Industria e Shkodrës

0

Shkruan Zenepe Dibra

Po bëj këtë postim shumë shpejt nga postimi i djeshëm por edhe për sqarimin për disa miq këtu në FB që për të vlerësuar periudhat e zhvillimit të një vendi, qyteti apo krahine duhet të merret parasysh konteksti i caktuar historik dhe politiko-social. Nuk mund të nënvleftësohet një periudhë e zhvillimit ekonomik të një vendi duke mbivlerësuar periudhën pasardhëse. Është edhe parim filozofik që e reja duhet përkrahur pa zhdukur ose nënvleftësuar gjithçka nga e vjetra nga e cila duhet të merret më e mira, më e vlefshmja. Nuk mund të thuhet për vendin e sidomos për Shkodren që ajo nuk ka patur zhvillim ekonomik para 1944, përveçse disa punishte artizanale. Nuk asht e vërtete! Shkodra që më përpara, por sidomos mbas 1912 me nje ngritje të vazhdueshme çdo vit ka filluar të bëhet një vend i zhvilluar industrial në bazë të ekonomisë kapitaliste kur njihej dhe respektohej prona private dhe inisiativa e lirë. Në atë kohë mundësia e zhvillimit ishte shumë më e madhe se njerëzit ishin të lirë, kishin mundësi të lëviznin, te bashkepunonin me firmat e huaja dhe të informoheshin me të rejat e zhvillimit ekonomik të vendeve përendimore. Korupsion ka patur gjithmonë por kurrë në këtë nivel që asht sot, konçensione janë dhënë por me rregulla shumë më të institucionalizuara se sot ku konçensionet mbështeten nga buxheti shtetit gja që nuk ka ndodhur kurrë përpara. Biznesmenët shkodranë rinovonin vazhdimisht fabrikat e tyre me teknollogjitë e reja të kohës. Unë mendoj se po të vazhdonte ai sistem ne sot do të ishim shumë më të zhvilluar se në fund të fundit çfarë bëmë? Ne edhe sot në atë sistem kaluam, ama veç me rregulla të prishura që nuk i mban asnjë vend kapitalist përendimor ku korupsioni i lartë dëmton konkurencen dhe krijon një klasë bisnesmenësh të përkrahur dhe të priveligjuar nga shteti Shkodra nuk pasë vetëm punishta, artizanale, por ka pasë fabrika sa sistemi komunist që erdhi i shfrytëzoi shumë prej tyre duke i shtetizuar, si Fabrika e cigareve, Fabrikat e miellit, Fabrika e Tisazhit, Fabrika e çementos, fabrika e voj-sapunit, etj ku dhe disa prej tyre kanë punuar deri më 1990. Por natyrisht sistemi tjeter që erdhi mbas 1944 ndërtoi shumë më tepër fabrika dhe uzina dhe sidomos veprat më të rëndësishme energjike që kurrë nuk duhen mohuar. Historia për këto gjera nuk lejon as te mohohen të rejat por as të mohohen dhe të nënvleftësohen të vjetrat
INDUSTRIA E SHKODRËS (Para 1944)
