Shkruan Zef Ndreka
(Spaku është i nevojshëm, por jo i pagabueshëm).
Sot, tensionet mes SPAK-ut, Gjykatës Kushtetuese dhe politikës janë reale dhe të rrezikshëm për ekuilibrat kushtetues.
Pse u hap ky debat tani?
Sepse për herë të parë pas Reformës në Drejtësi, SPAK-u ka fituar fuqi reale goditëse ndaj politikës së lartë dhe Gjykata Kushtetuese ka marrë vendime që prekin drejtpërdrejt hetime që lidhen me imunitete, me mandate, me kompetenca.
Gjithashtu, politika , si pozita ashtu edhe opozita po tentojnë ose ta përdorin SPAK-un kundër kundërshtarit, ose ta delegjitimojnë kur i afrohet vetes.
Në këtë mes mund të themi se Gjykata Kushtetuese është kthyer në fushëbetejë indirekte.
A përbën rrezik real kalimi nga hetim penal në presion kushtetues?!
Nëse SPAK-u nis hetime pa prova të forta personale, ose lë të kuptohet se një vendimi kushtetues pengon drejtësinë, atëherë kemi një rrëshqitje të rrezikshme, nga shtet ligjor, në drejtësi frikësuese.
Gjyqtarët kushtetues nuk duhet të vendosin me frikën se nesër do hetohen për një interpretim juridik.
Vetëm nëse ka korrupsion real dhe këtu duhet ndarë qartë emocioni publik nga standardi ligjor.
SPAK-u duhet të veprojë vetëm nëse ka prova konkrete, jo thashetheme politike, pra kur ka indicie të qarta për ryshfet, për pazare vendimmarrjeje, për pasuri të pajustifikuara.
Por jo sepse vendimi nuk na pëlqeu, se vendimi ndihmoi filan ministër, apo vendimi prishi një hetim!
Këto nuk janë prova penale, por kritika politike e juridike pa bereqet.
Cila është loja e politikës?!
Këtu është thelbi i problemit, ku sot pozita e do SPAK-un të fortë për opozitën, por të përmbajtur ndaj vetes dhe opozita e do SPAK-un të egër ndaj qeverisë, por të delegjitimuar kur prek aleatët e saj.
Të dyja palët nxisin konfliktin SPAK–Kushtetuese, sepse dihet se në kaos institucional, përgjegjësia humbet.
Kjo është arsyeja pse përplasja po amplifikohet fort mediatikisht.
Çfarë ndodh nëse kjo vijë kalohet?
Nëse SPAK-u perceptohet si instrument presioni ndaj Gjykatës Kushtetuese, stëhere pasojat janë të rënda, sepse bie besimi tek drejtësia, hapet rruga për kontroll politik të vendimeve kushtetuese, ose për kapje të SPAK-ut nesër nga pushteti tjetër.
Sot mund të duartrokitet, por nesër do të keqpërdoret.
Si përfundim, SPAK-u është i domosdoshëm, por jo i pagabueshëm.
Gjykata Kushtetuese është mburoja e fundit, por jo e paprekshme personalisht.
Por Shqipëria nuk ka luksin e një lufte mes institucioneve, sepse shteti është ende i brishtë, kultura kushtetuese është e dobët dhe
politika është e papërgjegjshme.
Zgjidhja nuk është kush fiton sot, por kush e mban sistemin në këmbë nesër.








