Nga Groenlanda, Meksika e Kolumbia, BBC: Cilat vende mund të jenë në shënjestër të Donald Trump pas Venezuelës?

0

Mandati i dytë i presidentit amerikan Donald Trump po formësohet qartë nga ambiciet e tij në politikën e jashtme, me një qasje agresive dhe deklarata të forta ndaj disa vendeve që ai i konsideron brenda sferës së ndikimit të Uashingtonit.
Trump e vuri menjëherë në zbatim kërcënimin ndaj Venezuelës, duke urdhëruar kapjen e presidentit Nicolas Maduro dhe bashkëshortes së tij nga kompleksi i tyre i fortifikuar në Karakas.
Gjatë përshkrimit të operacionit, ai riktheu në vëmendje Doktrinën Monroe të vitit 1823, duke e riemërtuar atë si “Doktrina Donroe”, të cilën e paraqiti si garanci të epërsisë amerikane në hemisferën perëndimore.

Por Venezuela nuk është i vetmi fokus i presidentit amerikan. Ditët e fundit, Trump ka lëshuar paralajmërime të hapura edhe ndaj disa vendeve të tjera, raporton BBC.

Groenlanda

Edhe pse SHBA-ja ka tashmë një bazë ushtarake në Grenlandë, Bazën Hapësinore Pituffik, Trump ka shprehur hapur dëshirën për të marrë kontrollin e të gjithë ishullit. Ai argumenton se Grenlanda është thelbësore për sigurinë kombëtare amerikane, duke përmendur praninë ruse dhe kineze në rajon. Ishulli arktik, pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, është i pasur me minerale të rralla, jetike për teknologjinë moderne dhe industrinë ushtarake, si dhe ka rëndësi strategjike për shkak të aksesit në Arktik. Kryeministri i Grenlandës, Jens Frederik Nielsen, i hodhi poshtë deklaratat e Trump, duke i quajtur “fantazi” dhe duke kërkuar respektimin e ligjit ndërkombëtar.

Kolumbia

Vetëm disa orë pas operacionit në Venezuelë, Trump paralajmëroi presidentin kolumbian Gustavo Petro që të “ketë kujdes”. Kolumbia, e pasur me naftë dhe minerale të çmuara, është gjithashtu një qendër kyçe e trafikut të drogës. Marrëdhëniet mes dy vendeve janë përkeqësuar që nga sulmet amerikane ndaj anijeve në Karaibe dhe Paqësorin lindor, të cilat SHBA i ka justifikuar si masa kundër trafikut të drogës. Trump e ka akuzuar Petron se po lejon kartelet të lulëzojnë dhe ka lënë të hapur mundësinë e një operacioni amerikan ndaj Kolumbisë.

Irani

Edhe pse jashtë kufijve të përcaktuar nga “Doktrina Donroe”, Irani mbetet një tjetër objektiv i retorikës së Trump. Mes protestave masive antiqeveritare, presidenti amerikan paralajmëroi se autoritetet iraniane do të “goditen shumë fort” nëse vazhdon dhuna ndaj protestuesve. Kërcënimet vijnë pas sulmeve amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane vitin e kaluar dhe konfliktit 12-ditor mes Izraelit dhe Iranit.

Meksika

Marrëdhëniet me Meksikën mbeten të tensionuara. Trump ka akuzuar vazhdimisht autoritetet meksikane se nuk po ndalin trafikun e drogës dhe emigracionin e paligjshëm. Ai deklaroi se droga po “derdhet” në SHBA përmes Meksikës dhe se kartelet janë “shumë të forta”. Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum ka përjashtuar kategorikisht çdo ndërhyrje ushtarake amerikane në territorin e vendit të saj.

Kuba

Sa i përket Kubës, Trump u shpreh se ndërhyrja ushtarake amerikane nuk është e nevojshme, pasi sipas tij vendi është “gati të bjerë”. Ai theksoi se Kuba ka humbur burimin kryesor të të ardhurave, Venezuelën, e cila furnizonte rreth 30% të naftës së saj. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, paralajmëroi se autoritetet kubane duhet t’i marrin seriozisht deklaratat e presidentit.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu