Ish-kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj, dënohet me 3 vite burg për “Shpërdorim detyre”

0

Ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj dhe ish-kryetari i qarkut, Gjok Ndoka, dënohen me nga 3 vite burg. Gjykata e Apelit në Shkodër ka dhënë sot vendimin për ta dhe 15 zyrtarë e qytetarë të tjerë, të përfshirë në tjetërsimin e 234 mijë metrave tokë në bregdetin e Ranës së Hedhun në Shëngjin.

Hetimet kanë nisur në vitin 2017 dhe prej pesë vitesh ish-kryebashkiaku i dënuar sot me vendim të formës së prerë, ka shkuar në dyert e disa gjykatave. Sot, ai është shpallur fajtor dhe nuk dihet nëse ka qenë prezent në sallë, sepse në bazë të ligjit prangoset menjëherë.

Fran Frrokaj u dënua fillimisht me 4 vite burg, por vendimi u kundërshtua nga ky i fundit dhe Prokuroria e Apelit, të cilët bënë rekurs në Gjykatën e Lartë. Frrokaj kërkonte pafajësinë, ndërsa Prokuroria pretendonte se nuk ishte zhvilluar si një proces i rregullt ligjor, pasi kishte shkelje procedurale.

Gjykata e Lartë vendosi prishjen e vendimit së Gjykatës së Apelit në Shkodër dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në atë gjykatë por me tjetër trup gjykues. Gjykata e Shkallës së parë në Lezhë ne muajin shtator të vitit 2020 shpalli fajtor dhe dënoi me katër vite burg për “Shpërdorim detyre” ish-kryetarin e Bashkisë Lezhë.

Çështja shkoi për herë të dytë në Gjykatën e Apelit në Shkodër dhe sot Fran Frrokaj dhe zyrtarët e tjerë janë dënuar me burg, me vendim të formës së prerë.

Tjetërsimi i tokës te Rana e Hedhun

Në vitin 2017 një qytetar denoncoi se toka e tij rezultonte në Hipotekë në emër të disa familjeve të tjera. Prokuroria zbuloi një sipërfaqe të madhe toke prej 234 mijë metrash katrorë tokë në zonën e Ranës së Hedhun që ishte përfituar përmes falsifikimit të dokumenteve.

Bashkia Lezhë dhe Këshilli i Qarkut Lezhë “nëpërmjet shkresave përkatëse zyrtare, pavarësisht se në realitet (tokat) janë mal dhe ranishte i kanë konfirmuar si toka të kategorisë “Arë” dhe “Pemtore”. Sipas vendimit për sekuestrim parcelat ishin regjistruar në emër të personave që nuk kishin të drejtë të përfitonin tokë në atë zonë.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu