Lekët m’i fala baba/ Petrit Fusha resort miliona euro me para droge e korrupsioni. Cili prokuror i mbylli dosjen në Durrës? Ish kryeprokurori i Tiranës subjekt i ligjit anti-mafia

0

Petrit Fusha pati një karrierë të shtrirë në tre dekada si prokuror dhe drejtues i Prokurorisë së Tiranës përpara se të jepte dorëheqjen në vitin 2019. Ai drejton sot studion ligjore “Fusha & Partners” me aktivitet avokatinë dhe konsulencën, por edhe hotelerinë, turizmin dhe administrimin e pronave të familjes.

Lidhja e gjakut mes prokurorit jetëgjatë dhe vëllait të tij të dënuar për trafik droge, Sulejman Shkalla doli në sipërfaqe gjatë vitit 2019, ndërsa Fusha po i nënshtrohej procesit të vetingut.

Përmes një raporti të 21 shkurtit 2019, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, informoi Komisionin e Pavarur të Kualifikimit se Fusha kishte fshehur dënimin e vëllait të tij për trafikim narkotikësh në Spanjë.

Hetimi në KPK e kishte klasifikuar gjithashtu vëllanë e subjektit ‘person të lidhur’ – një atribut që u dedikohet personave me transaksione apo kontribut financiar në pasurinë e zyrtarëve të drejtësisë. Sipas raportit të DSIK, vëllai i Fushës kishte autorizuar dhurim pronash në favor të tij përmes një prokurore të posaçme të firmosur në dhjetor 2016 në Valencia.

“Mosdeklarimi nga ana e subjektit të rivlerësimit për përfshirjen në veprimtari të krimit të organizuar të personit të lidhur… e ngarkon subjektin Petrit Fusha me përgjegjësinë e fshehjes së fakteve dhe plotësimit të pasaktë dhe me vërtetësi të Deklaratës së Kontrollit të Figurës,” thuhet në raportin e DSIK.

“Në këndvështrimin e përgjithshëm të kontrollit të pastërtisë së figurës, Fusha është një individ që mund të vihet nën presion nga strukturat kriminale…,” shtohet në raport.

Pas dorëheqjes së Fushës dhe ndërprerjes së procesit të Vetingut, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi se e kishte referuar atë për hetime penale në Prokurori. Por fati i këtij kallëzimi mbetet i paqartë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit refuzoi të vinte në dispozicion të BIRN një kopje të relacionit për Fushën, me argumentin se çështja ishte “në juridiksionin e një organi të posaçëm hetimi”.

Ky pretendim nuk mbështetet nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, e cila i tha BIRN se në regjistrat e saj nuk kishte të regjistruar ndonjë çështje penale ndaj ish-prokurorit Petrit Fusha apo procedim pasuror ndaj vëllait të tij, Sulejman Shkalla.

Një kallëzim i dytë i mbërritur në adresë të Fushës dhe subjekteve të tjera në vitin 2020 u transferua nga SPAK në Prokurorinë e Durrësit.

“Pasi është vlerësuar se veprat penale për të cilat është bërë kallëzimi dhe vetë subjekti Petrit Fusha nuk janë kompetencë hetimi e Prokurorisë së Posaçme, kallëzimi është dërguar për kompetencë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës,” shtoi SPAK.

Petrit Fusha mohoi të kishte përfituar ekonomikisht nga vëllai i tij apo që të kishte ndikuar që ai t’i shmangej hetimeve.

“I vetmi kontribut që vëllai im ka patur në pasurinë time është akti i dhurimit prej tij i ¼ së pronës së përbashkët, të trashëguar nga babai ynë,” tha Fusha, ndërsa shtoi se bëhej fjalë për shtëpinë e vjetër të prindërve dhe një tokë arë në zonën e Farkës.

“Siç e shpjegova më lart, nuk kam qenë në dijeni të aktivitetit të vëllait tim, ndaj nuk e kam ditur që ai mund të jetë subjekt i ligjit Antimafia,” përfundoi ai.

Dosja e Fushës mbyllet në Durrës

Petrit Fusha u kallëzua fillimisht në SPAK për fshehje pasurie, pastrim parash etj. Arben Kraja e referoi dosjen në Prokurorinë e Tiranës, pasi sipas tij Fusha nuk ishte subjekt i SPAK-ut. Duket e çuditshme se si Arben Kraja nuk e ka konstatuar faktin se Petrit Fusha ishte subjekt i ligjit anti-mafia, për shkak të aktivitetit kriminal të të vëllait.

Prokuroria e Tiranës e dërgoi dosjen në Prokurorinë e Durrësit, aty ku dosjen mbyllen lehtësisht me para korrupsioni dhe droge. Prapaskena mëson se dosja e Petrit Fushës është mbyllur në heshtje nga një prokuror i korruptuar, për të cilin do të flasim në vijim.

Krahas pasurive të tjera, Petrit Fusha, edhe pse me pagë shteti, ka ndërtuar edhe një resort në periferi të Tiranës me para të pista, me vlerë miliona euro. Fusha e ka deklaruar fillimisht investimin rreth 500 mijë euro, me para sipas tij që ia ka dhënë babai dhe motra, të cilët nuk i kanë parë as në ëndërr kaq para, jo më të kishin vetë.

SPAK duhet të marrë në dorë Petrit Fushën për pastrimin e parave të organizatave të drogës si dhe të pyesë prokurorin e Durrësit se si e ka arsyetuar mbylljen e dosjes së Petrit Fushës, përballë fakteve ulëritëse.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu