Kolë Idromeno, një diell në yjësinë e vezullimt të shkëlqimit qytetnues shkodran

0

Shkruan Albert Vataj

Kolë Idromeno, tjetër shkëlqimi t’hyjt t’zanit e t’namit dishrues, i jepena këso ditë, kujtese dhe mëkëmbjeje të njasaj vetëdije, e cila, tue i kthye t’deknit e vet, në t’gjallt e përjetimit, i nep nji dimension të ri vlerave dhe atributeve qytetnuese. Kjo ngase, respekti për ata, krejt njata qi kanë marrë udhën e përjetësisë, asht spariherë mirënjohja që i detyrohena veprës qi na lanen amanet, vlerave qi vunen n’themelet e nji identiteti krenues.

Sod duke dasht me t’drejt me u mburr, na duhet mbi kyt taban me ngrit nji altar përkujtues, e tue i ndërmend, na mujm se si me ju fal tannjatyne që patën, ç’ka lane tue ik, paten ç’ka na kena, sod prej tyne. Nji ndër k’ta, emna dhe vepra, qi i lidhi me Shkodrën ma shumë se origjina, me degët ma fort se me rrënjët, ishte Kolë Idromeno. Ai qi bani njaq fort për Shkodrën, dhe Shkodra nuk u kursye me i ken mirënjohës dhe me e nderue, me tançka pati e deshti.

Kolë Idromeno ishte sa piktor, njaq sa ishte dhe mujti me lan vepër edhe si fotograf. Kje skenograf n’kulmim t’hapave qi mujtem na me i rrok aspiratave qytetnuese, njejt sa mujti me lan gjurmë edhe si skulptor dhe arkitekt. Si arkitekt ai la amën e amël t’Shkodrës, shëtitoren dhe rrugicat qi lidhen me te dhe qi sod majn emnin e tij. Kjo po njaq edhe zotues i artit epistolar dhe partiturave muzikor, krejt fort t’zashme e t’njoftuna n’Shkodër, n’qytetin qi kishte n’fill t’shekullit 19, njaq pianoforte sa ç’kishte n’Vjen, apo në ndonji tjeter vend metropolitan, tharm t’artit  dhe ngulmeve estetike.

“Ishte geg nga Saraçët e t’amblit, po aq sa arvanit nga Idromenot e lisit. Amalgamë e hatashme e Shqipërisë bizantine dhe asaj romane, përkatësinë e dyfishtë ndaj dy universeve të një gjaku, e kishte të skalitur n’emrin e tij t’pagëzimit, Spiridhon, shenjti mirëbërës i Korfuzit, njësoj i veneruem, si nga ortodoksët po njashtu edhe nga katolikët.

Midis katedrales katolike të Korfuzit dhe rrugës qi t’çon n’pallatin e vjetër të familjes stradiote Riki, njaty ku janë mbledhur galeritë e piktorëve dhe antikuarëve, ndodhet edhe sod rruga “Idromeno”, dëshmi e gurrës së pandërprerë krijuese, qi vërshoi n’dejet e kësaj familje arbëreshe, pargaliote dhe hidriote dhe që Korfuzit, krenarisë së Sinjorisë venedikase, i dha dhaskalë e klerikë t’nderuem”

Gjithë kjo sintezë adriatiko-joniane, qi e ngjizi nji kols t’përmasave t’tilla, bashkë me talentin e dhanun prej Zoti, Idromenon e “Motrës Tone”, “Dasma Shkodrane”, dhe përplot mrekullive të tjera krijuese, qi njohim dhe çmojmë, gjithnji e me ma shumë naltim, rrokim njiheresh dhe njëjt me admirim edhe Idromenon e orkestrës “Daullja” të Palok Kurtit, Idromenon e “Dritëshkronjës” me të njëjtin emën dhe Idromenon e eksperimentit të “theatrit elektrik”, belbëzim i kinemave të para.

Ky ishte Idromeno, kjo ishte Shkodra, njajo mbeti koha qi n’krahnorin e saj gjimune struhi e gufuen dëshirime. Ishte e shkrume njashtu, e krejtskrejti njashtu edhe e thanun, qi Shkodra t’i bahej djep po njaq sa t’i bahej edhe përmendore, emnit dhe veprës qi Idromeno e t’jerë s’u kursyen me e nda bujarinë e shpirtit t’tyne, me Shkodrën, prehnin qi i bani vend dhe i deshti me dashuni prej nane.

Figura t’naltueme n’vepër e n’vlera si ajo e Kolë Idromenos, janë kulmime historike, janë njato pemë qi xunen rranjë e lshunen shtat n’Shkodër, për me i kën falënderues frymës s’saj, sa dhe përkujdesit t’andshëm, me t’cillën ajo i shërbeu dhe e mëlmeu. Kje kjo dashni, ky truall, kjo tokë, kjo Shkodër, eteri i saj qi mëkoi me shum’ kandjen e pafund, vlerësim e mirënjohje, krejtkend i kje Shkodrës njaq adhurues sa dhe mirënjohës.

Nji cak në njohje

Nikollë Idromeno i njohun gjansisht si Kolë Idromeno u lind n’Shkodër më 15 gusht 1860, një vit pas së motrës, Tones, jetsume në nji nga pikturat e tij dhe në nji nga kryeveprat e traditës shqiptare t’artit figurativ.

