Loja e Macronit me zjarrin, sfidë edhe për të ardhmen e Europës

0

Kur presidenti francez, Emmanuel Macron, shokoi Francën muajin e kaluar me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, ai po luante kumar me të ardhmen e Europës, sikur se edhe me të vendit të tij.

Megjithëse shumëçka varet prej raundit të dytë të zgjedhjeve të së dielës, tashmë është e qartë se roli i Macronit si timonier i integrimit europian do të zbehet theksueshëm, vlerëson agjencia e lajmeve, Reuters, në prag të balotazhit të fundjavës.

Dy skenarët më të mundshëm – një qeveri e udhëhequr nga Tubimi Kombëtar (RN) i së djathtës ekstreme të Marine Le Penit ose një parlament pa shumicë – do të përbënin sfida të pashembullta për Bashkimin Europian.

Droja e madhe për spektrin politik tradicional të BE-së është fitorja e madhe eventuale e RN-së, duke e shtrënguar Macronin “të bashkëjetojë” me një qeveri armiqësore ndaj vizionit të tij për sovranitetin europian.

Madje edhe me një legjislaturë pa shumicë fare, duke rezultuar me një koalicion zori ose me parti që bashkëpunojnë vetëm në raste të caktuara, Macronit do t’i pamundësohej krijimi i një qeverie të mishëruar me politikat e tij.

Me duar të lidhura

Në secilin rast, dilemat e mëdha nuk do t’i ndaheshin si hije kundrejt çdo nisme të rëndësishme – prej huazimit të përbashkët europian deri te fondi për shpenzime të mbrojtjes për të dyfishuar buxhetin e BE-së, apo për dërgimin e trupave franceze në territorin ukrainas për t’i trajnuar forcat e Kievit.

Derisa Franca dhe Gjermania tradicionalisht konsiderohen motori që ia jep drejtimin Bashkimit Europian me 27 shtete anëtare, blloku mund të përballet me një dozë të paralizës politike derisa dy liderët më të rëndësishëm të tij do të shtrëngoheshin të vepronin me dy mendje.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, u godit kur partia e tij doli keq në zgjedhjet për Parlamentin Europian muajin e kaluar. Ai po ka telashe që ta mbajë tok koalicionin e tij dhe i druan ngritjes së të djathtës ekstreme në zgjedhjet e ardhshme rajonale.

“Macroni është dobësuar fort në Francë, gjë që do të ketë pasoja për pozitën e tij në Bruksel, si dhe për raportet franko-gjermane”- ka thënë Elizabeth Kuiper, ndihmësdrejtoreshë në grupin e pavarur të mendimit, Qendra për Politikë Europiane.

Derisa partitë e së djathtës ekstreme ende janë larg prej qëllimit të tyre për ta marrë në duar të veta timonin e BE-së dhe që t’i kthejnë kompetencat në nivel kombëtar, tashmë po shkaktojnë mëdyshje të mëdha. Ia kanë dalë të shënojnë sukses në zgjedhjet për Parlamentin Europian, ku partia e kryeministres italiane, Georgia Meloni, ishte fituesja e madhe.

Qeveria e re holandeze me hise të rëndësishme të së djathtës ekstreme në të tashmë është formuar. Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka marrë drejtimin e radhës të presidencës së BE-së dhe ka paralajmëruar formimin e një “aleance patriotike” të re pan-europiane.

“Një Francë dhe Gjermani më e dobët bashkë me Italinë dhe Hungarinë më të forta qartazi se do të formësojnë të ardhmen e BE-së”- ka thënë Kuiper.

 Zmbrapsja e Macronit

Macroni u ka thënë homologëve të BE-së se Franca do të vazhdojë të ketë rol prijatar në bllok, me një hise të madhe të votave në Këshillin Europian të liderëve të BE-së dhe me partinë e tij në zemër të koalicionit pro-BE në Parlamentin Europian, kanë thënë zyrtarët për Reutersin.

“Franca mbetet Francë, me peshën e saj”- ka deklaruar një burim.

Por diplomatët thonë se pjesa më e madhe e punës së politikës së BE-së kryhet gjatë takimeve të ministrave qeveritarë – dhe qeveria e ardhshme franceze padyshim duket se do të jetë më pak miqësore ndaj Macronit krahasuar me të tanishmen.

Nëse përgjegjësia për formimin e qeverisë së re do t’i binte kandidatit të RN-së, 28-vjeçarit Jordan Bardella, disa diplomatë druajnë se ai mund të përpiqet të mbajë një qëndrim gjysmëbashkëpunues me trupat e BE-së – duke shkëputur një faqe nga doracaku i Melonit.

Por politikat dhe deklaratat partiake sugjerojnë se përplasjet me Macronit dhe me Brukselin do të ishin të pashmangshme.

Le Peni ka thënë se një qeveri e udhëhequr nga RN-ja do të nominonte kandidatin e Francës për komisionarin e ri europian – një rol kyç në ekzekutivin e BE-së. Por tradicionalisht kjo ka qenë punë e presidentit – dhe Macroni tashmë ka sinjalizuar se dëshiron t’ia vazhdojë punën aktualit Thierry Breton.

RN-ja ka bërë të ditur gjithashtu se dëshiron që Franca të ulë hisen e saj në buxhetin e BE-së, diçka që vështirë se do ta lejonte BE-ja. Dhe derisa politikat ekonomike të RN-së kanë ndryshuar vazhdimisht javëve të fundit, mund të bien ndesh me rregullat fiskale të BE-së.

“Problemi për BE-në është se nëse nuk ka shtete anëtare që e mbështesin fuqishëm, atëherë është shumë e zorshme që të vazhdohet tutje”- ka thënë ai.

Në mesin e diplomatëve në zemër të BE-së në Bruksel, shumëkush po ndjek modelin “prit e shih”, marrë parasysh se nuk dihet se cili mund të jetë rezultati i raundit të dytë të zgjedhjeve franceze.

Dikush e ka përshkruar humorin si “nervoz, por të qetë”. Por disa europianolindorë kanë shprehur më shumë ankth – dhe shqetësime se Macroni panevojshëm e rrezikoi të ardhmen e Europës si reagim ndaj humbjes në zgjedhjet për Parlamentin Europian.

Liderët europianolindorë janë inkurajuar vjet derisa Macroni po mbante qëndrim të fortë në përkrahje të Ukrainës dhe shprehte gatishmëri për t’i vënë në dyshim “vijat e kuqe” të Perëndimit kundrejt Rusinë.

“Fjalët e tij ishin si muzikë për veshët tanë… Nuk kish shumë kohë prejse ishte kështu dhe tani gjithçka e mori era”- ka deklaruar një zyrtar i lartë nga rajoni.

“Po duket shumë serioze”- ka thënë zyrtari, duke folur në kushte anonimiteti. “Halli im është se presidenti Macron përfundimisht e lëshoi dorën”./Reuters

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu