Shkruan Albert Vataj
Është ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare aktori i madh italian Remo Girone, i njohur për publikun shqiptar dhe botëror si “Tano Karidi”, falë rolit të tij të paharrueshëm në serialin kult La Piovra (Oktapodi).
Shumë prej nesh që u përfshimë fuqishëm në këtë seria triller, në të tillë nivele e ngriti Remo Girone, Tano Karidin, sa ne e donim të vdekur atëherë, por duhet të kalonin 41 vite që kur “La Piovra” do të hynte në kinemanë italiane, që ky personazh, ky rol, ky karakter, të shuhej.
Remo Girone lindi më 1 dhjetor 1948 në Asmarë të Eritresë, por karrierën e tij e ndërtoi në Itali, ku shpejt u shqua si një ndër figurat më të spikatura të teatrit dhe kinemasë. Publiku ndërkombëtar e identifikon me rolin e bosit mafioz Tano Cariddi, një interpretim mjeshtëror që e shndërroi në simbol të kinemasë televizive të viteve ’80-’90. Personazhi i tij mbeti në kujtesë jo vetëm për fuqinë e lojës aktoriale, por edhe për mënyrën sesi shpaloste anën e errët të shoqërisë italiane të kohës.
Karriera e Girone nuk u kufizua vetëm te La Piovra. Ai ka interpretuar në dhjetëra filma dhe shfaqje teatrore, duke punuar me regjisorë të njohur dhe duke fituar respektin e publikut dhe kritikës. Më së fundi, u rikthye fuqishëm edhe në kinemanë botërore me rolin e tij në filmin “Ford v Ferrari” (2019), ku interpretoi industrialistin Enzo Ferrari.
Me ndarjen nga jeta të Remo Girone, arti italian humbi një nga zërat më të fortë të skenës dhe ekranit, ndërsa publiku do të vazhdojë ta kujtojë për intensitetin, karizmën dhe autenticitetin që i dha çdo roli. Për shqiptarët, ai do të mbetet gjithmonë “Tano Karidi”, personazhi që u bë pjesë e kujtesës së një epoke televizive të pashlyeshme.
Një kapitull i veçantë i karrierës së tij lidhet edhe me kinemanë shqiptare. Remo Girone interpretoi në filmin “Portreti i pambaruar (i Clara Bellinit)” me regji të Namik Ajazit dhe skenar të Ruzhdi Pulahës, ku luajti rolin e ambasadorit italian në Shqipëri. Ky film solli në ekran një histori dashurie të pamundur mes vajzës së diplomatit dhe një të riu shqiptar në kohën e komunizmit, duke bërë që figura e Girones të mbetet e njohur dhe për publikun shqiptar jo vetëm si “Tano Karidi”, por edhe si aktor që u bë pjesë e artit tonë kinematografik.








