Shkruan Sokol Pepushaj
Ç’i bëre vetes o Sali Berisha që sot tallet me ty Elisa Spiropali?! ‘Mamica’ është në zenit të fitores. Nuk kënaqet se e koriti, duke e nxjerrë nga Hani i Hasan P*rdhës në Shkodër dhe duke e mbyllur në një “kasolle” në pyjet e Pukës, por u ngrit majë të gishtave në ballkon të Ballkanit, sallën e Parlamentit tonë, dhe i tund tek turinjtë shaminë e fitores. ‘Mamica’ tund bajrakun, shëtiti çdo mehall të Shkodrës dhe ndalon “frymën” n’Zall t’Kirit. Me ironi, dukej se donte t’i thoshte se jo vetëm hupe Sali, por edhe ik matuf, ke bërë namin e zi kudo ke vajtur, po desha të di, a ke qenë ndojëherë n’Zall t’Kirit?!
Në tre shekujt e fundit janë edhe tre dy femra të tjera që e koritën doktorin.
Ambasadorja Mariza Lino e para. Në vitin 1997, i lidhi litarin në qafë dhe ja shtrëngoi aq shumë sa për tetë vjet nuk u ngrit në këmbë. E dyta Jozefina Topalli në vitin 2010. Aso kohe, Jozi valëviti faculetën se është pronarja e gjysmës së Shkodrës, sa ndërtimet e saj i sheh edhe doktori nga Muri Kinez.
Pas pak, në 2013-tën, e zuri poshtë muri i pushtetit edhe për tetë vjet të tjera regjim shtrati. E treta, ambasadorja Yuri Kim, e qëlloi aty ku i dhëmb më shumë, tek nderi i vet dhe i partisë.
Është në rënien e tretë doktori e ‘Mamica’ nuk ndalet…
Elisa, si drejtuese politike e Partisë Socialiste të Shkodrës, ka hulumtuar komplekset dhe frustrimet e Saliut dhe Djalit të Alisë në çdo gëmushë ariu e në çdo vrimë miu. Ajo, teksa tund bajrakun si triumfatore që i theu “shpatën” Saliut, nuk tha atë që kishte vlerë më të madhe.
Parkingjet publike, të vizatuara me bojë gjysmë kafe gjysmë fosforishente, që nuk lejonin qytetarët të parkonin makina askund, në dy-tre ditë, nuk ekzistojnë. Po bëhet vizim i bardhë, e qyteti ka nisur të frymojë lirisht. Nuk gulçojnë makinat, nuk ngatërrohen qytetarët, jo po më takon mua, jo po e kam zënë me karrige, e kam bojatisur apo kam vënë ca gurë.
Gurët e rëndë të korrupsionit rëndojnë gjithandej.
Pasuritë i gjejmë aty ku nuk besohet, tek dembelët e parazitët, perlat e artit andej nga nuk pritet, tek bariu, mullixhiu, bujku, blegtori, tek gurra e fshatit ku Dielli freskon sytë në mëngjes e lanë këmbët në mbrëmje. Në netët e errëta, njerëzia bën hoka me diellin e hënën, me dritën e terrin e deri me muzën popullore që lëshon tharmin nganjëherë me shumicë.
Ja prologu për të dalë tek logu…
‘A ke ken ndojherë në Zall’Kirit’, është një shprehje popullore shkodrane, që duhet ta klikosh në Google që për të mos dyshuar se si u jetojë kohërave, apo pse jemi të vetë censuruar nga një herë.
Kohët dhe kulturat duan përkujdesje në komunikim, edhe pse perceptimi artistik në estetikën shoqërore, në lëmin imagjinar, legjitimon banalitete ekstreme, deri në infinit të logjikës njerëzore.
Këtej, banaliteti dhe degjenerimi, perceptohen moral. Të pa ngopurit e parlamentit, me dyfishimin e rrogave të veta, forcuan moralin prej nga rrjedhin, se hajduti, sa më shumë të vjedhë, më shumë duhet të paguhet.
Këtej ku jetojnë njerëz, komandojnë kafshë.
“Kafshët” e diktaturës kanë hapur varre figurash emblematike edhe në Zall të Kirit, andej ku ‘Mamica’ e ka çburrëruar Saliun. Atyre guralecave, ende Shkodra kërkon eshtrat e pagjetur të 401 bijve të vet të pushkatuar pa faj, ndaj duhet vlerësuar Elisa, që e ka kaluar Ylberin si Amazonë në mes të heshtave të Vikingëve, shëndosh si kokrra e mollës.
Për konceptet morale, nuk ka pse ngjan amorale, kur artikulojmë se, ata që kanë mbyllur në varre më të mirët e këtij kombi dikur, u kanë çelur varre po më të mirëve të tashëm.
Kronikat edhe pse të zeza, janë të pastra, do me thënë të pa dëmtuara.
Saliu ka prerë shumë jetë në mes, u ka hapur “gropën” aty ku ishin, tek këmbët, në mes të qytetit, parlamentit, në mal, zyrë, në oborr të shtëpisë vet, në det, kudo. Nëpër këto labirinthe është testuar edhe Babloku. Në fletët e kalendarit kriminal, kryeministri është lauruar si antiamerikani më qëndrestar, e Saliu as këtu nuk ka gabuar.
Por, meqë mileti s’do shkrime të gjata, erdhi logu që na çon tek prologu.
Kudo ka tokë, ujë e ajër, ka krime, ka Berishë, Metë e Bablok. Ja, vendi që nuk ka nevojë të lëshosh grepin për peshk të madh, është pak kilometër afër Tiranës. ‘Mamica’ që shporri Saliun, a ka zë ta pyesë edhe ambasadoren Yuri Kim, a ‘ke ken ndojher n’Në Gji t’Lalzit?! Se edhe andej është një “varrezë” e pasurive tona.
Ylberi mbi Zall t’Kirit, nuk është më i gjerë se ai mbi Gji të Lalzit. Hapi i ‘Mamicës’ nuk e kapërcen dot. Duhet ta provojë ndonjë burrë, por nga ata që nuk kanë vilë aty, apo pasuri që i shikon kushdo që hipën majë gurit të SPAK-ut, pa pasur nevojë ngjitjen Mbi Murin Kinez./Pamfleti