SPAK ka dhënë detaje nga megaoperacioni i kryer mbrëmjen e të premtes në disa qytete, ku u zbuluan tre laboratorë të sofistikuar droge, që përdoreshin për përpunimin e kokainës.
Laboratorët u gjetën në disa zona të Shqipërisë, përfshirë një në Qerekë të Fushë-Krujës, një te Kodra e Diellit në Tiranë dhe një tjetër në Durrës.
Sipas SPAK hetimet në lidhje me operacionin kanë nisur në vitin 2023 dhe përgjatë një viti u zbulua mekanizimi si funksionte sjellja e kokainës nga vendet e Amerikës Latine.
Në analizën e brendshme të deritanishme të këtij hetimi, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, e konsideron atë si një moment kyç në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri:
“Ky hetim është dëshmi e qartë se SPAK është i përkushtuar për të ndjekur dhe goditur rrjetet kriminale që kërcënojnë sigurinë dhe drejtësinë në vendin tonë. Suksesi i deritanishëm i këtij procedimi penal tregon se bashkëpunimi ndërkombëtar dhe ekspertiza e brendshme janë çelësi për rezultate konkrete.”, ka thënë Dumani.
Ndërkohë, prokurori i çështjes, Adnan Xholi, theksoi rëndësinë e përdorimit të mjeteve të posaçme të hetimit në zbardhjen e këtij rrjeti:
“Ky hetim na ka treguar një model të ri dhe kompleks të trafikut ndërkombëtar të drogës, ku ekspertiza e huaj kombinohet me elementët lokalë për të ngritur një sistem të integruar kriminal. Goditja e këtij rrjeti është një sinjal i fortë për të gjithë ata që mendojnë se mund të operojnë të pandëshkuar.”
Një falënderim i veçantë shkon për partnerët tanë vendas dhe të huaj, Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës dhe Drejtorinë e Policisë së Shtetit për profesionalizmin e treguar gjatë fazës së arrestimit në flagrancë, sekuestrimin e provave materiale dhe produkteve të aktivitetit kriminal, thotë SPAK një reagimin e saj.