“Lufta” që Rama humbi me Yuri Kim nuk ka kthim!

0

Shkruan Fitim Zekthi

Bash vjet në një ditë dhjetori si e sotmja u zgjodh drejtuesi SPAK, Altin Dumani. Ai u zgjodh me vetëm një vote diferencë dhe me futjen e beftë dhe trysnuese të ambasadores amerikane Yuri Kim. Kryeministri Rama kishte luftuar egërsisht që të mos zgjidhej Dumani, kishte bërë gjithçka që të zgjidhej njeriu i tij, (Ervin) Kondili. Rama kishte arritur të bënte diçka të padëgjuar deri më sot, kishte thënë se ambasadores amerikane i mbaron mandati tani, dmth vjet në dhjetor. Ai u kishte thënë në këtë mënyrë njerëzve që do zgjidhnin drejtuesin e SPAK që të mos ndikohen nga SHBA, që të mos kenë “frikë” nga ambasadorja sepse ajo e mbaroi mandatin, se ata kishin Ramën, se Rama do vazhdonte të ishte ai që vendoste…etj . Mbarimin e mandatit të ambasadorit amerikan e njofton departamenti i Shtetit, jo kryetari i qeverisë se vendit ku ai shërben.

Znj. Yuri Kim reagoi brutalisht dhe tha se do të rrijë me gjatë, se departamenti i Shtetit do ta lejojë edhe ca kohë. Ajo qëndroi edhe 6 muaj dhe më pas mori një detyrë më të lartë në departamentin e Shtetit. Rama thirri në takim tre kandidatët për drejtues të SPAK, sikur ti kishte vartës. Z. Dumani nuk shkoi. Aq fort punoi Rama që të zgjidhej Kondili, ai që donte Rama, jo ai që donin amerikanët, sa edhe pas qëndrimeve të ashpra amerikane njeriu i Ramës humbi me vetëm një votë.

Tani duket qartë pse ishte i tmerruar Rama, tani duket qartë pse ai donte një drejtues tjetër të SPAK. Atë thjesht e ka tmerruar ideja se po vdes një kohë kur politikanët e lartë ishin të paprekshëm. Edhe tani Rama po flet përditë kundër “Republikës së SPAK”. Edhe tani Rama po përpiqet përditë ta njollosë duke thënë se gjasme ai është autori i reformës në drejtësi. Është e kotë ka nisur diçka që nuk ndalet dot, nuk ndalet sepse është e drejtë, nuk ndalet sepse e përkrahin SHBA -të por, më kryesorja, edhe e duan me shpirt njerëzit. Ka një vit që Rama humbi qetësinë dhe gjumin, ka një vit që politikanët e lartë kanë humbur paprekshmërinë. Kjo është shumë pas 32 vitesh kontroll të plotë të prokurorisë dhe gjykatave prej tyre.

Ky vend ka vuajtur dhunshëm, është mjeruar, vjedhur, poshtëruar nga fakti që të fortët kanë qenë mbi ligjin. Kemi klasën politike më të çimentuar, me të vjetër në planet, kemi një pushtet të biznesit klientelist dhe krimit të organizuar nga më të çimentuarit në botë sepse vepron brenda klasës politike, është pjesë e vendimmarrjes politike dhe e sigurimit të pushtetit politik të klasës politike.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu