Fatbardha Dega tregoi për gazetaren Rudina Xhunga, se si i shpëtuan jetën Fatos Nanos, nga një atentat që ishte përgatitur ndaj tij në janar të 1992-shit. Pavarësisht sa shumë rrezikuam, thotë zonja Dega, humba foshnjën në qeli, na bënë 3 herë atentat, nuk morëm një faleminderit nga Nano që i shpëtuam jetën.
“Ne e shpëtuam Fatos Nanon nga atentati që ishte përgatitur ndaj tij nga zoti Berisha dhe grupi i tij. Asokohe patëm mbështetje nga pjesa më e madhe e socialistëve. Por të them realitetin, jo nga Fatos Nano.
Familja e burrit tim kishte njohje me Berishën. Sepse Berisha ishte doktori i tyre. Por kur Fatos Nano erdhi në shtëpinë tonë, vjehrri im i tha: “Ti je mik në shtëpinë time. Unë nuk do të dorëzoj. Do të të mbroj me gjakun tim.”
Fatos Nano nuk e mori një herë telefonin t’i thotë: “Faleminderit që më shpëtuat jetën!” Por unë i shkova në Tiranë, për ta takuar.
Ai me anë të sekretares gënjeu dhe i tha: “I thuaj Fatbardhës që unë nuk jam në zyrë.” Ai e dinte çfarë kisha kaluar unë, bëra burg, tre herë u munduan të më bëjnë atentat, një herë në Tropojë dhe dy në Tiranë.
Kemi jetuar fshehurazi deri sa siguruam vizat, falë disa njerëzve të PS-së dhe jo Fatos Nanos.”, tha zonja Dega në DritareTV.