Istogu dhe Kosova – datë të çlirimit kanë 12 qershorin 1999

0

Shkruan Idriz Zeqiraj

Fillimisht, data e çlirimit të Kosovës është hamendësuar, për ta përcaktuar krejt të panevojshëm, edhe pse dihej mirëfilli. Ndoca kërkonin ndonjë datë, që ata të ishin protagonistë të ndonjë beteje ballore të veçantë. Por, kjo u mungonte. Arsyeja triumfoi dhe data-ditë e çlirimit të Kosovës u përcaktua, faktikisht e mençurisht, pikërisht ditën e hyrjes të tankeve të NATO-paktit, në Kosovë, si dëshmi e çlirimit, të Kosovës anë përtej, përjashto veriun e Kosovës, ku ndodhi tradhtia e KFOR-it francez, në koordinim me agjentët e saj shqipfolës në Kosovë.
Dikush u mundua ta shpallë Prishtinën e çliruar më 10 qershor. Por, falsifikimin e Rrustem Mustafës dhe të Ahmet Isufit, i demantuan, madje bindshëm, shumë qytetarë të Prishtinës, të cilët nuk kishin lëvizur nga kryeqyteti. Dëshmi tjetër është hyrja, shpenguehëm, e kontigjentit ushtarak rus, më 11 qershor 1999, përmes kryeqytetit, në aeroportin e Prishtinës. Kjo duhej t`u mjaftonte të tjerëve, për të mos shpallur data çlirimi fiktive, të rrejshme, as para dhe as pas 12 qershorit.
Caktimi i një date të vetme çliruese, për tërë Kosovën, bëhet ende më i domosdoshëm, po të kemi parasysh anomalinë e Shqipërisë, e cila feston dy data çliruese, mbi baza partiake, të një lufte: E djathta feston 28 nëntorin, ndërsa e majta 29 nëntorin 1944. Sepse ishte vendosur bashkimi i dy shteteve, jugosllav dhe shqiptar. Dy krerët udhëheqës të luftës në Shkodër, Seit Bushati dhe Sadik Bekteshi, i pari politik, i dyti gjeneral, i shpallur Hero i Popullit, me 1969, ndërsa i dënuar me 25 vjet burg, me 1975, si Armik i Popullit, bashkëvuajtes i imi, në Burgun e Burrelit, deklaron: “Shkodra, qyteti i fundit i Shqipërisë është çliruar me 28 nëntor, kur forcat ushtarake gjermane kanë kaluar kufirin në Han të Hotit. Data 29 nëntor është datë nostalgjike e komunistëve shqiptarë për Jugosllavinë. Por, në majën e Malit Tarabosh, ka qëndruar një skuadër ushtarësh gjermanë edhe për disa ditë, pas çlirimit. Megjithatë, luftë nuk ka pasur dhe data e çlirimit të Shqipërisë mbetet 28 nëntori 1944”.
Profitieret e luftës kanë zvetnuar dhe përdhosur gjakun e dëshmorëve dhe të viktimave, me dy falsifikime groteske:
1) Data fiktive, e rrejshme çliruese e Istogut, jashtë datës së vërtetë, 12 qershor 1999;
2) Rritja fiktive, e rrejshme të numrit të veteranëve të luftës, zvetnuan nderimin për dëshmorët, viktimat dhe luftëtarët e vërtetë. Disa komandantë të zëshëm, përfshi edhe shefin e SHTAB-it të Përgjithshëm, gjeneral Sylejman Selimin, i cili zotëron listën emërore të luftëtarëve, përgjatë luftës, thotë, me bindje të plotë, se Kosova ka pasur 12.700 luftëtarë, tashmë, veteranë. Edhe Kolonel Anton Quni pajtohet me shefin e Shtabit, Gjeneral Sylejmanin, duke shtuar edhe 1.000 të tjerë, si pjesë e logjistikës.
Por, sot llogaritën edhe 45.500 “veteranë” të rremë në Kosovë. Ndërsa në Shqipëri, gjeneral Spiro Butka, kryetar i të UÇK-së OVL, për luftëtarët shqiptarë nga Shqipëria numërohen 186, kurse Kolonel Dilaver Goxhaj e redukton në 129 veteranë, duke dhënë detaje për luftëtarët e djeshëm, fshati apo qyteti nga vijnë dhe njësitë luftarake, ku kanë qenë pjesë e luftës. Por, sipas gjeneral Spiro Butkës, sot marrin pensionin 3.000 “veteranë” dhe ky numër vazhdon të rritet. Ai përmend edhe emra falsifikatorësh të “Dëshmive të Veteranit”, si dhe bizneset e tyre nga Malësia deri në Tiranë, me matrapazët vendorë. Ndërsa oficerët-komandantë nga Shqipëria, numrin e luftëtarëve nga Shqipëria, e reduktojnë në dyshifrorë, ngaqë veçsa janë regjistruar në ndonjë njësi ushtarake dhe janë larguar pa e shkrepur një plumb!
Makro-abuzimi me buxhetin e pakët shtetëror, për pagesën e tej 45 mijë “veteranëve” të rrejshëm, është hajnia më e madhe zyrtare në hapësirat ballkanike dhe evropiane. Këtu kanë dështuar të gjitha qeveritë: ato që kanë falsifikuar, ato që kanë filluar pagesën e “veteranëve” të rrejshëm dhe qeveritë, të cilat nuk e kanë ndaluar këtë gjakderdhje financiare të trishtme! Ekziston dyshimi i bazuar, se shumësia e “veteranëve” të rrejshëm, janë bërë klientelë elektorale e disa partive! Padyshim, me këtë hajni zyrtare, po e vënë në dyshim, nëse Kosova është e aftë, për ta administruar, qeverisur Kosovën e sotme?!
Istogu, me sa di, është komuna e parë, e cila i bashkoi dëshmorët e luftës, në një lokacion të përbashkët. Ky fakt është ri konfirmim i vlerësimit të bërë, si komuna e dytë me performancë në nivel të Republikës të Kosovës. Dhe, kjo është vlerë shtesë për udhëheqjen komunale, të kryesuar nga kryetari Ilir Ferati, me stafin e tij simpatik.
Përzgjedhja e lokacionit, projekti dhe realizimi i Kompleksit Memorial i Varrezave të Dëshmorëve të komunës të Istogut, mendoj se është i qëlluar, i shkëlqyer. Një hapësirë vendore e lirë, me një pjerrësi terreni, që i jepë hijeshi, me shkëlqimin diellor ditën, qoftë natën nën ndriçimin e llampadarëve ndriçues. Nuk e fshehim dot, meqë kontestimet kanë qenë publike dhe kjo ka bërë që përurimi zyrtar, pikërisht, për këtë është vonuar ndër vite. Dhe, kjo vonesë ka lënduar jo vetëm grupet kundërthënëse, kryesisht, brenda OVL të UÇK-së, por ka prekur edhe qytetarët e Kosovës, duke vënë dyshimin e bazuar se sindromi i falsifikimit është shtrirë, si në rastin e shumëfishimit të listave të veteranëve. Urojmë që në Varrezat e Dëshmorëve, nuk do të këtë dyshime, për ata që, tashmë, prehen në Panteonin e Lavdisë meritore, vajzat, burrat dhe djemtë dëshmorë të lirisë.
Përmes RTV -FONTANA-, me drejtor Zeqir Mehmetaj, me stafin e tij të vullnetshëm, kemi përcjellur punën e shkëlqyer, përgjatë eskumimit të kufomave-eshtrave dhe rivarrosjen në Memorialin e Varrezave të Dëshmorëve në Vrellë. Natyrisht, e dhimbshme, por, gjithsesi krenare për familjen me farefisni të dëshmorëve dhe mirënjohjen e popullit të Kosovës, për dëshmorët tanë.
Është vënë re mungesa e ish-drejtorit të Axhencisë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve të Memorialëve, zotëri Idriz Blakaj, i cili, me aq sa jam në dijeni, ka qenë nismëtar i kësaj ideje, gjetjes së lokacionit dhe përcjelljes, deri ë realizimin e Kompleksit Memorial në Vrellë. Sidoqoftë, një keqardhje për ne, miqtë e tij dhe popullin, i cili e ka çmuar, përgjatë tej dy dekadave për veprimtari publike e zyrtare.
Këshilli mbikëqyrës realizues i zhvarrim-rivarrimit të Dëshmorëve të komunës të Istogut, duhet të shërbejë si frymëzim dhe guidë edhe për komunat tjera të Kosovës, që t`i bashkojnë dëshmorët në një varrezë të përbashkët komunale. Në këtë rast do të caktohej një datë-ditë e dëshmorëve, në nivel Kosove, ashtu siç e ka Shqipëria 5 Majin, në ditë-vrasjen e Sekretarit të rinisë komuniste shqiptare, Qemal Stafa. Kosova ka një rast ideal, flijimin e Shaban Jasharit, me familje, “në mbrojtje të pragut të shtëpisë-Kosovë”, për ta bashkuar datën-ditën e Dëshmorëve të Kosovës, me atë të Shqipërisë, pikërisht, me 5 Maj.
Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale, strukturat komunale, të kryesuar nga kryetari i komunës të Istogut, Ilir Ferati; drejtori ekzekutiv i Komplekseve Memoriale, Imer Hakaj, kryetari i OVL, Muhamet Demaj, për komunën e Istogut si dhe Shoqatat tjera, janë organizuar dhe kanë krijuar Komisionin e zhvarrim-rivarrimit të Dëshmorëve të komunës të Istogut, për t´i bashkuar në Kompleksin Memorial në fshatin Vrellë. Komisioni në fjalë, bollshëm i shkolluar, ka shansin dhe rastin të bëjë punë të tjera të mira, në interes të komunës dhe të Kosovës.
1) Ju, anëtarë të nderuar të këtij Komisioni (Këshilli), mund ta unifikoni datën e çlirimit të Istogut dhe tërë Kosovës, ashtu siç ka ndodhur, realisht, më 12 qershor 1999, duke kërkuar edhe nga komunat tjera, si datë çliruese në nivel të Kosovës.
2) Të saktësoni numrin e veteranëve të komunës të Istogut, për t`u bërë shembull për komunat tjera.
Nisma për pastrimin e listave, nga veteranët e rremë, ishte e gabuar, rrjedhimisht, edhe e dështuar. Fillimi i gjyqeve individuale ishte marrëzi. As shekulli nuk e zgjidhte problemin. “Peshku qelbet nga koka”,- thotë urtësia. Janë krye krerët partiakë, shtetërorë e pushtetarë, që u kanë prirë këtyre proceseve të pista, për interesa personale e partiake! Ata abuzuan dhe vazhdojnë të abuzojnë, edhe sot e gjithë ditën, me paranë e shtetit. Dhe, kush vjedh shtetin, është armik i Atdheut. Ndërkohë, në Kosovën tonë të përbaltur, i himnizojnë si heronj e çlirimtarë!?
Asnjë llogari nuk duhet kërkuar nga veteranët e rrejshëm. Asnjë pyetje as për ata, që u kanë dhënë “Dëshminë e Veteranit”. Emrat e tyre të hiqen nga listat e veteranëve të vërtetë, pa zhurmë. Blerja e “dëshmive”, është paguar dhe tejkaluar shumëfish, nga marrja e pensionit të -veteranit- ndër vite. Ata që nuk pajtohen, vihen para provave, por edhe para përgjegjësinë, nëse pretenduesit humbin testimin. 45.500 “veteranë” të rrejshëm, rrjedhin miliona euro, nga buxheti i varfër shtetëror. Andaj, të shpëtohet, aq sa mund të shpëtohet, tani e tutje. Hajnia zyrtare – turp kombëtar.
Në mesin e Komisionit aktual, për zhvarrim-rivarrim të Dëshmorëve të komunës të Istogut, në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Vrellë, janë të angazhuar edhe disa miq të mi, të vjetër dhe të rinj: kryetari Ilir Ferati, drejtori Imer Hakaj, luftëtarët Januz januzaj, Shasivar Haxhijaj, Muhamet Demaj, me shokë, veprimtari i hershëm, i shumëfishtë dhe drejtor i RTV -FONTANA-, Zeqir Mehmetaj, ndonëse ndjehem krenar me ata, pres të mos kufizohen me këtë vepër të vyer dhe domethënëse, por, të vazhdojnë edhe me propozimet e shtruara në këtë shkrim.
Uroj për mirëkuptim!

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu