Shtyrja pa afat e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për çështjen e Belinda Ballukut po shihet si një lojë institucionale mes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese. Avokati Ndue Pjetri deklaroi se të dy institucionet po shmangin përgjegjësinë, duke ia kaluar vendimmarrjen njëra-tjetrës.
Në një intervistë televizive, Pjetri tha se situata po shkon drejt një negociate të heshtur politike dhe juridike. Sipas tij, nëse Kuvendi vendos t’i heqë imunitetin Ballukut, atëherë pritet që gjykata të aplikojë një masë më të butë sigurie, si detyrim paraqitjeje ose arrest shtëpie, dhe jo burg.
“Problemi nuk është kush ka të drejtë, por fakti që gjykata dhe parlamenti po ia hedhin topin njëra-tjetrës. Gjykata nuk vendos për arrestin, por për ligjshmërinë e veprimeve. Edhe sikur SPAK të kërkojë burg, është gjykata ajo që vendos. Këtu po kërkohet një marrëveshje politike”, u shpreh Pjetri.
Ai parashikoi se Gjykata Kushtetuese do të shprehet shumë shpejt dhe renditi tre skenarë të mundshëm. Sipas tij, varianti i parë është rikthimi i masës së pezullimit nga detyra për Ballukun. Varianti i dytë është rrëzimi i masave të SPAK, çka do t’i lehtësonte Kuvendit refuzimin e kërkesës për heqjen e imunitetit. Varianti i tretë, sipas Pjetrit, është më i rrezikshmi politikisht.
“Nëse bie Balluku, bie qeveria. Janë të lidhura në mënyrë të pashmangshme. Ka një trysni të madhe publike për këtë çështje”, theksoi ai, duke shtuar se vendimmarrja pritet të ndodhë brenda fillimit të javës së ardhshme.
Pjetri komentoi gjithashtu ndryshimet e fundit në Kodin Penal, duke kritikuar miratimin e ligjeve pa vizion afatgjatë. Ai u ndal veçanërisht te parashikimi i dënimit me burg për parkimin e dyfishtë, duke e cilësuar si pasojë të keqqeverisjes dhe mungesës së infrastrukturës.
Sipas tij, shkelje të tilla duhet të ndëshkohen me gjoba administrative dhe jo me masa penale, duke kujtuar se shumica dërrmuese e të burgosurve në vend janë persona në vështirësi ekonomike. Ai theksoi se ligjet duhet të reflektojnë realitetin social dhe jo të prodhojnë dënime të nxituara.








