Mafia dhunon gazetarin Doçi, politika e diplomacia janë bashkë, heshtin, gazetarët e pavarur e mbështesin

0

Një akt i rëndë është konsumuar ditën e sotme, ditën për diell në Kamzë. Një persona akoma i paidentifikuar, ka goditur me grusht gazetarin Adriatik Doçi. Lajmi është bërë i njohur përmes komunikatës së policisë si më poshtë:

Më datë 13.11.2022, rreth orës 12:00, në Kamzë, në rrugën “Bavaria”, një shtetas ende i paidentifikuar ka goditur me grusht shtetasin A. D., 38 vjeç, me profesion gazetar, dhe më pas është larguar.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5., në Kamzë, kanë administruar kallzimin e bërë nga gazetari A. D., dhe shërbimet e Policisë janë vënë menjëherë në lëvizje për kontrollin e zonës me qëllim kapjen e autorit.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.

Ndërkohë, nuk kanë munguar reagimet e kolegëve të gazetarit Adriatik Doçi. Në një reagim publik të Lëvizjes së Gazetarëve në rrjetet sociale, mes të tjerave, shkruhet si më poshtë:

Lëvizja e Gazetarëve dënon aktin burracak të dhunës ndaj gazetarit, kolegut Adriatik Doçi! Lëvizja e Gazetarëve kërkon zbardhjen e ngjarjes. Kapjen e autorit dhe vënien para përgjegjësisë ligjore.

STOP DHUNËS NDAJ GAZETARËVE! Lëvizja e Gazetarëve qëndron krah kolegëve të cilët përballen me krimin arrogancën dhunën e porositësit e tyre.

Nuk ka munguar as reagimi i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, edhe ai përmes një publikimi në rrjetet sociale. Në reagimin e kësaj shoqate, evidentohet se përbën një rast tjetër të dhunës fizike mbi reporterë në vend.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë denoncon dhunën e ushtruar nga një bandit i paidentifikuar, ditën e shtunë në mesditë, pranë banesës së tij në Kamëz të Tiranës, mbi gazetarin investigativ Adriatik Doçi. Goditja fizike, në mënyrë banditeske, mbi gazetarin është një akt i rëndë ndaj gazetarit për shkak të detyrës.

UGSH shpreh solidaritetin e menjëhershëm me kolegun dhe e konsideron deklaratën e tij pas ngjarjes si shenjë të kurajos dhe këmbënguljes profesionale, për të mos u dekurajuar apo tërhequr nga misioni i reporterit edhe pas akteve të dhunës dhe risqeve që ofrohen nga bota e errët e krimit shqiptar.

Vlerësojmë deklaratën e parë pas ngjarjes, në të cilën kolegu Doçi pohon: “Ky sulm s’më pengon, por më inkurajon të raportoj më tej…
Akt burracak që nuk më ndalin, do bëj detyrën deri në fund”.

Dhuna fizike mbi gazetarin Adriatik Doçi të Report Tv dhe Shqiptarja.com, përbën një rast tjetër të dhunës fizike mbi reporterë në vend. UGSH kërkon që autoritetet e hetimit të përshpejtojnë procesin hetimor dhe zbardhjen e menjëhershme të ngjarjes. Të mos humbet kohë në identifikimin e autorir, të zbardhet motivi i këtij akti dhe krejt rrethanat që kanë lidhje me këtë sulm mbi gazetarin. Autori i sulmit bandit, me çdo kusht të vihet para drejtësisë dhe të marri ndëshkimin e meritueshëm ligjor.

Për këtë ngjarje, ka reaguar edhe Unioni i Gazetarëve Profesionistë të Veriut (UGPV Albania), me qendër në Shkodër. Në reagimin e UGPV Albania në faqen zyrtare në Facebook, shkruhet:

Unioni i Gazetarëve Profesionistë të Veriut (UGPV Albania) dënon aktin e ulët dhe prej frikacaku ndaj kolegut, gazetarit Adriatik Doçi. Fatkeqësisht, nuk është rasti i parë dhe me shumë mundësi as i fundit, kur gazetarë e reporterë bien pre e këtyre akteve.

Kërkojmë nga Policia e Shtetit zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dënimin më të ashpër sipas ligjit për agresorin. Grushti i një personi të papërgjegjshëm, nuk goditi vetëm Adriatikun por çdo gazetar që ka marrë përipër ushtrimin e këtij profesioni, në kushte shpesh herë të vështira.

Kërkojmë nga institucionet e shtetit, nga më të lartat deri tek më të ultat, të mos ushqejnë me veprimet e tyre, me mosveprime apo edhe vetëm me shprehje publike, dhunën ndaj gazetarëve e njerëzve të medias në përgjithësi.

Askush nuk mund të na mbyllë gojën, sado i fortë dhe i pushtetshëm të jetë për momentin. “Ne jemi rëra, ato janë uji”, këtë nuk duhet ta harrojë askush, nga qytetari “më i rëndësishëm”, deri tek më i fundit në Shqipëri.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu