Konfiskohen pasuri me vlerë 3 milionë euro, në pronësi të një shtetasi me precedentë kriminalë në Mbretërinë e Bashkuar, Holandë dhe Shqipëri.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Fasada 3”.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Elbasan, në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fasada 3”, kanë konfiskuar pasuri me vlerë rreth 3 milionë euro, që dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaria kriminale e shtetasit E. Sh., 31 vjeç, banues në Peqin.
Shtetasi E. Sh. është dënuar në Mbretërinë e Bashkuar, për trafikim të lëndëve të forta narkotike dhe për mbajtje të armëve ofensive, është arrestuar në Amsterdam, Holandë, për trafikim të narkotikëve, si dhe është dënuar në Shqipëri, për mbajtje pa leje të armeve luftarake dhe falsifikim të dokumenteve.
Konkretisht, në zbatim të vendimit të Gjykatës u bë i mundur konfiskimi i pasurive si më poshtë:
Pjesë toke (kullotë) me sipërfaqe 45 000 m2, në fshatin Gjilek, Himarë;
1 apartament me sipërfaqe 130 m2, në Tiranë;
2 garazhe me sipërfaqe 230 m2, në Tiranë;
1 vile dykatëshe me sipërfaqe 500 m2, në Peqin;
1 apartament me sipërfaqe 111 m2, në Kryevidh, Kavajë.
Gjatë kësaj jave, në kuadër të operacionit “Fasada 2” janë sekuestruar pasuri me vlerë 400 000 euro, në pronësi të një 34-vjeçari të dënuar me 13 vjet burgim në Norvegji, si pjesëtar i një grupi kriminal për trafikim të narkotikëve.