Shkruan Zef Ndreka
Një nga momentet më delikate të funksionimit institucional në Kosovë janë zgjedhja e Presidentit dhe nevoja për konsensus politik. Në sistemin parlamentar të Kosovës, Presidenti zgjidhet nga Kuvendi, jo drejtpërdrejt nga populli dhe mungesa e dialogut ndërmjet forcave politike, rrezikon të prodhojë kriza të përsëritura institucionale.
Kjo ndodh, sepse problemi kryesor është mungesa e vullnetit real për kompromis. Zgjedhja e Presidentit kërkon shumicë të cilësuar në raundet e para dhe një klimë bashkëpunimi politik.
Por partitë e mëdha parlamentare kanë hyrë në proces me logjikë konfrontimi dhe jo me logjikë marrëveshjeje, kështu procedura kushtetuese është krhyer ditët e fundit në një betejë force duke shmangur procesin institucional.
Pukërisht, kjo e bën shumë të vështirë gjetjen e një kandidature konsensuale që mund të përfaqësojë unitetin e shtetit.
Kjo situatë ka ardhur për shkak të përgjegjësisë politike që natyrisht bie më shumë mbi forcën që ka shumicën ose peshën kryesore në parlament.
Në këtë rast, lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Albin Kurti janë parë deri tani, se kanë ndjekur një lëvizje më shumë partiake sesa gjithëpërfshirëse në raport me institucionet e tjera. Pra, VV-ja ka synuar më shumë të konsolidojë stabilitetin institucional, pa treguar fleksibilitet për ndërtimin e urave të dialogut me opozitën, sidomos për postin që kërkojnë legjitimitet të gjerë, si ai i Presidentit.
Por nga ana tjetër edhe opozita ka pjesën e saj të përgjegjësisë. Në shumë raste ajo është fokusuar më shumë në bllokim politik sesa në prodhimin e një alternative reale ose në propozimin e figurave që mund të pranohej nga një shumicë më e gjerë.
Tani shohim që të gjitha palët po qëndrojnë në pozicione të ngurta duke e futur sistemin institucional në një rreth vicioz.
Elementi tjetër që e rëndon situatën në.këto momente, është precedenti i krizave të gjata politike që Kosova e ka përjetuar në vitet e fundit. Ka patur vonesa absurde në krijimin e qeverive, ka patur polarizim të fortë politik dhe përdorim të procedurave kushtetuese si mjete presioni politik. Këto kanë krijuar një klimë mosbesimi të vazhdueshëm, klimë kjo që transferohet edhe në zgjedhjen tashmë të Presidentit, ku rreziku i dështimit të procesit bëhet real.
Po dështoi proçesi në mënyrë të përsëritur dhe nuk arrihet zgjedhja e Presidentit sipas procedurave kushtetuese, vendi mund të përballet me zgjedhje të reja parlamentare. Kjo është një kosto e madhe politike dhe ekonomike për Kosovën, sidomos tani kur sfidat e jashtme janë të shumta si dialogu me Serbinë, integrimi euroatlantik dhe stabiliteti rajonal.
Kështu, çështja e zgjedhjes së Presidentit nuk është një garë vetëm për një post, por më tej është një test i pjekurisë së klasës politike. Një kandidat konsensual do të ishte sinjal i stabilitetit institucional dhe i kulturës demokratike, gjë që Kurti nuk e dlshiron. Në të kundërt, vazhdimi i përplasjes politike vetëm do të thellojë krizën e besimit te institucionet.
Por kjo nuk i duhet Kosovës.
Ajo që i duhet Kosovës është momenti i reflektimit politik, ku figura e Presidentit duhet të jetë mbi interesat e partive dhe të mishërojë unitetin e shtetit.
Pa këtë frymë bashkëpunimi, rreziku i krizave ciklike do të vazhdojë të shoqërojë jetën politike të vendit dhe fajtorit të vërtetë do to bie maska…








