Medaljoni i Dyrrahut

0

Shkruan Arjola Kondakçiu

“Medaljoni i Dyrrahut”, në një këndvështrim praktik

“Medaljoni ende fshihet nën rrënojat e qytetit”… Me këto fjalë mes rreshtash në pjesën e pasme të kopertinës, m’a grishi kureshtjen autori Pol Milo për librin “Medaljoni i Dyrrahut”. Ndërsa në hyrje, me fjalinë “Ky libër është trillim”, më dha një efekt të çuditshëm e befasues. Fillimisht të krijohet përshtypja e një përballjeje kontradiktore, por në fakt jo, sepse është një mprehtësi intuite e autorit për të rrëmbyer vëmendshmërinë e lexuesit. Ja pse vetëm gjatë leximit del në pah struktura e përmbajtjes së romanit, që edhe pse është konceptuar në 24 nëndarje ngjarjesh në harmoni me njëra-tjetrën, prapë kalon në filtrin letrar për vazhdimësinë e tre shkallëve: Mistikes, Realitetit dhe Sfidës.
Romani karakterizohet nga fryma e humanizmit, sepse këtë medaljon të veçantë autori s’e do për vete, por kërkon që ta gjejë si simbol shprese dhe drite mençurie për zgjidhjen e problematikave botërore në luftëra fetare, konflikte politike e situata socialo- ekonomike që ua kanë hequr buzëqeshjen e natyrshme njerëzve. Ndoshta njerëzve nuk u duhet një copëz hajmalie për t’u mbrojtur e as botës një copë medaljoni për të shpëtuar, por ja që u duhet të kapen fort pas diçkaje motivuese për të treguar besim se ‘gjërat do bëhen më mirë’.
Shqetësimi i tij sa emotiv aq edhe llogjik, ndihet herë-herë si një psherëtimë e bardhë pafajësie nëpër rreshta. Përmes atij medaljoni çudibërës fshihet enigma e një kodi historik, ja pse autori operon në përputhje me “të fshehtat” kohore.
Enigma dhe Arsyeja janë dy elementët bazë që i japin nervin e duhur letrar prozës së P. Milos, kurse Ndjeshmëria e ngre si nivel meditativ.
Vepra spikat për sintezën organike të personazheve dhe ngjarjeve, saqë me metodën e përdorur dhe stilin e shkruar e bën mendimin më “atletik”. Për ta arritur këtë është përdorur si pikë kyçe komunikimi mes dy miqve: inteligjentit Martin dhe Andrit, i cili është gjithmonë dyshues pasi kërkon prova bindëse. Edhe pse me karaktere të ndryshme ata i udhëheq shpirti aventuresk, e falë një bagazhi të larmishëm njohurish në fusha të ndryshme janë gati të përballen me rreziqe e sfida madhore, siç ishte në këtë rast rendja pas gjetjes së Medaljonit. Nëpërmjet këtij komunikimi mes miqsh, ku Toleranca vjen si element bashkëpunimi dhe shfaqet si vlerë gjatë komenteve plot pyetje hetuese, ballafaqim informacionesh e dhënie idesh, autori prek edhe një çështje aktuale. Bëhet fjalë për braktisjen e shoqërisë nga lexueshmëria, që e paraqet si një “klithmë dëshpëruese”, dhe nëpërmjet filozofisë së zbatimit gdhend kujtesën e lexuesit duke nxitur nevojën për komunikim më të gjerë, i cili vjen si rrjedhojë e studimit.
Të gjitha këto së bashku, si një sistem i qëndrueshëm vlerash, lënë një model dhe përçohen si mesazh i fuqishëm nga autori për rininë e sotme.
Brenda faqeve të librit mistikja dhe fantazia zbuten në varësi të situatave, por ndodh edhe që të marrin hov në formën e interesimit shkëndijor nëpërmjet dialogjeve, që vijnë të thjeshtë, me fjali të shkurtra por me përmbajtje filozofike, duke i dhënë romanit ngjyrime të larta ekspresivo- emocionale.
Ka pak personazhe, por edhe ata dytësorë trajtohen me dinjitet nga autori, sepse krahas përshkrimeve të bukurive natyrore që i japin gjallëri leximit, personazhet episodikë si: shoku i universitetit Mario, kamarierja, arkeologu i ri, peshkatari Petraq, Filipi që shiste ora të përdorura etj, japin jetë duke plotësuar imazhin e librit.
“Medaljoni i Dyrrahut”, edhe pse një libër që hedh dritë mbi mistere shekullore, përsëri bëhet real sepse shkrimtari nuk kishte si të mos fuste elementin “femër” brenda gërmave ndjesore. Parë sipas këndvështrimit të tij, tre personazhet femra ( Sofia ëngjëllore dhe dy mikeshat Ana e Ema), ka dashur ti sjellë ndryshe. Ndjenjat e bukura plot ndjesi emocionesh që lindin mes Anës e Martinit dhe Emës me Andrin, janë si pasazhe shplodhëse brenda librit. Por ato mbeten bulëza vese, sepse shkëlqimi bie ngaqë vajzat duan të ikin për punë në Gjermani. Në këtë moment vetë autori fut në skenar elementë autobiografikë nga rikthimi i tij në vend pas studimeve për Filozofi në Romë, dhe me ikjen ‘ironike’ të vajzave të formuara intelektualisht, ai kryen misionin e tij në të shkruar, duke u rebeluar ndaj këtij emigracioni “të detyruar” të të rinjve. Akoma më shumë i ngarkon vetes prirje psikologjike, ngaqë mendon sesa përpjekje të rrufeshme duhet të bëjë që ta gjejë atë medaljon, i cili mund të parandalonte edhe këtë fenomen; një medalion hyjnor, vezullimi i të cilit shpesh i dukej se gjendej në gjerdanin e qafës së Sofisë ëngjëllore të mbiquajtur “drita e dijes”, që shfaqej e zhdukej papritur gjithandej.
Po vërtetë, ç’ishte ky Medaljon?! Kuriozitetin na e shuan po vetë autori, i cili duke qenë një hulumtues i papërtuar për informacione por dhe një njohës i mirë i harkut, shigjeton kohën mes ngjarjesh e personazhesh, e ndër të tjera heq mjegullimin duke shkruar: “Medaljoni që ndihmoi Solomonin të ngrinte tempullin e parë në Jeruzalem, ishte metal i shkrirë nga një meteor me fuqi të lartë magnetike. Atij i erdhi si dhuratë në tokë nga kryeengjëlli Mikael. Ylli i Solomonit kishte formë pesëkëndore, dhe ishte simbol i dritës e i mençurisë”.
Pra, duke u bazuar edhe te pjesa me emrat e cituar, përtej fantazisë letrare, është e qartë që autori i romanit Pol Milo i jep vlerë këtij libri edhe nëpërmjet frymëzimit biblik. Nga lajtmotivet e shprehjeve të dashurisë shkëputur nga libërthi “Kënga e Këngëve” brenda Biblës, te arsyetimi i kërkesës së mbretit Solomon për mençuri, copëza historisht të ndërthurura për verën e kuqe që konsiderohej si balsam mrekullish në kohët biblike, apo misteri për Darkën e Fundit që ai e lidh me ngjarjet në periudhën romake dhe me udhëtimin e apostullit Pavël (Pal) në Dyrrah (vendi që hapi një pikëpyetje antiko- moderne për vendndodhjen e Medaljonit), e lënë edhe lexuesin me një hijëzim mendimi.
Kështu që me fjalinë e memorizuar në faqen 110 ku shkruhet: “Misteri i Medaljonit akoma mbetet i pazbuluar në qytet”, autori na vë të gjithëve parë një përgjegjësie.
Atëherë, ne që jetojmë këtu, në Dyrrahun e sotëm të quajtur Durrës, le të jemi si lulëkuqja simbolike në mes të kallinjve të grurit (që autori i referohet me esenca paragrafësh brenda librit), që edhe pse afrohet stina e korrjeve dhe egzistenca me gjithë bukurinë e vigjilencën e saj zhduket bashkë me kallinjtë e pjekur, prapë do lëshojë farat e besimit ripërtëritës aty, si dëshmi të shpresës që përbrenda kuqëlon mirësi, e që nuk humb kurrë për gjetjen e atij Medalioni Shpëtues.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu