Kopeja, tre prijësit dhe gremina që duartroket

0

Shkruan Naim Flamuri

Populli nuk është i verbër. Populli është i frikësuar, dhe frika, kur zgjat shumë, kthehet në bindje. Në livadhin tonë politik, delet nuk pyesin më ku po shkojmë, por kush po na prin sot. Dhe sot prijësi ka tre fytyra: Edi flet, Albin predikon, Sali ulëret. Të tre e quajnë veten shpëtimtarë; asnjëri nuk e përmend gropen. Delet e mençura janë më tragjiket. Ato e shohin gropën, e matin thellësinë, e kuptojnë fundin, por heshtin. Sepse heshtja u duket më e sigurt se mendimi. Kështu mençuria e tyre shndërrohet në bashkëfajësi të qetë, në turp të rregullt, në “mos u fut se s’na del mirë”. Delet e zellshme janë më të rrezikshmet. Nuk mendojnë, por sulmojnë. Nuk dyshojnë, por ofendojnë. Kur prijësi gabon, ato gjejnë justifikime; kur prijësi vjedh, ato shpikin armiq; kur prijësi shtyn kopenë drejt humnerës, ato brohorasin: “Rroftë kërcimi!”
Prijësit nuk i shtyjnë delet me forcë. I mashtrojnë me fjalë. U flasin për histori, flamuj, plagë, ëndrra dhe armiq imagjinarë, derisa humnera të mos duket më rrezik, por destinacion. Ata nuk bien kurrë vetë: dinë të ndalojnë një hap para fundit dhe të thonë se të tjerët nuk e kuptuan vizionin.
Kur kopeja bie, prijësi qan përpara kamerave. Kur mbyten delet, ai flet për “periudhë tranzicioni”. Kur gjithçka shkatërrohet, ai shpall fitoren morale. Dhe kopeja, edhe e lagur, edhe e gjymtuar, tund kokën në shenjë miratimi, sepse frika nuk lejon pendesë. Humnera i njeh mirë të tre prijësit. I ka parë të vijnë, të shkojnë, të rikthehen. Ajo nuk ka nevojë për propagandë; kopeja ia bën vetë reklamën. Sepse tragjedia më e madhe nuk është prijësi i rremë, por deleja që, duke e ditur fundin, prapë zgjedh të kërcëjë.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu