Një nga premtimet parësore të VV-së ishte punësimi i drejtë dhe jo i të afërmve, ose kushërinjve, siç tallej kryeministri gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2019.
Një nga premtimet parësore të VV-së ishte punësimi i drejtë dhe jo i të afërmve, ose kushërinjve, siç tallej kryeministri gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2019.
Me aktvendim të prokurorit të shtetit i pandehuri me inicialet N.K., është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh.
Krasniqi është kryeshef ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës, i emëruar pikërisht nga Lëvizja Vetëvendosja.
Në bazë të asaj që është raportuar deri më tani, ekzistojnë pretendimet se është keqpërdorur tenderi për rinovimin e Bllokut A5 të Termocentralit Kosova A.
Këto hetime i ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Nga ky institucion për lajmi.net kanë thënë se nuk mund të shpalosin më tepër informacione.
Në anën tjetër, nga Korporata Energjetike e Kosovës, përmes një komunikate kanë konfirmuar raportimet, duke shtuar se janë gjithmonë të gatshëm të bashkëpunojnë.
Lidhur me këtë rast, u shënuan reagime të ndryshme. Një i tillë ishte edhe ai i anëtarit të ri të LDK-së dhe njohësit të ekonomisë e ish-kreut të Odës, Berat Rukiqi.
Rukiqi, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se ky është vetëm fillimi dhe se pritet siç e ka quajtur ai shpërthimi i skandaleve të tjera.
Rukiqi s’ishte i vetmi. I pari i LDK-së në Ferizaj, Visar Azemi, ka thënë se bastisjet e sotme nga Krimet Ekonomike në KEK, konfirmojnë shqetësimet e ngritura prej kohësh për dallaveret e shumta në sektorin e energjisë.
“Derisa gati nëntë muaj më parë, blloku A5 në Termocentralin Kosova A ishte ndërprerë, siç ishte thënë, për shkak të një rreziku nga shpërthimi, është e pakuptueshme shtyrja e vazhdueshme e remontit të këtii blloku. Kjo gjë i ka kushtuar Kosovës miliona euro, për të cilat tani po paguajmë me ngritje të çmimit të energjisë”, ka shkruar ndër tjerash ai.
Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që ka hetime të tilla dhe dyshime mbi keqpërdorime në Korporatën Energjetike të Kosovës. Një tjetër i përafërt ishte edhe skandali me punësime, ku raportohej se një numër i konsiderueshëm i tyre ishin të afërm të VV-së.
Kush është Nagip Krasniqi?
Ish-drejtuesi i Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje, e kishte marrë detyrën respektive më 4 nëntor të vitit 2021, pasi ishte përzgjedhur nga Bordi i përkohshëm i KEK-ut nëpërmjet një konkursi në të cilin patën konkurruar 38 kandidatë.
Emri i Krasniqit u përmend edhe në rastin e skandalit financiar të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.