Shkruan Ola Xama
Pa patur asnjë negativitet, mendoj se përpara se të dikush të bëhet këshilltar, drejtues, deputet apo ministër duhet që të japë njëherë provimin e matematikës. Jo aritmetikën e komplikuar me algoritmet dhe variablat e ndryshueshme, dhe as ekuacionet me një ose më shumë të panjohura. Matematikën bazike, atë që bëhet deri në klasë të 5-të. Mbledhje, zbritje, shumëzim, pjestim dhe thyesat.
Po lexoja dje një shkrim të publikuar në median reporter.al, i cili nxirrte në pah kontradiktën e të dhënave të Institutit të Statistikave mbi rritjen e numrit të turistëve dhe netëqëndrimeve, por rënie të konsumit të energjisë elektrike.
INSTAT thotë se në janar -qershor 2023 janë konsumuar 3,96 miliard KWh, ndërsa vitin e shkuar 4,25 miliard KWh për të njëjtën periudhë, ose 6.8% më pak. INSTAT po ashtu raporton se humbje totale në rrjetin e shpërndarjes janë 892 milion KWh, ndërsa një vit më parë 945 milion KWh. Natyrshëm më të ulta, sepse energjia humbet në raport të drejtë me energjinë e hedhur në rrjet. Pra, sa më i ulët të jetë konsumi aq më të ulta duhet të jenë dhe humbjet.
Mirëmenaxhimin e sektorit e shpreh një e dhënë tjetër, që janë humbjet në përqindje të totalit të energjisë në rrjet. Sipas këtyre të dhënave rezulton se për 6-mujorin e vitit 2022 humbjet e energjisë janë 22.22%, ndërsa për këtë vit 22.49%. Pra, më të larta se më parë.
Për të bërë më të pabesueshëm shkrimin, e madje për ta konsideruar disinformues nga dashakeqës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bën një reagim publik ku e lidh rënien e konsumit me energjinë e vetëprodhuesve dhe panelet diellorë.
Pikësëpari, energjia e fotovoltaikëve hidhet në rrjet dhe matet te konsumi i përgjithshëm i energjisë. Sipas të dhënave të Entit Rregullator, energjia nga ky burim këtë vit është vërtet në rritje, por konsumi mbetet 1 pikë ujë në oqean. 38.8 milion KWh nga 3.96 miliard KWh të konsumuara. Vetëm 0.98% e totalit të energjisë së konsumar në 6 muaj.
Konsumi i familjarëve që duhet të kishin përfituar nga skemat e vetëprodhimit të energjisë duhet të ulej me këtë logjikë, por jo. INSTAT thotë se është rritur me 7 milion KWh. Bizneset që duhet të kishin rritje galopante në konsum, na rezulton të kenë konsumar 172 milion KWh më pak.
Ndaj nuk mendoj se media ia do të keqen vendit apo qeverisë që e drejton. Media ka një mision që duhet t’ia respektojnë të gjithë, duke nisur nga ata që mbajnë postet më të larta në institucionet tona: të nxitë llogaridhënien në shërbim të publikut. Ndaj mirë do të ishte që përpara se të gjykojnë gazetarët, politikanët të mësojnë matematikën, qoftë dhe për të kuptuar nëse ia kanë dhënë shifrat gabim!