Shkruan Zef Ndreka
– Pikturë e Nënë Terezes nga Mjeshtri i Madh, Pashk Përvathi.
Sot në ditën e kanonizimit të Nënës Terezë, zgjodha këtë pikturë për ta ekspozuar dhe komentuar.
Sepse, Nënën Terezë e kemi parë në shumë versione nga piktorë të ndryshëm nga gjithë bota
Piktorë shqiptarë dhe të huaj e kanë paraqitur Nënë Terezën me realizëm të plotë, duke u përqendruar tek ngjashmëria fizike, shpesh me uniformën e saj të bardhë me vijën blu.
Të gjitha këto portrete janë trajtuar apo konsideruar shpesh si dokument historik, duke u përpjekur të ruajnë sa më saktë pamjen e saj.
Ndryshe nga këto, duket se Mjeshtri Pashk Përvathi ka hequr dorë nga portreti i plotë dhe ka zgjedhur vetëm pjesët që kanë peshë shpirtërore, fytyrën dhe duart me rruzare.
Ndryshe nga ikonat kishtare ku pikturat e Nënë Terezës janë paraqitur në stil ikone bizantine ose katolike, me aureolë, të veshur si shenjtore tradicionale, Pashk Përvathi, nuk e shenjtëron përmes aureolës, por përmes heshtjes dhe lutjes, duke e lënë simbolin të lindë nga natyrshmëria e saj njerëzore.
Përvathi, në këtë pikturë ka zgjedhur intimitetin ,një moment personal i saj i lutjes, që është më i thellë sesa madhështor.
Tek kjo pikturë, veçantia është kombinimi i realizmit me minimalizmin simbolik, duke e trajtuar Nënë Terezën si njeri të përulur që flet me Zotin.
Pra, ndërsa shumë artistë e kanë parë Nënë Terezën si ikonë kombëtare ose shenjtore të përbotshme, Pashk Përvathi e sjell si ikonë të përulësisë dhe heshtjes, duke e bërë ndoshta një nga versionet më njerëzore dhe më shpirtërore.
Në një ekspizitë pikture, për këtë foto do hidhja shënimin e mëposhtëm:
Fytyra e rrudhur dhe duart me rruzare flasin më shumë se fjalët: vuajtje, përulësi, dashuri.
Heshtja e sfondit e kthen figurën në një ikonë moderne të shpirtit, ku arti takohet me besimin
dhe lutja bëhet universale.
Urime Mjeshtër për këte pikturë, që unë pata privilegjin ta kemë në ditën e Nënë Terezes!








