Vetëm 3 ditë më parë, (E premte 24 Janar) në konferencën me gazetarët, Sali Berisha, u pyet për situatën e nongratës nga SHBA, pas rikthimit si president të Donald Trump. Berisha deklaroi se po shikon të gjitha mundësitë për të lobuar për heqjen e saj dhe se po konsultohet për këtë gjë.
Por këtë të hënë në një intervistë për “Panorama, deputeti i PD Edi Paloka duke folur edhe për çështjen e “non-grata” të Sali Berishës ka pohuar se “praktikisht është fshirë dhe është vetëm çështje kohe sa kjo të bëhet zyrtare”. Duket sikur “i zoti i punës”, Sali Berisha non grata, është më me këmbë në tokë kur flet për këtë çështje dhe deklaron se në të ardhmen mund të lobojë në SHBA, se sa Paloka i cili e quan nongratën e shefit të tij “të fshirë” dhe pritet vetëm njoftimi zyrtarë.
Çfarë përpjekjesh po bën PD-ja që me rikthimin e Presidentit Donald Trump të heq “non-gratën” ndaj z.Berisha? Me kë po lobojnë demokratët?
Sali Berisha nuk zgjodhi rrugën e lobimit, por të drejtësisë për sa i përket “non grata”-s. Fitorja e Presidentit Trump e ka ndryshuar totalisht situatën edhe për sa i përket kësaj çështjeje. Kur Sekretari aktual i Shtetit Marco Rubio ishte senator, ngriti pikërisht çështjen e “non grata”-s në senatin amerikan duke akuzuar hapur administratën e atëhershme se e kishte përdorur politikisht për të goditur liderë të qendrës së djathtë nëpër botë. Në këto kushte besoj është e qartë se “non grata” e Berishës praktikisht është fshirë dhe është vetëm çështje kohe sa kjo të bëhet zyrtare.