Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka refuzuar që të tregojë se cili është mbiemri i tij i vërtet. I pyetur nga gazetarët në një prononcim për media lidhur me mbiemrin e tij nëse është Metaj apo Meta, kreu i Partia e Lirisë është shprehur se në dokumente ka firmosur gjithmonë si Ilir Metaj, ashtu siç e ka emrin në Gjendjen Civile dhe në certifikatën personale. Meta tha se është për lehtësi komunikimi dhe se nuk e ka problem nëse e thërrasin dhe “Like”. Meta u pyet dhe për formularin e vetëdeklarimit që SPAK i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe tha se Prokuroria Speciale mund të marrë dokumentet e tij që nga çerdhja.“Mendoj se kjo është një pyetje krejt pa kuptim sepse unë me certifikatë e kam të pandryshuar, gjithmonë Metaj. Për lehtësi dhe komunikim me publikun, mund të më thërrasin edhe Like, por kjo është çështje tjetër. Nuk ka asnjë lidhje. Certifikata është bërë publike. Ish-LSI ja ka bërë gati të gjitha dosjet SPAK për të lehtësuar punën e tij. Kur të dojë SPAK mund ta shikoj, që nga çerdhja. Ne vazhdojmë të dërgojmë dokumente për aferën më të zezë të inceneratorëve, e 430 milionë eurove të paktën deri tani”, tha ai.
Nuk padit gazetën austriake.
Por ndonëse Ilir Meta pati paralajmëruar më herët kur ishte president se do të padisë gazetën austriake ‘Kronen Zeitung’, pas artikullit që kishte publikuar se ai ka paguar 700,000 mijë dollarë për lobim për një foto në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Amerikan Donald Trump, kreu i Partisë së Lirisë njofton se ka hequr dorë nga padia. Njësoj si Berisha që u tërhoq nga gjyqi kundër Blinkenit në Francë, Meta theksoi dje se ka vlerësuar të panevojshme të ngrejë padi për disa media që merren vetëm me shpifje. Meta shprehet se miqtë austriakë i kanë rekomanduar të mos merret me një gazetë që prodhon vetëm skandale. Ai shtoi se do ta kishte fituar gjyqin, por sipas tij kompensimi me ligjet austriake do ishte modest, ndërsa nga ana tjetër shpenzimet për të ndjekur gjyqin do ishin shumë të larta. “Mund t’ju them se kjo gjë mu vlerësua e panevojshme dhe jo produktive nga disa kompani që merren me shpifje. Padyshim që gjyqi ishte i fituar. Për shkak të ligjeve austriake, kompensimi do ishte i përmasave modeste ndërkohë që shpenzimet për ndjekjen e këtij gjyqi ishin të larta dhe për efekt për transparencën, nuk ia vlente. 300 euro ora për një studio ligjore. Ishte një gjë e panevojshme, gazeta vetëm ka prodhuar shpifje”, tha ai.
Meta: Rama i bën shantazh SPAK-ut.
Më tej kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi se kryeministri Edi Rama i bën shantazh SPAK-ut, ku sjell në vëmendje deklaratën e kreut të qeverisë i cili thoshte se prokuroria e posaçme është krijuar nga PS-ja. Meta u shpreh se ai është një politikan që nuk i është shmangur kurrë drejtësisë dhe nuk ka frikë prej saj.”Çfarë i thotë Rama-SPAK-ut, ju jeni krijesa të PS-së, ne ju bëjmë dhe ju zhbëjmë. Këto muhabete më tha kështu jo ashtu, nuk kanë vlerë me mua. Unë jam ai politikan që nuk kam frikë nga drejtësia. Nëse SPAK do të prodhojmë lajme vere nga mediat e Rilindjes që paguhen nga inceneratorët, mund të japim dhe të gjithë emrat e mediave dhe gazetarëve që marrin lekë nga inceneratorëve”, tha Meta. Ndërkohë Meta shton se krimet më të mëdha, Rama i ka bërë duke spekuluar me SHBA-në. “Mendoj që Edi Rama, mashtrimet më të mëdha në Shqipëri, krimet më të mëdha i ka bërë duke spekuluar me SHBA-në. Është shkelës i ligjeve amerikane. Kjo vërtetohet me zotin Bilal në Amerikë i cili ka bërë burg. Ky ka shpëtuar me një marrëveshje bashkëpunimi. Se çfarë thotë Edi Rama, janë përralla. Ne dimë që do të vazhdojmë revolucionin antikorrupsion. Edhe ata që janë përpara drejtësisë, janë të bëra nga Ilir Meta me fakte e prova”, nënvizoi Meta.