Në politikë, mbijetesa është fitore

0

Shkruan Zef Ndreka

Të analizojmë politikisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ndikimin e tij në raportet e brendshme të pushtetit socialist, në opozitë dhe në skenën e ardhshme zgjedhore.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese dje, ishte goditje institucionale.

Vendimi i Kushtetueses për rrëzimin e shkarkimit të Erion Veliajt është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj qeverisë qendrore dhe ndaj mënyrës sesi ajo tenton të përdorë organet vendore për qëllime politike.
Nëse ky shkarkim ishte i shtyrë politikisht siç perceptohet gjerësisht, atëherë rrëzimi nga Gjykata është një paralajmërim institucional, që pushteti qendror nuk mund të abuzojë me instrumentet ligjore për eliminimin e figurave të forta politike nga pushteti vendor.
Në thelb, kjo është një fitore për autonominë e pushtetit vendor dhe për idenë e ndarjes së pushteteve.

– Ndikimi te marrëdhënia Rama–Veliaj.

Faktikisht, kjo është pika më delikate.
Prej kohësh, në radhët socialiste perceptohet një fërkim i heshtur midis Edi Ramës dhe Erion Veliajt.
Rama e sheh Veliajn si një rival potencial brenda partisë, të ri, mediatik, me mbështetje në Tiranë dhe në rininë urbane.
Veliaj nga ana tjetër e sheh veten si trashëgimtar i natyrshëm i PS-së nëse Rama largohet një ditë.
Kështu, vendimi i Kushtetueses e forcon pozicionin e Veliajt. Ai tashmë del si viktimë e padrejtësisë politike, del si fitues ligjor ndaj një procesi që u perceptua si politik dhe një figurë e qëndrueshme, që di të përballet me sistemin pa u dorëzuar.
Në sy të opinionit publik, kjo e forcon profilin e tij si një lider që nuk rrëzohet lehtë dhe ky është një mesazh i fuqishëm brenda një partie ku shumë figura varen plotësisht nga vullneti i Ramës.

– Çarjet e brendshme në PS.

Në radhët e Partisë Socialiste, pritet një ripozicionim i heshtur.
Deputetë dhe struktura që deri dje ishin neutralë, mund të fillojnë të afrohen sërish me Veliajn, duke parë tek ai një alternativë reale për të ardhmen e PS-së pas Ramës.
Nëse Rama nuk e kontrollon dot këtë dinamikë, PS-ja mund të hyjë në periudhën e parë të dy poleshit të brendshëm që nga koha e Nanos dhe Majkos.

– Pasoja për opozitën.

Opozita, veçanërisht PD-ja e Berishës por edhe e pjesëve të tjera, ndodhen në një pozicion të ndërlikuar.
Nga njëra anë, e kanë sulmuar Veliajn prej vitesh si simbol të klientelizmit dhe korrupsionit urban.
Nga ana tjetër, rrëzimi i shkarkimit të tij i shërben politikisht si argument kundër qeverisë Rama, për të treguar se edhe brenda PS-së ka shkelje dhe luftë për pushtet.
Kështu që, opozita mund ta përdorë rastin si provë të krizës së brendshme të PS-së, pa u detyruar të mbrojë personalisht Veliajn.

– Efekti në zgjedhjet e ardhshme.

Nqs Veliaj qëndron në detyrë dhe përfundon mandatin, ai mund të hyjë në zgjedhjet e ardhshme si kryetar me bilanc pune, i përforcuar nga një histori “fitoreje ndaj padrejtësisë”.
Nqs Rama e toleron këtë, Veliaj mund të jetë kandidati kryesor për drejtimin e PS-së pas Ramës, ose edhe për kryeministër në të ardhmen.
Por nëse Rama përpiqet ta izolojë apo ta delegjitimojë, konflikti mund të shndërrohet në ndarje të hapur brenda partisë, gjë që PS-ja nuk e ka njohur që prej 2013-s.

Si përfundim, vendimi i Kushtetueses nuk është vetëm një akt juridik, por është një pikë kthese politike që rihap debatin mbi balancat e brendshme të pushtetit në PS, vë në pikëpyetje mënyrën se si Rama e përdor shumicën për të eliminuar rivalët, dhe e kthen Veliajn nga një figurë në krizë në një figurë të forcuar e të pavarur politikisht.
Në politikë, mbijetesa është fitore.
Në këtë rast, Veliaj jo vetëm mbijetoi, por doli më i fortë se kurrë.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu