Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është paraqitur sërish në Prokurorinë e Posaçme në kuadër të masës së sigurisë së ‘detyrimit me paraqitje’.
Sipas vendimit të GJKKO, ish-ministri Beqaj duhet të paraqitet në SPAK çdo të premte në orën 15:30.
Kujtojmë që Prokuroria e Posaçme ka zyrtarizuar hetimet ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj me masën e shtrëngimit të paraqitjes në policinë gjyqësore dhe ndalimin e daljes jashtë vendit si person nën hetim për shpërdorim detyre në procedurat e koncesionit të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.
Masat e sigurisë për Beqjen u miratuan nga Gjykata e Posaçme më 16 nëntor. Beqja është urdhëruar të paraqitet çdo të premte në Byronë Kombëtare të Hetimit, të mos largohet nga territori i Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës si dhe i ndalohet përdorimi i pasaportës apo mjeteve të tjera identifikuese për daljen jashtë shtetit.
Ai është zyrtari më i lartë nën akuzë për shkeljet e konstatuara me kontratën e partneritetit publik-privat të sterizilimit, pas arrestimit në gusht të këtij viti të biznesmenit Ilir Rrapaj dhe zëvendësit të tij në Ministrinë e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.
Hetimet 3-vjeçare të kryera nga SPAK kanë zbuluar shkelje të ligjit në procedurat e dhënies së njërit prej koncesioneve më të kushtueshme të sektorit të shëndetësisë, me qëllimin e vetëm të shpalljes fitues të kompanive të Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian, Umbro Staccini.