Historia nis në gusht të 2017 kur McGonigal i kërkon 225 000 USD Agron Nezës. Më datë 5 shtator, zyrtari i lartë i FBI-së njofton se do të bëjë një vizitë “jo zyrtare në Shqipëri”. Dy ditë më pas takohet me A. Nezën, i cili i thotë se “po punonte për lekët” dhe do t’i jepte me “këste”. Po atë ditë udhëtojnë bashkë për në Shqipëri dhe takojnë personin B (Duçkën).
Më 9 shtator, McGonigal takon kryeministrin e Shqipërisë, prezent është edhe Duçka.
Gjatë kësaj vizite personi A (Neza) e takon me një biznemen politikan që do që të hetojë një komplot për vrasjen e tij.
Një ditë më pas më 10 shtator, McGonigal bashkë me Nezën shkojnë në Kosovë dhe takojnë një politikan atje.
Prokurorët amerikanë theksojnë (pika 4) se që nga kjo vizitë McGonigal ka mbajtur marrëdhënie të vazhdueshme me Kryeministrin e Shqipërisë.
21 shkurt-24 shkurt, McGonigal vjen për vizitë në Shqipëri, por nuk e raporton këtë vizitë.
Më 26 shkurt, me kërkesë dhe mbikqyrje të McGonigal, FBI në Nju Jork hap çështjen penale ndaj lobistit amerikan të opozitës shqiptare. Neza shërben si informator në këtë çështje. Ndërsa personi B (Duçka) paguan gjithë shpenzimet për të mbledhur dëshmi në Europë duke paguar udhëtimet, qëndrimin etj..
Më 4 mars, McGonigal darkon në Uashington me kryeministrin e Shqipërisë.
Ky shënim është bërë bazuar mbi letrat që jane publike dhe i kanë në dispozicion të gjithë. Ndoqa mbrëmë disa mendime të dhëna nëpër televizon për këtë çështje, kërkova një raportim në dhjetëra portale për të parë se çfarë kanë raportuar, pashë edhe sot lajmet në tv kombëtare dhe i vetmi lajm që më mbeti në mendje ishte deklarata e Gjiknurit që e gjitha kjo gjë bëhet për të tërhequr vëmendjen nga 21 janari.
Shqipëria ka dhjetëra gazetarë që dinë anglisht. Pyetja ime është pse nuk u gjet një që të shkruaj një raportim bazuar mbi akuzën e prokurorëve amerikanë që është publike?
Pyetja tjetër: këta që dalin në ekran dhe nuk lënë filxhan pa parë, në mungesë të njohurive të gjuhës angleze, nuk kishin mundësi të lexonin 5 minuta për të kuptuar se çfarë ka ndodhur? Dhe këtë pyetje nuk e kam për “patronazhistët e ekranit”, por për persona që mund të thonë diçka dhe nuk e kanë stomakun të lidhur me bukën e qeverisë