Shkruan Reldar Deda
Përmes mediave online, ekraneve televizive dhe rrjeteve sociale, shqiptarët ndjenë drejtpërdrejt atë që deri dje dukej metaforë: vdekjen faktike të shtetit shqiptar. Një shtet në hjekë, i mbërthyer prej vitesh në grykën e krimit të organizuar, u shemb para syve të qytetarëve pikërisht në çastin kur zhdukja enigmatike për dhjetë orë e një ish-zyrtari të lartë, njeriut që kishte pasur në dorë sigurinë kibernetike të vendit, u shpjegua nga autoritetet si një konflikt banal dashurie.
Mesazhi i tij i fundit -“po më arrestojnë”- kishte tingëlluar si akti final i një njeriu që e ndiente rrethimin. Më pas, heshtja. Dhe pas heshtjes, një rikthim i turbullt, i mbushur me dyshime dhe pikëpyetje. Policia u ngut të japë versionin e saj, një “dramë dashurie”, siç institucionet shqiptare gjithmonë kanë gati një skenar banal për të mbuluar plagët më të thella të shtetit. Por publiku e ndjeu se pas këtij versioni fshihej një peshë më e rëndë. Sidomos kur, pak muaj më parë, një ish-zv.kryeministër deklaronte publikisht se ky njeri ishte kërcënuar personalisht nga Kryeministri për të mbyllur gojën.
Në çdo vend tjetër, një zhdukje e tillë do të ishte trajtuar si alarm kombëtar, si sinjal i një rreziku për vetë sigurinë e shtetit. Në Shqipëri, përkundrazi, ajo u kthye në një telenovelë. Ky ishte momenti kur qytetarët e kuptuan se peng nuk ishte vetëm individi që u zhduk për dhjetë orë, por i gjithë shteti. Sepse kur qytetarët detyrohen të heshtin nga frika, dhe kur zyrtarët që dinë sekretet zhduken e rishfaqen me versione të fabrikuara, atëherë është vetë shteti që ka marrë rolin e pengut. Dhe një shtet i mbajtur peng nuk ka as siguri, as drejtësi, as të ardhme.
Ky nuk është rasti i parë. Më herët, një vajzë e brishtë, e pambrojtur, për të shpëtuar jetën hoqi dorë nga e vërteta. Sot, është një ish-zyrtar i lartë që zhduket pa gjurmë, për t’u rikthyer më pas me një rrëfim të kontrolluar. Në të dy rastet, fjala dhe e vërteta janë diktuar nga krimi dhe nga pushteti që ka pranuar të funksionojë sipas ligjeve të tij.
Rikthimi i tij pas dhjetë orësh, mes ankthit të familjes dhe të shoqërisë, nuk ishte shenjë normaliteti, por paralajmërim. Sepse nuk ishte peng i një pasioni personal, por viktimë e një shteti që sot shfaqet haptazi me natyrën e tij mafioze. Strukturat nuk patën forcë as ta gjenin, as ta hetonin, as ta gjurmonin. Ai u kthye vetëm kur duart që e mbanin peng vendosën ta dorëzonin, sikur të ishte një thes i zakonshëm para dyerve të policisë.
Ky episod, si shumë të tjera, vulos të vërtetën e hidhur: shteti shqiptar ka firmosur vdekjen e tij. Danieli, si çdo qytetar tjetër, na tregoi se sot shoqëria shqiptare është një shoqëri e mbajtur peng. Se secili prej nesh është peng i një shteti mafioz, që të zhvat, të rreh, të shantazhon, të q…, të vret, nëse guxon të mos heshtësh. Ky shtet ka hequr edhe laskrën e fundit të asaj çka duhet të përfaqësojë për qytetarët. Ai nuk fshihet më pas fasadave, por shfaqet hapur, lakuriq: si mafia.