Idromenot kishin prejardhjen nga Parga, asokohe në Vilajetin e Janinës, prej ku u larguan në kohën e Ali pashë Tepelenës, për t’u vendosun n’Korfuz. Popi Andrea Idromeno, ishte mësues n’Korfuz, ku përpiloi dhe botoi historinë e Pargës dhe të Sulit, e gjithashtu ndihmoi Grigor Gjirokastritin në përkthimin e “Ungjillit sipas Matheut” dhe “Dhjatës së Re” në gjuhën shqipe me alfabet grek. Pop Andrea kishte dy djem, Mihalin që ishte jurist dhe Arsenin, që kishte lindur në Korfuz.

Arseni më 1856 u shpërngul në Shkodër, ku ushtroi zanatin e tij të marangozit e drugdhendësit, si dhe projektuesit autodidakt e zbatuesit të ndërtimeve private në qytet, si shtpitë e familjes Lukaj te Arra Madhe, Rokacollëve në Serreq, ndërtesa e Kryqit të Kuq, liceu Illyricum dhe shtëpia e vet në Gjuhadol. Dy vite më pas u martua me një vajzë shkodrane, Dranden ose Rozen e Filip Saraçit, më 5 dhjetor 1858, tue pas dy fëmij, Tonen dhe Kolën.

Kola nisi shkollën fillore në vjetin 1867, shkollë e mbështetun nga Kisha Katolike, ku mësimet jepeshin italisht dhe shqip nga kleri si dhe mësues të tjerë. Ndër bashkënxënësit e tij n’kyt shkollë ishte edhe poeti i ardhshëm dhe andshëm shkodran, Filip Shiroka, me t’cillin do t’kishte nji marrëdhanie epistolare t’gjatë. Përpos klerit, Idromenos msime vizatim do ti nepte Pietro Marubi. Koha kur hala s’kishte sos klasën e katërt, mjeshtrit t’ardhshëm i përkasin vizatimet e hershme “Krye fëmije”, “Malësorja” dhe “Gomari n’udhë”. Diku kah vitet 1871-1875 ai iu përkushtua akuarelave të para; “E vorfna”, “Baresha”, “Fshatarja”. Kompozimi i tij i parë mendohet se asht “Pusija”, masandej “Netë kazanash” dhe “Dymdhetë luftarë të Pargës në lundër”.

Marubi ndikoi te Arseni që ta niste në Akademinë e Arteve n’Venedik më 1875, ndërkohë qi Mati Kodheli studionte për fotografi në Trieste. Tue mos duru mësimdhënien formale të akademisë, hoqi dorë pas gjashtë muajsh dhe nisi punë në studion e një piktori venecian. Mbas kthimit n’vendlindje më 1878, me Matinë iu bashkuan “Daulles” së Palokë Kurtit, ku Idromeno ishte trombist, dhe hyni çirak tek “Dritëshkronja” e Marubit. Miku dhe kolegu i tij ndërroi jetë më 1881, vendin e tij do ta gëzonte i vëllai, Keli. Më 1883 hapi studion e vet të fotografisë me kamera të importime nga kompania Pathé në Francë, emërtuar “Dritëshkronja Idromeno”.

Jeta e kësaj figure n’Shkodër do të vijonte me kurorëzimin n’martes të tij më 1884 me Gjyzepinën e Gaspër Muzhanit, në llasë e quajtur Cina. Më 20 korrik 1886 atyne u lindi një djalë, Zefi, i cili vetëm mbas dy vjetëve, më 15 korrik 1888, ndërron jetë. Mbas dy vjetëve do t’i ndërronte jetë edhe e motra, Tonja, dhe Idromenoja mori në përkujdesí vajzën e saj të mitur, Orsolinën.

Përgjatë viteve 1902-1906, Idromeno, si mësues në shkollën italiane të artizanatit, pikasi e afroi në rrethin e vet të pikturës dhe përkrahu piktorin e ardhshëm Simon Rrota. Më 1904 ndihmoi në pajimin e shkollës së Mati Logorecit. Më 1911 hartoi programin e karnevaleve të organizuar nga klubi «Gjuha shqipe». Në gusht e vitit 1912 nënshkroi një kontratë me kompaninë austro-hungareze, Joseph Stauber”,  për importimin e pajisjeve kinematografike, tue u ba i parë qi hapi kinemanë e parë rudimentare, ku u shfaqën pamjet e para filmike. Viteve 1912-1920, mbasi përshtati një mjedis poshtë shtëpisë së tij në Gjuhadol, nji sallë për shfaqje filmash, hapi një theatër elektrik, atë qi asokohë në vendet e tjera quhej kinemaja.

Ky ishte Kolë Idromeno, nji emën i madh dhe i pashlyer n’kujtesën e Shkodrës dhe jo vetëm. Gjurmët qi ai la, janë, jo vetëm hapa në historinë e gjanave t’vyeme dhe veprave t’vlerta, por edhe thesare të nji populli, motivim dhe detyres për t’ë shkue te përmendorja e tij, kokulur dhe falënderues.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu