Zgjedhje për zgjidhje apo zgjidhje për zgjedhje
Kjo pikëpyetje retorike shtrohet sot në arenën politike shqiptare. Deri para pak ditësh kërkesa për zgjedhje të parakohëshme ishte më shumë se një tezë e opozitës, ofrohej prej saj si domosdoshmëri për nxjerrjen e vendit nga kriza ku është pllakosur. Po ajo që kërkon opozita çfarë mund të jetë vallë. Përtej arsyeve që parashtrojnë nga foltoret politike eksponent të Partisë Socialiste duke se fshihet një argument shumë më i fortë, madje diçka krejt tjetër. Fakti se ajo që kërkon zgjedhje të parakohëshme është pozita, ajo që ka pushtetin që nga viti 1997, tregon se ajo ka vendosur të ndërroj taktikë. Kjo për shumë arsye, por ndër më të ngutshmet është mosdhënja kohë e pretendentëve të tjerë për territore të pushtetit, të përgatiten për 2005, vit kur datojnë zhvillimi i zgjedhjeve të përgjithshme. Kjo betejë politike e pozitës, për nga densiteti dhe shpejtësia e reagimit, dëshmon panikun që ka mbërthyer kampin rozë nga mundësia e një sfide të vështirë më të cilën do të duhet të përballet në zgjedhjet e vitit 2005. Meta dhe vendosmëria e tij për të braktisur PS është një nga tërmetet më të rënda që po provon politika socialiste. E ashtuquajtura shumicë bllokuese në Parlament, është arsye që pretendohet nga zëdhënësit politik të Partisë Socialiste. Por jo më pak detyruese për të afruar zgjedhjet në një kohë të paparashikuar nga palët që kërcënojnë, është dhe lëvizja e prëzantuar nga pretendenti i Fronit Mbretëror, Leka i parë. Krijimi i kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme si kusht i faktorit ndërkombëtar. E pse jo dhe revanshi politik i opozitës, një opozite që ka akumuluar për shtatë vite radhazi një dëshirë patologjike për të ardhur në pushtet. Megjithë përpjekjet e socialistëve, të cilët pretendojnë tek kapacitetet e tyre, nëpërmjet makinacioneve politike, tradita karakteristike të ofruara nga ana e tyre si alternativa të kohës, qoftë dhe së fundi loja me tëzën e zgjedhjeve të parakohëshme, për të mos u larguar duke zvarritur mandatin e tyre të dytë në pushtet, ekzistojnë pak shanse se kjo të ndodhë realisht. Pak a shumë ne nuk kemi një realitet të prekshëm të një sfide zgjedhore, vetëm duke patur si fakt atë prezantim të PS bën për zgjedhje. Duke marrë në konsideratë edhe disa deklarata të ditëve të fundit, që vijnë nga kampi rozë, për të pohuar se vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohëshme në vjeshtë. Fillimisht “Zëri i Popullit”, më pas njeriu që thotë gjithshka pa thënë asgjë, Bardhyl Agasi, e më pas edhe Sekretari i Përgjithshëm i PS, Gramoz Ruçi, të cilat kanë rrahur në një pikë, për të mos thënë se kanë qënë thjeshtë kalim i një protokolli politik nga një eksponent tek tjetri nuk përjashtojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Kjo edhe për fakti se PS është më seriozë dhe më kërkuese për të mbajtur në vijimsi rrjedhën politike, me të cilën prezantohen, ndryshe nga PD, së cilës megjithë argumentat dhe përkrahjen brenda dhe jashtë vendit ajo nuk ka mundur që fjalët t’i bëjë vepra. Një zgjidhje e tillë do i voliste jo pak PS-së. Së pari ajo reduktonte në minimum kohën e nevojshme të përgatitjes që i duhet forcës tjetër politike që po lind brenda saj, LSI-së së Ilir Metës, për të hyrë në garë. Gjithashtu ajo do të shkurtonte kohën e ndarjes me publikun që PS po paguan si pasojë e qeverisjes pa fryte dhe plot skandale të Fatos Nanos. Ajo mund të kompaktësonte vetë grupin parlamentar të socialistëve dhe mund të vinte rregull brenda koalicionit të majtë të shndërruar në një Kullë Baliloni. Por, më kryesorja zgjidhja për të shkuar drejt garës elektorale të parakohshme mund të konsiderohej edhe një hap i guximshëm. Dihet nga të gjithë që BE e ka kushtëzuar vazhdimin e procesit të integrimit me zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Të njëjtën gjë bëri së fundi edhe NATO në samitin e Stambollit, ndërkohë që këtë kërkesë po përsërit prej kohësh SHBA, për të pasur marëdhënie të mira me Shqipërinë. Nëse PS është vërtet e angazhuar për zgjedhje të ndershme, ajo do të ishte e interesuar vërtet t’i shpejtonte ato. Kështu do ti kursente shqiptarëve kohën e humbur të proceseve integruese duke e hapur rrugën që gjithshka të fillonte për së mbari pas vjeshtës së ardhshme. Por, nuk është kjo me sa duket arsyeja e vërtetë së përse krerët socialistë kanë hedhur në treg këtë ide. Nga të katër arsyet e përmendura më lart, Sekretari i përgjithshëm, Ruçi përmendi vetëm njërën. Duke dalë dje, përpara gazetarëve, ai theksoi pak a shumë se në një moment kur PS i ka mandatet, por nuk i bën dot numrat dhe kur e njëjta gjë ndodh edhe me mazhorancën të cilës i mungojnë aleatët, nuk ka se si të mos hidhet hipoteza e zgjedhjeve të reja. Kjo logjikë, megjithëse minimaliste, mund të ishte e besueshme nëse një gjë e tillë ndodhte për herë të parë. Por për fat të keq, këtë rradhë, Gramoz Ruçi trgohet i pasinqertë. i pasinqertë për shkak se një mosaprovim ligji (si ai për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë) socialistëve nuk i ndodh për herë të parë. Vitin e kaluar ata e mbajtën për mëse pes muaj qeverinë e tyre pa mazhorancë. Atyre iu rrëzuan tre ministra me votime dhe megjithëse kriza ishte më e madhe, megjithëse numri i deputetëve të pabindur si brenda PS si në rradhët e aletaëve ishte më i madh, as Gramoz Ruçi as ndonjë hierark socialist pranë tij nuk flisnin për krizë, për mandate të paplotësuara dhe çuarje të vendit në zgjedhje. Pra përse ky argument që nuk ishte i vlefshëm atëherë, bëhet relevant tani? Më shumë se gjithshka kjo pyetje dhe ky episod të bëjnë të dyshosh se PS ka argumenta të fortë dhe bindës për të shkuar drejt zgjedhjeve të reja. Në fakt ajo i trembet atyre. Por duke u fshehur pas gishtit, po kërkon të eksportojë frikën e saj tek të tjerët. Pra të trembë kundërshtarët e rij që po lindin brenda të majtës me befasinë e një gare të shpejtë elektorale. Nëse do të ishin nisur nga qëllime fisnike si ato të përfundimit të një krize të zgjatur, apo ato të integrimit, socialistët do ti kishin provokuar më parë këto zgjedhje. Por deri më tani ata kanë zgjedhur një rrugë tjetër. Atë të kacavjerrjes pas pushtetit, duke lënë mënjanë garën europiane, duke lënë mënjanë reformat dhe luftën kundër krimit e korupsionit. Ata vetëm po vegjetojnë nën trysninë e një ideje tashmë të përhapur gjerësisht për t’i vjelë sa të munden edhe një vit, të gjitha përfitimet e pushtetit. Dhe një forcë e tillë, e kapluar nga kjo psikologji, gjënë më të vështirë që ka, është të ndërrmarë veprime të guximshme si zgjedhjet e parakohshme. Gjithsesi ku ka zë s’është pa gjë thotë populli. Po le besojmë se ky zë nuk do të jetë vetëm një manovër politike e PS, por diçka më shumë, gjë e cila është e vështirë se mund të ngjasë në një vend si Shqipëria, ku klasa politike gjithçka dhe për çdo gjë I jep kahje për nga interesat e tyre për pushtet. Nga Albert Vataj, Sokol Pepushaj Për një Shqipëri pa diktaturë Po, edhe demokrati Aldo Rrok Guri, lindur në qytetin bastion të antikomunizmit shqiptar, Shkodër, më 17.12.1979, anëtar e veprimtar i Partisë Demokratike qysh më 1991, sipas dokumentit të kësaj force politike me numër protokolli 10/4, duke qenë se ka investuar, se ka dhënë kontribut për një shtet pa dhunë e padrejtësi njerëzore, duke qenë komisioner në zgjedhjet e PD-së, është kërcënuar seriozisht për t’u eliminuar fizikisht. Aldo Guri është shquar në protestat e demonstratat politike antikomuniste. Veçojmë si më pikantet 14 janarin 1990, 16 qershorin 1990, 13 dhjetorin 1990 dhe 2 prillin 1991. Si një anëtar e veprimtar i Shoqatës Politike Antikomuniste “13 Dhjetori 1990”, sipas dëshmisë zyrtare të kësaj shoqate me numër protokolli 996, jeta e tij ka qenë tejet e rrezikuar nga komunistët, ku është keqtrajtuar në demonstratën e 2 prillit 1991, ku edhe në fillim të proceseve demokratike në Shqipëri, në vitin 1990 kish kontribuar në hapjen e kishës katolike, ku më 1997, në atë vit të zi, kur bandat e partisë në pushtet me dhunë e armë uzurpuan pushtetin duke instaluar diktaturën, ai kishte investuar me kontribut të madh për ruajtjen e institucioneve të shtetit. Forcat e errëta të sigurimit të shtetit e kanë keqtrajtuar. Por, ky shtet është i lidhur me grupe anarshiste. Kështu nga të rrahurat barbare nga persona të paidentifikuar akoma nga organet e rendit, Aldo Guri është shtruar në Spitalin e Shkodrës ku ka marrë kurim nga data 19.12.2003 deri më 20.12.2003, me diagnozën comotio cerebri. Ky djalosh, fotografinë e të cilit po e botojmë, duroi sa duroi dhe kur e pa se nuk kishte shpresë t’i shpëtonte vrasjes, u detyrua të braktisë vendin e vet. Denada Kraja
Kërcënohet jeta e demokratëve Fran Shkambi, ish-kryetar i “Unionit të Pavarur Studentor”, Shkodër. I diplomuar jurist në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit “Luigj Gurakuqi”. Me bindje të djathta, anëtar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, sekretar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, zona nr.4. U rrit dhe u edukua në një familje me parime demokratike dhe bashkëkohore, pavarësisht persekutimeve dhe përndjekjeve të herëpashershme. Babai i tij arrestohet dhe dënohet dy herë gjatë regjimit monist, për motive politike, por arrin të skalitë tek i biri ndjenjën e atdhedashurisë dhe të përparimit. Gjatë viteve të shkollës së lartë shquhet si veprimtar i mbrojtjes së flaktë të të drejtave studentore. Për këtë arsye, në vitin 2002 me shumicë votash, zgjidhet nga studentët e Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Kryetar i Unionit të Pavarur Studentor në Shkodër. Në atë kohë UPS Shkodër ishte bërë vegël e politikës dhe studentët përdoreshin nga partitë për të realizuar qëllimet e tyre. Menjëherë pas marrjes së mandatit dhe zgjedhjes së stafit të tij, fillon punën për zhveshjen e Unionit të Pavarur Studentor nga ndikimet e partive politike. Akuzon nëpërmjet mediave dhe takimeve me drejtues të Universitetit, me prova dhe fakte konkrete, marrjen e rryshfeteve nga ana e pedagogëve të korruptuar. Duke vënë re këto veprime të shpejta dhe energjike, të marra nga ana e tij, drejtues të Shërbimit Informativ, ngarkohen nga Qeveria që t’i ofrojnë një shumë parash me kusht që të heqë dorë nga detyra e tij si kryetar i UPS. Nga qëndrimi i tij i vendosur, dhe bindjet e tij të thella e të palëkundura për të punuar deri në fund ti mbrojtës i të drejtave legjitime të studentëve has në kundërshtimin dhe persekutimin nga ana e Qeverisë dhe policisë së shtetit. Duke parë mbështetjen dhe popullaritetin e fituar tek studentët, Shërbimi Informativ e shikon si një rrezik potent dhe kërcënim serioz që i shfaqej qeverisë. Për këtë arsye ndaj tij organizohet një skenar i mirëfilltë terroristo-shtetëror. Herë pas here i drejtohen telefonata kërcënuese duke i urdhëruar që të tërhiqet, përndryshe jeta e tij do të jetë e rrezikuar. Me datën 26.01.2003, ndërsa po dilte nga një takim pune i Kryesisë së UPS Shkodër, sulmohet nga dy të rinj që po prisnin jashtë sallës së takimit, duke u goditur dhe dhunuar. Ndërsa pak kohë më vonë, pikërisht më datën 07.02.2003, ndërsa po kthehej në shtëpi i shpëton për mrekulli një aksidenti me makinë pa targa që drejtohej nga një person i maskuar. Pas mbarimit të Universitetit dhe dorëzimit të mandatit kërkon punë në disa institucione. Pasi fillon konkurset e pranimit dëbohet në mënyrë arbitrare duke i thënë se: “Ty të punëson e djathta kur të vijë në pushtet. Kërko punë te Berisha” etj. Emërohet nga Forumi Rinor i Partisë Demokratike si Sekretar i Përgjithshëm i Forumit Rinor, zona nr.4. Pas aktivitetit propagandues në zgjedhjet parlamentare, fillon për të edhe një herë avazi i kërcënimeve, por i një kategorie më të rrezikshme dhe më të shpeshtë. Zotit Fran Shkëmbi i kërcënohet familja duke i thënë se: “Vëllai yt nuk do ta festojë ditëlindjen sepse nuk do të ketë kohë për ta pritur. Babai yt është plak, ecën ngadalë dhe do e shtypim me makinë…” etj. Duke u lodhur në këtë situatë, pa punë, me familje të rrezikuar për shkak të angazhimit të tij politik vendos të largohet në një nga shtetet e Evropës duke besuar se jeta e tij dhe e familjes së tij do të jetë më e sigurtë. Ai shpreson se populli shqiptar do të dijë të vendosë për veten e tij dhe së shpejti, do të shporrë nga pushteti bijtë e Enver Hoxhës që janë më të korruptuar se baballarët e tyre, gjakpirës të popullit shqiptar për 50 vjet. Ne si staf i gazetës, i urojmë këtij djaloshi guximtar dhe me shpirt demokrat që të përparojë, por të mos e harrojë atdheun sepse për të tillë djem ka nevojë Shqipëria. Vasel Gilaj
Malësoren që pushka e ka shoqëruar me vdekje tash një shekull Çdo ditë Aeroporti “Nënë Tereza” pret dhe përcjell me qindra e qindra njerëz. Diplomatë, turistë, emigrantë që vijnë në atdhe mbas shumë vitesh dhe janë të përmalluar për vendin që i ka lindur dhe rritur. Njeriu vetvetiu ndjen mall në shpirt për këta njerëz kur largohen e ndoshta nuk shihen më me njëri-tjetrin. Rrugët e largëta, popujt e ndryshëm, zakonet, vendet edhe mund t’i tresin përgjithmonë këta qenie njerëzore që lëvizin, që presin e përcjellin dikë. Udhëtari që ne përcollëm për në Amerikë është disi ndryshe nga të tjerët. Ajo është një grua kelmendase që kur bisedon me njerëzit, thotë: “Habitem që jam gjallë”. Megjithëse i ka kaluar 60 vjetët, ajo është e mbajtur dhe e hijshme, bisedon me të si me një burrë, tipare të cilat ia ka skalitur jeta plot vuajtje. Ajo është Gjyste Mitaj ose siç e thërrasin Ruka nga Kelmendi i Malësisë së Madhe. Ndoshta është unikale në historinë e kësaj krahine shqiptare që nga një fis si ai i Gjyste Mitaj për më shumë se 60 vjet të gjithë meshkujt të jenë të pushkatuar ose të vrarë në pabesi e të gjitha këto për motive politike. Kur e pyet për këtë, Gjystja të përgjigjet: -Po, ka dashtë Zoti nuk jena shfarosë. Nga gjithë fisi im në vitin 1945 më ka shpëtuar vetëm një mashkull. Ai është Maç Luca i Vuklit, djali i axhës tim, kurse të tjerët i ka zhdukur pa trashëgimtar diktatura komuniste. Edhe Maçin ndoshta do ta pushkatonin por ishte i vogël, fëmijë në moshë. Nuk mund ta pyesësh gjatë ngaqë ka një histori me të vërtetë tragjike e shumë të dhimbshme. Në janar 1945 brigada komuniste e Mehmet Shehut drejtonte operacionin famëkeq të spastrimit njerëzor në Kelmend. Në befasi i arrestojnë babain e saj Rrok Zef Rapuka, e lidhin këmbë e duar dhe të gjallë e hedhin nga shkëmbi në vendin e quajtur Sheu i Noriut. Bishat komuniste nuk kënaqen me këtë veprim, por shkojnë tek kufoma dhe e masakrojnë të vdekur. I pushkatojnë xhaxhain e saj, Lucë Gjon Rapuka, i burgosin gjyshin Zef Gjon Rapuka e ia dënojnë me 30 vjet burg dhe vdes në tortura në burgjet e tmerrshme të diktaturës. I burgosin xhaxhain tjetër Ndue Gjon Rapuka, ia dënojnë me 101 vjet burg politik, mbas 16 vitesh tmerr në ato biruca, që për nga dhuna ia kanë kaluar edhe kampeve të Hitlerit, vdes, edhe sot njerëzit e fisit nuk e dinë se ku i ka eshtrat. I burgosin në moshë fëminore kushëririn Maç Lucë Rapuka, të vetmin mashkull që brigadat komuniste i lënë gjallë këtij fisi. Gjyste Mitaj (Rapuka) mbetet jetime në moshën 1 vjeçare dhe e rritë gjyshja e saj 60 vjeçe pa patur përkrahjen e asnjë mashkulli në shtëpi as në fis. Kur mendon gjithë këtë kalvar persekutimi, burgosje, pushkatim, varfëri të paimagjinueshme, vetvetiu të lind pyetja: Sa i fortë është njeriu?! Brigadat e spastrimit njerëzor nuk janë të kënaqur me atë që kanë shuar një fis të tërë, por grabisin gjithë pasurinë dhe pastaj u vënë flakën gjithë shtëpive dhe ndërtesave që kishte fisi Rapuka dhe Gjystja me gjyshe rritet në një kasolle kashte të ndërtuar nga komshinjtë bamirës. Edhe kur martohet, kësaj gruaje malësore dhe fisnike nuk do t’i ndahen tragjeditë. Burri i saj humbet këmbën aksidentalisht dhe sistemi i atëhershëm nuk i jep mundësinë e shërimit në klinikat spitalore. I mbetet të rrisin nëntë fëmijët me shumë vështirësi dhe skamje. Shkrimi ynë do të mbetet nga fillimi e deri në fund një kronikë ngjarjesh të dhimbshme. Më 24 maj 1996, kur ujërat e Lumit Cem ishin të tërbuara nga bora e shkrirë e maleve të Kelmendit, gjendet i mbytur në rrethana tragjike djali i saj Genc Mitaj. Kurse tetë vjet mbrapa kjo grua malësore po lë Shqipërinë me një mal me varre, të gjithë të pushkatuar dhe të vdekur mizorisht. Për ku është nisur? Ku po shkon? Tetë vjet më vonë gryka e pushkës i vret djalin tjetër, Ardian Mitaj, diku atje në Amerikën e largët. Kishte 14 vite që nëna e tij ishte ndarë prej tij. Ai kishte ikur nëpër bjeshkët e Kelmendit së bashku me vëllanë Nikë Mitaj. Kishin ikur në moshë fare të re. Ishin ndarë nga nëna e babai, nga motrat e vëllezërit për të shpëtuar kokën nga ai ferr komunist që po i hante një nga një. E tashmë Gjystja ishte bërë gjyshe, nipat dhe mbesat po rriteshin. Po s’paska qenë e shkruar që pushka edhe në Amerikën e largët të mos e ndjekë, nipin e Rapukajve dhe në moshën 32 vjeçare ta përcjellë në dheun e zi. Sa shumë duron zemra e kësaj nëne malësore. Ajo kurrë nuk provoi dashurinë e prindërve dhe biles as nuk i njohu. Atëherë kur mund të gëzonte, po mbulon me duart e saj frytet e barkut të saj. Në sytë e saj shikon se si i torturojnë djemtë e saj, shikon dhimbje, vdekje, llahtar. Ajo ikën sot nga vendi ku ka lindur, por që jeta i ka shpëtuar vetëm për fillin e perit. Ikën me shpresën se ndoshta një ditë do të gjejë qetësi zemra e saj. Alban Perdeleci Gazeta “Java” në Prishtinë përballë atitudave që dëmtojnë kombin Ismail Kadare pranon se shkencëtarët e intelektualët tanë kanë për detyrë morale, mision para popullit shqiptar, të sqarojnë se si ndodhi që një dialekt të bëhet zotërues në një gjuhë. Që u bë njëri nga dy dialektet është një gjë krejt normale. Mund të bëhej dialekti i veriut, mund të bëhej ai i jugut. Natyrisht, politika shqiptare diktatoriale donte, në çdo mënyrë, të bëhej dialekti i jugut, për arsye që i dimë, për arsyet e armiqësisë së tyre, instinktive gati, për kulturën veriore, të shqiptarëve të veriut, sidomos kulturën katolike. 12 numra ma vonë, konstatoj se angazhimi publik i stafit të gazetës “Java” për dy nga të vetmet sfida kulturore, njerëzore e civilizuese sot mbrenda mendimit politik e kulturor shqiptar – Identiteti Kosovar dhe Revidimi i Standardit Gjuhësor të Shqipes – (tana tjerat janë vetëm pordhë e piskamë), ka nisë me i dhanë edhe rezultatet e para. Këto ditë në Prishtinë u themelue nji shoqatë e cila ka për qëllim me e mbrojtë “gjuhën letrare”. Sado e rëndomtë dhe romantike mundet me u dukë një inicativë si kjo, fakti se duhet me themelue shoqatë për me e mbrojtë “gjuhën letrare” vërteton vetiu se “gjuha letrare” asht shumë e dobtë, i duhet mbrojtje, vetë s’un rrinë në kambë. Po t’kishte qenë “gjuha letrare” e përcaktueme mbi parimet shkencore e demokratike, s’kishte pasë nevojë me e mbrojtë askush. Suksesi i saj kishte me qenë mbrojtja ma e mirë. E dyta, Kadare ma s’un i shpëton pyetjes: çka ka ndodhë me standardin e gjuhës shqipe në vitin ’72. Dhe, po ashtu konstatoj, se në çdo interview të tij sjell deklarime gjithnji e ma të hapta e ma të zashme se – “po asht gabue dhe i asht ba padrejtësi pasunisë së gegnishtes, por ato gabime s’janë të pakorrigjueshme” (Interview n’RTK, maj ’02). Natyrisht, ky pranim publik i gabimit nga ana e Kadaresë nuk u tha pa u mbështjellë me tirada kualifikimesh e përçmimesh për tanë ata që këtë çashtje e kanë ngritë dhe kërkojnë me e debatue, por për këtë ndrrim frapant tezash pak ma vonë. Fuqia e argumenteve që gazeta “Java” i ban publike s’un e len ma indiferent aske. Nji qëndrim ndaj këtyne argumenteve duhet me u marrë. Kontestimi godet themelet e shoqnisë shqiptare të mbasluftës së Dytë Botnore dhe e tund tanë ngrehinën shoqnore e kulturore shqiptare. Pyetjet dhe kontestimet e kësaj gazete janë publike, të veshuna me argumente që mbjellin dyshimin te lexuesi. Andaj, qysh duhet me u vendosë ndaj kësaj sfide. Tue e pasë parasysh këte, më lejoni me i identifikue disa atituda publike që kam mujtë me i hetue mbrenda qarshisë kulturore shqiptare. Due me i personalizue këto qëndrime publike tue i emnue bartësit distinktiv të tyne, përmes gazetës sonë të përbashkët “Shqipëria Etnike”, sepse kjo e ndihmon përshkrimin e situatës. Pra, diqysh u dashka me u vendosë kundruell faktit të akullt se gazeta “Java” ekziston, me tanë sfidën dhe provokimin e saj. Atituda e parë asht – Indiferenca. Këtë qëndrim ma së miri e personifikon Idriz Ajeti, si nji nga konstruktuesit e standardit të vitit 1972, tue hesht dhe tue mos marrë qëndrim publik ndaj kësaj ekzistence. Atituda e dytë asht – Roja. Rojtarët, mbrojtësit e “gjuhës letrare” dhe standardit të vitit ’72. Këtë atitudë e personifikon sa s’ban ma mirë Isa Bajqnica. I prekun bile edhe i fyem me iniciativën e kësaj gazete e cila e ka marrë guximin me prekë nji “nga të arriturat më të mëdha të kulturës shqipe”, me guximin bile edhe “paftyrsinë” me e kontestue e me e vu n’dyshim tanë ate “që baballarët e kombit me mund e me djersë mezi e kanë arritur mbas shekujsh sakrificash”. Tue e ndie veten dhe gjuhën të rrezikueme ky edhe merr iniciativën me e themelue nji shoqatë për mbrojtjen e “gjuhës letrare”. Vetë themelimi i shoqatës asht argument krucial që vërteton fije e për pe se sa i brishtë, sa kurrfare ka qenë ai standard, sa vetëm botimi i nji gazete periodike mujka me e kontestue e rrezikue. Atituda tjetër asht ajo e veprimit të heshtun, në hije. Këtë atitudë kishte me e personifikue ma së miri Rexhep Ismajli. Tue qenë nji nga të vetmit linguist që njof, i cili të paktën e kupton se çka pyet “Java” dhe ku godet “Java”, nuk merr guximin me folë e me reague publikisht as kontra as pro. Hesht, larg dritës së diellit, mendon se po ban punë që s’e ka ba kush deri më sot, dikaj-skajeve. Vegjeton shkencërisht tue pregatitë seminare të kota për gjuhën e tue folë e shkrue për tanat pos për të vetmen sfidë intelektuale e civilizuese – revidimin e standardit të vitit ’72. Atituda e fundit asht ajo e Kadaresë. Dhe, te kjo atitutë, që e personifikon nji nga figurat fjala e të cilit zakonisht e tallazitë qarshinë kulturore shqiptare, sidomos atë të Kosovës, duhet me u ndalë pakëz ma gjatë. Si nji nga protagonistat e atij Kongresi të Drejtshkrimit të vitit ’72, dhe si nënshkrues i tana dokumenteve që u morën n’ate Kongres, ky shkrimtar e ka hetue se ma s’un heshten dhe s’un mbahen nën tepih gabimet që jan ba n’atë Kongres. S’kishte me folë kurrë, por ai e heton se i ka hy uji kësaj pune andaj duhet me u përcaktue. Dhe ky deklarim publik i Kadaresë ndaj çashtjes së revidimit të standardit të përcaktuem në vitin ’72 e ka nji histori të vockël. Në revistën me renome botnore “The Economist”, ku rastësisht jemi si protagonista ne dy, unë si ai që apelon dhe kërkon revidimin e stadardit ’72, dhe ai në rolin e Isa Bajqincës, atij pra që e mbron dhe si thotë autori i artikullit, tmerrohet nga ideja se duhet me u ba revidimi i standardit shqip. Por më lejoni me e sjellë pjesën n’origjinal: Ismail Kadare, shkrimtari ma i njoftun shqiptar, i cili u gjet n’Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës, i ftuem në panairin gjithshqiptar të librit, u çakërdis e tmerrue nga vetë ideja se kjo çashtje duhet me u rishqyrtue. Po si Hoxha, edhe ky asht nga Gjinokastra dhe e ka nënshkrue marrëveshjen për standardizimin e vitit ’72. Vetëm me e përmendë këtë çashtje, thotë ai, asht “nji provokim i flliqtë”, i cytun nga propagandistët serbë që don me i përça shqiptarët” (Ismail Kadare, Albania’s best-known writer, who was recently in Pristina, Kosovo’s capital, for a pan-Albanian book fari, is enraged at the idea that the matter should be re-examined. Like Hoxha, he hails from Gjirokastër – and co-signed the language standardization agreement in 1972. Even to mention the subject, he says, is a “dirty provocation” prompted by Serbian propagandists to divide the Albanians). Kështu foli Kadare më 8 Kallndor të vitit 2000 në revistën “The Economist” dhe artikullin e saj me titull “Tabuja e madhe shqiptare” (The great ethnic-Albanian Taboo). Ishte plotësisht në pozicionet që sot i mban Isa Bajqinca me shokë. Por, si shkrimtar që e ka mbijetue Enver Hoxhën dhe diktaturën e tij, ky njeri edhe e ka nji sens të veçantë me e kuptue nga fryen era dhe si duhet me u pozicionue në situata të reja. Kështu, në përvjetorin e KD vitin e shkuem, në interview me redaktoren e radios Deutsche Welle, e cila asht edhe bashkëpunëtore e “Javës”, Mimoza Cika, Kadare për herë të parë mbas tridhetë vjetësh pranon publikisht gabimet e bame më ’72, tue i revidue rranjsisht qëndrimet e tij të maparme. Kështu, me këte interview, ky shkritmar bahet protagonisti i parë dhe i vetëm deri sot nga ata të vitit ’72, që me deklarimet e tij publike hap çashtjen e revidimit të standardit shqip. Por, ma së miri le t’i kujtojmë disa mendime të shkëputuna nga kjo interview: -Gabimet që u bënë në Kongres kanë qenë se një grup shkencëtarësh stalinistë, gjuhëtarë stalinistë, për fat të keq ka patur të tillë, u përpoqën aq sa mundën të ndikonin, në çdo mënyrë, që ta nënvleftësonin fondin, pasurinë e fjalorit, të njërit prej dy dialekteve kryesore, atë të gegërishtes. Në mënyrë gati tinzare, duke bërë sikur harruan, duke bërë sikur u shpëtoi, duke bërë sikur nuk u ra në sy, lanë jashtë fjalorit, që u hartua fill pas Kongresit të Drejtshkrimit, një pjesë të madhe të pasurisë gjuhësore – Kanë kaluar 30 e sa vjet dhe ka gjëra për t’u korrigjuar. Bashkë me qortimin e këtyre gjërave do të qortohej edhe ajo ana meskine, sepse në çdo mënyrë u përpoqën ta denigronin pasurinë, sidomos të shkrimtarëve katolikë të veriut. Pra, bashkë me këtë korrigjim, për të cilin unë mendoj se është korrigjimi themelor që duhet bërë, mund të rishikohen disa nga rregullat të cilat janë vendosur ndoshta jo drejt. – Shkencëtarët e intelektualët tanë kanë për detyrë morale, misionin para popullit shqiptar, të sqarojnë se si ndodhi që një dialekt të bëhet zotërues në një gjuhë. Që u bë njëri nga dy dialektet është një gjë krejt normale. Mund të bëhej dialekti i veriut, mund të bëhej ai i jugut. Natyrisht, politika shqiptare diktatoriale donte, në çdo mënyrë, të bëhej dialekti i jugut, për arsye që i dimë, për arsyet e armiqësisë së tyre, instinktive gati, për kulturën veriore, të shqiptarëve të veriut, sidomos kulturën katolike. – Partia Komuniste donte të merrte partonazhin e saj, të merrte lavdinë, se është ajo që e krijoi Gjuhën e Njësuar Shqipe, gjë që s’është e vërtetë, sepse gjuhën e njësuar nuk e krijon kurrë një regjim politik, një parti ose një diktaturë. Por, ajo e mori në patronazh dhe u sugjestionuan të gjithë, duke e pranuar këtë mashtrim. Në të vërtetë, Kadare bahet i vetmi protagonist i vitit ’72 dhe i vetmi nënshkrues i atij dokumenti, i cili publikisht deklarohet për revidimin dhe korrigjimin e vendimeve të vitit ’72. Dhe, kjo gja i ban nder atij vetë ma s’pari. Tashti së fundi, në RTK, Kadare edhe njiherë publikisht deklaron se duhet me u rishikue e me u rivedue vendimet e Kongresit ’72. Po e citoj: “Po asht gabue dhe i asht ba padrejtësi pasunisë së gegnishtes, por ato gabime s’janë të pakorrigjueshme”. Kështu, duhet konstatue se ky njeri i ridizajnon dhe i rishqyrton qëndrimet dhe vendimet e veta tue evolue ngapak dhe ngadalë nëpër kohë. Po si me e shpjegue se Kadare tue i sha ata që ngrit këte çashtje e kanë, në të vërtetë provon dhe përkrah tana kërkesat e tyne? Kjo, po, asht zor me u kuptue nga nji njeri normal, i cili nuk e di se çka do me thanë me jetue me Enverin, në shtetin e tij, në diktaturën e tij. Me qenë shkrimtar i tij. Asht zor me e kuptue këte taktikë të Kadaresë i cili “tue sha-përkrah”. Më lejoni me ju kujtue nji libër të këtij shkrimtari, i cili demonstron eksplicite nji kësi qëndrimi absurd për nji njeri normal, ku “tue sha – përkrah”. Në librin “Migjeni, uragan i ndërprerë”, Kadare ngre zanin kundër shkrimtarëve ma të mëdhej modernë të shekullit dhe, në mesin e tyne edhe kundër shkrimtarit të shekullit, Kafka, dhe kur e pyesin shumë vjet ma vonë se si shpjegohet ky shkrim jueji, ai përgjegjet me nji nga përgjegjet ma të çuditshme në historinë e letërsisë shqipe – po, tue i kritikue e akuzue unë e kam mbajtë gjallë idenë se ata ekzistojnë! E di, asht zor me ja shpjegue gjeneratave të reja se si mundet nji njeri me përgjegjësi me deklarue diçka të tillë, por, s’un kuptohet Kadare pa kuptue e njoftë Enverin, shtetin e tij, diktaturën e tij. Me fjalë të tjera, s’un kuptohet Kadare pa Enverin. Njani-tjetrin e kanë motivue, frymëzue e modelue, por për këtë nji herë tjetër. Le të kthehemi te ai ndrrim monumental tezash që ky shkrimtar e ban kur akuzon ata që angazhohen për revidimin e standardit si – përçamës. Por, nëse gabimet janë ba në vitin ’72, dhe padrejtësi i asht ba gegnishtes, dhe kjo gja thuhet e pranohet publikisht, atëherë angazhimi publik për revidim s’un shpjegohet si tendencë përçamjeje, por, përkundrazi, asht tendencë unifikimi. Angazhimi për rishqyrtimin e vendimeve që janë marrë më ’72, asht angazhimi për me e kthye e me e ba gjuhën të tanë, të plotë, normale. Ata që vendosën me e lanë një dialekt të tanë jashtë standardit gjuhësor shqip, tue i lanë tre milionë shqiptarë që gjuhë amtare e kanë dialektin geg të shqipes jashtë standardit e tue i shpallë të huej mbrenda gjuhës së tyne amtare, ata janë – Përçamësit. Ata e kanë damtue shqipen, e kanë pakue fuqinë dhe potencën e saj, e kanë dystue relievin dhe pasuninë e saj. Andaj them se ky ndërrim monumental tezash që Kadare e ban s’un shpjegohet pa Enverin dhe njoftjen e asaj diktature. Pasojave që ajo diktaturë u ka shkaktue njerëzve, mentalitetit të tyne, karakterit të tyne. Sepse, si me e shpjegue faktin se azilanti ma i famshëm i Shqipnisë – Ismail Kadare – flet e gjuen gur e dru mbi azilantët e ri shqiptarë. Azilanti flet e u thotë azilantëve – mos ikni, ku jeni nisë? Si me e shpjegue se benjamini i diktaturës, shkrimtari i oborrit, miku i shpisë së diktatorit asht ai që i mohon të gjitha a thue se s’jeton njeri me mbamendje të shnoshë e me sy n’ballë n’Shqipni? Si me e shpjegue faktin se ky shkrimtar e kritikon dhe shan Kafkën tue u arsyetue se ka dashtë me e vërtetue se ai ekziston? Po them, kjo s’un kuptohet pa Enverin. Kadare pa Enverin mbetet nji enigmë. Njani pa tjetrin s’un shpjegohen. Por, për këtë herës tjetër. Migjen Kelmendi Kryeredaktor i gazetës “Java” në Prishtinë Shkelen të drejtat themelore të njeriut Në këto 14 vite të mbushura plot anarshi e pasiguri në Shqipëri, proceset e ashtuquajtura demokratike kanë ecur me zigzake, ku dhuna dhe shkelja flagrante e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut kanë qenë evidente dhe madje janë përfshirë me pamje të zymta edhe në raportin e Departamentit të Shtetit Amerikan, ku ne kemi botuar në gazetën tonë pjesët kryesore. Ja, ky djalosh, i quajtur Luan Hysni Plozha, lindur më 24 maj 1979, që në moshë të re është ndeshur me padrejtësitë, me kërcënatat për ta eliminuar fizikisht. Lindur e rritur në qytetin e Shkodrës, në qytetin me më shumë probleme, ku pushka vret e çon në varr thuajse çdo ditë njerëz të pafajshëm. Në njërën ndër familjet më të vjetra e me tradita në këtë qytet, Luan Plozha u edukua me dëshirën për të dashur jetën e paqen, vendin e vet. Luan Plozha, që më 1996 është aktivizuar si anëtar i Forumit Rinor të Partisë Socialiste. Gjithsesi, ajo çka ne duam të themi është se u kërcënua fizikisht e psikologjikisht shumë herë. Grupe terroriste i kanë futur letra nën derë duke i kërcënuar seriozisht edhe njerëzit e shtëpisë. Madje, i kanë vënë edhe gjoba, një metodë kjo e njohur në Shkodër dhe një fenomen që ka shkuar deri atje sa janë mbyllur edhe biznese e vrarë njerëz. Luan Plozha ka provuar edhe marrjen peng, por edhe gjuajtjen e shtëpisë me plumba automatiku kallashnikov. Në kushte të tilla të pasigurisë së jetës, ky djalosh ka zgjedhur rrugën e vështirë të emigrimit. M.Kurtulaj Fenomeni PS + PD = Deshtim i Zgjedhjeve
Cdo kush mund te gaboje nje here. “Errare umanum est”, eshte nje shprehje e lashte latine “Te gabosh eshte njerezore”. Kjo vlen edhe per nderkombetaret sic eshte edhe rasti i Prezences se OSBE-se ne Shqiperi. Gabimi me evident dhe me i demshem per ecurine e vendit tone, lidhet me zgjedhjet. Para 18 muajve, me bekimin e OSBE-se, nje komision kuvendor, i cilesuar Bi-partizan, krijoi nje kuader ligjor per zgjedhjet, i cili u cilesua si me i miri i viteve te demokracise, si nga PD-ja, ashtu edhe nga PS-ja. “Perfeksioni” i tij, u konstatua shume mire ne zgjedhjet e 12 tetorit 2003, te cilat u kontestuan kryesisht nga opozita, por edhe nje pjese e faktorit nderkombetar. Madje, opozita (PD), kontestoi pervec Tiranes dhe Durresit ku kishte humbur, edhe procesin e votimit ne Shkoder ku fitoi, dhe sipas liderit Berisha, nuk munden te votonin rreth 15 mije zgjedhes. E pa kaluar me shume se 9 muaj nga farsa elektorale e rradhes, Prezenca e OSBE-se, i ka besuar te njejteve aktore PS+PD ndryshimin e kuadrit ligjor te zgjedhjeve, te prag te “Politike 2005”. E vecanta kete here, lidhet me faktin se kumbare e ketij kompromisi te rradhes, u be shefi i dorehequr tashme i OSBE-se, Osmo Liponen. Nuk ka asgje per tu habitur qe nderkombetaret, prej 13 vitesh, perpiqen te instalojne ne Shqiperi nje sistem bi- polar me PD dhe PS. Mbase nje pjese e madhe e shqiptareve, do te mbeshtesnin deri para zgjedhjeve te 12 tetorit nje nisme te tille, e cila do te shtensiononte situaten politikisht ( me rreth 74 parti politike ne qarkullim), do ti krijonte mundesi me te madhe stabiliteti politik fituesit te zgjedhjeve ( i cili nuk do te duhej te varej ne votat e aleateve me 3 deputete te dhuruar), ndoshta do te largonte nga skena politike parti-fantazem te krijuara vetem per perfitime financiare. Megjithate, tabloja pas 12 tetorit 2003, ka ndryshuar ne menyre rrenjesore. Sepse: 1. Rreth gjysma e elektoratit shqiptar, i qeverisur prej 13 vitesh ose nga PS ose nga PD, nuk marrin pjese ne zgjedhje. 2. PD + PS nuk kane fituar me shume se 65% te votave te vlefshme te shqiptareve, ndersa mbetet edhe 35% ne doren e “te vegjelve”. 3. KQZ-ja ka dale haptas e politizuar (ne kundershtim me Kushtetuten), ku 5 antare paraqiten si “te majte” dhe dy si “te djathte”. Ndersa gabimi me i madh, i lenies se fatit te zgjedhjeve ne duart e PS + PD, eshte rrezimi perfundimtar i sistemit proporcional i paster, i preferuar haptas nga nderkombetaret nen shembullin e Kosoves. Ky eshte edhe autogoli me i madh i OSBE-se. Ekuacioni i paraqitur me lart, te pakten per ne shqiptaret, eshte me i lehti per tu pranuar, por edhe zgjidhur. Per kete, le te flasim me gjuhen e fakteve kokforta te ketyre 13 viteve te quajtura demokraci. Manipulimi “alla PS” 1. Zgjedhjet e 31 marsit 1991, te cilat realisht u organizuan nga PPSH-ja, por qe vetem tre muaj me vone, u shnderrua ne PS (SH). 2. Zgjedhjet e 29 qershorit 1997, te cilat pervec se politiket, manipuluan edhe referendumin per formen e rregjimit. Parlamenti u quajt i “Kallashnikoveve” dhe zgjedhjet “e pranueshme” per kohen. 3. Zgjedhjet vendore te vitit 2000, te cilat u kontestuan gjeresisht nga opozita. 4. Zgjedhjet politike te vitit 2001, u kontestuan fuqishem nga nderkombetaret te cilat “pollen” si kompensim per opoziten presidentin konsensual Moisiu, i cili tashme nuk konsiderohet me si i tille. 5. Zgjedhjet vendore te vitit 2003, per te cilat folem me siper (nuk po permendim votimin per Kushtetuten ne vitin 1998) Manipulimi “alla PD” 1. Zgjedhjet e 26 majit 1996, ku opozita e asaj kohe, u godit edhe fizikisht ne sheshet e Tiranes. 2. Zgjedhjet e 22 marsit 1992, te cilat ndoshta jo shume hapur, u kontestuan nga PS-ja e asaj kohe. Sic mund ta konstatoni, me shume manipulime jane konstatuar nga PS-ja, e kjo lidhet me shume me faktin e qendrimit ne pushtet me gjate. Pertej ketyre rreshtave, faktet e mesiperme kane synim te krijojne nje tabllo te sakte: Ne keto 13 vite, proceset zgjedhore jane menaxhuar ose nga PD-ja ose nga PS-ja, ndersa rezultatet tashme dihen. Cfare do te realizoje komisioni i ri kuvendor i izgjedhjeve? 1. Mos balancimin e KQZ-se. 2. Lenien ne fuqi te sistemit aktual zgjedhor mazhoritar, qe favorizon PS dhe PD. 3. Perjashtimin nga gara per pushtet real te “partive te vogla”. 4. Do te lere hapesira per kontestimin e rezultatit te zgjedhjeve nga humbesi. 5. Do te lere Shqiperine serish jashte rruges per ne BE, me deshtimin e plote te zgjedhjeve. 6. Do te sanksionoje rotacionin e perhershem te pushtetit ne mes dy “te medhenjeve” PS dhe PD.
Te gjitha keto konstatime, edhe pse ndoshta “paragjykojne” “suksesin” e ketij komisioni, kane nje baze logjike. PS dhe PD, kane treguar se jane te dhena aq shume pas pushtetit, saqe manipulimi i zgjedhjeve iu duket nje rruge mese normale per te siguruar. Nderkohe, prej mese 13 vitesh, ne krye te tyre, jane te njejtet drejtues, me te njejtat mentalitete, me te njejtat deshira per pushtet. Ndersa, nderkombetareve u intereson vetem nje fakt i thjeshte: Te konsatojne edhe pas zgjedhjeve te vitit 2005, se kete here eshte hedhur nje hap perpara. Si perfundim, eshte e sigurte se me sistemin e parashikuar per punen e Komisionit kuvendor per reformen zgjedhore, ku PD dhe PS do te bejne ligjin, sanksionohet qarte se PD + PS = Deshtim i Zgjedhjeve. Berti DELIJA
Pasojat e torturave në Kosovë Një tragjedi që zor t’i gjendet shoqe përjetoi populli i Kosovës deri sa ndërhyri ushtarakisht Amerika. Sot, kur kanë kaluar shumë vite nga përfundimi i luftës dhe krimineli i njerëzimit Sllobodan Millosheviç po jep llogari para Tribunalit të Hagës, gjen kudo nëpër Kosovë shembuj model të krimeve antinjerëzore. Kanë humbur shumë pa adresë, janë varrosur shumë edhe masivisht, kanë humbur kujtesën të tjerë. Një rast ku një shqiptar i mirë që donte jetën e lirinë, mbeti me të meta mendore, është edhe Kol Pjetër Dakaj, lindur në Rugovë të komunës Llugaj të Prishtinës. Një humbje kujtese që ka si pasojë luftën, krimin më së pari të një të çmenduri me emrin Sllobodan Millosheviç. Më 10 shtator 1998, fshati Rugovë ishte përfshirë i tëri në luftë. Viktima, dhunime, përdhunime, tortura. Nga torturat, Kol Dakaj kaloi kontigjent i personave me të meta mendore. Babai i Kolës, i quajturi Pjetër Dedë Dakaj, paçka se ishte rreshtuar në radhët e UÇK-së, bashkëpunonte me ushtrinë serbe. Humbjet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si në njerëz dhe mjete ushtarake ishin të shumta. Një kontroll nga komanda ushtarake dhe pas tij tre vetë gjenden të vrarë. Pra, Pjetër Ded Dakaj, Kujtim Prek Vukaj dhe Nik Sokol Prek Vulaj, të vrarë nga UÇK-ja më 8 shkurt 1999, ishin edhe tre viktima të tjera që gjithsesi i shtohen kalvarit të krimit kosovar që duket se duhen shumë vite të zbardhet. Ashtu sikundër familja e kosovarit Kol Dakaj nga Rugova, i cili mbase edhe për pasojat nga veprimtaria e të atit tashmë të vrarë, u terrorizua deri sa ngeli me të meta mendore, edhe shumë familje të tjera të shpallura nga UÇK-ja si tradhëtare, kanë provuar e po provojnë dhunë të pashoqe. Prelë Milani
Kompleks konfliktesh Është një kompleks konfliktesh të krijuara në Shqipëri që po merr përditë e përnatë jetë të pafajshme njerëzish, vetëm se ligji është impotent përballë Kanunit të Lekë Dukagjinit të para rreth 600 vjetëve. Ja, në rrëmujat e vitit 1997, të atij viti të zi në historinë shqiptare, kur bandat e armatosura të drejtuara nga Partia Socialiste që aksidentalisht ende është në pushtet, shpërthyen të gjithë arsenalin ushtarak dhe e shpërndanë në popull, pikërisht më 05.06.1997, Besim Burgaj vret me armë zjarri djalin e Vehbi Dukës. Që nga ajo ditë, familja nuk ka asnjë të dhënë se ku mund të ndodhet apo ç’fat ka patur Besimi që kreu një krim. Ai pra largohet në drejtim të paditur dhe familjen e lë në kushtet e gjakmarrjes, sipas zakoneve prapanike shqiptare, por edhe në një krizë tejet të rëndë psikologjike. Kjo familje me tërë çka ka, që atë ditë ngujohet. I vëllai, Sabri Burgaj duhej të ruhej nga plumbi i gjaksit. Fëmija i Sabrisë, djali i vogël përgjatë moshës së tre deri në shtatë vjeçare, kaloi me streset e ngujimit, deri në qershor 2001 që arriti të largohet nga Shqipëria. Ky fëmijë, i quajtur Jasmin, përjetoi kriza psikologjike dhe duke qenë në kullë të ngujimit, nuk kishte mundësi kurimi. Eh, pra, Sabri Burgaj, me gruan e tre fëmijët, megjithëse nuk kishin asnjë faj, në atë qershor 2001, marrin udhët e perëndimit, për të kërkuar një vend të sigurtë për jetën dhe një spital ku mund të kuronte djalin, Jasminin. Por edhe atje ku shkoi, punët nuk i ecën siç duhej. Ëndërrat ia prishi një veprim me pasoja të rënda për jetën. Gruan dhe tre fëmijët ia rikthyen në Shqipëri në shtatot të vitit 2003. Gjendja u përkeqësua fort. Kështu pas rikthimit në Shqipëri, ku ligji mungon, ku pushka vret, ku njeriu i pafajshëm dhunohet si ditën për diell ashtu edhe natën, i marrin peng dy vajzat e vogla, Saminën dhe Gertën. Pasi nëna e tyre lidhet me pengmarrësit dhe shkon për të liruar dy vogëlushet, Lirija provon përdhunimin me zor. Atë pas përdhunimit e lënë të lirë, ndërsa dy vajzat nuk ia japin. Është interesante që po atë ditë të atij përdhunimi, i vrasin babain e Sabriut. Është dashur ndërhyrja e Këshillit të Pajtimit Kombëtar të Gjaqeve për të liruar dy vajzat nga pengu, pikërisht pas 48 orëve. Donin të vrisnin djalin, Jasminin. Vëllai i Lirijes detyrohet në ato kushte ta largojë motrën nga Shqipëria, pasi edhe atij i kërcënohej jeta nëse e strehonte. Por e keqja s’ka fund. Në prill të vitit 2004, kthejnë në Shqipëri Sabrin bashkë me djalin, Jasminin, dhe kërcënatat ndaj tij dhe djalit të vogël jo vetëm nuk pushojnë, por shtohen. Detyrohen të strehohen ilegalisht ku të munden, pasi nuk ka as edhe një mbrojtje nga ky shtet për raste të tilla konfliktesh. Kështu detyrohet të veprojë edhe vëllai i vogël i Sabrisë, Agimi, i cili së bashku me të fejuarën e vet nuk dihet që nga viti 2001 se ku ndodhen. Gjithsesi, ajo që duam të theksojmë është se shteti është fajtor dhe përgjegjës për punë të tilla të cilat e largojnë Shqipërinë nga familja evropiane. Dritan Berisha
Shqipëria plot krime Mhill Zefi, lindur më 25.05.1976 është njëri ndër viktimat e këtij shteti kriminal, që ka vrarë e dhunuar shumë njerëz të pafajshëm, duke i dhënë Shqipërisë pamjen e Irakut. Ai, si demokrat ka patur vazhdimisht kërcënata edhe për faktin se grupe anarshiste kërkojnë nga dita në ditë vëllain e tij të quajtur Fran Zefi, lindur më 10.03.1978, i cili tanimë në Shqipëri njihet si veprimtar i Partisë Demokratike që ka investuar shumë, por që prej vitesh ka arritur të largohet nga Shqipëria meqenëse jeta e tij është tepër e rrezikuar. Mhilli është në shënjestër si shumë të tjerë për t’u eliminuar. Daja i Mhillit, ekzaktësisht babai i nënës së tij, i quajtur Martin Toma ishte dënuar me vendim nr.232 të datës 12.05.1950 të Gjykatës Ushtarake Tiranë për strehim e furnizim të arratisurish, sipas nenit 4/4 të Ligjit 372, me tre vjet burg. Demokratit Mhill Zefi, i cili më shumë ka jetuar e jeton në ilegalitet nga rreziku për jetën, i është plagosur kushëriri Ardjan Bungaja, kushëriri tjetër Ndoc Bungaja i është vrarë, kushëririn Nikolin Lera ia kanë plagosur, po kështu Vangjel Lera, po kushëri, ia kanë dhunuar e kërcënuar me jetë. Të gjithë këta njerëz janë në gjak, një fis, paçka se mbiemrat janë të ndryshëm. Edhe në këtë linjë, në tjetërsimin e mbiemrave, Partia e Punës në kohën e diktatorit Enver Hoxha, kishte bërë një batërdi me qëllimin për t’i larguar njerëzit sa më larg me kalimin e viteve. Gjithsesi kjo është një temë që do e trajtojmë në të ardhmen. Apeli ynë është t’i themi këtij të ashtuquajturi shtet të ndalë dorën e zezë kriminale mbi njerëzit e pafajshëm. Vasel Gilaj
Shkodra përballë traditës evropiane e qeverive hajvane Shkodra, ky emër i madh që na bën krenar ne qytetarëve të saj por edhe krenarë për vetë historinë tonë si komb, historikisht që nga parahistoria e sot është simbol i rezistencës ndaj pushtimeve të ndryshme. Gjithashtu ajo mbrojti dhe i avancoi më tej zakonet e saj qytetare e fisnike evropiane, po bombardohet nga të gjitha anët për ta shuar nga kujtesa kombëtare, e ç’është më e pafalshme paragjykohet për disa gjëra që s’janë të sajat, siç shpifet me organizime mediatike apo raportime qeveritare, se ajo pra Shkodra është e pushtuar nga krimi e gjakmarrja. Turp e faqja e zezë për to, se ato duhet ta dinë se Shkodra që nga Principatat, Vilajetet apo gjatë periudhës së fundit 100-vjeçare, qytetarët e saj kanë qenë e janë simbol i qytetërimit dhe luftëtarë të rreptë ndaj krimit e sistemeve kriminale jo-demokratike dhe për çdo gjë që përfaqëson e keqja. Unë pra, çdo gjë të mirë që të shkruaj për qytetin tim, s’është asgjë para asaj që kanë shkruar shumë të huaj për të, derisa kanë arritur të jenë mbrojtësit kryesorë ndaj çështjes shqiptare në kancelaritë botërore, vetëm e vetëm për nostalgjinë e këtij qyteti evropian, që i respektoi me zakonet fisnike të trashëguara në shekuj. Por të lëmë historinë e të flasim për sot, ku përsëri ky qytet ishte i pari në luftë kundër komunizmit, kësaj murtaje njerëzore. Luftoi deri në flijim për demokracinë e fitoren e saj, për të drejtat qytetare të barabarta për të gjithë. Por çfarë fituan shkodranët e qytetarët e saj, përveçse përbuzjes nga kjo klasë, e pa turp e karakter, ku nga injoranca kriminale, ditë e natë bombardojnë Shkodrën, siç është bombarduar kalaja e saj me kafshë të helmuara e me sëmundje për ta pushtuar me sëmundje se me armë asnjëherë Shkodra s’humbi, por fitoi e rezistoi historikisht. Çka po ndodh? Pse po ndodh? Çfarë i kemi besë ne këtyre njerëzve që fatkeqësisht janë shqiptarë? Ku është ndërgjegja jonë, pse heshtim? Çfarë na ka gjetur, a mos vallë po vdes shpirti qytetar e atdhetar i këtij qyteti? Jo e jo, s’ka vdekur. Por ajo po përgatitet të reagojë në kohën e përshtatshme, me mënyrë qytetare e civile para së gjithash. Shkodra e shkodranët trashëgojnë një fjalë shumë të ëmbël por helm për armiqtë e saj, e kjo është: -O, moj Shkodër moj mizore pak na u duke e shumë na dole. Kjo është edhe për ata hipokritë e llafazanë, pushtetarë lokalë që çdo gjë mund të jenë, por qytetarë të denjë të saj s’janë e s’kanë për të qenë. Me këtë shkrim të shkurtër, desha të bëj thirrje qytetare e civile që shkodranët duhet të jenë të vetëorganizuar për fatet e tyre e qytetit që jetojnë, që nga opinionet e ndryshme apo alternativat e zhvillimit, t’i paraqesim nëpër gazeta apo televizione lokale e kombëtare. Ka ardhur koha të mos heshtim por të angazhohemi si qytetarë, për të drejtat tona kushtetuese, se duke u angazhuar qytetarët e saj e intelektualët, Shkodra do të shpëtojë nga hipokritët zullumqar që derdhin lotë krokodili për Shkodrën. Të dashur qytetarët e mij, këta pak rreshta u ula e i shkrova shkurt, se që nga unë besoj edhe ju, me llafe e vetëm llafe e hajni jemi të ngopur, por ne duam fakte e punë, mirësjellje, e jo të drejtohemi e trajtohemi si një kooperativë e tipit të ulët në komunizëm. Pra s’ja kemi hallall askujt të na përçmojë apo nënvleftësojë, se e kanë gabim, se në shpirtin e shkodranit ka trimëri kur është për ta pasur, por që nga qeveritarët e surretnit e tyre, duhet ta dinë që Shkodra për edukatë toleron kur je i marrë, por edhe të izolon kur je i dëmshëm. Ndjenja qytetare më detyroi të shkruaj, por edhe një fenomen i ri e i padëgjuar ndonjëherë, se po shohim e dëgjojmë shpifje e ofendime deri në tërbim ndaj qytetit të Shkodrës, pikërisht nga disa që edhe duan të jetojnë e gëzojnë të mirat e këtij qyteti, por ç’është më e keqja, këtë qytet e urrejnë shpirtërisht. Kjo më detyroi ta them, edhe pse dikujt s’i pëlqen, por për mua e vërteta duhet thënë, se duke e thënë të vërtetën mund të kemi zhvillim e mirëkuptim. Shkrimi im i sinqertë është një thirrje qytetare që të gjithë banorët e Shkodrës ta duan e ta zhvillojnë, por edhe të luftojnë për të drejtat e qytetit të tyre, siç duan familjen e tyre. Hivzi Bushati
Shqipëri ka 400.000 dosje spiunësh. Shteti përbëhet nga ky kontigjent Prej 13 vjetësh në qafën e politikës dhe shtetit shqiptar qëndrojnë varur rreth 400 mijë dosje të sigurimit të shtetit komunist, që si gurë të rëndë kërkojnë të mbysin pluralizmin e demokracinë sa herë që ata kërkojnë të “notojnë” në ujërat e Evropës Perëndimore e demokratike. Këta 400 mijë spiunë që u shpërfytyruan e zhburrëruan janë e vetmja pjesë e shqiptarëve me të cilët krenohet edhe sot komunizmi jonë, duke i quajtur kryeveprën e tyre me emrin “Njeriu ynë i ri” (kupto i komunizmit). Këta spiunë janë pjesa kanceroze që bren pa pushim shoqërinë shqiptare që kërkon zhvillimin, demokracinë e qytetërimin që ka rreth 13 vjet që e ëndërrojmë, por nuk e shijojmë. Përkundër kësaj po të studiohen me kujdes fenomene që na largojnë nga Evropa, si trafiqe të ndryshme me në krye atë të drogës e hordheqe të tjera që kultivohen në tokën tonë kanë për protagonistë pikërisht njerëz me karrierë në dosjet e sigurimit të shtetit komunist. Këta njerz të “rinj” të komunizmit sot kanë rrokur shumicën e kokave të OJQ-ve dhe disa mendiave të shkruara e elektronike, mjerisht shpesh edhe institucione që duhet të kishin vlerë në arenën ndërkombëtare. Dosjet e mbyllura shpesh janë bërë objekt bisedash e shkrimesh, shpesh duke akuzuar në të gjithë krahët e politikës. Gjatë qeverisjes së P.Demokratike filloi të duket një punë e mirë që kontrollonte disa figura që kërkonin karrierë politike e shtetërore, por që u shua me ardhjen në pushtet të socialistëve e aleatëve të tyre. Me sa duket socialistët, dosjet e sigurimit nuk i përdorën për të pastruar politikën nga spiunët e të pamoralshmit, por i përdorën për të vënë në shërbim të pushtetit të majtë këta spiunë të zënë peng me dosjet e tyre. Kjo punë e fëlliqur e bijës së Partisë së Punës, Partisë Socialiste, bëri që të shfrytëzohen e poshtërohen për herë të “dytë” sigurimsat e P.Punës, që janë edhe vëllezërit e PS, por tashmë në shërbim të “fitoreve” në zgjedhjet lokale e ato parlamentare. Rezultatet e përdorimit të dosjeve janë mjaft të dukshme, pasi spiunët e sigurimit kontrollojnë gjithçka që u intereson pushtetarëve socialistë, ku gjahu i parë janë opozitarët e pabindur. Është pikërisht kjo katrahurë e dosjeve të sigurimit të shtetit që mban peng Shqipërinë e demokracinë, e natyrisht Evropa nuk na pranon kështu të “fëlliqur” në sofrën e saj të “pastër”. Sot, pas vitesh kur pushtetit socialist ka filluar t’i dridhet toka nën këmbë, nuk e dimë se si e priti kërkesën e disa deputetëve për hapjen e dosjeve të shkrimtarëve e hierarkëve të tjerë të këtij shteti, por ne e dimë se nën rrogozë PS-ja, por mjerisht edhe figura nga partitë e djathta “deklarojnë” se po të hapen dosjet e sigurimit të shtetit (komunist) Shqipëria do të jetë në kaos. Kjo në fakt jo vetëm nuk i përgjigjet realitetit, por përkundrazi do të kenë një pastrim të politikës e shtetit shqiptar nga këto qenie të përdorura e stërpërdorura, e që nga ky aktivitet janë gjithnjë gati t’u shërbejnë të fortëve në parti e pushtet, ndonse këto shërbime janë në dëm edhe të tyre, fëmijëve të tyre dhe të ardhmes. Në fakt në përgjithësi spiunët njihen nga populli, por për t’i “etiketuar” si e meritojnë mungojnë dokumentet zyrtare, pra dosjet që duhet të hapen. Kështu, duke hapur dosjet do të rikonfirmoheshin spiunët e vërtetë dhe do të largoheshin dyshimet që shpesh edhe janë vetëm “llafe” të përhapura me qëllime të organizuara kundër shqiptarëve të vërtetë. Gjithsesi, nëse hapen dosjet, kaos do të ketë vetëm në disa parti politike të dy krahëve që do t’u duhen shumë figura të reja për të zëvendësuar figurat me dosje. Po kështu edhe qeverisë e shtetit me drejtues ministrish, drejtorish e institucionesh që nga qendra në bazë, ku deri tani jo vetëm nuk ka qenë ky kriter për t’i privuar spiunët, por shpesh dosja ka qenë “kriter” i pushtetit socialist për të zgjedhur drejtorë të tjerë të bindur, ku më të bindur se ata me dosje nuk mund të gjendeshin. Në këtë rast Shqipëria ka vështirësitë e veta, pasi 400 mijë sigurimsë do të thotë rreth 13% e popullsisë gjithsej të kenë qenë kontigjent i spiunazhit komunist, kur në vendet homologe ish-komuniste kjo shifër sillej rreth 1%. Natyrisht shqiptarët shpresojnë që një ditë të hapen dosjet e djallit të kuq, dhe për këtë është i përgatitur për të ruajtur “gjakftohtësinë” dhe kultivuar “institucionin” hyjnor të faljes, siç edhe e ka treguar shtresa e persekutuar gjatë këtyre viteve të vështira të tranzicionit socialist, por deri atëherë kur dosjet e sigurimit do të shohin dritën e diellit, Shqipëria, politika dhe shteti i saj do të jenë në një “lojë” që ka për trajner dhe arbitër vetëm atë që shpirtin ia kanë shitur djallit… Se sa do të zgjasë kjo lojë, këtë e di vetëm politika jonë, në mos qoftë kryekëput edhe ajo vetëm lojë… Ndue Bacaj
Humbja e mazhorancës socialiste, kjo tronditje traumatizuese Socialistët kanë humbur shumicën në Parlament dhe synojnë t’u drejtohen kutive të votimit pa pritur qershorin e vitit të ardhshëm. Megafoni I këtij konstatimi është Sekretari i Përgjithshëm i PS, Gramoz Ruçi, i cili ka vlerësuar se grupi i tij parlamentar kohët e fundit ka pësuar një tkurrje dhe se kundërshtitë politike janë rritur ndjeshëm. Për këtë, ai fajëson grupin e deputetëve, mbështetës të linjës politike të ish-Kryeministrit Ilir Meta, të cilët, sipas tij, janë larguar nga pozicionimet e vendimmarrjes politike të partisë së tyre. Duke ju referuar të drejtës së prononcimit në emër të forcës politike që qeveris vendin, Ruçi bën me dije se zgjedhjet e parakohëshme janë afër. Gjithësesi, numri dy i selisë rozë vlerëson se PS është e gatshme të përballet me elektoratin dhe shprehet i bindur se do mund të rikonfirmohet në pushtet. Deklaratat e ndryshme të disa nga përfaqësuesit e lartë të Partisë Socialiste gjatë ditëve të fundit për zgjedhje të parakohëshme, sekretari socialist i vlerëson si normale dhe se nuk përbëjnë ndonjë gjë të re. Por, ai thekson se janë pikërisht deputetët mbështetës të Metës, anëtarë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët me kundërshtimet e tyre ndaj vendimeve politike të grupit parlamentar të PS, po bëjnë të mundur përshpejtimin e zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Gjithashtu, numëri dy i socialistëve thekson se edhe aletatët në qeverisjen e “Koalicionit për Integrim”, janë fajtorë për këtë, pasi edhe ato nuk po ushtrojnë mandatin e tyre. “Në kushtet kur PS ka marrë një mandat politik me 75 deputetë dhe kur një pjesë e kolegëve deputetë të PS nuk e ushtrojnë mandatin që u ka dhënë elektorati i PS, në institucionin e Parlamentit për të plotësuar mandatin qeverisës deri në vitin 2005, çfarë bëhet tjetër?”, u shpreh kreu i grupit parlamentar të PS. Veç kësaj, sipas tij, “PS ka një garanci më shumë, garancia është ‘Koalicioni për Integrim’”. “Kur numrat e këtij ‘Koalicionit për Integrim’ nuk ushtrojnë mandatin për të cilin kanë firmosur, janë zotuar, janë angazhuar, çfarë bëhet tjetër?”, nënvizon Sekretari i Përgjithshëm i mazhorancës. Megjithatë, Ruçi rithekson se nuk është PS që kërkon zgjedhje të parakohshme. Ai sqaron se PS nuk ka mbledhur forumet e saj të larta drejtuese, në të cilat të jetë vlerësuar dhe vendosur që vendi të kalojë në zgjedhje të parakohëshme, në kohën kur duhet vetëm një vit nga koha e zhvillimit normal të tyre. “Në rastin konkret nuk është PS e cila dëshiron dhe kërkon të shkojë në zgjedhje, por është ushtrimi i gabuar i mandatit të një pjese të kolegëve tanë të PS dhe të aleatëve tanë politikë. Pra nëse Shqipëria shkon në zgjedhje, nuk është PS që e çon në zgjedhje pse dëshiron për interesat e saj partiake, por është mosushtrimi i mandatit institucional dhe politik të përfaqësuesve të PS dhe të aleatëve të saj. Ky është thelbi i problemit. Nëse kjo ndodh, ne jemi në çdo moment të gatshëm të zhvillohen zgjedhjet”, ka deklaruar Ruçi, gjatë një konference për shtyp. Vlerësimet mbi zhvillimin e mundshëm të zgjedhjeve të parakohëshme, Ruçi i ka bërë edhe gjatë mbledhjes së djeshme të Byrosë Parlamentare. “Në atë moment që mazhoranca e konsideron që s’është më mazhorancë, do të gjejmë gjithë rrugët institucionale, siç përcakton Kushtetuta, që të shkojmë në zgjedhje”, është shprehur ai. Deklaratë kjo që u prit mirë nga përfaqësues të opozitës. Albert Vataj
Dosjet “artistike” Enver: Shkrimtaret dhe artistet leva ne duart e Partise per edukimin revolucionar te masave. Nuk do te cuditesha aspak nese “vathi” i (pseudo) shkrimtareve dhe (pseudo) artisteve te 45 viteve te rregjimit komunist, do te ishin edhe mbi 90% njerez me dosje, duke filluar nga Sigurimi i Shtetit te asaj kohe. Madje, edhe ata shkrimtaruce (jo vetem nga shtati) te cilet provuan persekutimin, me pas u enden si zyrtare “ te persekutuar” te burgjeve apo edhe si nepunes “ te damkosur nga diktatura”, pa frike mund te rreshtohen tek te paret. Ndersa politika, nuk ka ndermend te vetepastrohet (jo “Katharsis” sic e njohim ne!) duke mos hapur publikisht dosjet, topi kalohet ne fushen e dosjeve “artistike”. Per te fituar kohe fizike, tashme te paret qe duhet te hapin “letrat” jane artistet, eshte mendimi thuajse i te gjithe klases politike. A ka pasur spiune ne rradhet e shkrimtareve dhe artisteve te asaj kohe, sic edhe mund te kete edhe sot ne rradhet e SHISH apo SHIK? A “jane marre ne qafe” shume shkrimtare dhe artiste nga vete koleget e tyre? A kane patur peshe ne politiken e atehershme te diktatures disa shkrimtare dhe artiste? A jane privilegjuar me shume se te tjeret shume shkrimtare dhe artiste? Keto jane vetem disa nga mijera pyetjet e kesaj natyre, te cilat sigurisht ngrihen sot pas rreth 14 viteve demokraci. Pergjigjet, deri ne momentin e hapjes se dosjeve “artistike”, nese do te kete nje proces te tille, jane vetem te hamendesuara. Por edhe pas ketij momenti, dyshimet serish mbesin: Disa syresh kane patur mundesi, qe per qellime te cilat datojne me Katovicen, apo edhe fale emrit dhe lidhjeve me nomenklaturen e larte te ketyre viteve, kane mundur te zbardhin maksimalisht te kaluaren e tyre nen diktature. Diku kam lexuar apo me kane treguar se ka ekzistuar nje citat, i cili si cdo gje ne ate kohe, i lihej autoresi diktatorit Enver Hoxha: Shkrimtaret dhe artistet jane leva ne duart e Partise per edukimin revolucionar te masave- Enver. Atehere, te provojme te nxjerrim konkluzione vetem nga ky citat, i cili mund te na ndihmoje te kuptojme dicka me teper. Leva te Partise se Punes ne ate kohe, ishin Bashkimet Profesionale, Organizatat e Rinise, Veteraneve, Pionerit dhe mbi te gjitha Fronti Demokratik. Ata qe sot jane mbi te 40-at e moshes, i kujtojne shume mire “punet” qe drejtuesit e ketyre organizatave ne lagje, fshatra apo ndermarrje, i kryenin per llogari te Partise. Nderkohe, Shkrimtaret e Artistet, ishin leva disi te vecanta. Permes “artit” te fjales, skulptures, piktures, recitimit, kenges etj, depertonin me lehte tek njerezit. Per te realizuar drogimin ideologjik te shqiptareve, ato ishin veglat me perfekte. Megjithate, nje artist (edhe pseudo), ka nje karaktaristike te vecante: luhatjet e herepashershme apo ikjet nga vetja. Per te mbajtur nen fre si nje “kafshe pune ideologjike”, menyra me e mire, ishte rekrutimi ( kjo nuk vlet per te gjithe kete klase, ne ate kohe, sigurisht). Po cili ishte koncepti i “edukimit revolucionar” ne kohen e PP-se? Logjika ishte e thjeshte: O me ne (PP), ose kunder nesh (me SHBA, Jugosllavine, Rusine, Kinen, Kuben sipas marredhenieve)? Pra, edukimi revolucionar qe iu besua shkrimtareve dhe artisteve, ishte shume i thjeshte per tu kuptuar. Ne shumicen e asteve, edukimi revolucionar, mund te realizohej ne “gjirin e klases punetore”, ne shkolla riedukimi apo ne burgje. Si rregull, mesuesi qe te jep “edukaten revolucionare”, eshte po ai qe duhet te konstatoje nese nxenesi e ka thithur. Ne kete kuader, nese shkrimtaret dhe artistet kane konstatuar mungese deshire per “edukim revolucionar”, kane derguar fjalen aty ku duhej (Sigurimi i shtetit ose organizatat baze te partise) dhe me pas, Partia ka menduar per te gjitha te tjerat (nenkupto, fillimin e kalvarit te vuajtjeve te te gjitha llojeve!). Po cilat “masa” duhej te “edukoheshin”? Sigurisht, jo komunistet, as kandidatet e PP-se, as te afermit e tyre, as nomenklatura e shtetit te asaj kohe. Duke perllogaritur shifra, i mbetej qe “masa” te ishte ajo qe shkrimtaret e artistet ne librat e tyre, i paraqisnin si “te deklasuar”, “kulake”, “borgjeze”, “revizioniste”, “sektare”, “liberale”, “imperialiste”, “social-imperialiste”, “klasa te permbysura” etj. Pra, ata nuk ishin as me shume dhe as me pak se “qen roje” te parimeve te PP-se, bij besnike te Partise e “te popullit”. Ne keto kushte, edhe shkrimtari apo artisti “me demokrat”, e kishte te pamundur te mos i pergjigjej thirrjes se Partise (Sigurimit te Shtetit). Eksiston vetem nje mundesi minimale: te jete harruar emri i ndonjerit, apo rastesisht ndonjeri ishte menduar si skalion i mevonshem per tu perdorur dhe vitet ’90 e zune te virgjer!!! Polemikat e hapura sot ne shtyp ne lidhje me dosjet “artistike” nuk perbejne ndonje skandal te madh. Deri me sot, i kemi ngritur piramida lavdie, shume shkrimtareve dhe artisteve, duke lene ne “batakun” e harreses, kollose te letrave shqipe te krahasuar me Homeret e kombeve te tjera. Pastrimi i kesaj shtrese, vertete eshte nje hap i lavderueshem, pavaresisht se duhej te fillohej nga politika. “Gjirizi” i (pseudo) shkrimtareve dhe (pseudo) artisteve qe lulezuan ne epoken e ndritut te Partise, do te kundermonte ere te qelbur. Por koha do te ishte e shkurter dhe me pas, mbase do te fillonte lulezimi i meritave dhe i vlerave, jo i lehaqenit dhe i servileve uriahipiane. Historia, duhet te shkoje ne vendin e vet edhe ne sferen e artit. Shqiperia dhe shqiptaret, kane nevoje te ngrejne tempuj me bazament te forte per te shembur idhujt e rreme. Blerti DELIJA Dashuria që kthehet në tragjedi Ka mjaftuar një dashuri e përfunduar në martesë, e pamiratuar nga prindërit që Elona Fikaj, e datëlindjes 19.11.1986, nga fshati Ura e Shtrenjtë në komunën e Postrribës në Veri të Shqipërisë, e besimit katolik, të lidhë jetën me Kujtim Shaqir Sykaj, i datëlindjes 1973. Është absurd por që ndodhë. Babai dhe vëllezërit e kërkojnë kudo dhe duan ta vrasin sepse ka lindur një fëmijë nga një baba musliman kur vetë është katolike dhe prindërit mendojnë se ka sjellë një turp që lahet vetëm me eliminim fizik. Elona është detyruar të largohet e të fshihet tek një i afërm i veti në fshatin Boks, në kufi me fshatin e lindjes duke u strehuar në fshehtësi. Në këtë mënyrë ajo qëndron një vit e fshehur, duke ruajtur sekret vendndodhjen, ku bashkëshorti, Kujtim Sykaj, detyrohet të largohet jashtë vendi, të fshihet në Kosovë, nga frika se do ta vrasin. Elona kur ishte 8-muajsh shtatzënë (mars-prill 2002) bën ankim në polici për kërcënimin e jetës nga prindërit të cilët duan ta vrasin. Policia nuk merr asnjë mbrojtje por edhe e fyen se je vetë fajtore për këtë që ke bërë. Nëna e njofton se babai e vëllezërit kishin zbuluar vendndodhjen, në këto rrethana në shpëtim të jetës detyrohet të lërë Shqipërinë dhe të emigrojë në rrugë klandestine për në Britaninë e Madhe. Një sakrificë e tillë për të ruajtur fëmijën e saj. Ajo çdo ditë ëndërron që fëmija i saj të njohë babanë e vet. Elona çdo ditë nuk e ndjen veten të sigurtë. Kthimi i saj në Shqipëri e bën që jeta të mos jetë e sigurtë duke u përpjekur që asnjëherë të mos ecë e lirë nga frika e vrasjes nga babai e vëllezërit. Kjo ndodh vetëm në Shqipëri, ku zakoni e mentaliteti i krahinave të ndryshme nuk ka përqafuar zhvillimin e civilizimit të shoqërisë sonë. Zef Nika
Nano shtypës dhe shtypi! Kryeministri shqiptar Fatos Nano ka vendosur t’I shkojë deri në fund patologjisë së tij ndaj fjalës së lirë. Kjo është një dëshmi e qartë se ai tashmë se duke hapur këtë luftë të ketë humbur betejën më të rëndësishme për një titular shteti, betejën më mëdian, si pushtet I katert. Ai mendon se duke ju versuluar shtypit, duke I bërë shantazh të hapur atij dhe medias elektronike do të mund të tkurr sadopak rrezikun që po I afrohet gjithnjë e më shumë, mundësisë së qëndrimit në pushtet. Nano ose ka harruar ose bën të paditurin se falë medias dhe vetëm asaj ai është në pushtet që nga viti ogurzi I 1997-ës. Kjo nuk është diçka pa rëndësi, sikurse nuk mbëtët jashtë synimit të çdo politikani që ta ketë mirë me shtypin dhe median elektronike. Eksperienca e derisotme, ajo e huaj kryesisht ka dëshmuar se të gjitha betejat me median kanë përfunduar në mënyrat më fatale për politikanët, që ka guxuar të shpallin sfidë asaj. Afrimi I fundit të pushtetit, gjë të cilën e pikas I pari shtypi I shkruar në veçanti dhe media në përgjithësi, nuk largohet duke shfrytëzuar autoritetin që të fal pushteti për t’iu ndërsyer asaj, qoftë edhe me bojkot ekonomik. Ajo çfarë ngjau në interpelancën e ftuar nga nënkryetarja e PD dhe e Parlamentit, Jozefina Topalli, për median ka lënë një shije të hidhur për gjithë opinjonin shqiptar. Pothuajse të gjithë ata shikues të interesuar që kanë qenë ulur përpara TV të hënën e shkuar për të ndjekur interpelancën e Kryeministrit lidhur me lirinë e shtypit dhe problemet e saj, kanë mbetur në mos të shokuar, së paku të befasuar. Lideri i mazhorancës dhe një ndër politikanët më me eksperiencë në vend është shfaqur krejt i zhveshur nga kostumi i tij prej burri shteti, krejtësisht jashtë staturës së një Kryeministri, duke u vendosur, herë në pozicionin e një inspektori të sigurimeve shoqërore, herë në atë të një inspektori të tatimeve, herë të një inspektori të SHISH e në ndonjë rast në atë të ndonjë mashtruesi të vogël, i cili i gjendur para trupit gjykues dhe në pamundësi për ta fshehur fajin e tij e shmang temën duke u marrë me detaje, emra apo thashetheme rrugësh. Thashetheme, të cilat me sa duket janë bërë sporti më popullor i korridoreve kryeministrore. Por mbi të gjitha, në pozicionin absurd të një njeriu të ligjit që është në dijeni të shkeljes së tij dhe që e aprovon këtë me dëshirë! Fatkeqësisht, Kryeministri, i thirrur për paditë ndaj Lesit e Bazes, apo edhe probleme të tjera, nuk foli për asnjë nga ato. Ai ngatërroi biznesin e shtypit, i cili si çdo lloj biznesi tjetër i nënshtrohet ligjeve dhe kodeve të shtetit, me informimin dhe lirinë e shtypit si një dimension i pamunguar dhe shumë i rëndësishëm i demokracisë. Në një përsiatje kaotike, e vetmja gjë që ndihej dhe që i duhet respektuar ishte armiqësia e hapur dhe gadishmëria e Kryeministrit për të kërcënuar secilën nga mediat që atij i duket problematike. Madje, stili dhe qëndrimi i tij, të kujtonin proceset e famshme Nju Jorkeze ndaj Pol Kastelanos dhe Xhon Gottit, që të vendosur përballë drejtësisë përmendnin emra gjyqtarësh, policësh, vilash, takimesh të hapura apo të fshehta, për të dëshmuar një lloj pushteti që vjen nga informacioni i detajuar, ose për të përbaltur gjithçka, sipas formulës së njohur tashmë: “nuk ishim vetëm ne”. Formulë e cila po bëhet dominuese në politikën shqiptar, ku çdo i akuzuar, tenton të bëjë të njëjtën gjë me gjithë shoqërinë, për t’u ndjerë më i lëhtësuar si një fajtor mes fajtorëve. Nuk kishte asnjë shpjegim tjetër, p.sh. përmendja e një kati pa leje i një botuesi, i legalizuar dhe që aktualisht është ende në proces gjyqësor. Kryeministri duhet të jetë në dijeni se një çështje në gjykatë, që nuk ka marrë ende vendimin e prerë, nuk mund të jetë kurrë e paragjykuar. Por fatkeqësisht, problemi nuk qëndron këtu. Nga ajo tirandë e gjatë prej 9 faqesh format që artikullshkruesit e tij anonimë i kishin vënë përpara, Kryeministri dëshmoi diçka që binte lehtë në sy. Duket se njeriu që deri pak vite më parë konsiderohej si figura politike më liberale në vend është peng i një kepkuptimi dhe paragjykimi të madh. Nga fjalimi i tij, Kryeministri Nano duket i bindur se kritikat e shtypit ndaj tij janë pjesë e një përbetimi dhe se ai vetë, nuk ndjen asnjë lloj përgjegjësie. Me fjalimin e tij, ai të kujtonte një bisedë që ka pasur muaj më parë me Komisionerin Paten, të cilit i deklaronte se kritikat e shtypit vinin nga sponsorizime të firmave greke të naftës! Duke marrë nga njeriu i rëndësishëm i BE, shqetësimin se veprimet e qeverisë mund të ishin selektive. Siç ndodhi edhe realisht, kur Kryeministri përmendi në fjalën e tij vetëm emra televizionesh dhe gazetash që kanë qenë problematike për të, duke lënë krejtësisht në hije media që po tentojnë të prishin rregullat e tregut, por që qëndrojnë pranë politikës dhe familjes së tij. Duke ndjekur llogjikën e fjalimit të Nanos, pyetja e parë që mund t’i bëhej atij është direkte dhe e thjeshtë: A ndjen Kryeministri që pjesa më e madhe e anomalive vijnë nga drejtimi i tij kaotik, nga mungesa e rezultateve konkrete dhe nga gabimet spektakolare? A mund të gjendej ndonjë gazetar në Shqipëri, apo edhe në botë, sado konfomist që të ishte, i cili të heshtëte përpara një fakti si ai i deklarimit të pasurisë së Kryeministrit, i përgënjeshtrimit të Benz apo i pronësisë së banesës që ai ka? Ka gjithnjë një tundim profesional që nuk e shkel dot askush, sado mediokër apo konfromist qoftë. Eshtë një lloj ligjësie që vjen nga koncepti i shtypit të lirë dhe i sistemit që e garanton atë. Edhe sikur gjithë shtypi aktual të blihej apo nënshtohej, të tjera organe apo forma do ta mbushnin boshllëkun e tij. Historia e botës moderne nuk njeh asnjë rast kur një pushtet, ka arritur të nënshtrojë apo të zhdukë një pushtet tjetër. Politika dhe shtypi, nuk mund të bëjnë përjashtim nga kjo ligjësi. Pikërisht për këtë arsye, Nano nuk kishte pse të servirte shifra dhe detaje, të shkëputura nga konteksti i tyre, nuk kishte pse gjente gjysma thashethemesh dhe apo të bënte bashkime mekanike dhe heterogjene mes individësh dhe mediash që janë pranë tyre. Nano nuk duhej të vërtetonte shqetësimin e shumë prej anëtarëve të kabinetit të tij dhe të analistëve se Kryeministri është më konfuz dhe më i paqartë se kurrë; se nuk ka asnjë strategji dhe se pasioni i vetëm ngelen batutat. Ai duhej të fliste si një burrë shteti që e njeh sistemin dhe e respekton atë. Ai duhet ta kuptojë se media është një pushtet paralel me atë politik dhe asnjë lloj strategjie nuk mund ta reduktojë apo zhdukë atë. Dhe meqë llogjika normale nuk është më aq normale për njerëzit pranë tij, do të ishte mirë që dikush, në vend të predikimeve për “dorën e fortë” t’i tregonte një përrallë të vjetër. Përrallën për Mbretin me veshë gomari, morali i së cilës vlen edhe për tentativat për t’i mbyllur gojën shtypit shqiptar. Sokol Pepushaj
Motrat Raiçeviq përballë diferencimeve politke dhe etnike Pakicat kombëtare në Shqipëri janë diferencuar në vazhdimësi. Në Jug pala greke ka kërkuar trajtimin më serioz të pakicave dhe jo rrallë ka patur ashpërsim të politikave mes Greqisë dhe Shqipërisë. Por edhe në Veri, ku jeton prej shumë kohësh një komunitet serbo-malazez, ka patur jo pak probleme. Nikoll Raiçeviq, një peshëngritës i njohur në Shqipëri, as edhe një herë gjatë karrierës së shkëlqyer të tij nuk iu dha mundësia nga shteti shqiptar të përfaqësojë vendin në arenën ndërkombëtare. Kjo për arsye se sistemi shqiptar kishte frikë se ikte në perëndim. Me trokitjen e demokracisë në fillim të viteve 1990, Nikoll Raiçeviq dha kontribut për instalimin e demokracisë në këtë shtet komunist, shumë të mbyllur me perëndimin dhe me një terror psikologjik e fizik të paparë mbi njerëzit, veçmas mbi ata që quhen pakica. Kështu më 2 prill 1991, kur kundër votëvjedhjes së Ramiz Alisë protestuan mbi gjashtëdhjetë mijë vetë para komitetit të PP-së në qytetin verior Shkodër dhe ku junta e kuqe pushkatoi katër vetë, Arben Brocin, Bujar Bishanakun, Nazmi Kryeziun e Besnik Ceken e plagosi rëndë 163 vetë e ku dhunoi shumë të tjerë, edhe gra e fëmijë, Nikoll Raiçeviq me dy vajzat që atëherë ishin fëmijë, Emiljana dhe Branka, ishte aty në shesh. Ato dy vogëlushe, si shumë fëmijë të tjerë u rrahën, duke iu ngjallur ndjenjën e frikës. Por atë ditë të zezë ka patur edhe raste kur gratë kanë dështuar fëmijët në bark nga dhuna apo tmerri që kanë përjetuar. E, këto dy motra që sot janë udhëve të perëndimit, pasi kishin të rrezikuar jetën këtu në Shqipëri, kaluan shumë peripeci deri aty nga fundi i vitit 2003, që e braktisën njëherë e përgjithmonë këtë vend. Këtë vend që u persekutoi prindërit, të afërmit. Këtë vend që tentoi t’u merrte jetën edhe atyre. Emiljana Raiçeviq, sipas një dokumenti zyrtar me numër protokolli 11/8 të degës së Partisë Demokratike Shkodër është veprimtare e kësaj partie që nga data 03.07.1998, ndërsa si anëtare e saj që nga data 20.07.2000, e pajisur me dokument partie me nu mër 113532. Emiljana shquhet për investim politik si veprimtare në tërë proceset, protestat, demonstratat e organizuara nga Partia Demokratike dhe Forumi Rinor i saj kundër dhunës, padrejtësive njerëzore, kundër komunizmit e diktaturës nga më të pashembulltat në botë. E përfshirë në lëvizje të tilla, në ballë të protestave të vitit 1996 e në vazhdim, kjo vajzë vihej në shënjestër të anarshisë për t’u eliminuar fizikisht. Ajo, duke qenë kryetare e Forumit Rinor të PD-së në vitin 1996 në lagjen “Skënderbeg”, duke e shtrirë aktivitetin e saj përgjatë tërë kohës për të përmendur më pastaj si më problemorin rastin e zgjedhjeve të 24 qershorit 2001 për pushtetin qendror, ku ajo ishte komisionere, i takoi të ishte jo pak herë përballë sfidave me jetën. Në ato zgjedhje, ku PS-ja manipuloi votat, pra vullnetin e sovranit me tanke, me tritol, me shkopinj gome të policëve, me rrahje e dhunime, madje edhe me burgime politike apo edhe zhdukje pa gjurmë fizike të demokratëve, Emiljana dhe Branka Raiçeviq, motrat që të dyja ishin shquar dhe nuk kishin pranuar manipulime, u kërcënuan psikologjikisht e u dhunuan fizikisht. Branka nuk kishte se si të mos jetë në krah të motrës, në krah të shoqeve e shokëve të idealit për një Shqipëri të lirë. Ajo, si anëtare e Forumit Rinor të PD-së dhe më vonë edhe si anëtare e partisë, me numër kartele 113533, edhe sot që nuk është në Shqipëri, ka lënë një respekt dhe vendi i saj ndjen boshllëk. Por, ashtu sikundër rasti i këtyre dy motrave, rastet kur të rinjtë e të rejat shqiptare zgjedhin si të vetmin shpëtim të jetës rrugën e ikjes, janë një shqetësim mjaft i madh i shoqërisë shqiptare. Diferencimet politike, raciale, fetare, etnike janë ende një fenomen në realitetin e zi shqiptar. Është ky një fenomen që e largon Shqipërinë nga rruga drejt Evropës. Sokol Pepushaj
Ky shtet po vret dinjitetin e shtetasve të vet Rekordet që ka arritur qeveria socialiste shqiptare duke e rradhitur Shqipërinë në top-listën e zezë për çdo gjë, është për t’u ndalur fort e me logjikë. Po të kalohet në heshtje apo siç po ndodh me një indiferentizëm marroq, s’është vonë dita që kur të bindemi se duhet ndryshuar me themel e keqja që ka zaptuar çdo qelizë të jetës shqiptare, atëherë s’kemi për të pasur kujt t’ia vëmë gishtin për të na prirë. E them këtë për të vetmen arsye se njeriu i nënshtruar shpirtërisht siç po punohet ditë e natë për ta kthyer shqiptarin, pra ai popull që degradohet, arrin e nuk i ka besë vetvetes dhe arsyes së tij, atëherë përfundimi është që ai që s’ka besë tek vetvetja s’mund të ketë besë tek askush dhe rezultati mbetet ai aktulai, që i ndershmi kryqëzohet e i poshtri nderohet, dhe jeta shkon si ajo fjala, shto miell e shto ujë e mos t’i kesh besë kërkuj, keq me tëndin e mirë me të huajin. Qeveria socialiste apo edhe organet e tjera demek të pavarura, përafërsisht i përngjajnë shtetit të Pakistanit dhe presidentit aktual Pervez Musharaf, ku ai me një grusht shteti erdhi në pushtet e që nga ajo ditë e sot luan rolin e aleatit perëndimor, por në të vërtetë është shumë më i korruptuar se paraardhësit e tij. Nga dita që ai e suita që e mbështet atje, zgjedhjet vidhen haptas e korrupsioni është sheshit, e pavarësisht se çdo shtet perëndimor e akuzon për këto probleme, ai shprehet se këtu punohet e ka përparim. Kurse realiteti flet ndryshe. Për të mbyllur të gjitha problemet, ai mbështet sa për sy e faqe luftën kundër terrorizmit. Gjithsesi, për këtë luftë të drejtë që ai mbështet, administrata amerikane e rradhit në vendet më të korruptuara në botë, dhe organizmat e ndryshëm për të drejtat e njeriut e akuzojnë për keqtrajtime e dhunë ndaj opozitës e fjalës së lirë, e siç thamë më lart për manipulim të votës e ai përsëri qëndron në pushtet. Por logjika të çon se kësisoj tipash, sa bien nga pushteti apo shohin rrezik për dënimin e tyre nga organet e drejtësisë, atëherë këta soj kthehen nga aleatë i perëndimit në armiqtë më të rrezikshëm të tyre. Këtë e ka treguar historia që po u mbështet një gangster e rregjimi i tij, ata sa të forcohen, sulmojnë atë që i ka mbështetur, pra të dashur lexues, shikohet sa ngjasojnë qeveritarët tanë me ata pakiztanezë, veçse me një ndryshim të madh, që populli shqiptar, kushdo që të jetë në pushtet, ka qenë e është në përgjithësi aleati më i madh i SHBA, mbas popullit amerikan, e kjo vjen nga mirënjohja që kanë shqiptarët për mbështetjen amerikane në vitin 1913 dhe në vitin 1999 në mbrojtje të popullsisë shqiptare e kauzës së saj në Kosovë. E siç shihet e dihet, meritat për mbështetjen ndaj SHBA e NATO-s se kanë individë të veçantë, por shumica dërrmuese e popullit shqiptar kudo në botë. Për të kaluar në problemet tona dhe t’i ikim Pakistanit, por e mora si shembull, atëherë shoqëria shqiptare këtu tek ne duhet të organizohet në mënyrë qytetare e civile apo siç thuhet të vetëorganizohet për fatet e veta apo për të ardhmen e shtetit, të fëmijëve, për ndryshimin e kësaj gjendjeje mbytëse që po kalojmë. Duhet të pranojmë se gjendja shpirtërore e shqiptarëve këtej është e dobët dhe vetëorganizimi për të luftuar për të drejtat tona jetësore është në pikën më kritike. Do Zoti e gaboj për këtë mendim, por për mua pushtimet e ndryshme që kaloi populli shqiptar dhe pasojat që la ndër ne, u përballuan në sajë të shpirtit, moralit, gjuhës e zakoneve tona të shkëlqyera fisnike, e falënderojmë Zotin që ishim e mbetëm shqiptarë me plot kuptimin e fjalës. Siç e thashë më lart, i vetmi pushtim që dërrmoi shqiptarin ishte ai komunist, prandaj jemi në këtë gjendje kritike dhe prag vdekje, sepse ditën që e morën pushtetin këto monstra, luftuan me të gjitha mënyrat shpirtin, moralin e zakonet tona, prandaj shqiptari sot i bie shkurt dhe thotë po iki e punoj jashtë, e nuk rrin këtu e ia merr shpirtin këtyre spurdhjakëve harbutë dhe i lë të lozin me fatet e njerëzve të tyre që ndodhen këtu, e ç’është më e keqja këta pushtetarë e pushtetare, po lozin me fatet e kombit shqiptar dhe krenarinë e tij. Këtu s’flitet thjeshtë për ndërrime pushteti, por për fatin e kombit shqiptar dhe 2005-a erdhi prandaj koha s’pret, dhe në skenë duhet të dalin urgjent shpirti shqiptar e të përballojë me sukses e me dinjitet diskutimin e pavarësisës së Kosovës shqiptare. T’i ikim slloganeve boshe e t’i biem direkt aty ku na dhemb, se me këta pushtetarë e pushtetare s’kemi gjë në terezi, e t’i lihet në dorë diskutimi i kësaj çështjeje për ne që është jetë a vdekje, është krimi më i madh që do të bënim. Prandaj siç e kam theksuar edhe më lart, të dalin në krye njerëz me moral, se bota perëndimore e zhvilluar i dha prioritet ushqimit shpirtëror e pastaj atij ekonomik, e ndodhet në këtë prosperitet e zhvillim. Gjatë ktyre viteve në demokraci, qeveritarët e harruan me qëllim apo pa qëllim ushqimin shpirtëror të shqiptarëve, pra nuk punuan aspak në këtë drejtim, prandaj ndodhemi në këtë gjendje gjumi apo kome, edhe ato që e kanë për detyrë këtë punë s’po e ndërtojnë por po e arnojnë. Një fjalë e vjetër thotë që fjalët e tepërta janë fukarallëk, prandaj për largimin e këtyre qeveritarëve shpirtërisht, e kjo don njerëz armik ndaj që keqes e shpirtmirë ndaj njerëzve të pambrojtur, pra figurat me moral të lartë njerëzor e nacionalist, kur është nevoja, duhet të jenë në krye të situatës së ardhshme, prandaj pushteti merret kur krijon besim në shumicën e popullit dhe duhet ikur sa më parë strategjisë së Helenës së Trojës për marrjen e pushtetit. U provua dhe të gjitha votimet tash 8 vjet u humbën duke u vjedhur apo blerë votat e ç’ishte më e keqja morën poste të larta partiake e lokale, pisa e pise të pashpirt që gjithë ditën mendojnë të pasurohen për vete e klanin e tyre dhe sulmojnë me të gjitha mënyrat më monstruoze për eliminimin e elementit të shëndoshë që kërkon drejtësi e barazi për të gjithë dhe një Shqipëri normale e jo kjo që shohim sot. Shkurt opozita e faktorët e tjerë që kërkojnë ndryshim, urgjent duhet të marrin modelin e udhëheqësve amerikanë e evropianë mbas Luftë së Dytë Botërore, dhe t’i prijnë popullit me shpirtmirësi e transparencë për largimin e qeveritarëve mafiozë e kriminelë, se po ndenji në këtë gjendje që ndodhet ku lavirja politike fatkeqësisht po mori forcë e s’i thuhet ndal, e them pa frikë e me plot bindje që s’ka shpresë për ndryshime, edhe pas zgjedhjeve të ardhshme, e Shqipëria e shqiptarët do të jenë siç janë sot, në gjendjen e dikurshme e përshkruar nga Vaso Pasha në poezinë e tij “O, moj Shqypni”. Nikolin Pemaj
Zoti Kryeministër mos e vrisni Shqipërinë Jemi tre milionë e njëqind e shtatëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind shqiptarë, duke mos llogaritur emigrantët në mërgim. 1. Shkodra 236.158 2. Lezha 61.978 3. Tropoja 44.757 4. Kukësi 101.267 5. Dibra 149.605 6. Puka 48.969 7. Kruja 106.826 8. Mirdita 50.421 9. Mat 76.638 10. Durrës 245.249 11. Tirana 367.361 12. Elbasani 241.789 13. Gramshi 43.545 14. Pogradeci 71.386 15. Korça 210.515 16. Kolonja 24.752 17. Librazhdi 71.927 18. Lushnja 134.209 19. Fier 244.881 20. Përmet 39.330 21. Skrapar 46.482 22. Berat 176.324 23. Vlora 176.501 24. Gjirokastra 45.978 25. Tepelena 49.789 26. Saranda 50.995 Dua të di, kush, cilët janë demonët e këtij kmobi që këtë popull dita-ditës po e masakrojnë nga Vermoshi gjer në Deshat-Konispol. Ku banoni ju, z.Kryeministër bashkë me qeveritarët e korruptuar? Ju po shkatërroni popullin më keq se diktatori Enver Hoxha, i cili i dënonte me burg, i pushkatonte dhe i internonte. Kurse sot ky popull po vret veten e vet nga veriu deri në jug. Kryefamiljarët po varin veten e vet se fëmijët i kërkojnë bukë… ushqim, nuk ka ku të punojnë, kujtojnë Migjenin e madh me “Poemën e mjerimit” dhe në heshtje dalin nga shtëpia diku në oborr dhe var veten. Përse populli është kaq i trishtuar. Këtu ka shumë rëndësi shtrimi i problemit si dhe zgjidhja e tij. Ju zotërinj qeveritarë keni pasuri të patundëshme dhe para në banka që mund t’i përdorni kur të doni. Ju mendoni për të ndërtuar në plazhet më të bukura, në brigjet e Detit Adriatik dhe Jon, ku ju ngjall interesimin që të investoni hotele-vila. Mund ta pranoni për të parë komplekset e ndërtimit, në të dy anët e superstradës Vorë-Tiranë. Ju të Partisë Socialiste u komprometuat menjëherë. Z. Nano, mbasi ish-Presidenti Sali Berisha më 2 mars 1997 të kishte falur, je i lirë nga burgu i Bënçës-Tepelenë, ju menjëherë i hytë në thelbin e mendimit të tij. Shqipërinë e njohe shumë mirë si ish-Kryeministër, duke parë programin që të kishte përgatitur Ramiz Alia. Menjëherë morët paratë që kishin “vuajtur” në burgun e Bënçës-Tepelenë. Duke patur funksionin e Kryetarit të Partisë Socialiste, si dhe Kryetar i Këshillit të Ministrave, ju u bëtë menjëherë i pasur dhe nuk e lejuat që t’ju shpëtojë ky rast. Për shtatë vite së bashku me qeverinë, keni siguruar aksione, banka, hotele, kazino si dhe ndërmarrje të tjera të ndryshme si në Telekom, Armo etj. Çfarë është kjo, z.Kryeministër, qeveritarë, parlamentarë? Juve kush ju zgjodhi, populli, elektorati apo zgjodhët vetveten. Populli shikon se si hyjnë në labirintet, kush merret me kultivimin dhe përpunimin dhe transportimin e llojeve të ndryshme të drogave nga Shqipëria për në Greqi, Itali, Mal të Zi etj. Asnjëri, përveç qeveritarëve dhe deputetëve kush merret me transplantimin e organeve të fëmijëve dhe të shitjeve 5.600 fëmijëve, prostitucionin, jeni po ju që hezitoni para ligjit. Ju zotërinj qeveritarë, toka është pronë e shoqërisë, shoqëria nuk ka kapitalin tuaj, se do të ishte marrë vetëm me punë dhe duke mos patur janë të detyruar të punojnë tek jupër të siguruar bukën e gojës për familjet e tyre. Kam përshtypjen sikur nga ju Partia Socialiste po realizohet papritur një ëndërr që kam parë shtatë vite me radhë. Nuk më besohet se është e vërtetë, por e kuptoj se ashtu është dhe se ju do të keni “suksese” në të gjitha gjërat për të cilat flisni. Duhet të jeni shumë të kujdesshëm me të përndjekurit politikë, parlamenti paraqet vetëm një herë votbesimin e P.Demokratike të shpërblehen të burgosurit politik dhe të pushaktuarve. Në Shqipëri ka një dallim për ju njerëzit modernë të vendosur përballë njëri-tjetrit me njerëzit që janë 3.117.600 të kufizuar për jetën e tyre të lodhur nga ekonomia. Ua dhaftë i madhi Zot, mos bëni gabime, kështu mendoj unë, vendimi të jetë vërtet i bukur dhe madhështor, mos e vrisni të vërtetën. Hasan Kurtaj
Në Tiranë jeta nuk është e sigurtë Tirana këto vitet e fundit jo vetëm është e mbipopulluar, por edhe ka patur shumë probleme, ku jeta e njerëzve ka qenë e rrezikuar, e kërcënuar. Ata që drejtojnë shtetin sot, janë bijtë e etërve komunistë, që për një gjysëm shekulli burgosën politikisht, internuan, pushkatuan pa gjyqe. Njëri ndër demokratët antikomunistë që jeta iu rrezikua shumë herë, është edhe Arben Nikoll Pjetra, lindur në qytetin e Pukës më 30.08.1976, dhe banues në Tiranë deri ditën që detyrohet ta braktisë edhe metropolin, pasi duke qenë në vëmendje të anarshisë, meqenëse segmente të errëta të këtij shteti fashist e kishin piketuar, e pati të pamundur qëndrimin në Shqipëri. Po kush është Arben Pjetra? Suvestigimet e gazetës sonë i referohen dokumentit me numër protokolli 995 të Shoqatës politike antikomuniste “13 Dhjetori 1990”, ku ai rezulton të jetë pjesëmarrës në të gjitha demonstratat politike antikomuniste. Madje, më 14 janar 1990, kur u shemb shtatorja e diktatorit Stalin, Arben Pjetra është rrahur barbarisht nga forca të errëta të sigurimit të shtetit. Është arrestuar pa shkak dhe mbas pesë ditëve tortura lirohet. Është nevojitur ndërhyrja e mjekëve, të cilët meritojnë fjalë të mira, për t’i shpëtuar jetën. Por në Shqipëri ka patur shumë raste kur nga torturat njerëzit kanë kaluar për në botën tjetër. Ngjarje të tilla ka patur në Korçë, ku edhe u zhvarros kufoma dhe u vërtetua dhuna policore si shkaktare e vdekjes, në Lezhë, Kurbin, Tiranë etj. Por Arben Pjetra si veprimtar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike Shqiptare, me numër libreze 03529, jo pak herë mësojmë se si në kohë lufte për identitet ka veçuar e ruajtur sekret numrat, nëse pushkatohet nga këta të ashtuquajtur shtetarë, por që në të vërtetë janë fashistë, të cilët vetëm në këto shtatë vitet e fundit kanë pushkatuar rreth 6000 shqiptarë. Gjyshi i tij, Çun Pjetra, provoi burgun e torturat e politikës së satrapit Enver Hoxha nga viti 1955 deri më 1976, kur edhe vdiq aty në burgun luciferr. Edhe babai i Arbenit, Nikoll Pjetra, bëri shumë vite burg, provoi shumë persekutim, shumë diferencim, shumë nëpërkëmbje politike e shoqërore. Burg nga viti 1965 deri më 1970. Persekutim i tërë atij gjaku e fisi dhe, për të ardhur tek viti 1980, kur Nikoll Pjetra burgoset sërish nga komunistët, për t’u liruar vetëm në vitin 1990, atëherë kur ishin tronditur themelet e komunizmit në Evropën plakë dhe kishte filluar era e ndryshimeve edhe në Lindje. E, kërcënimi serioz për jetën, familjeve me taban antikomunist, u është gjithmonë permanent. Data 10.01.1997, kur digjet shtëpia e Arben Pjetrës dhe ata njerëz detyrohen të marrin shtëpi me qera pasi u ishte djegur gjithçka dhe vetëm fati e Zoti kish mundësuar të mos kishte viktima, është një ditë e zezë që akuzon fort këtë shtet që endet me ushkur nëpër këmbë nga e keqja në të keqe. Arben Pjetra është dhunuar nga persona të paidentifikuar që kanë patur qëllime eliminimin fizik, ku sipas burimeve tona është mjekuar në spital nga data 16.01.1997 deri më 20.01.1997. Arben Pjetra dhe njerëzit e tij kishin rrezikuar jetën deri në ditën që braktisën Shqipërinë. Albert Vataj
vazhdon nga numrat e kaluar “Edith Durham bëri shumë për Postribën, ndaj edhe ne i kemi shumë borxh asaj.” “ Mbretëresha e Pakurorëzuar e Shqipërisë “, siç e quanin malësorët e veriut të Shqipërisë, Meri Edith Durham, lindi në Londër me 8 dhjetor 1863.Kjo ishte fëmija i parë i familjes Durham.Studimet e para i kreu në Kolegjin e Bedfordit.Më pas u regjistrua në Akademinë Mbretërore të Arteve. Pikturat e saj u pëlqyen shumë. Disa prej tyre mbahen edhe sot në Institutin Mbretëror Antropologjik. Edith Durham, një pjesë të mirë të jetës dhe të hulumtimeve të saj ia kushtoi Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ajo kishte një respekt të vëçantë për kombin shqiptar, si kombi më i vjetër i Europës. Gjithë shpirti i saj është i shkrirë në veprat monumentale si “Brenga e Ballkanit”, “Shqipëria e Epërme”, “Lufta per Shkodrën”, “Njëzet vjet ngatrresa Ballkanike”, e tjerë. Në vitin 1901, pasi pajiset me leje nga autoritetet osmane, Edith Durham zbret në Shkodër nepërmjet Liqenit të Shkodrës. Të parët që njohu në Shkodër qenë piktorët Kolë Idromeno, Ndoc Martini dhe fotografi Marubi. Pothuajse gjithë periudhën e Luftërave Ballkanike “Mbretëresha e Pakurorëzuar e Shqipërisë”, e kaloi në Ballkan, e kryesisht në Shqipërinë Veriore. Si një tempull drejtësie ajo ndiqte nga afër gjithë gjyqin e përgjakur të “Fuçisë së Barutit”, duke ndërhyrë dhe ndihuar për mbrojtjen e drejtësisë njerëzore, në zbutjen e egërsisë ekspansioniste të pushtuesve serbë e malazezë. Ajo kujton me respekt dhe dashuri të thellë vendet e bukura ku ka kaluar një pjesë të jetës saj, e në mënyrë të veçantë njerëzit mikpritës, bujar e të dashur, sa dhe trima e të besës. Po shkëpusim një pjesë nga kujtimet e saj në librin “Brenga e Ballkanit” : “……..U nisa nga Shkodra në orën pesë të mëngjesit, e shoqëruar nga një udhërrëfyes vendas, i cili e njihte mirë zanatin e udhërrëfyesit……Duke kaluar përmes rrafshinës, ecëm brigjeve të Kirit, të cilin e kaluam te Ura e Mesit, një urë e bukur guri, që thuhet se është veneciane………” Sa duket, Edith Durham nuk kishte informacion të plotë se nga kush dhe kur ishte ndërtuar Ura e Mesit, ndaj dhe thotë :”…që thuhet se është veneciane…” Ajo vazhdon : “….. Lartë në një kodër që zotëron hyrjen e luginës së Kirit, gjendej Drivasti, Drishti i sotëm. Në mes të rrugës deri në maje të kodrës është ndërtuar fshati i ri midis rrenojave të shtëpive të vogla. Për në fshat kalohet nepër një portë me gurë të palatuar në mbeturinat e një muri të vjetër.Banorët janë kthyer në myslimanë pikërisht para dy shekujsh, domethënë në kohën kur peshkopët grindeshin pët te. Në maje ndodhen rrenojat e kalasë, e cila në shekujt XIII, XIV e XV kishte një farë rëndësie. Që nga shekulli i XIII, zotër të Drishtit ishin Komnenët………Asgjë s’ka mbetur sot nga këto “gjëra të vjetra të pafat, të harruara”, veç murit të jashtëm të kalasë, me gurë të palatuar e të palidhur me llaç dhe disa pjesë ndërtesash. Herë pas here gjenden monedha e relike të tjera, por banorët e Drishtit ruajnë me xhelozi që asnjë i huaj të mos bëjnë kërkime në atë vend, që ata e quajnë si truallin e tyre të “Tom Tidllërit”. Banorët myslimanë të fshatit që njihen si besimtarë, ishin shumë të përzemërt. Na ftuan në një ballkon të gjërë në një shtëpi, ku gratë pa perçe me nga një tufë të madhe flokësh të ngjyer me të zezë në të dyja anët e fytyrës, po endnin pëlhurë pambuku me vija të kuqe e të bardha. Burra e gra u ulën përrreth dhe tërë qejfë zunë të më mësonin shqipen. Pastaj gratë zien qumësht për mua, ndërsa burrat zunë të shanin qeverinë turke. Duhej të paguanin taksa dhe s’kishin si t’i shpëtonin kësaj, se qyteti ishte shumë afër,të gjitha këto para shkonin në xhepin e valiut. Asgjë nuk bëhet për vendin. Për Zotin, malësorët janë më mirë atje larg ! Vërtetë për ata nuk bëhet asgjë, por edhe ata nuk i detyron kush të paguajnë gjë. Banorët e Drishtit janë nikoqirë dhe punëtorë. I gjithë bregu i lumit është kthyer në kopshtije të rregullta, plot me hauze të vogla uji, prej të cilave ujin e shpërndajnë me lopata të mëdha prej druri, dhe prodhimi çohet çdo javë në Shkodër. Kur u largova plaka më përqafoi dhe të gjithë m’u luten që të kthehesha përsëri……….” Ishte momenti kur Edith Durham po largohej përkohësisht nga Drishti, nga shtëpia e Halil Isufit ku ajo banonte në Kalanë e Drishtit. Ajo po nisej me një mision në fshatrat e Gurit të Zi e Jubanit për të cilët thotë se Jubani katolik ishte po aq mikpritës sa dhe Drishti mysliman. Ajo kujton zonjën e Halil Isufit, plaken, siç e quan ajo, që e përqafoi me mall e dashamirësi si të ishte pjesëtare e familjes saj. Duke u larguar nga Drishti londinezja erudite merrte me vete dashurinë dhe respektin e familjes ku banonte dhe të familjeve të tjera të Kalasë që ishin prezente në pritjet dhe përcjelljet e saj. Në udhëtim e sipër ajo mediton. Ajo riprodhon në kujtesën e saj netët e bukura që kalonte në qendrën e lagjes plot ndriçim. Rruga kryesore e lagjes nga porta e lindjes deri në porten e perëndimit ndriçohej nga fenerë të vendosur anës rrugës, të cilët bashkë me gelbërimin e manave dhe driten e praruar të hënës krijonin një kompozim harmonik plot fantazi e art. Kjo pamje ia mrekullonte shpirtin hulumtueses londineze. Meri Durham dilte pothuajse çdo natë në qendër të lagjes, afër ndërtesës së kultit dhe sodiste natyrën përrreth duke ndier kënaqësi në shpirt. Nganjëherë bisedonte me burra besimtarë që shkonin në xhami për të kryer faljet e lutjet sipas ritualit Islam. Nganjëherë rrinte me djem që grumbulloheshin në qendër të lagjes duke kundruar gra e vajza që mbushnin ujin të burimi. Ajo rrinte nën dritën e fenerëve që butësisht bashkohej me rrezet e hënës që depërtonin mes gjetheve të manave. Aty ajo skiconte në miniaturë veprat e saja të së ardhmës. Lagjja Kala e Drishtit kishte pamjen e një qytetërimi në antikitet. Shpesh herë në meditim e sipër ndiente në shpirt se diku nga Britania e madhe vinte fluturimthi një mall që ia pushtonte të gjitha njësitë e saja femërore……… Edith Durham e shkeli me këmbë gjithë zonën e Postribës duke rënë në kontakt me njerëzit, me hallet dhe dertet e tyre, duke parë me sytë e saj skamjen dhe mjerimin e popullit të lodhur nga lufta për jetën dhe mbrojtjen e trojeve të tij. Gjithë udhëtimin e saj nepër Postribë ajo e shoqëron me përshkrimin plot ngjyra e peisazhe mbresëlënëse të natyrës e vendeve nga kalon. Ajo e përshkruan plot dhimbje në shpirt jetën e mjerë të këtyre njerëzve të varfër ekonomikisht por fisnikë e të pasur në shpirtin e tyre bujar. Le të dëgjojmë nga goja e kësaj studiuese erudite se ç’thotë për Postribën : “…….. Nga Suma udhëtuam drejt majes së malit që përfundon në Maranaj, kreu i malit në formë katrore që duket nga Shkodra dhe para nesh shfaqet panorama e mrekullueshme e Liqenit të Shkodrës, fushat e verdha të ndara mirë dhe malet, maje pas maje, që zhdukeshin në hapsirën pa fund në diellin vërbues. Përsëri zbritëm te lumi i Kirit, atje ku ai derdhet në luginë, ndërsa rrenojat e Drishtit ngrihen thikë drejtë qiellit në majen e kodrës prapa………. Duke udhëtuar përpjetë, si kapërcyem Kirin, ecëm nëpër një shteg të ngushtë me hije dhe u gjendëm në një vend të mahnitshëm afër Myselimit plot grumbuj të mëdhenj kulprash të egra ngjyrë trandafili.Flutura të gjelbëra dhe të kaltërta vetëtinin në diell dhe një numër i madh karkalecash të mëdhenj ngjyrë vishnje kërcenin me zhurmë rretheqark. E gjithë natyra dukej plot gëzim jete. Misri rritej i plotë e i bollshëm në fushat e punuara mirë. Kishte kopshte të mëdha me fiq e ullinj dhe ato pak vreshta që ishin dukeshin në lulëzim. Disa vjet më parë kjo që kishte qenë toka më e mirë e krahinës për prodhimin e rrushit, ishte shkatërruar nga filoksera dhe rimbjellja sapo kishte filluar. Tokat gurishtore dhe të shkreta, që tani kufizoheshin me Kirin, kishin qenë po aq të pasura, por vërshimet e lumit kishin gërryer të gjithë dheun, duke lënë pas shkatërrimin….” Riza Spahija
Kuvendi i Greçes, programi politik i pavarësisë së Shqipërisë Në historinë e shkruar të Shqipërisë, Greça e Kelmendit zë një vend të vogël, por në historinë e jetuar e trashëguar, Greça zë një vend aq të madh sa mund të quhet pa frikë Kryevendi i Kuvendeve të Shqiptarëve ndër shekujt që kërkonin lirinë, flamurin e mvetësinë. Në Greçe, nga data 10 deri më 23 qershor 1911 u zhvillua Kuvendi i Krenëve të Kryengritjes Antiturke të vitit 1911, i kryengritjes më të suksesshme të shqiptarëve në 450 vjetët e robërisë Otomane. I asaj kryengritje që tronditi Stambollin, që zgjoi Evropën plakë nga gjumi i harresës ndaj shqiptarëve dhe i asaj kryengritje që për herë të parë pas shekujsh (më 6 prill 1911) valëviti mbi trojet shqiptare flamurin kombëtar të Gjergj Kastriotit, i cili simbolizonte jo vetëm lirinë e pavarësinë e ëndërruar, por edhe qytetërimin perëndimor të pashuar nga pushtuesi turkoshak. Në zemrën e kësaj kryengritje (Malësi të Madhe), por edhe në valën e kësaj kryengritje që solli lumej gjaku, Evropa filloi të kuptojë se ne shqiptarët, ndonëse të pushtuar prej shekujsh, nuk jemi tjetërsuar as në turq e as në arabë, por kemi mbetur ai popull evropian që u sakrifikua vetë në shekullin XV për të mbijetuar Evropa me besimin e qytetërimin e saj. E ndërsa pushka kërciste, krerët e Komitetit të Podgoricës dhe ata të kryengritjes menduan që të mblidhen në një kuvend ku kërkesat e kryengritësve të diskutohen, mendohen dhe të shkruhen për t’ia bërë të ditur Perandorisë Otomane që t’i realizonte dhe Evropës për t’u bërë garante. Për realizimin e këtij kuvendi thuhet se një rol të madh luajtën Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi. Vendi që do të zhvillohej kuvendi u zgjodh Greça e Selcës së Kelmendit, e cila i ngjante një foleje shqiponjash të krijuar nga Zoti enkas për të mbrojtur krijesat e tij. Në perëndim të fshatit Selcë, në majën e shkëmbinjve thik përpjetë, në një lartësi rreth 300 metra ndodhet një pllajë apo më saktë një lëndinë e mrekullueshme e lulëzuar nga bari i njomë, lulet e gjithfarëllojshme. Ahet qindra vjeçarë që bëjnë hije e pastrojnë ajrin, duke e kthyer këtë vend në një parajsë ëndërrash për të veruar, por edhe të sigurtë nga çdo sulm i mundshëm nga bijtë e djallit Sulltan. Në qendër të kësaj lëndine është edhe sot një ah madhështor, nën hijen e të cilit u zhvillua kuvendi i krerëve të kryengritjes dhe burrave të tjerë që donin t’i dilnin zot vendit të tyre. Mjerisht ky vend i kryekuvendit sot vetëm sa njihet pak historikisht, ku për ta kujtuar këtë nuk është ngritur asnjë infrastrukturë e çfarëdoshme dhe nuk ka thuajse asnjë organizim shtetëror për ta vizituar e kujtuar në përvjetorët e tij e që në këtë qershor u mbushën plot 93 vjet, por që edhe ky vit kaloi vetëm me heshtje, me atë heshtje që nuk u intereson shqiptarëve, por përkundrazi armiqve të tyre që për çudi në këto stinë të Qeverisë Socialiste janë shtuar shumë… Gjithsesi, Greça ka shërbyer edhe më herët si vend ku bashkoheshin krerët e Selcës, Trieshit, Kuçit e të tjera viseve shqiptare që kërkonin të luftoni të bashkuar për të fituar lirinë e zaptuar nga çallma aziatike, por këto janë shekuj më parë dhe koha ka bërë punën e saj. Ndërsa përkundër shtetit e qeverisë, banorët e trevave të Malësisë së Madhe e më gjerë shpesh e kujtojnë e vizitojnë Greçen pasi aty ata gjejnë pjesë të historisë dhe paraardhësve të tyre… Natyrisht këtë shkrim modest, unë, malësori i këtyre trevave, ia kushtoj në këtë përvjetor këtij kuvendi që u bë promotori dhe programi i Shpalljes së Pavarësisë më 28 Nëntor 1912, ku dy nga më kryesorët ishin Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi, dora e mendja e të cilëve kishte jo pak rol në kërkesat e Kuvendit të Greçes që u formuluan në 12 pika dhe morën “emrin” Memorandumi i Greçes…, të cilat unë vendosa t’i “riprodhoj” në këtë shkrim si më poshtë: 1. Garantie kundra përsëritjes pas sodit të veprimevet e të mënyravet antikostitucionale nga ana e qeverisë qendrore e t’Auktoritetevet vendore në të gjithë Shqipërinë. Nderim për të gjitha Feet e për zakonet e vjetra të garantuara nga konstitucioni e konsakruara nga kanunet e zakonet. 2. Të njohunit e plotë të kenies së kombit shqyptarë me ato të drejta që kanë kombe të tjera të mbretërisë. 3. Liri e plotë për shqyptarët të zgjedhin pa ndonjë pengim a ngushtim deputet e vet, numri i të cilve do t’i përgjigjet popullsisë. 4. Liri e plotë për shqyptarët të mësohen e të përparojnë në gjuhë të vet e të themelojnë shkolla shqipe të veçanta e të botshme të cilat të kenë të gjitha të drejtat që kanë shkollat e qeverisë. Nderim për të drejtat që u janë njohun krenvet fetarë të kërshtenë përsa i përket mësimit ndë shkollat që janë nën sundimin e tyne. 5. Organizimi i administrimit të vilajetevet, ku ndodhen shqyptarë, i cili të ketë për themel një system deqentarlizimi administrator, që t’u përgjigjet nevojavet të vendit e konstitucionit me praktikat e konsakruara prej kohës në disa vise. 6. Të zgjedhunit e Vilanjevet e të tjerve nëpunës të lartë të shtetit në mes të ma të mirve e ma të vlefshmëvet zyrtarë të shtetit, tue pëlqye ma tepër ata që dinë gjuhën e zakonet e vendit. Emnim i të tjerve nëpunës civilë e financiarë e të gjygjtarvet në mes të atyne që janë shqyptarë e që të kenë cilësitë e njohësitë e lypuna. Xhandarët e agjentët e policisë, ashtu edhe nëpunësit e tjerë të zgjidhen në mes ma të zotvet nga njerzit e vendit. 7. Emnim i një përfaqsuesi të Sulltanit si inspektor i përgjithshëm për një periudhë vjetësh me barren që të shikojnë të vuemit besnikisht n’udhë të nomit organik, të mbaruarit e detyrës së Vilanjevet e të tjerve nëpunës, e të mbajtunit e qetsisë e të harmonisë ndë mest t’elementeve të ndryshëm Ethnikë që ndodhen në vilajetet bashkërisht. 8. Përdorimi i gjuhës shqipe ndër marrveshjet në mes të administratuarvet dhe administratorvet të vendit, e ndër kuvendet gjykimet përpara gjygjeve përkrah me turqishten që asht e mbetet gjuha zyrtare e qeverisë qendrore. 9. Shërbimi ushtarak i detyrueshëm për të gjithë shqyptarët me system skanesh (Systeme de cantinnement) në kohë paqi; e një organizim të veçantë për vendasit e visevet që ndodhen në kufi me shtetet ballkanike, tue dhanë lehtësien që mund të bajnë shërbimin në vend e të ruajn shegurien e kufijvet. Ushtarët do ta kenë të lirë shërbimin e besebet të tyne e të mbajturit e zakonevet të veta. 10. Të lidhunat për nevojat e vendit të të gjitha t’ardhunavet, përveç se atyne të Gjymrykut, të postës e të telegrafës, të duhanit, të Spirtos e të pullavet, të cilat janë dhanë për disa shërbime të veçanta. Të lanunit për ndërtim udhash e hekurudhash me ndearshtje vendore e për mbajtjen e shkollavet të botshme të një pjese të tepricës t’ardhunavet të përmenduna sypri ashtu edhe të gjitha pagesavet për udha, të pagesës shtimore për mësim e të 3% të së drejtës së hyrjes. T’u njihet komunevet e drejta e të prerit, drejt për së drejti ose me anën e të tjerve, të pyjevet të vendit, me detyrë për komunet me marrë për barrë ruajtjen e tyre, me rregullar të prerit pas urdhnave teknike, e me i pague fiskut një pagesë që do të shenjohet pas drunjvet e pas largimit të pyllit nga limani ose nga vendi i shitjes. 11. Të drejta për Këshillat e Përgjithshme të munt të japin vendime mbi budgetin e vilajetevet e të bajnë kontroll të prishunat. 12. Kërkim i fondeve të nevojshme që të shegurohet mbledhja e të hollavet që lypsen për goditjen rishtazi të shtëpiavet e të ndërtesavet të djeguna; e themelim i një komisioni të përziem (comissis mixte) e të mosvarme që të vështrojnë këthimin në vent të njerzve të damtuarë e goditjen e shtëpiavet të djeguna. Të kthehen armët e marruna me detyrë për ata që i bajnë t’i shtrohen kanunit të posaçëm.” (R.Gurakuqi, Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës, 1911, fq. 116-119, cituar nga revista “Leka” 1937/1). Pjesëmarrësit e Kuvendit të Greçes ishin nga krerët më të spikatur të të gjitha krahinave të Malësisë së Madhe, Shqipërisë Veriore e më gjerë deri nga Elbasani, Korça etj. Krerët e kryengritjes të Malësisë ishin: Dedë Gjon Luli (Hot), Dedë Nika, bajraktari i Grudës, Dod Preçi, bajraktari i Kastratit, Tom Nika i Shkrelit, Cal Deda (Selcë), Lulë Rapuka (Vukël), Llesh Gjergji (Nikç), Gjeto Marku (Hot), Mehmet Shpendi (Shalë), Martin Preka (Shkrel), Prel Marjani (Shalë), Avdi Kola (Gimaj), Nikë Mhilli (Shllak), Gjon Gjeka (Trish), Bec Delia e Dash Bajrami prej Nikajve, Pup Çuni, Binak Lulashi etj. Nga Komiteti i Podgoricës morën pjesë Luigj Gurakuqi, Hil Mosi dhe Risto Siliqi. Nga Elbasani Sali Hoxhë Hidri (thuhet se ishte edhe përfaqësues i I.Qemalit), nga Korça Nikolla Lako etj. Këta përfaqësues janë të shënuar në dokumentet zyrtare të kohës e më vonë të historisë, por për arsye që dihen në këtë kuvend morën pjesë edhe përfaqësues të klerit katolik, por që nuk “guxuan” të shënojnë emrat e tyre në memorandumin, që për efekt të ngjyrës të kapakëve të kuq u quajt edhe “libri i kuq”. Mungesën e “guximit” të klerit katolik historianët e mëvonshëm, veçanërisht ata të komunizmit e shënuan në shkrimet e tyre herë si mungesë të klerit në këto ngjarje historike e herë si rol negativ, kur në fakt ishte e kundërta. Gjithsesi tashmë është vërtetuar plotësisht roli pozitiv i klerit katolik gjatë kryengritjes dhe në kuvendin e Greçes. Më të spikaturit janë: Padër Karl Prenushi – famulltar i Vuksalekajve, Padër Lorenc Mitroviq – famulltar i Bajzës, Padër Mati Prenushi – famulltar i Kastratit, Padër Sebastian Hila – famulltar i Rapshës, Padër Bonaventura Gjekaj – famulltar i Grudës, Padër Luigj Bushati – famulltar i Traboinit. (At Gjergj Fishta, “Hylli i Dritës”, nr.9 – 1914). Memorandumi iu dorëzua një kopje Qeverisë së Stambollit dhe një tjetër fuqive të mëdha evropiane me në krye Anglinë. Pas memorandumit, krerët e Malësisë për realizmin e tij bënë një takim në Podgoricë me Ministrin turk Sadredin Beu. Nga ky takim interesant po veçojmë një pjesë nga “Kujtimet e mija” të Dom Luigj Bumçit, botuar në “Hylli i Dritës”, Shkodër 1944/5, ku ndër të tjera lexojmë: “… Para se me hi Ministri, shkova te malsorët e u thashë që të danin një ndër ta që të fliste n’emën të të gjithve. Ndane Dedë Gjon Lulin. Si hime në atë odë, Ministri u fal me ta e u thotë: Zotni, kam ardhë prej Cetine me ju pa. Dedë Gjon Luli po i përgjegjet: S’na ka pas marrë malli për ty. Mua m’u donte me e përkthye. Si u ulëm e ndejëm, po i thotë ministri: Mbreti ju do e ju ka falë. Dedë Gjon Luli nuk e la me mbarue, e me i herë i tha: Mos na e përmend Mbretin pse s’kemi punë me te. Aj as nuk na njeh, as nuk i din punët tona. Por ju qi vini mbas Mbretit jeni te tanë hajna e menafikë, e ju rreni si për ne si për të tjerët. Pra aj nuk ka shka me falë. Atëbotë Ministri sillet kah unë e më thotë: Po pyeti kta zotni, at librin që këta përmendin, a e duen për vedi a për të gjithë Shqipni?… Dedë Gjon Luli ja përgjegjë: Ato pika që janë në atë librin e kuq i dona ma parë për vedi, mandej për Shqipni mbarë…”. Gjithsesi malësorët e më gjerë nuk e lëshuan pushkën krahut duke kërkuar të drejtat e tyre kombëtare, ku minimalja ishte realizimi i 12 kërkesave, që në fakt qeveria turke, me anë të ministrit të saj në Cetinë, Sadredin Beu, njoftoi malësorët për realizimin e memorandumit si më poshtë: 1. Një amnisti e përgjithshme për të gjithë ata që kishin marr pjesë në revoltën e fundit. 2. Malësorët e aftë për shërbimin ushtarak do ta kryenin atë në Vilajetet e Shkodrës dhe të Kostandinopojës. 3. Kajmekami i Tuzit duhej të njihte gjuhën shqipe. Mudirët duhet të caktoheshin në mes të bajraktarëve dhe vetëm kandidatët e zgjedhur prej popullit duhet të uleshin në Këshillin Komunal. 4. Taksat nuk do të mblidheshin gjatë dy vjetëve të ardhshme. 5. Taksa e deles do të pakësohej dhe një projektligj me këtë efekt do të paraqitej në parlament. 6. Mbajtja e armëve do të lejohej për të gjithë, por do të ishte e ndaluar vetëm në qytet e pazare. 7. Një shkollë kombëtare, në të cilën mësimi do të jepej në shqip prej mësuesve shtetërorë, do të krijohej ndër Distriktet e Shalës, Shoshit, Shkrelit, Kastratit, Grudës, Hotit dhe Kelmendit një shkollë për çdo rajon. 8. Në të njëjtat rajone do të ndërtoheshin rrugë dhe rrugë mushkash, në bazë të parimeve të barazisë do të merreshin në konsideratë kërkesat njësoj si për të gjitha subjektet e Perandorisë. 9. Puna për bërjen e rrugëve do të fillonte sa më shpejt. 10. Shtëpitë e dëmtuara dhe të shkatërruara në distriktet e sipërshënuara do të vlerësoheshin prej një komisioni në të cilin do të përfshiheshin përfaqësues të vilajetit dhe përfaqësues të Arqipeshkëvit së Shkodrës. 11. Meqë kredia prej 1000 lirash turke e dhënë nga Sulltani nuk ishte e mjaftueshme, një kredi tjetër do të hapej në të ardhmen. 12. Të gjithë refugjatët që do të kthehen nga Mali i Zi në Shqipëri do të marrin deri në të korrurat e ardhshme një gjysëm kilogrami misër në ditë për kokë, me një dhurim prej 1 lire turke për çdo të rritur. (R.Gurakuqi, Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës, 1911, fq.146-147, cituar nga “The Times”, 1 gusht 1911). Është interesant se kryengritjen në përgjithësi dhe Memorandumin e Greçes në veçanti e kanë shoqëruar dhjetra shkrime të gazetave kryesore të shteteve të fuqishme evropiane ku kampione e paarritshme mbetet gazeta britanike “The Times” (Dhe Taimes), roli i së cilës ishte mjaft i madh në sensibilizimin e shteteve dhe opinionit ndërkombëtar për luftën heroike që po zhvillonin kryengritësit e trevave të Veriut të Shqipërisë me në krye Malësinë e Madhe, kundër një fuqie të madhe botërore, siç ishte Perandoria Turke. Natyrisht është e kuptueshme se memorandumi ishte më i moderuar se kërkesat e bëra në zjarrin e luftës së kryengritësve që kërkonin pavarësinë e plotë, por kjo nuk do të vononte, pasi zjarri i lirisë e pavarësisë ishte ndezur, për të mos u shuar deri më 28 nëntor 1912, kur në Vlorë do të shpallej pavarësia e Shqipërisë. Dhe protagonistët e pavarësisë ishin po protagonistët e Kuvendit të Greçes (Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi), çfarë tregon qartë karakterin kombëtar të kryengritjes së vitit 1911, e jo thjesht si një kryengritje lokale, siç janë munduar e mundohen edhe sot njerëz të letrave me zulm antimalësor, që në fakt zulmin e kanë antikombëtar. Duke dashur ta mbyll këtë shkrim timin modest në përkujtim të 93-vjetorit të Memorandumit të Greçes (që u mbushën më 23 qershor), më shkon mendja se si ka mundësi që edhe so në demokraci, Greça dhe kuvendi i saj të lihet në hije apo harresë, e përkundër kësaj, me pompozitet e banalitet të kujtohen e vlerësohen vende të ndyra, që u vjen era perçe nga dashuria e hazdisur e hamshorëve serbo-malazezë me gratë e liderve të Partisë Komuniste (e P.Punës), që ua dhanë të tilla pasi ua kishin marrë yndyrën. Simbol i kësaj maskarade mbetet Kasollja e Galigatit, ku Enveri i komunistëve kishte kaluar disa netë aty me leje të Dushanit e Miladinit. E për këtë kasolle mjerane që i ndërrohen hunjtë e kashta çdo vit, investoi e organizoi shteti komunist, hapet dhe të njëjtën gjë bëjnë sot socialistët, por tinëz e me të deleguar atje ca kërma komuniste që në fakt janë baballarët e tyre… Mjerisht së fundi më duhet të “pohoj” se Greça dhe kuvendi i saj edhe sot në demokraci vazhdojnë të mbeten “peng” i Kasolles së Galigatit. Se mos në Shqipëri është peng vetëm ky vend e kjo ngjarje…??? Ndue Bacaj
Amaneti i fundit i emigrantit shqiptar në New York Në korrik të vitit 1998, Zef Gecaj erdhi nga Nju Jorku në Shqipëri me merakun për të shkruar një libër për vendlindjen e tij, Nikaj-Merturi. Kur takoi dy historianë të kësaj ane, Dodë Prognin dhe Zef Dodën, bisedoi me ta si vëllai me vëllanë duke u shprehur një dëshirë dhe një kërkesë: “A mund të shkruani një libër për Nikaj-Merturin dhe unë do të marr përsipër botimin e tij? Është vendlindja jonë, me një histori sa të vjetër e të dhimbshme, aq edhe heroike. Brezat e sotëm dhe të ardhshëm, kudo që jetojnë e punojnë, duhet ta njohin atë”. Kërkesa u pranua me dëshirë nga autorët dhe pas një pune këmbëngulëse mbi 4-vjeçare, realizuan amanetin e Zef Binakut në prag të ndarjes së tij nga jeta, duke botuar librin shkencor historik “Nikaj-Merturi”, i pari i këtij lloji për këtë luginë alpine.
Libri “Nikaj-Merturi” Studiuesi Dodë Progni në pjesën e tij të librit, argumenton hershmërinë e banimit në Nikaj-Mertur, nga fundi i epokës së bronxit (mbi 1000 vjet para Krishtit) deri në antikitetin e vonë (shek.V pas K.) duke u mbështetur në gjetje arkeologjike dhe në një literaturë mjaft të pasur, me autorë të vjetër e të rinj, si L.Thalloczy, F.Nopça, K.Steinmetz, F.Prendi, B.Jubani, I.Zamputi, K.Luka, etj. Në veçanti ndalet tek një sopatë bronxi iliro-dalmante të gjetur në fshatin Curraj Epër dhe tek vendbanimet dhe objektet e periudhës romake të gjetura në Varg, Curraj Poshtëm, Mulaj etj., që pasqyrojnë kulturën materiale e shpirtërore të banorëve në atë kohë dhe vazhdimësinë e jetës iliro-shqiptare në këtë luginë. Burime të tjera dëshmojnë për Pultin arbëresh në shek.X-XVI, duke vërtetuar katërcipërisht se Pulti ka qenë një krahinë e madhe mbi Lumin Drin me banorë arbër kristianë, që luftuan me trimëri e guxim kundër pushtuesve sllavë e osman, gjatë e pasj principatës së tyre të Spanëve, dhe se në truallin e Spanëve u formuan “fiset” ose “bajraqet” Shalë, Shosh, Nikaj, Mertur, Gash dhe Krasniqe. Vend të rëndësishëm zë formimi, zhvillimi dhe bashkëjetesa shekullore e banorëve të Nikaj-Merturit. Për t’u njohur më mirë gjeneza, gjenealogjia, shtrirja territoriale e demografike merren veç për Nikajt dhe veç për mërturësit. Kurse aspektet e kulturës shoqërore, materiale e shpirtërore të tyre merren së bashku, pasi vërehen mjaft ngjashmëri. Nga ky këndvështrim sqarohet vendformimi i Nikajt të sotëm ku, siç thotë autori, “mud të kërkohet vetëm në Nikijtë ose në Nikajni”. Nga ky fill del se Nikijtë përmenden në dokumenta qysh në vitin 1330, në qendër të luginës në fjalë (Paplekaj) ku me sa arsyetohet kryepari e kishte emrin Nikë, por në vitin 1628 ky katund del me emrin Nikajni. Ndërkohë dalin vendbanime të tjera si Luzaja më 1335 e Vargu më 1528 (seli këto ipeshkëvnore të Pultit), Zhushi më 1485, Kuqa më 1582 dhe Pjaja e Mavriqit më 1634. Gjithashtu veçohet ardhja e kapitësve rreth viteve 1416-1500 nga Vajushi i Shkodrës, të cilët largohen më vonë kryesisht në Guci dhe një pjesë e vogël bashkëjetoi me vendasit si dhe me të ardhurit e mëvonshëm, nikajt e sotëm. Pas kësaj tabloje jepen nikajt e sotëm me të parin e tyre Nikë Mekshin, vëlla me atin e parë të kolmekshajve të Krasniqes, pa lidhje gjaku me Nikën e Nikijve të mëparshëm. Nikajt e ardhur nga Krasniqja, rreth vitit 1628, ruajtën vendet e shenjta të shqiptarëve të mëparshëm (kishën e Vargut, të Paplekajt e të Luzajës) dhe bashkëjetuan paqësisht me ta, duke luftuar së bashku kundër turkut për tokë, liri, doke, zakone dhe për fe. Pastaj del fuqizimi i Nikajt me fshatrat e sotëm Lekbibaj, Peraj, Gjonpepaj, Curraj Poshtëm e Curaj Epër, kurse banorët e hershëm (si pakicë) të Luzajës, Vargut, Pjajës etj., u larguan nga kishin ardhur më parë, nga Rrafshi i Dukagjinit e Kosova. Si dëshmi e kësaj popullate mbeten jo vetëm toponimet e kishave dhe të vendeve, por mendohet se mbeten edhe banorë, p.sh. vëllaznia e zhivanajve prej Luzajës dhe e ndrevatajve prej Pjajës së Mavriqit. Gjatë paraqitjes së trungut gjenealogjik dhe të banorëve për fshatrat e Nikajt, Progni shkruan: “Me rritjen e popullsisë së Nikajt dhe shtrirjen e tyre jashtë territorit të katundit fillestar, emri “Nikaj” nuk mund të trashëgonte vetëm një vllazni ose katund i këtij fisi. Të gjithë vllaznitë e katundet që u formuan kishin lidhje të barabarta me Atin e tyre të përbashkët, Nikën. Prandaj emri i tij nuk mbeti në një katund të vetëm, por u bë emër i gjithë fisit”. Po kështu trajtohet edhe Mërturi, duke theksuar lidhjen e gjakut me Berishën e Pukës, një ndër fiset më të përhapura të Dukagjinit mesjetar. Pema fisnore e Mërturit të çon në vitin 1270, ku 6-7 brezat e parë janë të përbashkët me Berishën. Emri “Mërtur” jepet patronim i lashtë ose romak “Merituri” dhe jo si emër i atit të parë të fisit, siç ngjet me Nikajt. Pastaj mësohet se Ati i parë, Lekë Pogu, i cili banoi në Mërtur të Gurit, në rrethin e Pukës, dhe formoi bashkësi fisnore e territoriale me emrin Mërtur. Më vonë një pjesë e vogël e tyre kaloi me banim në Arripë të Gurit dhe pjesa më e madhe kaloi lumin Drin. Rëndësi i jepet pasqyrimit të asaj pjese banorësh që kaloi Drinin pas vitit 1536 dhe u vendos në katundet e Pultit të Epër, rreth fisit të Nikajt, me përjashtim të anës veriore të tij. Përdorimi i defterëve kadastralë nxjerr në pah se emrat e vendbanimeve të mëparshme përgjithësisht qëndrojnë si rrënjë e emrave të fshatrave të sotëm, si Brisha (Brisa), Salça (Salca), Palçi, Betuçi (Betosha), Bjakja (Tetaj), Noranja (Raja). Kjo ndodhi kështu pasi banorët e ardhur bashkëjetuan me vendasit që kishin fe e kombësi të përbashkët në principatën e Pjetërspanëve dhe deri në shek.XVIII në përbërje të Pultit. Për më tepër mërturësit, ndonëse ruajtën emërtimet kryesore të banimeve dhe të kishave (kisha e Ançitit në Rajë, e Shnaprendës në Salcë e Blakë, e Shënkollit në Brisë etj.) në shek.XVIII ishin bërë banorë të përhershëm dhe zotërues të vendit me emrin Mërtur. Krijimi i një qendre të re banimi në territorin e Bjakës, me emrin Mortur, shpjegohet: “Meqenëse mërturësit ishin vendosur edhe në fshatra të tjerë, Morturi nuk mund të merret si zanafilla e fisit Mërtur, siç ishte rasti i fshatit-fis Nikaj, që u bë zanafilla e gjithë fisit Nikaj…”. Prandaj