Para v. 1912 Shkodra nuk kishte një industri të mirëfilltë përveç disa ndërmarrje të vogla prodhimi. Me shkatërrimin e esnafëve, që nga viti 1875 duken shenjat e një prodhimi industrial të bazuar në makinat prodhuese. Firma shkodrane “Parruca” sjell që më 1860, në Shkodër të parin filander që nxirrte fijet e mëndafshit, e më vonë firma “Muzhani” dhe “Kaçulini”. Në vitin 1912 qenë ndërtuar disa ndërmarrje të ndryshme industriale me karakter të përpunimit të prodhimit bujqësor, si prodhimi i miellit, cigareve, industria e sapunit etj., Deri në vitin 1924 në Shkodër numëroheshin 12 ndërmarrje industriale, duke zënë vendin e parë në vend përsa i përket këtij numri. Në v. 1919 firma “Angjelin Luka” ngriti një fabrikë për prodhimin e karameleve dhe biskotave; më 1922 firma “Nikaj” ngre një fabrikë për prodhimin e alkolit, firma “Dragusha” për prodhimin e makaronave, firma “Pogu” për prodhimin e sapunit etj. Firma”Vëllezërit Hoxha” ngriten punishten e prodhimit të brezave dhe më vonë Fabriken e Tisazhit, e para në Shqipëri, që prodhonte kryesisht beze. Nga viti 1923, grupe kapitalistësh shkodranë nga familjet Nikaj, Daragjati e Gurashi, në bashkëpunim me kapitalistë të huaj, bëjnë përpjekje për krijimin e shoqërive konçensionare të minierave dhe ngritjen e një banke. Në v. 1935, për herë të parë në Shkodër ngrihet “Fabrika e gazozit”- aranxhatës (pije freskuese me gaz), në mjediset e pronës së Gurakuqëve, dhe që menaxhohej nga Shyqyri Dervishi. Në v. 1938 Shkodra prodhonte 20% të prodhimit të përgjithshëm industrial të vendit, kurse në v. 1944 në qytetin e Shkodrës numroheshin rreth 96 fabrika dhe punishte nga të cilat 80% relativisht të mëdha. Ndër më kryesoret ishin fabrikat e cigareve dhe të duhanit me një kapacitet vjetor 510 ton cigare dhe 70 ton duhan të grirë, 3 fabrika sapuni me kapacitet prodhimi vjetor 180 ton, 2 fabrika tisazhi me kapacitet 730.000 ml pëlhurë, 7 fabrika mielli dhe makaronash me kapacitet prodhimi: miell 4600 ton dhe makarona 500 ton, Fabrika e çimentos, me kapacitet prodhimi 15000 ton çimento në vit. Por kishte edhe fabrika të tjera, si fabrika e biskotave, karameleve, e tullave, e lëkurëve, e alkoolit, centrali elektrik, etj. Kishte edhe njësi të mëdha, si Banka Kombëtare, 3 shtypshkronja, shoqëria elektrike “Sesa”, 9 hotele, 3 agjensi autobuzash etj. Ndër firmat industriale dalloheshin firmat e vëllezërve Ademi, Rusi, Shkodra, Drini, Maqedonia në industrinë e duhanit dhe cigareve, Dan Hasani, Vllaznit Ulqinaku, Vllaznit Sali Mehmeti, Dragusha&shokë, Vllaznit Rroji, për industrinë e prodhimit miellit dhe makaronave, vllaznit Hoti, Vllazënt Pogu, Ramadan Dibra për prodhimin e sapunit, shoqëria aksionere “Portland çimento” për prodhimine çimentos, Muzhani- industria e manifakturave. Përveç këtyre në fushën e lundrimit dallohen firmat e Jak Muzhanit dhe vëllezërit Çoba. Prej gjithë industrisë, 59% e përbënin personalet dhe 3% aksionere. Shumë produkte të industrisë shkodrane, si cigaret e firmës Ademi, leshi, lëkurët, këpucët, mëndafshi si dhe shumë produkte të bujqësisë dhe frutikulturës qenë prezent në tregun europian.
INDUSTRIA E PËRPUNIMIT TË DUHANIT (Para 1944)
Forma më e hershme e përpunimit të duhanit është coptimi i tij për t’u pirë me çibuk. Më vonë filloi grirja e tij me thikë ose me brisk, më vonë me çark (havan), dhe mbas v. 1900 dalëngadalë zevëndësohet me maqinat grirëse. Grirja e duhanit bëhej me punëtorët me meditje që quheshin elhakçij. Tregtarët e njohur që kanë patur elhakçinj ishin Zajejt, Haxhi Nasuf Tepelija, Muhamet Mustafa, Alush Mema, etj. që kanë punuar deri 100 kv duhan në ditë. Makinën e parë të grirjes të duhanit e kanë sjellur në v. 1900, vëllezërit Fasli dhe Rexhep Ademi që aplikuan edhe përpunimin e cigareve me dorë me anën e tubave (bobinave) të cigareve të quajtura zivane. Më të njohurit që ngriten punishtet e prodhimit të cigareve me dorë ishin: Seit Elbasani, Rexhep Xhabija, Fasli Ademi, Hilmi Drishti, Mirash Suma, Muho Lluja, etj Në v. 1919 Fasli Ademi sjell makinën e parë për përgatitjen e cigareve e më vonë edhe makinën e dytë që kishin kapacitet prej 20,000 zivane në orë. Në Shkodër për herë të parë Fasli Ademi importon nga Austria kompleksin e makinerive për prodhimine e kutive të cigareve të tipit sirtar. Në vitin 1925, në Shkodër hapin punishtet e para për grirjen e duhanit edhe firmat e Idriz dhe Adem Troshanit, të Ymer Matit, e Caf Vilës dhe më 1928 Jonuz Zaja, Asllan Hoti e Brahim Hysa, duke vazhduar më vonë me firma të tjera. Këto sollën makinat e grirjes Universal, me kapacitet 150 kg duhan të grirë në 8 orë që punonin me energji elektrike, të furnizuara nga një gjenerator më benzinë. Kapitali i këtyre firmave varionte nga 145 deri 260 napolona ari. Gjatë viteve 1929-1934, prodhimi i duhanit gjethe varion nga 400 deri në 500 ton dhe kundër të gjithë rretheve të vendit, Shkodra do të zinte përqindjen më të lartë të prodhimit në shkallë vendi. Duke ditur që prodhimi i cigareve deri në v. 1924, bëhej me dorë, rritja e mëtejshme e prodhimit çoi në gjetjen e rrugëve dhe teknologjive më moderne për prodhimin e cigareve. Periudha e viteve 1924-1928, karakterizohet nga një numër i madh fabrikash cigaresh me makineri moderne të kohës duke i dhënë fund punimit primitiv të tij. Hapen 8 fabrika, si: “Tarabosh” me trashëgimtarët e Fasli e Rexhep Ademit, “Macedonia” (Riza Rusi me nipat), “Rusi” (Sytki Rusi me vëllezërit), “Saralia” (Oso Rroji), “Shkodra” (Mikel Muzhani), “Besa” (Jonuz Çaku dhe Vllazen Perdja) , “Drini” (Vllaznit Pogu), “Gera” (Rrok Gera e Vllazen), “Mirash Sama e C”. Këto 8 fabrika cigaresh me aktivitete në v. 1920-1944, kishin kapacitet prodhimi ditor 1.830.000 cigare në ditë me 230 punëtorë dhe 100 nxënës. Në 31 lagjet e qytetit funksiononte një rrjet i gjërë dyqanesh prej 66 njësish.
INDUSTRIA USHQIMORE(para 1944)
Deri në fund të shek. XIX, industria ushqimore ishte e zhvilluar në mënyrë artizanale. Në v. 1890 në Shkodër ngrihet fabrika e parë e blojës; në v. 1897 ngrihet fabrika e parë e sapunit. Në fillim të shek. XX, përpunimi i produkteve filloi të mekanizohej. Më 1918 ngrihet fabrika tjetër e sapunit “Vëllezërit Hoti” dhe fabrika e miellit Dan Hasani; më 1922 ngrihet fabrika e parë e duhan cigareve dhe ajo e sapunit e vëllezërve “Pogu”. Po në këtë vit fillon prodhimi i alkolit etilik nga firma “Nikaj e Shokë”, e para fabrikë e këtij lloji në Shqipëri, që më vonë do të pasohej nga ajo e Mati Koliqit. Më 1923 ngrihet një fabrikë mielli nga Vëllezërit Mehmeti; më 1924. Gjatë v. 1935-1939 bëhet zgjerimi i fabrikës së makaronave i shoqërisë kapitaliste “Dragusha e Shokë”, ngrihet fabrika e biskotave e Shaban Elezit; më 1938 vëllezërit Pogu ngritën një fabrikë për prodhimin e vajit nga farat vajore, e para e këtij lloji deri atëherë në vendin tonë. Në v. 1929-1933 Shkodra kishte 4 fabrika mielli nga firmat “Dragusha e shokë”, “Dan Hasani”, “Vëllezërit Sali Mehmeti”, “Vëllezërit “Rroji”. Fabrikat e prodhimit të drithrave ishin të përqëndruara në masën 50% vetëm në qytetet Durrës dhe Shkodër. Në v. 1939-1944 në Shkodër, shoqëria “Birra Korça” ngriti fabrikë për prodhimin e pijeve freskuese; Myftar dhe vëllezërit Rroji vendosin pranë fabrikës së miellit edhe atë të makaronave. Në prodhimin e përgjithshëm industrial Shkodra zinte një vend me rëndësi përsa i përket fabrikave të blonjës, të sapunit, të makaronave, alkolit, duhan cigareve etj.
