Procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian pritet të ndikojë drejtpërdrejt edhe në funksionimin e bashkive, të cilat do të duhet t’u përshtaten një sërë ndryshimesh dhe standardesh të reja.
Gjatë një konference për shtyp, ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, paralajmëroi sfidat që sjell ky proces, duke e cilësuar atë si një transformim të thellë për institucionet.
“Në momentin që jemi vend anëtar i BE do të kemi puë për të bërë për të rritur dhe përmirësuar funksionimin e institucioneve. Procesi i integrimit është shumë kompleks dhe kërkon detyrimisht një transformim radikal të të gjitha institucioneve. Një cunami është duke ardhur nga pikëpamja rregullative dhe e standardeve të reja që bashkitë duhet të plotësojnë”, tha ministri i Pushtetit Vendor.
Ai theksoi se realiteti i ri do të kërkojë angazhim të madh edhe nga pushteti vendor, duke nënvizuar nevojën që bashkitë të rrisin kapacitetet dhe të përgatiten për një nivel më të lartë funksionimi.
“Realiteti i ri me të cilin do të ballafaqohemi kërkon shumë energji, edhe nga ato lokale që ato duhet të jenë të gatshme për të ngritur veten e tyre në një nivel tjetër dhe ne të jemi të gatshëm t’i ndihmojmë. Është një sfidë e përbashkët”, tha Demo, duke vënë në dukje kompleksitetin dhe vështirësitë e procesit të integrimit.








