Këto ditë, po vjen zhegu i politikës

0

Shkruan Zef Ndreka

Edhe pse gushti iku me vapën, shtatori po i rrit temperaturat politike, aq sa dita e shpalljes së qeverise që do propozohet prej Ramës, po trajtohet si më e rëndësishme se 11 Maji…
Situata politike sot është domethënëse dhe reflekton një të vërtetë të njohur në politikën shqiptare.
Në Shqipëri, kalendari politik shpesh mbivendoset mbi kalendarin natyror por edhe mbi atë shoqëror. Gushti, që zakonisht konsiderohet muaj pushimesh e qetësie, këtë vit u bë thjesht një pauzë e shkurtër para përplasjes që sjell shtatori.
Fakti që 11-shtatori, dita e shpalljes së qeverisë së re nga Rama, po shihet si një ngjarje më e rëndësishme se 11 majit, se dita e zgjedhjeve.
Kjo supozon apo tregon se disa fenomene politike që po ndodhin dhe që pritët të ndodhin, lidhen me procesin zgjedhor në Shqipëri që nuk po shihet si proçes final, por si një hyrje në betejën e vërtetë, që është ndarja e pushtetit.
Parlamenti i ri nuk pritet thjesht të formalizojë një qeveri, por të shërbejë si arenë ku do të kristalizohen përplasjet e reja mes shumicës dhe opozitës, brenda opozitës, madje edhe brenda vetë mazhorancës.
Gjithsesi, simbolika e datës duket e fortë, veçanërisht për socialistët. Sepse 11 shtatorin tashmë e kanë ngarkuar në kujtesën kolektive me ide krize, tronditjeje dhe përmbysjesh. Përdorimi i kësaj date për qeverinë e re duket si një paralelizëm i pavetëdijshëm, që rrit tensionin politik e mediatik.
Çfarë pritet pas kësaj date?
Konstituimi i parlamentit do të bëhet me formalitet, por nuk do të kalojë pa debate të forta. Opozita do të kërkojë të imponojë praninë e saj me një narrativë kritike ndaj shumicës.
Qeveria e re do të jetë një test për Ramën. Se sa e freskuar do të jetë në raport me kabinetet e mëparshme dhe a do të përmbush pritshmëritë e opinionit publik për ndryshim real.
Shpresa e qytetarëve është që ky cikël të mos kthehet në një përsëritje të së njëjtës skenë ku opozita bojkoton, ndërsa shumica sundon me automatizëm votash.
Pra, shtatori politik shqiptar po nis me temperaturë të lartë, duke treguar se vera përfundoi, por jo edhe “zhegu” i politikës. Tani mbetet të shihet nëse ky 11 shtator do të shënojë thjesht nisjen e një qeverie të re, apo një tjetër cikël polarizimi të ashpër!

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu