Andrija Mandiç është kryetar i ri i Parlamentit të Malit të Zi dhe, njëherësh, anëtar i Këshillit për Mbrojtje dhe Siguri, i cili komandon Ushtrinë e Malit të Zi.
Mandiçi e mori mbështetjen e 49 deputetëve të shumicës së re parlamentare – koalicioni Për Ardhmërinë e Malit të Zi (partia e ish-Frontit Demokratik), Lëvizja Evropa Tani, Demokratët, Partia Popullore Socialiste pro-Serbe dhe dy parti shqiptare, gjatë votimit në një seancë të Parlamentit malazez të hënën pasdite.
Parlamenti malazez i ka 81 deputetë.
Deputetët e Partisë Demokratike të Socialistëve në opozitë u larguan nga salla para votimit. Ata lidhën një fjongo të zezë në mikrofon në emër të, siç thanë, ditës së zezë për demokracinë në Mal të Zi.
Mandiçi është udhëheqës i Demokracisë së Re Serbe – anëtare e Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus (DF) – i cili së voni është riemëruar si koalicioni Për Ardhmërinë e Malit të Zi.
Prioritete të politikës së jashtme të partisë së Mandiçit janë heqja e sanksioneve kundër Rusisë dhe tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Ajo është, po ashtu, kundërshtare e anëtarësisë së Malit të Zi në NATO.
Për shkak të zgjedhjes së Mandiçit, në orën 18:00 në para Kuvendit filloi protesta e organizuar nga Forumi i Qytetarëve të Lirë të Luçës dhe partitë opozitare.
Në politikën rajonale, Mandiç ka marrëdhënie jashtëzakonisht të ngushta me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, dhe me presidentin e Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik.
Ai e mohon edhe gjenocidin në Srebrenicë, ku forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë gjatë luftës së viteve ’90.
Është, gjithashtu, i afërt me ideologjinë e lëvizjes çetnike, e cila ka bashkëpunuar me Gjermaninë hitleriane në Luftën e Dytë Botërore./REL