Shkruan Zef Ndreka
Berisha i mbytur, të mbyt, të merr me vete…
Foli Strasburgu. Gjykata e saj e shpalli 21 janarin krim shtetëror. Mbylli çdo diskutim, çdo shteg që ka manipuluar deri më sot me prova. Percaktoi qartë e prerë përgjegjësitë shtetërore dhe zinxhirët urdherues të vrasjeve politike të katër dëshmorëve të demokracisë që kërkonin liri, në kuptimin më të vërtetë të kësaj fjalë në rregjimin diktatorial të Berishës.
Historia e vërtetë, e ndjekur dhe e parë qartë nga gjithë shqiptarët asnjëherë nuk u zbulua, nuk doli në dritë nga drejtësia e kapur shqiptare e asaj kohë.
Deklaratat përbindëshe të Berishës ish Kryeministër në atë kohë, urdhërat për të qëlluar në turmë, fshehja e provave, ndërrimi i tytave të armëve, fshirja e serverit dhe gjithë pamjeve të rregjistruara në godinën e Kryeministërit datën e 21-janarit, presioni shtetëror ndaj prokurorisë (madje Kryeprokurorja u cilësua lavirë e bulevardit), ndaj gjyqtarëve, ndaj mjekëve legalë për të fshehur të vërtetën e vrasjeve dhe tjetërsuar faktet, sigurisht kishte disa qëllime ku dy ishin më kryesorët:
– Fshehja e krimit të organizatës kriminale shtetërore
– vrasja e opozitarizmit, e të drejtës për të protestuar duke frikësuar qytetarët.
E gjithë kjo, ishte dhe është bumerangu i partive politike që qeverisin vendin apo drejtojnë opozitën.
Mjafton të shikojmë sot, kur Berisha dhe Foltorja e tij kanë mbetur pa përkrahës.
Por të kalojmë tek problemi që po analizojmë.
Gjykata e Strasburgut goditi në shenjë. Ajo u shpreh drejtë për përgjegjësinë e zinxhirët urdhërues të vrasjeve të 21-janarit ku mbetën të vrarë 4 përsona të pafajshëm në bulevard.
Po kush janë përsonat e zingjirit urdhërues të asaj dite të zymtë të Shqipërisë?!
Sigurisht, që është Sali Berisha, përgjegjësi kryesor i masakres në bulevard. Është ish Ministri i Brëndshëm Lulzim Basha me vartësit e tij të drejtpërdrejtë duke filluar nga ish komandanti i Gardës së Republikës dhe përsona të tjerë të gjykuar e të dënuar sikur të kishin kryer krime ordinere por që në të vërtetë kanë qëlluar me urdhër në momentet kur protesta thuaj kishte përfunduar dhe qytetarët po shpërndaheshin.
Cilësimi si vrasjeve shtetërore e 4 qytetarëve të pafajshëm në bulevardin e Tiranës, rihap me të drejtë proçesin e papërfunduar.
Sigurisht që SPAK-u do ta marrë në dorë këtë rast për të hetuar rreth këtij grupi kriminal dhe urdhërues.
SPAK-u do të nxjerrë përgjegjësitë shtetërore dhe individuale të këtyre vrasjeve dhe kriminelët do të ndëshkohen.
Është shpejt për të pretenduar finalën, pasi atë do ta presim nga drejtësia.
Por, në kushtet kur PD-ja zyrtare, tashmë e shkëputur nga Berisha e non grata-ve, nuk mund të sillet sikur asgjë nuk po ndodh me të.
Basha duhet të flasë. Të flasë e të tregojë një herë të vërtetën e asaj ngjarje, duke u distancua qartë e prerë nga krimi.
Ndryshe, konseguencat bien edhe mbi PD, për më tepër se koha e zgjedhjeve po afron dhe ne, nuk mund të shkojmë si pengje të Berishës i cili edhe i mbytur, kërkon të të fundosë e të të marrë me vete.
Përndryshe, kohë e ngjarje të tjera e presin PD dhe të ardhmën e saj…