Italia po rezulton zyrtarisht investitori kryesor i huaj në Shqipëri për gjysmën e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për 6-mujorin investimet italiane kishin vlerën e 75 milionë eurove. Kjo shënon një rritje me 12.5% krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit të kaluar. Rritja e investimeve italiane u përqendruara kryesisht në tremujorin e dytë të vitit. Flukset arritën vlerën e 45 milionë eurove. Holanda ngelet ndër investitorët kryesorë në Shqipëri edhe këtë vit. Megjithatë u shënua një rënie krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas Bankës së Shqipërisë, investimet holandeze për 6-mujorin kishin vlerën e 70 milionë eurove. Kjo është 34% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vlerat e mëdha të investimeve holandeze në vitet e fundit lidhet shumë me faktin se Holanda është një nga vendet e preferuara në Europë për të regjistruar kompani offshore, me qëllim kontrollin e investimeve ndërkombëtare të grupeve të ndryshme të biznesit. Holanda ka një rrjet të gjerë të marrëveshjeve me vende të tjera të Botës për shmangien e tatimit të dyfishtë. Kjo i ndihmon kompanitë për të shmangur ndërlikimet tatimore në momentin e shpërndarjes. Po ashtu i ndihmon me transferimin e dividendëve të fituara nga investimet e kryera në vende të tjera. Arsyeja tjetër pse Holanda është një vend i preferuar për regjistrimin e kompanive është sepse legjislacioni i atjeshëm garanton një shkallë të lartë konfidencialiteti lidhur me pronësinë e aksioneve mbi një kompani. Pra, Holanda ka karakteristika të ngjashme me vende të tjera që njihen si juridiksione offshore. Pikërisht kjo është arsyeja kryesore pse disa prej kompanive me aksionerë shqiptarë që kanë fituar kontrata koncesionare në Shqipëri rezultojnë të regjistruara në Holandë.
Rënie të investimeve turke dhe rritje të gjermanëve
Ndërkohë, për të dytin vit radhazi, statistikat tregojnë një rritje të ndjeshme të investimeve gjermane. Sipas Bankës së Shqipërisë, për 6-mujorin investimet gjermane kishin vlerën e 59 milionë eurove.
Renditja e investitorëve të huaj për 6-mujorin vijon me Austrinë, me 33 milionë euro investimeve të reja. Më pas ndjek Kosova, me 29 milionë euro dhe SHBA, me 27 milionë euro. Këtë vit ka patur një rënie të ndjeshme e investimeve turke. Për 6-mujorin, fluksi i investimeve turke rezultoi negative në vlerën e 59 milionë eurove. Rënia ka ardhur e gjitha në tremujorin e dytë. Aty u shënua një fluks negative prej 91 milionë eurosh. Besohet se është e lidhur me shitjen e kompanisë Albtelecom nga konsorciumi turk CETEL tek grupi hungarez 4iG.
Në fakt, dy blerjet e mëdha të 4iG, nuk janë të reflektuara në fluksin e investimeve hungareze, me sa duket, për arsye konfidencialiteti, duke u përfshirë në kategorinë “Të tjera për arsye konfidencialiteti”.
Të dhënat e investimeve të huaja sipas stokut
Megjithatë, nëse analizojmë të dhënat e investimeve të huaja sipas shteteve të paraqitura në formën e stokut, në fund të tremujorin të dytë investimet hungareze kanë arritur vlerën e 203 milionë eurove, rreth 83 milionë euro më shumë krahasuar me tremujorin e parë. Në pjesën dërrmuese, besohet se kjo ka ardhur pikërisht nga blerjet e 4iG në sektorin e telekomunikacioneve. Megjithëse statistikat e flukseve nuk japin një konfirmim të saktë, me shumë të ngjarë investitori më i madh i huaj për këtë vit duhet të jetë Hungaria.
PO t’i referohemi stokut të investimeve të huaja direkte në fund të 6-mujorit, Zvicra vazhdon të kryesojë, me 1.8 miliardë euro, e ndjekur nga Kandaja, me 1.34 miliardë euro dhe Holanda, me 1.65 miliardë euro. Investimet zvicerane i takojnë kryesisht një projekti shumëkombësh, gazsjellësit TAP, ato kanadeze kompanisë Bankers Petroelum, që në mënyrë të tërthortë zotërohet nga kapitali kinez, ndërsa investimet holandeze lidhen me disa kompani holding me origjinë nga vende të ndryshme, të regjistruara në Holandë kryesisht për shkak të lehtësive tatimore dhe mbrojtjes së konfidencialitetit./ Monitor