Ambasadorja amerikane Yuri Kim, në aktivitetin e zhvilluar në 25-vjetorin e krijimit të Shkollës së Magjistraturës, kërkoi nga magjistratët e rinj të tregojnë guxim përballë sfidës së vështirë që i pret.
Kryediplomatja tha se Reforma në Drejtësi po jep rezultatet e saj, por shtoi se vendi po përballet me sfida të ndryshme.
“Ju sfidoj të jeni të guximshëm në bërjen e ndryshimeve. Ndërsa Shqipëria ndërmerr reformat në sektorin e drejtësisë, këto duhet të kenë sukses për të mirën e të gjithë shqiptarëve dhe të ardhmen së Shqipërisë. Puna e Shkollës së Magjistraturës kërkon shumë përpjekje. Shpresoj që edhe ju të shiheni çdo mëngjes në pasqyrë dhe t’i thoni vetes: Unë do të jem pjesë e arsyes që populli im të ketë shpresë dhe do të jem pjesë e një Shqipërie më të mirë se tani. Kurrë mos u dorëzoni, SHBA do të mbështesë Shqipërinë”, tha Kim.