“Ne as nuk frikësohemi dhe as ndalemi!”/ Përplasja verbale e ‘Pamfletit’ me Prokurorin Special të Prishtinës

0

Mbetemi të pakompromis në ushtrimin e veprimtarisë fisnike mediatike për informim të drejtë të publikut dhe luftimin e krimit dhe korrupsionit….

Një artikull i “Pamfletit” i javës që lamë pas ka alarmuar prokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Dren Paca.

Në artikullin e datës 28 tetor, portali shprehej se prokurori ishte fotografuar me persona që janë nën hetim dhe të akuzuar për tjetërsim pronash dhe kjo bie ndesh me Kodin Etik. Sipas fotos, prokurori shihej i shoqëruar me Venhar Hanën dhe Sami Mazrekun nga Byroja Kosovare e Sigurimeve.

Por kjo foto ka shqetësuar prokurorin, i cili ka reaguar dhe ka kërkuar që artikulli të hiqet, pasi prokurori pretendon se ka parregullsi.

“Artikulli në fjalë, ka në tërësi përmbajtje të pavërtetë, informacione të paverifikuara e për të cilat, as mua si person zyrtar i apostrofuar e siç shihet edhe nga përmbajtja e artikullit as palët tjera për të cilat flitet as që është marrë ndonjë mendim përkitazi me temën të cilën ky artikull e trajton. Sipas nëntitullit të këtij artikulli, theksohet prona të caktuara kanë dalë në emër të një grupi të qytetarëve me pozita të forta në gjyqësi, prokurori e institucione të tjera, duke trajtuar në ndërlidhje edhe me titullin e artikullit, aludohet sikurse unë të jem një përfitues i ndonjë prone kinse “si pjesëtar i grupit me pozita të forta”, që është një fakt i pavërtetë dhe shpifje e mediumit Pamfleti.net ndaj meje. Nga tema e trajtuar, shihet se është publikuar një fotografi e cila sipas artikullit, mediumi Pamfleti.net konstaton gabimisht e kundër çdo parimi të shëndoshë kinse rezultoka se unë nga pozita e prokurorit, u kam garantuar mbrojtje të dyshuarve të caktuar në veprime të caktuara kriminale, pa dhënë asnjë lloj shpjegimi apo sqarimi se në cilat raste dhe çfarë mënyrë u paskam garantuar këtë mbrojtje të supozuar personave të dyshuar, sipas mediumit”, shprehet prokurori.

Por ne po i drejtohemi publikisht prokurorit. I nderuar, është evidente se ju minimalisht keni bërë shkelje të rëndë dhe flagrante të Kodit të Etikës dhe sjelljes profesionale për prokurorët, sepse së paku keni dëmtuar besimin e publikut në institucionet e drejtësisë.

Fakti i shoqërimit me personat në fjalë ngre dyshime të mëdha për të gjitha pretendimet që i kemi ngritur e që besojmë se do jenë pjesë e trajtimit nga organet kompetente. Për më shumë burimet tona tregojnë se ju përfliteni edhe për ushtrim ndikimi e zvarritje të proceseve hetimore tek kolegët tuaj, kur janë në pyetje personat e apostrofuar tani më të mirënjohur për veprimtarinë e tyre kriminale me Prona dhe Sigurime, siç është rasti i hetimeve tek Prokurorja Ilirjana Çollaku Tafa, përderisa ju paguheni me taksa të qytetarëve për ta luftuar krimin, e jo për ta mbrojtur atë.

Ne si media kemi edhe prova të tjera për shoqërimin tuaj të vazhdueshëm me personat e përfshirë në krim e korrupsion, dhe ju a bëjmë me dije se jemi të pakompromis në ushtrimin e veprimtarisë fisnike mediatike për informim të drejtë të publikut dhe luftimin e krimit dhe korrupsionit.

Po ashtu kemi dhe disa pyetje për ju prokuror:

1. A jeni në dijeni se Sami Mazreku dhe Venhar Hana janë të dyshuar për bashkëpunim dhe ndihmë në kryerjen e veprave penale mashtrimi legalizimi i përmbajtjes së rremë, Falsifikim i Dokumenteve, lidhur me tjetërsimin e pronave mbi 10.000.00 mln Euro, për rastin për të cilin është arrestuar Afrim Gashi, shok i Venhar Hanes dhe Sami Mazrekut? Ndërsa Ylber Hyseni tani është në arrati, të cilin me autorizim e përfaqëson Venhar Hana dhe bëhet fjalë për persona që në bashkëpunim janë të përfshirë si grup i strukturuar kriminal që gllabërojnë pronat e shtetasve të Kosovës.

2.Po ashtu a jeni në dijeni se Sami Mazreku dhe Venhar Hana kanë hetime të konfirmuara nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 13.10.2021, e cila ka pranuar lëndën nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e cila është regjistruar në Departamentin për Krime të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë. “Prokurori shtetit, më 22.10.2021, ka paraqitur kërkesë për grumbullim të informatave Policisë së Kosovës, andaj, ju njoftojmë se aktualisht lënda është në fazën e hetimeve në procedurë parapenale”, pati thënë Laureta Ulaj, zyrtare për informim në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, për mashtrimin e qeverisë me polica false dhe për mashtrimin e kompanive të sigurimeve me sistemin anti mashtrim nga Kompania “Quantix”.

3. A jeni në dijeni se personi me emrin Venhar Hana po ashtu është i përfshirë në tjetërsimin e pronës që është transmetuar në emisionin me titull “Hulumtim: Dyshimet se si u ndërruan tokat e Prishtinës me kodrat e Prizrenit”, në kallxo.com?

Si është e mundur që ju si Prokuror Special shoqëroheni me persona të tillë? Ju do duhej të ishit në dijeni për ndalesat në ushtrimin e funksionit publik që parashikohen nga KODI I ETIKËS DHE SJELLJES PROFESIONALE PËR PROKURORË, ku është përcaktuar se:

“Prokurorët do të punojnë për të realizuar mandatin e tyre, duke u bazuar në parimet e përgjithshme dhe themelore të etikës profesionale, si në vijim: 1. Format specifike të sjelljes së pahijshme të prokurorëve, të përfshira në këtë kod, nuk janë gjithëpërfshirëse. Është e pamundur që të ofrohet një listë e plotë e të gjitha situatave, me të cilat prokurori mund të përballet në praktikë; 2. Rregullat e pashkruara për vlerësimin e situatës përkatëse duhet të jenë të tilla që çdo sjellje që dëmton nderin dhe dinjitetin e Prokurorit të Shtetit dhe mund të dëmtojë besimin e publikut në paanshmërinë ose besueshmërinë e tij, duhet të shmanget nga prokurori gjatë gjithë kohës; 3. Prokurori gjatë gjithë kohës, në të gjitha rrethanat, në detyrë dhe në jetën private duhet: 3.1. T’i respektojë standardet e larta të sjelljes profesionale dhe personale; 3.2. T’i kryejë detyrat me paanshmëri dhe kujdes; 3.3. Të shmangë çdo sjellje dhe situatë që mund të vërë në pikëpyetje integritetin dhe paanshmërinë; 3.4. Ta respektojë dhe t’i përmbahet ligjit; 3.5. T’i kryejë detyrat e tij bazuar në standardet e njohura ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.

Mbetemi me shpresën se do na përgjigjeni sinqerisht në pyetjet tona, e jo t’i zëvendësoni përgjigjet me aludime të paqena. Kujtohuni që mediat janë një nga 4 Shtyllat e Pushtetit. Ne as nuk frikësohemi e as nuk ndalemi, e më së paku nga paditë që vetëm na kanë inkurajuar ta dërgojmë misionin tonë deri në fund. /Pamfleti

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu