Shkruan Zef Ndreka
Edhe moti mbajti si në ditët e pranverës, apo si në ditët e para të vjeshtës, me një freski që të ledhatonte, me diellin që të buzëqeshte, me qytetarë e rini që veç aktiviteteve që nuk mungonin në atë qytet, kishin mbushur baret, lokalet dhe restorantët si asnjëherë. Ditët e fundjavës në Gjakovë këto ditë, me aktivitete historike dhe promovime librash, ja shtuan hijeshinë qytetit.
Bashkë me disa miq nga Tirana, nga Lezha dhe Shëngjini morëm rrugën me shumë kënaqësi për tu bërë sot pjesë e këtyre aktiviteteve.
Kafenë e parë e morëm nën shoqërinë e Fahri Xharres, ku nuk munguan bisedat pikante të historisë së Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Çamërisë dhe Serbisë.
Enciklopedisti dhe studiuesi i rrallë gjithnjë është i këndshëm dhe shumë interesant. Nga ai mëson shumë, por së pari duhet të mësojnë historianët që deformojnë historinë, duhet të mësojnë gjithë shqiptarët të vërtetat që ai ka një jetë që i shpreh dhe i shkruan, por që jo rrallë përpiqen ta anatemojnë.
Më pas, një kafe me mikun tonë Gëzim Biblekaj për të vazhduar menjëherë pjesëmarrjen në promovimin e librit të autorit Skënder Demaliaj.
Dreka e mrekullueshme me Gëzimin, në një nga lokalet e Gjakovës e më pas një shëtitje dhe vizitë tek Kisha e Shën Ndojit, Kisha Franceskane e zonës në afërsi të qëndres së qytetit, ndalesat e vogla në shumë pika historike e turistike, dhe ndalesa në qytetin e Prizrenit, plotësuan intenerarin e kësaj dite të ngjeshur.
Përherë, kënaqësisë së kësaj dite ja shtonin batutat e pa fundme të Marçelit të kudo ndodhur në trojet shqiptare.
Sot, kënaqësia kishte emrin Gjakovë. Ishte një ditë e kthjellët kristiane…
Sigurisht ky qytet do jetë destinacion tjetër i radhës për ne.
Promoted Content