Mendoni se në ekranet shqiptare ka më shumë lakuriqësi se ç’duhet? Kjo është pyetja pikante që u ngrit sot në emisionin “Wake Up” për publikun, por edhe për të ftuarit.
Në një lidhje “Skype” ishte sociologu i njohur, Ergys Mërtiri, i cili u shpreh se ka një “lloj prostitucioni të figurës dhe imazhit të gruas për të fituar para”.
“Kjo është problematike dhe aq më tepër kur kjo shfaqet në studio lajmesh apo në programe të cilat nuk e kanë për natyrë të jenë të seksualizuara në imazh.
Postova në rrjetet sociale një vajzë që jepte parashikimin e motit, por e hoqa për shkak se shumica e njerëzve nuk u morën me fenomenin por me vajzën dhe nuk ishte ky qëllimi im. Fytyra nuk dukej dhe shumë e kuptuan se kush ishte, dhe nuk doja të bëhej problem
Ka disa vlera, standarde. Ngatërron edhe statusin e gjësë. Nuk mund të shkosh me një veshje klub nate në një studio lajmesh. Veshja ka edhe një lloj kodifikimi të vendit ku shkon.
Nuk besoj se në media njerëzit janë aq të paaftë që mos të kuptojnë se nuk mund të shkosh në studio me pizhame”, tha Mërtiri.
Gjithashtu sociologu ngriti edhe një problem më të madh, ku vajzat e vogla pozojnë para aparatit fotografik si modele.
“Efekti i aspektit të kodis të veshjes, shohim që shumë njerëz e humbasin mënyrën se si duhet të sillen në rrethana të caktuara. Kemi mësues që shkojnë në shkollë sikur po shkojnë në dasmë. Në çdo aspekt kemi shfaqje të tilla.
Në momentin që nuk e kultivojmë kodin e veshjes në përputhje vendin ku ne paraqitemi, sigurisht që do ngatërrohen vlerat.
Ne shohim vajza të vogla që pozojnë para aparatit fotografik të nënave të tyre, a thua se janë top modele apo pornostare. Mënyra se si pozon tregon se nga e ëma, shoqëria, ku di unë, ajo ka perceptuar se imazhi i gruas është ajo e pornostares. Kjo për mua është problematike”, përfundon Mërtiri.