Nën masa të rrepta sigurie, Maduro transportohet në gjykatë me helikopter; shihni pamjet LIVE

0

Masa të shtuara sigurie janë vërejtur gjatë gjithë operacionit.

Pamje ajrore kanë treguar helikopterin duke fluturuar mbi Manhattan, ndërsa autoritetet kanë shmangur dhënien e detajeve të mëtejshme mbi procedurat gjyqësore.

Burgu ku u transferua Maduro

Disa ditë pas operacionit ushtarak për kapjen e tij, Presidenti Venezuelan Nicolas Maduro u transferua në një burg në Brooklyn, ku ka të ngjarë të qëndrojë i mbyllur në qelinë e tij 23 orë në ditë, kushte që ish-të burgosurit në këtë burg, Sean “Diddy” Cobbs dhe Ghislaine Maxwell, i kanë përshkruar si çnjerëzore.

Maduro dhe gruaja e tij Celia Flores po përballen me akuza për trafik droge në Shtetet e Bashkuara. Pas një operacioni ushtarak amerikan në Karakas që çoi në arrestimin e tyre, ata u transferuan në një anije të Marinës Amerikane dhe mbërritën në Qendrën Metropolitane të Paraburgimit në Brooklyn, New York, të shtunën në mbrëmje.

Qendra Metropolitane e Paraburgimit (MDC) Brooklyn u krijua në vitin 1994. Ajo mban rreth 1,300 burra dhe gra dhe aktualisht është burgu i vetëm për të burgosurit që presin gjyqin në gjykatën federale në New York City.

Maxwell, i dënuar për krime seksuale, këngëtari i hip-hopit Combs dhe Juan Orlando Hernandez, ish-presidenti i Hondurasit i cili u dënua për trafik droge para se të falej nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump në dhjetor, janë mbajtur të gjithë në këtë qendër. Luigi Mangione, i cili akuzohet për vrasjen e një drejtuesi ekzekutiv të UnitedHealth Group, po mbahet gjithashtu atje në pritje të gjyqit.

Të dy të burgosurit dhe avokatët e tyre kanë denoncuar kushtet johigjienike dhe çnjerëzore në qendër.

Si u kap Maduro?

Për muaj të tërë, presidenti venezuelian Nicolas Maduro ishte nën vëzhgim të vazhdueshëm nga shërbimet sekrete amerikane. Çdo lëvizje e tij monitorohej në detaje: ku flinte, çfarë hante, çfarë vishte, madje edhe kafshët e tij shtëpiake.

Në ekipin e inteligjencës kishte edhe burime brenda vetë qeverisë venezueliane. Ishte përgatitja e heshtur e një operacioni që do të ndryshonte rrënjësisht balancat në Amerikën Latine.

Në fillim të dhjetorit u finalizua plani i koduar “Operation Absolute Resolve”, rezultat i muajve të planifikimit sekret dhe stërvitjeve intensive. Trupat elitare amerikane kishin ndërtuar madje edhe një kopje identike, në përmasa reale, të strehës së sigurt të Maduros në Karakas, për të ushtruar hyrjen në objektiv. Një ndërhyrje ushtarake e përmasave të tilla, sipas zyrtarëve, nuk ishte parë në rajon që nga Lufta e Ftohtë.

Kongresi amerikan nuk u informua paraprakisht, për të ruajtur surprizën absolute. Urdhri për nisjen e misionit erdhi në orën 22:46 me orën e Bregut Lindor të SHBA-së, pak para mesnatës në Karakas. Presidenti Donald Trump e dha dritën jeshile pasi kushtet atmosferike u konsideruan ideale.

“Prisnim momentin e duhur,” deklaroi vetë Trump. Operacioni u zhvillua për mbi dy orë, nga ajri, toka dhe deti, me një precizion të paprecedentë.

Më shumë se 150 avionë, bombardues, avionë luftarakë dhe mjete zbulimi, u angazhuan gjatë natës. Rreth orës dy të mëngjesit, Karakasi u trondit nga shpërthime të fuqishme. Banorët raportuan errësirë totale, dritare që dridheshin dhe avionë e helikopterë që fluturonin mbi qytet. Sulmet goditën baza ajrore, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe objekte ushtarake strategjike, ndërsa sipas Trump, energjia elektrike e kryeqytetit u ndërpre qëllimisht përpara hyrjes së trupave. Mes kaosit dhe tymit, forcat elitare amerikane, përfshirë anëtarë të Delta Force, hynë në Karakas.

Ata u drejtuan drejt strehës së sigurt të Maduros, të cilën Trump e përshkroi si një “fortesë ushtarake”. Trupat hasën rezistencë dhe u qëlluan me armë, një helikopter u godit, por operacioni vijoi. Brenda pak minutash, presidenti venezuelian tentoi të arratisej drejt një dhome të blinduar, por u neutralizua përpara se të mbyllte derën.

Maduro dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, u arrestuan dhe u nxorën nga territori venezuelian me helikopter, nën kontrollin e Departamentit amerikan të Drejtësisë. Pak orë më vonë, Donald Trump njoftoi botën: “Maduro dhe gruaja e tij do të përballen me të gjithë forcën e drejtësisë amerikane.”

Operacioni ka shkaktuar reagime të forta politike dhe diplomatike. Disa vende e kanë dënuar ashpër ndërhyrjen, duke e quajtur precedent të rrezikshëm, ndërsa në vetë SHBA-në ka shpërthyer debat për anashkalimin e KongresiT.

Por për Shtëpinë e Bardhë, mesazhi është i qartë: Amerika është rikthyer me forcë, dhe kapja e Nicolas Maduro-s shënon një nga operacionet ushtarake më të guximshme dhe më të diskutueshme të dekadave të fundit.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu