Shkruan Zef Ndreka
Perceptimi publik dhe politik ndaj SPAK-ut.
Është me interes një analizë mbi kontrastin midis perceptimit të SPAK-ut për veten dhe perceptimit publik apo politik ndaj tij.
Ky perceptim i SPAK-ut, si Strukturë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, na ndihmon për të kuptuar jo vetëm rolin e tij institucional, por edhe mënyrën si e komunikon besueshmërinë e tij tek publiku.
Dumani dje foli në parlament. Fjala e tij ishte më tepër vetëpercepsion se rezultate të pritshme.
Në mënyrë të përmbledhur, Dumani si drejtues i SPAK e perceptoi misionin e vet si një luftë të drejtë, të pavarur dhe afatgjatë kundër dy dukurive që kanë penguar për dekada shtetin shqiptar, korrupsionin e niveleve të larta dhe krimin e organizuar me ndikim ekonomik e politik.
SPAK u krijua dhe është institucion i drejtësisë së re dhe e sheh veten si produkt të Reformës në Drejtësi, pra si strukturë që duhet të prishë traditën e pandëshkueshmërisë.
Ky ishte qëndrimi i Dumanit që synoi të krijojë besim në opinionin publik dhe të tregojë se SPAK nuk është instrument politik.
Dumani dje foli, mbase sa per të kaluar radhën.
Më tepër foli si percepsion instrumental për të çrrënjosur korrupsionin sistemik në nivelet më të larta si në ministri të ndryshme, deputetë, gjyqtarë, prokurorë, drejtues agjencish publike, etj.
Gjithashtu, SPAK-u përmes Dumanit deklaroi se po punon për çmontimin e strukturave kriminale, veçanërisht në trafikimin e drogës, pastrimin e parave, grupet kriminale të lidhura me zyrtarë publikë, sekuestrimin e aseteve të paligjshme.
Në këtë kuptim, siç u mundova ta kuptoj, SPAK-u dje kërkoi më shumë të perceptohet si partner i barabartë me strukturat europiane EUROPOL, OLAF, etj.
Por, a arriti Dumani dje ta projektojë imazhin e vet si institucion i pavarur nga ndikimet politike, perceptimin për pavarësinë e institucionit që drejton?
Kjo pyetje vjen natyrshëm, sepse në opinionin publik shpesh ekziston dyshim mbi këtë pavarësi, veçanërisht kur hetimet prekin figura të opozitës ose kur vonohen për qeveritarët në detyrë.
Opinioni publik e sheh këtë periudhë si momentin më kritik për konsolidimin e shtetit ligjor. Dihet se SPAK ndodhet në një terren delikat midis legjitimitetit moral që kërkon ta ruajë dhe presioneve politike që e testojnë çdo ditë, siç ndodhi dje.
Vetëperceptimi i tij si ushtri e ligjit është idealist dhe i domosdoshëm për mbijetesën institucionale, por nuk do të mjaftojë pa transparencë, balancë hetimesh dhe rezultate përfundimtare në gjykata.
Nqs arrin të ruajë këtë ekuilibër, SPAK mund të bëhet gur themeli i shtetit ligjor shqiptar.
Nqs dështon lufta e tij, SPAK do të kthehet në një tjetër iluzion institucional që ushqeu përkohësisht shpresën, por nuk solli drejtësi të qëndrueshme.