INDUSTRIA E SHKODRËS (1944-1990)
Mbas viteve 1944, zbatohet politika e industrializimit socialist dhe elektrifikimit të vendit, që synonte krijimin e një industrie krejtësisht të re, ku mbizotëroi tërësisht prona socialiste, me drejtim të centralizuar dhe mbështetje në forcat e veta. Mbas shtetizimit u rikonstruktuan Tisazhi, Fabrika e çimentos, e cigareve, e lëkurëve etj. Gjatë periudhës 1945-1992, aktivitetet kryesore të industrisë në Shkodër ishin përpunimi i duhanit dhe përpunimi cigareve, prodhimi i ushqimeve të konservuara, ushqimet me bazë sheqeri, pijet freskuese dhe alkolike, makarona, buka, orizi, zarzavatet dhe vaji. Aktivitetet kryesore të industrisë tekstile ishin të fokusuara në prodhimin e veshjeve. Degët kryesore të zhvillimit të industrisë në Shkodër ishin: industria elektrike, e bakrit, mekanike, e materialeve të ndërtimit, industria e lehtë dhe ushqimore. U ndërtuan uzina dhe fabrika të reja, si Uzina e Telave, Uzina “Drini”, Fabrika e pëlhurave, Kombinati i drurit, Ndërmarrja e Fermentimit të Duhanit, Ndërmarrja e ndërtimit “Muhamet Gjollesha”, dy ndërmarrje artizanale: “Ndërmarrja e Prodhimeve Artistike”, dhe “Ndërmarrja e Zukth Kashtes”, “Fabrika e tullave”, fabrika të vogla të industrisë lehtë si ajo e konservave, e qumështit, e pijeve, e bukës, e blojës, e miellit dhe makaronave, e lëkurëve, këpucëve, e peshkimit, etj. Kryesisht industritë kryesore ishin të lokalizuar në Zonen Industriale që ndodhet në pjesen veri-perëndimore të qytetit përgjatë l. Kirit. Prodhimi industrial u rrit në mënyrë të konsiderueshme. U ndërtuan tre hidrocentrale mbi lumin Drin, Hidroecentrali i Vaut Dejës, Komanit dhe Fierzës; më 1971 përfundoi elektrifikimi i vendit që rriti shkallën e industrializimit të qytetit të Shkodrës. Po kështu u rrit numri i punëtorëve në shumë fabrika dhe uzina. Në këtë kohë Shkodra eksportonte mallra, si kabllo dhe tela nga Uzina e Telave ( për vitin 1989, afro 9719 ton tela dhe kabllo), energji elektrike (gjysma e së cilës eksportohej në vendet fqinjë, si Jugosllavi, Itali dhe Greqi), prodhime artistike, cigare dhe duhan, bimë medicinale etj. Eksporti i prodhimeve të freskta bujqësore u rrit shumë. Gjatë kësaj periudhe, Shkodra zinte një nga vendet e para në Shqipëri për nga zhvillimi ekonomik.
