I dërguari i veçantë për dialogun mes Kosovës e Serbisë, Mirollsav Lajçak, do të vizitojë Prishtinën të martën më 30 janar.
Lajçaku pritet të takohet me përfaqësuesit e institucioneve vendore, ndonëse akoma nuk ka konfirmim nëse do mbahet një takim në mes të tij dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, sipas RTK-së.
Ndërkohë, bëhet e ditur se tashmë është konfirmuar mbajtja e takimit me zëvendëskryeministrin njëkohësisht kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimin.
Një ditë me herët, përkatësisht të hënën më 29 janar, Mirosllav Lajçak do ndalet fillimisht ne kryeqytetin serb, Beograd. Tashmë ka konfirmim zyrtar se ai atje do takohet me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq.
Është kjo vizita e parë e të dërguarit të veçantë për dialog në këtë vit. Kjo vizitë, gjithashtu, po zhvillohet në periudhën kur procesi i dialogut është duke vegjetuar.
Pas 14 shtatorit nuk ka pasur më takime ne nivelin më të lartë politik në kuadër të dialogut. Ishte ky takim I cili njëkohësisht shfaqi tensionet mes kryeministrit të Kosovës dhe vet Lajçakut, të cilin ky i pari e akuzoi se e ka humbur neutralitetin.
Vizitat që do t’i bëjë Mirosllav Lajçak, si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd, do të jetë rast që sërish të kërkohet nga palët që të zbatojnë të gjitha pikat e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve përfshirë edhe aneksin e saj.