Gjykata Kushtetuese e cilëson si të tjezgjatur vendimin e Gjykatës së Posaçme, për mbajtjen e liderit demokrat Sali Berisha në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Aktualisht, ish-kryeministri ka vetëm një masë “Detyrim paraqitje”, por për shumë muaj ka qenë i izoluar në shtëpi.
Bëhet fjalë për tre vendime të togave të zeza në GJKKO, të cilat për muaj më radhë e mbajtën Sali Berishën në arrest shtëpiak dhe nuk pranuan kërkesat e tij të njëpasnjëshme për të shkuar në seli e për të takuar demokratët, pavarësisht se nuk paraqiste më rrezik për hetimet.
Vendimi i sotëm bie kryesisht mbi gjyqtaren e posaçme Irena Gjoka, e cila në vazhdimësi refuzoi të ndryshonte masën për liderin demokrat. Edhe ky i fundit, e vuri gjyqtaren në qendër të sulmeve të tij.
Sipas këtij vendimi, konfirmohet se kreu i opozitës, Sali Berisha është mbajtur në mënyrë antikushtetuese dhe antiligjore në arrest shtëpie për 333 ditë, edhe pse ky i fundit e ka kundërshtuar në çdo shkallë të gjyqësorit këtë masë represive ndaj tij.
Vendimi është dhënë në përfundim të seancës, pa praninë e palëve me një votim 8 me 0, por nuk është zbardhur ende për publikun nga Gjykata Kushtetuese.
Sali Berisha po gjykohet për dosjen “Partizani”, për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë, pasi akuzohet se ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij.
Edhe Jamarbër Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.