INDUSTRIA E PËRPUNIMIT TË DUHANIT
Pas viteve 1944, filloi shtetizimi i fabrikave private. Më 19.02.1947 shtetizohet fabrika e cigareve të Fasli Ademit, që vazhdon të punojë për konsum lokal. Në v. 1952 ndërtohet Uzina e Fermentimit të Duhanit, qëllimi i së cilës ishte grumbullimi i duhanit, tharja dhe fermentimi i tij, për t’u përgartitur për cigare. Më vonë më 1959-1960, ndërtohet një fabrikë e re po në këtë territor e cila pajiset me një linjë teknologjike të avancuar me maqineri dhe impiante teknologjike të importuar nga Gjermania Lindore.
INDUSTRIA USHQIMORE
Mbas viteve 1944, mbas vendosjes së sistemit socialist, filloi shtetizimi i gjithë fabrikave dhe linjave private. dhe rikmëkëmbja e disa fabrikave ekzistuese dhe ndërtimit të rejave. Në Shkodër më 1947 rikrijohet “Ndërmarrja e Vaj-sapunit”, Ndërmarrja: Fabrikat e makaronave, “Kallxi’, “Ylli”, “V. Shanto”, “V. Kadija”, “E. Gjyli”, “Ndërmarrja e grumbullimit”. Në v. 1947 tre fabrikat e sapunit përqëndrohen në një të vetme. Në v. 1949-1955, filloi organizimi i industrisë ushqimore, ku më 1950 ndërtohet Fabrika e makaronave në Shkodër, dhe më vonë Fabrika e konservave dhe e salcës, dhe Kantina e verës (1961). Më 1970 në Shkodër ngrihet “Fabrika e çembrionizimit të misrit”, e para e këtij lloji në vendin tonë. U ngriten edhe reparte të tharjes së misrit. Po në këtë vit u ngrit “Fabrika e përpunimit të qumështit”, ku për herë të parë prodhohet qumështi pluhur dhe ai i kondensuar. Në v. 1977, ngrihet fabrika e përpunimit të lulediellit, më vonë fabrika e prodhimit të vajit të ullirit, reparti i ri i përpunimit të bimëve eterovajore ku prodhoheshin esenca për eksport; më 1988 ngrihet fabrika e pijeve freskuese, dhe reparti i prodhimit të likernave. Shkodra u bë një nga qëndrat e rëndësishme të industrisë ushqimore; në v. 1985, Shkodra zinte 8,8% të eksporteve në shkallë vendi. Nga kantina e verës Shkodër, prodhohej verë e cilësisë së lartë Kallmet, verë Merlot, verë e embël natyrale (Rozafa) dhe Malaga të ambalazhuara për eksport në ish republikat e kampit socialist. Gjithashtu eksportohej verë e kuqe dhe e bardhë e hapur, në autobota. Fabrika e konservave në vitet 1970 arriti të prodhonte rreth 300 ton marmelatë në vit, 200 ton reçel, 30 ton komposto, 45 ton perime etj.
Bibliografi: Esmeralda Uruçi, Mirjeta Beqiri, “Traditat e zhvillimit të Industrisë në Shkodër në gjysmen e parë të shek.XX”, Seminari i III Ndërkombëtar “Shkodra në Shekuj”, Shkodër, 1998, “Shkodra”, FESH, Tiranë, 1985; “Shkodra”, FESH, Tiranë, 2009; Raporti final i “Projektit të ujit dhe ujërave të përdorura në Shkodër –raport besueshmërie”, bërë nga KGË grup Kittelberger Consult, Prill 2007, Paulin Zadrima “Krijimi dhe i zhvillimit i industrisë së përpunimit të duhanit në rrethin e Shkodrës (1900-1920) “, Seminari II Ndërkombëtar “Shkodra në shekuj”, Shkodër 1995; Paulin Zadrima “Krijimi dhe i zhvillimit i industrisësë përpunimit të duhanit në rrethin e Shkodrës (1920-1945) , Shkodër, 1998; Të dhëna të marruara nga Dyl Hysa, dhe Fatmir Kazazi, drejtues së Uzinës së Fermentimit në vite, Dashamir Hajdëri “Industria ushqimore në Shqipëri ”, Tiranë 2000; “Historia e bujqësisë dhe agroindustrisë shqiptare”, Tiranë, 2003.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu