Gazment Bardhi thërret në takim të gjithë deputetët e opozitës. Një ditë pas seancës së parë, në cilësinë e kryetarit të grupit parlamentar të PD-së Bardhi thërret të martën më 5 shtator një mbledhje të përbashkët të të gjithë deputetëve të koalicionit “PD-AN”, pa asnjë përjashtim.
Ai thekson se “duke ruajtur dhe respektuar qëndrimin apo mendimet individuale të çdo deputeti për zhvillimet apo debatin e brendshëm në Partinë Demokratike dhe në kampin opozitar, ndaj bindjen me shumicën e kolegëve që kjo nuk duhet të na pengojë për t’u bashkuar dhe për të unifikuar qëndrimin dhe aksionin opozitar kundër keqqeverisjes së Edi Ramës”.
DEKLARATË E KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI
Gjatë gjithë kësaj kohe dhe veçanërisht në këtë periudhë të thellimit të keqqeverisjes, kam analizuar me përgjegjësi maksimale situatën në vend dhe nevojën që ka Shqipëria për një opozitë të fortë, të unifikuar dhe plotësisht funksionale.
Opozita shqiptare ka përballë një qeverisje të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar, që ka minuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, përmes metodave të kundërligjshme. Për këtë shkak, interesi publik dhe mbrojtja e interesit të qytetarëve, kërkon që çdo opozitar të përqëndrojë energjitë e tij vetëm në përballjen me regjimin e Edi Ramës.
Për fat të keq, kjo nuk ka ndodhur në këto 2 vitet e fundit. Lufta e brendshme në Partinë Demokratike e ka dobësuar opozitën dhe shpesh e ka shfokusuar nga misioni i saj, duke i krijuar një komoditet të pashoq e tërësisht të pamerituar Edi Ramës në mandatin e tij të 3 radhazi, ku sundon keqqeverisja, arroganca dhe korrupsioni. Kjo situatë dikton nevojën që, në mënyrë urgjente, secili prej nesh, deputetëve të opozitës, të tejkalojë vetveten për të ofruar dhe për të gjetur zgjidhje në interes të përbashkët të të gjithë opozitarëve dhe çdo qytetari që kërkon ndryshimin e qeverisjes.
Ndasitë në mendime dhe qëndrime për çështje të ndryshme brenda Partisë Demokratike nuk duhet të na shfokusojnë nga përgjegjësia që kemi ndaj vendit dhe qytetarëve. Kam bindjen e plotë se çështjet që na bëjnë bashkë janë më shumë se çështjet që na ndajnë.
Duke ruajtur dhe respektuar qëndrimin apo mendimet individuale të çdo deputeti për zhvillimet apo debatin e brendshëm në Partinë Demokratike dhe në kampin opozitar, ndaj bindjen me shumicën e kolegëve që kjo nuk duhet të na pengojë për t’u bashkuar dhe për të unifikuar qëndrimin dhe aksionin opozitar kundër keqqeverisjes së Edi Ramës.
Për këtë arsye, në cilësinë e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, në nisje të këtij sesioni parlamentar, do të ndërmarr nismën për thirrjen ditën e martë, datë 5 Shtator 2023, të një mbledhje të përbashkët të të gjithë deputetëve të koalicionit “PD-AN”, pa asnjë përjashtim. Duke besuar se shqetësimi për nevojën urgjente të unifikimit të opozitës bashkëndahet nga çdo deputet që ndien përgjegjësinë për një përballje të unifikuar kundër Edi Ramës, mirëpres pranimin e kësaj thirrje të sinqertë, me qëllimin e mirë të përcaktimit të axhendës dhe strategjisë së përbashkët të të gjithë PD dhe të gjithë opozitës parlamentare.