Nga kripa te shakatë pa kripë

0
Shkruan Lutfi Dervishi
Ishte një kohë, kur kripa ishte gjëja më e çmuar mbi dhé. Të kishe kripë në kohët e moçme ishte njëlloj si të kesh hidrogjenin sot në Bulqizë. Ne kemi patur kripë, por na e shfrytrëzonte Venediku. Vërtet jemi popull mikpritës. Bukë, kripë e zemër, do të thotë se i kemi dhënë mikut gjithçka. Ushtarët (asqerët) nuk paguheshin me rrogë, por me okë kripe. Luftërat më shumë se për territor bëheshin për kripë. Perandoritë u ngritën e u shuajtën si kripa në ujë po për shkak të kripës.
Perandoria romake e kishte kripën monopol shteteror. Me 1540 banoret e Peruxhias sulmuan shtetin papal, sepse Papa rriti taksën e kripës.
Në Mesjetë malli që kontrabandohej mëshumë mes Italisë e Francês ishte kripa. Si kokaina sot.
Imagjino pak sikur t’i thoni një njeriu të lashtësisë se ne e hedhim kripën në rrugë që bora të mos kthehet në akull?! Me siguri ai do të shkonte në Kalimash dhe do të lutej të binte borë që të merrte ca kripë nga kamionët falas.
Por pas mbarimit të epokës së gurit, që për hir të së vërtetës nuk mbaroi se u mbaruan gurët erdhi epoka e hekurit. Hekuri ishte blockchain i kohës. Shpatat, mburoja, tenxherja e gatimit ishin simbol i fuqisë dhe përparimit. Vendet që zotëronin hekurin ishin siç janë sot vendet që kanë arsenal bërthamor. Askush nuk guxonte të prekte një vend me hekur.
Por çuditërisht një metal tjetër, që as hahet, as pihet, as vishet, as përdoret për shpatë e mburojë ia zuri vendin hekurit- ari. Mbretërit e kalonin atakun kardiak vetëm duke parë ar, piratët ishin gati të shkonin në fund të botës për ar. Aq i dëshiruar ishte ari sa alkimistët shpenzuan jetë të tëra për t’a prodhuar në kushte laboratorike.
Pas arit plot shkëlqim erdhi radha e arit të zi, naftës. Nafta u bë fiksim. Ekonomitë jane ngritur dhe rrënuar me çmimin e saj. Pavarësisht sa bie çmimi në bursë- te pika karburantit gjithmonë do e paguash shtrenjtë. Por me naftën në Shpirag pritet që cmimi i saj do të jetë aq i lirë sa do të bëhen pishman ata që kanë blerë makina elektrike.
Por për paradoks vendet që nuk kanë naftë janë më të zhvilluara se vendet që e kanë. Ky fakt dëshmon se dija është më e çmuar se nafta. Në epokën e informacionit ekonomia më e madhe është ndërtuar mbi dy numra: 0 dhe 1. Të dhënat u bënë më të vlefshme se nafta.
Por bota rrotullohet dhe nga kripa vijmë te shakatë pa kripë.
Sot nuk ka nevojë të kesh hekur, ar apo naftë madje as dijeni. Shkolla është një atavizëm. Sot jemi në epokën e vëmendjes. Në këtë botë, që e ka përfshirë cunami i informacionit, malli më i çmuar është syri juaj, më saktë bebja e syrit. Jo në kuptimin fizik. Banda e rrjeteve sociale është hedhur në sulm kush e kush të monopolizojë mërzinë tuaj. Sot çdo kush krijon dhe peshkon për like me këmbënguljen e një piranje të uritur.
Selfiet, që dikur konsideroheshin budallallëk (shkodranet thonë të hiptë vetja në qef) , janë bërë monedha më e çmuar e kohës tonë. Ekonomia jonë sot nuk bazohet as te prodhimi as te shërbimi, por në themel të saj është gishti i madh virtual. Influencerat janë “gjeneralët e lashtësisë”, “oligarkët e djeshëm”, manjatët e rinj, pushteti i të cilëve nuk bazohet te ushtria apo floriri, por te fotot dhe videot e kuruar me kujdes.
Në këtë epokë, të harrosh telefonin në shtëpi është njëlloj si mbetesh në një në një ishull të shkretë, të shkëputur nga burimi më jetik në botë: vëmendja.
Nga kripa te shakatë pa kripë, vërtet bota rrotullohet. Pyetja është çfarë do të ketë më shumë vlerë nesër: do të jetë diçka e prekshme, e shijshme dhe pa ngjyrë si uji, apo do të jetë një gjë eterike si heshtja?! Dhe kthehemi sërish te: “Heshtja është flori”?
Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu