Një skandal i dyfishtë nepotizmi dhe konflikti interesi ka përfshirë Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve me në krye Ceno Klosin. News 24 ka zbuluar se Mired Reçi, djali i tezes i zv/kryeministres dhe ministres së Energjisë e Infrastrukturës Belinda Balluku është punësuar si këshilltar i drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve Ceno Klosi.
Por përveç lidhjeve nepotike Mired Reçi rezulton se ka qenë aksioner në dy kompaninë të hapura në Shqipëri. Bëhet fjalë për kompaninë “XL MARKET” shpk, dhe “Hippo Tregu Elektrik”, shpk, ku Mired Reçi ishte aksioner deri vonë me 49%, ndërsa ortaku tjetër ishte Meland Qirko, kunati i ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, dhe bashkëshort i Pamela Qirkos, e motra Ballukut.
Skandali thellohet pasi dy kompanitë ku ka qenë pronar Mired Reçit janë subjekt i mundshëm kontrolli nga administrate tatimore, aty ku ai është i punësuar në një prej niveleve më të larta. Ky nuk është rasti i parë i nepotizimin dhe konfliktin e interesit në kabinetin e drejtorit të PërgjIthshëm të Tatimeve.
Pak ditë më parë u zbulua se Ceno Klosi kishte punësuar po si këshilltar Mikel Lesaj, i cili deri ne 28 Janar 2022, rezulton të jetë ortak në biznes me vëllain e kreut te Tatimeve, Genti Klosi. Bëhet fjalë për një bar restorant në kodrat e Liqenit Artificial, i cili sipas dokumenteve te Qendrës Kombëtare të biznesit ishte në pronësi të ortakeve Mikel Lesaj dhe Genti Klosi, deri në momentin e emërimit Lesajt si këshilltar i Ceno Klosit.
Emërimi i biznesmenëve në administratën e lartë tatimore ngre dyshime mbi rolin e tyre pranë drejtorit të Përgjithshëm Ceno Klosi, pasi kurrsesi të ardhurat nga aktiviteti privat mund të zëvendësohen nga një rrogë shteti. Ndërkohë lidhjet nepotike nisin me vetë Ceno Klosin, i cili është njeri i afërt me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda balluku.
Ai ka qenë një nga bashkëpunëtorët e ngushtë gjatë fushatave elektorale të Ballukut, ndërsa është punësuar në sektorët që kanë qenë nën fushën e mbulimit të drejtpërdrejtë të Belinda Ballukut, si drejtor ekonomik në OSHEE, dhe drejtori i Përgjitshshëm i Agjencisë Kombëtare për Ujësjellës- Kanalizimet.
Me forcimin e pozitave politike të Ballukut brenda Partisë Socialiste Ceno Klosi u emërua drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, ku ka vazhduar piramidën e lidhjeve nepotike me këshilltarët e tij dhe me drejtues të tjerë në administratën fiskale.