiente veten shumë keq dhe po i vinte vdekja.