Morturi mori emrin e pajtorit të kishës Shëngjergj, Tetaj e Mulaj morën emrin e kryeparëve dhe blakçorët u larguan nga andej rreth vitit 1769. Kështu mërturësit, me lidhje të forta gjaku dhe larg pjesëve të tij në krahun e majtë të Drinit (Mërturi i Gurit dhe Apripa e Gurit), formuan njësi të vetqeverisura në bazë të së drejtës zakonore. Kurse organizimi shoqëror e vetqeverisja, zhvillimi blegtoral-bujqësor dhe zejtar, si dhe lëvrimi i fesë katolike, jepen së bashku në mënyrë mjaft të detajuar për Nikaj-Mërtur, duke theksuar dukuritë e përbashkëta në marrëdhëniet e pronësisë, strukturën organizative, besimin e shumë doke e zakone të tyre. Temat janë të plota, me plot shembuj të argumentuar dhe trajtohen për herë të parë në këtë punim. Gjatë trajtimit të temave të njohura gjenden fakte të reja historike, p.sh. disa historianë e konsiderojnë rrezen e veprimit të kryengritjes së vitit 1911, deri në Dukagjin. Libri vërteton se edhe Nikaj-Mërturi, me në krye Bekë Delinë e Bash Bajramin, ka qenë në Podgoricë për armë, janë ndeshur fytafyt me turqit në Gropën e Zezë dhe me kelmendasit kanë zbrapsur ushtrinë e Et’hem Pashës si dhe krerët e tyre kanë nënshkruar peticionin e kryengritësve ndaj qeverisë britanike më 12 qershor 1911. Pra, kjo tregon dëshirën e nikaj-mërturësve për bashkëpunim krahinor dhe mbarëkombëtar në luftërat çlirimtare për pavarësi. Gjithashtu në mbrojtjen e tërësisë tokësore gjatë viteve 1915-1918, lexuesi gjen qëndresën e nikaj-mërturësve, me komandantët e tyre organizatorë e luftëtarë kundër malazezëve, sukseset, disfatat, heronjtë e krahinës dhe rolin e famulltarëve (Leonard Shajakaj e P.Benardin Llupi) të lënë deri tani në harresë. Pamje tjetër paraqet pushtimi austro-hungarez i viteve 1916-1918. Faqja e parë e “medaljes” del pa konfrontim me austriakët, sepse në vitin 1913 ishte e vetmja fuqi që mbrojti çështjen shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve më 1913, ndihmoi në organizmin e administratës, hapi shkollën e parë shqipe në Tropojë, etj. Por kur varfëria e sëmundjet arritën kulmin, tradita nuk u respektua, terrori u bë i pranishëm (me tortura, burgosje, internime e vrasje) nikaj-mërturësit u detyruan të dalin malit dhe t’i kundërvihen regjimit. Ekspoze interesante paraqet tema “Gjendja ekonomike, politike dhe shoqërore në vitet 1920-1939”, sepse trajtohet krejt ndryshe nga historiografia zogiste e komuniste. Ngjarjet sillen pa anshmëri, me të këqia e me të mira dhe pa e lënë fajtor vend e pa vend A.Zogun, duke u mbështetur në 85 dokumenta të rëndësishme. Kështu, gjatë viteve 1920-1925, destabilizimi politik dhe gjendja e keqe ekonomike çuan në disa kryengritje të armatosura. Varfëri të tejskajshme kishte Nikaj-Mërturi, por qeveria kërkonte taksa të rënda, ushtronte terror e vrasje dhe ngulte këmbë për çarmatimin e popullsisë kur ende ndihej rreziku serbo-malazez. Prandaj banorët u hodhën në kryengritje brenda zone dhe me B.Currin deri në Tiranë gjatë kryengritjes së vitit 1924. Ky kuadër del qartë në Kryengritjen e Dukagjinit më 1926, e cila është quajtur deri tani “një lëvizje e përgatitur përtej kufirit tonë”, me “karakter fetar e separatist” etj., por të dhënat e librit provojnë të kundërtën. Shkaku i kryengritjes është gjendja e vështirë ekonomike dhe terrori, duke portretizuar edhe viktimën e rregjimit, patriotin Gjelosh Rama. Kryengritësit nga Dukagjini dhe Nikaj-Mërturi, kishin në krye jo të ardhurit nga jashtë, por figurat qendrore të bajrakëve si Lush Prela, Lulash Gjeloshi, Deli Sokoli, Mark Sadiku, Murrec Sadria, Dodë Prela, Mark Alia, Fet Sadiku, Sadik Gjoni etj. Gjithashtu provohet se asnjë kryengritës nuk është udhëhequr dhe as nuk ka mbajtur ndonjë simbol fetar. Pra qëllimi i vetëm i malësorëve ishte ndërrimi i rregjimit. Qeveria, në vend që të zhdukte shkaqet e revoltave, i shtypte ato me forcë. Nga ana tjetër, vlerësohen dhe evidentohen reformat shtetformuese të A.Zogut, por, siç thekson autori, “kontradikta midis qeverisë së A.Zogut dhe malësorëve nuk u shua asnjëherë”. Serioziteti i historianit Dodë Progni kuptohet kur shikon 408 referenca të përdorura për saktësim të punimit të tij. Historiani Zef Doda merret me pjesën tjetër të librit “Nikaj-Mërturi”, ku rendit me kujdes mendimet për disa ngjarje të rëndësishme historike. Ai, duke qenë dëshmitar i ngjarjeve gjatë gjithë jetës aktive, që nga koha e Zogut deri në ditët tona, dhe punës pa ndërprerje si arsimtar atje, si dhe duke mundur t’u shmanget mirë trajtimeve historike komuniste, ka arritur për lexuesin një punim të ri, sa i besueshëm aq edhe i vërtetë, pa e ndier aq nevojën për literaturë, ndonëse ajo përfaqësohet nga autorë si C.Libardi, Nd.Nikaj, P.Dukagjini, Z.Cana etj., dhe nga disa burime gojore e arkivore. Megjithëse temat janë të njohura nga lexuesi, disa trajtohen për herë të parë dhe të tjerat kanë gjerësi e thellësi më të plotë se deri tani. Përdorimi i fragmenteve të këngëve popullore dhe thjeshtësia e shprehjeve përmbajnë të vërtetën historike të ngjarjeve. Kështu, të rejat e autorit për kryengritjen e vitit 1910 qëndrojnë në strategjinë dhe taktikën e forcave osmane me në krye Turgut Pashën dhe në vendosmërinë mbarëpopullore nën udhëheqjen e Prel Tulit dhe Mehmet Shpendit. Si prolog i kryengritjes del beteja e Kaçanikut dhe e Qafë Morinës më 1909, shkaku i të cilave ishte zhgënjimi i malësorëve nga premtimet e xhonturqve dhe pasoja ishte acarimi i konflikteve shqiptaro-turke deri në gjakderdhje të madhe. Prandaj situata luftarake u ndez në Nikaj-Mërtur, kur ushtria e Turgut Pashës, nën udhëheqjen e Ali Begut, marrshoi për nënshtrimin e malësive deri në Shkodër. Në etapën e parë të luftës gjen aspekte të hollësishme për qëndrestarët (të Salcës, Palçit e Brisës), për emrat e pjesëmarrësve (Man Avdia, Sadik Gjergji, Deli Tahiri, Vuksan Nika, Çun Delia, Ndue Mehmeti etj.), portretin e prijësit Prel Tuli, bashkëpunimin me Dukagjinin për mbështetje luftarake, evokimin e popullsisë së paaftë, organizimin e qëndresës (në Kodër Palçi, Guri Murg, T’therme), guximin dhe heroizmin e luftëtarëve, sukseset e arritura, të rënë e të plagosur dhe dëmet ekonomike. Kurse etapat e dytë jep mbështetjen masive të Dukagjinit në Qafë të Agrit, nën drejtimin e Mehmet Shpendit, Pep Ndreut, Bejto Ndocit, Deli Marashit, Babun Celit etj., që në marrëveshje me qëndrestarët në fjalë, detyruan ushtrinë e mundur të kthehet prapa, duke mbetur e befasuar se mund të kishte qëndresë të tillë në male. Shkurt, kryengritja shënoi një faqe të lavdishme për liri e pavarësi. Për kryengritjen e vitit 1912 synohet paraqitja e një kuadri të përgjithshëm mbi rrethanat ekonomike, politike dhe shoqërore që bënë të mundur shpërthimin e kryengritjes së përgjithshme mbarëkombëtare. Theksi është vënë në kontributin e 300 nikaj-mërturësve në kryengritjen e Kosovës dhe në bashkëpunimin e krahinave të Malësisë së Gjakovës, duke portretizuar udhëheqësin e tyre, Bajram Currin dhe duke nxjerrë në pah prijës të tjerë, veçanërisht aktin heroik të Ndue Zenelit nga Nikajt. Fitorja u arrit në Qafë Prush, Kosovë e Shkup me ndihmesën e banorëve të kësaj ane. Një vend tjetër zë Nikaj-Mërturi si viktimë e Luftës II Botërore, ndonëse ndikimi i pushtuesve italo-gjermanë është i pakët këtu. Italinët, për të pasur zonën nën kontroll, e kthyen Nikaj-Mërturin administrativisht nga rrethi i Tropojës me atë të Dukagjinit, ngriti administratën dhe organizatat fashiste, vendosi tri posta karabinierie, caktoi rroga paris, mobilizoi njerëz në ushtri e milici etj. Pastaj del reagimi i banorëve ndaj tyre, kryesisht për vështirësi ekonomike, duke dezertuar nga milicia e ushtria. Po aty duket shtrirja e forcave politike si Balli Kombëtar, Legaliteti dhe Partia Komuniste, por kjo e fundit u organizua dhe veproi vonë në krahinë. Balli luftoi për Shqipëri Etnike dhe kundër komunizmit, Legaliteti për monarki dhe për lidhjen me anglezët, kurse komunistët nuk kishin influencë. Në aspektin luftarak dallohet lufta e 150 nikaj-mërturësve në Bytyç të Tropojës kundër gjermanëve, si mbështetës të forcave nacionaliste të G.Kryeziut. Por pika kulmore i takon luftës në Nikaj-Mërtur (nëntor 1944) midis dy brigadave partizane dhe nacionalistëve të krahinave me parti të ndryshme. Nga analiza, autori e vlerëson ngjarjen si një aspekt i luftës civile në vend. Partizanët nuk erdhën për çlirimin e zonës, siç është konsideruar më parë, por për nënshtrimin e krahinës, për eliminimin e kundërshtarëve nacionalistë dhe për instalimin e pushtetit komunist. Luftime pati në Qafë Kolçi e në brigje të lumit të Mërturit, ku Brig.VI detyrohet të zmbrapset nga qëndresa e nacionalistëve dhe nga shkatërrimi prej tyre i urës mbi lumë. Pastaj Brig.XXV i erdhi në ndihmë Brig.VI dhe sulmuan rishtaz duke nënshtruar krahinën dhe duke vënë në përgjegjësi ligjore me dhjetra njerëz të pafajshëm dhe duke i vënë një njollë të zezë vendit që e vuajti gjatë gjithë diktaturës. Ngjarja nxjerr në pah krerët nacionalistë (Mark Tunxhi, Bafti Ndou, Kolë Ndou, Lulash Gjeloshi, Nikë Sokoli, Pjetër Mehmeti etj.) organizatorët, të rënët dhe shkaqet e dështimit të rezistencës. Për vitet e regjimit komunist mund të shkruajnë pak a shumë të gjithë, por tashmë autori Z.Doda e ka shprehur mendimin e vet, duke trajtuar fytyrën e këtij regjimi me shembuj tipik nga krahina. Interesante paraqiten masat represive të sistemit (ndjekje, burgosje, pushkatime pa gjyq), çarmatimi i dhunshëm, arratisjet jashtë shtetit, puna “vullnetare”, lufta kundër fesë, streset e luftës së klasave, zboret e tejzgjatura, kolektivizimi i detyruar i bujqësisë, tufëzimi qesharak i blegtorisë, hapja e tokave të “reja” në dëm të pyjeve e blegtorisë, mbipopullimi i krahinës, rrënimi ekonomik dhe varfëria absolute e banorëve. Nga ana tjetër paraqet arritjet e sistemit në zhvillimin e arsimit, shëndetësisë, transportit, elektrifikimit etj., duke evidentuar kuadrin e lartë sipas fushave të ndryshme, si dhe duke dhënë disa procese demokratike gjatë tranzicionit. Me kaq do të thosha se autorët Dodë Progni e Zef Doda sollën në publik një libër me 270 faqe (të ilustruar me harta, skica e fotografi) që paraqet biografinë e krahinës së tyre. Vepra plotëson interesat e qytetarëve, të nikaj-mërturësve, të historianëve dhe amanetin e Zef Binakut.
Kush ishte Zef Binak Gecaj Në fshatin Palç të Nikaj-Mërturit gjendet një lagje e vogël përtej Kodrës së Palçit me emrin Leri, mbi një tarracë me formë ballkoni kundrejt fshatrave Salcë e Brisë. Peizazhi veçohet nga relievi alpin i gjelbëruar, nga Guri Murg i çarë prej forcave të natyrës dhe prej gjyleve të topave turq si dhe nga maja e Ershellit mbi 2000 m lartësi që shkëlqen përherë prej borës e shkëmbinjve të bardhë gëlqerorë. Atje ndodhet një kullë guri dykatëshe, me frëngji dhe e mbuluar me rrasë, ku lindi më 13 janar 1921 Zef Gecaj, nga një familje e madhe me tradita të mira patriotike dhe atdhetare. Zefi u rrit me energji trupore të admirueshme, sa trungun 5 pëllëmbësh e çonte mbi supe, ndonëse varfëria sundonte kudo nga gjendja e vështirë ekonomike e asaj kohe. U mor me bujqësi, blegtori dhe më pas mësoi mjeshtërinë e drurit. Shkollë nuk kishte, por mësim dhe edukatë mori në odat e burrave ku flitej për kreshnikët, për orë e zana, për bujari e besë, për besimin te Zoti e te feja katolike, për trimëritë e luftëtarëve ndaj pushtuesve të ndryshëm etj. Babai i tij, Binak Delia, me vëlla Qerimin dhe kushëri Çunin, morën pjesë energjikisht në kryengritjen anti-turke të vitit 1910. Për këtë familje, në librin “Nikaj-Mërturi”, lexon: “Mirënjohje kësaj kulle dhe zotit të saj Çun Faslisë së Lerinit, i cili ndihmoi marrëveshjet me frontin e hapur të Dukagjinit, ndërlidhi rregullisht, çoi urdhërat, ndihmoi të plagosurit dhe siguroi furnizimet”. Prandaj shkruan Zefi në kujtimet e tij në vitin 1994: “Ky truall ishtepër mue burim frymëzimi për të dalë luftëtar në mbrojtje të Atdheut, lirisë, fesë, dokeve e zakoneve dhe traditave të mira të vendlindjes”. Aktivitetet e para të tij i ka si patriot në organizatën e Ballit Kombëtar për Nikaj-Mërturin në vitin 1942, duke luftuar për një Shqipëri etnike dhe kundër komunizmit. Komunizmi, me ide e veprime bolshevike, nuk i përshtatej në asnjë drejtim Zefit. Prandaj, në pritat e Qafës së Kolçit dhe në brigjet e lumit të Mërturit, ishte pjesëtar aktiv në qëndresën antikomuniste. Ishte Zefi bashkë me 4 luftëtarë që prishën urën e Mërturit për të mos kaluar forcat partizane vijën e dytë të frontit. Dhe po këta luftëtarë qëndruan heroikisht në Kodër Urvajë, duke e detyruar Brig.VI të kthehet në Tropojë. Por, siç dihet, BRg.VI e Brig.XXV marrshuan për në Shkodër duke vendosur dhunë dhe terror në Nikaj-Mërtur. Në këto kushte, si shumë të tjerë, Zefi mundi të shpëtojë kokën duke u rreshtuar me forcat e ushtrisë. Në vitin 1945 ishte ushtar në postën e Dushmanit dhe më pas në Kodër Shëngjergj, në Abat të Shalës. Gjatë kësaj kohe nisi jetën bashkëshortore me Zojën, vajzën e Mark Ujkës nga Dushmani. Dasma u bë në Leri, ku pati jehonë dhe respekt për ritet tradicionale veriore. Më pas shërbeu në lagjen “Skënderbeg”, Shkodër dhe në Qafë Shtamë të Burrelit si ushtar poste. Por vazhdimisht mbajti lidhje me çetat e malit, që përpiqeshin për ndryshimin e regjimit komunist, duke ende postën ndërmjet tyre dhe duke dhënë armë e municion nga Shkodra kryengritësve të Postrribës. Pasi bie në sy aktiviteti i tij, arratiset me disa shokë nga Qafë Shtama në vitin 1946 dhe rreshtohet me çetën legaliste të Nik Sokolit. Në shtator të këtij viti çeta rrethohet nga partizanët e ndjekjes tek Thepat e Çunit, pranë Qafës së Kolçit, ku çajnë me guxim rrethimin dhe zhvendosen në Karron të Salcës. Atje, pasi bëjnë për vete kryetarin e pushtetit të krahinës, Bedri Hoxhën nga Gjirokastra, mendojnë të arratisen në Greqi. Kur u bënë gati për arratisje, u dha një amnisti dhe shumë pjesëtarë të çetës u dorëzuan. Edhe Zefi, nga lutjet e vazhdueshme të nënës Lenë Gjeloshja, u dorëzua, por menjëherë i vunë prangat. Tashmë i arrestuar, në Kodër Shëngjergj dhe Shkodër përdorën të gjitha torturat ndaj tij, duke nënshkruar një proces të hollësishëm pa asnjë dëshmi për të arratisurit dhe lidhjet e tij me ta. Megjithëkëtë, e nxorën në gjyq me 7 vetë të tjerë, ku mori 15 vjet heqje lirie. Pas 3 vitesh mundi të lirohet nga amnistia e vitit 1949 dhe nga ndërhyrja e të afërmve të nënës tek Beqir Ndou, një titullar i lartë shtetëror që më vonë u dënua nga Partia. Lirimi i tij, pas shumë torturash, u shoqërua me sëmundje të rëndë të tuberkulozit. Në vitin 1950, Zefi vendosi të arratiset familjarisht në Jugosllavi, sepse nuk mund të duronte ndjekjet për çdo hap dhe përgjimet për çdo fjalë, punën angari dhe vuajtjet për bukë misri, persekutimet e pushkatimet në çdo anë të Shqipërisë dhe luftën kundër fesë dhe Zotit. Por me mall u largua nga vendlindja, nga prindërit e vëllai dhe nipat, që e donin aq shumë, me shpresën e kthimit një ditë në vendlindje. Kështu u nis për Shkodër, gjoja për të marrë kripë dhe prej andej u kthye në Theth, ku takohet me bashkëshorten e nderuar, Zojën. Pastaj u bashkua me Mark Palin e Martin Vatën nga Shala dhe u nisën nëpër rrugë të vështira Bjeshkëve të Nëmuna. Kur hynë në bjeshkë të larta, larg fshatrave dhe afër rrezikut të ushtarëve të postës së kufirit, kaluan gërdhata të vështira edhe për dhitë e egra. Siç thotë tani Zoja, “…isha tepër e lodhur nga rruga dhe nga shtatzania, por desht i Lumi Zot dhe kaluam ato humnera plot rreziqe. Arritën në kufi me plagë në zemër për prindërit dhe për Shqipërinë, kthyen njëherë kokat pas, në respekt të tyre dhe zbritën për Guci. Gjatë zbritjes doli patrulla jugosllave dhe tha me zë të lartë “Stoj” (ndal), e cila i dorëzoi në postë dhe më pas i vendosën në një kamp, duke vazhduar hetimet e gjata që përfunduan në Pejë. Në Pejë përsëri jetuan në kapanonet e një kampi të rrethuar, bashkë me disa bashkëvuajtës të sistemit komunist nga Nikaj-Mërturi. Zefi punonte pak në dru frutorë dhe merrtes humë pak të ardhura për familjen. Shpesh herë Udba çonte emigrantë si diversantë në Shqipëri dhe indirekt lajmëronte Sigurimin duke lënë kryet atje shqiptarët ndërveti, por Zefi nuk u komprometua asnjëherë prej saj. Siç shkruan Zefi: “Udba vepronte kështu me nxitë popullin dhe me përmbysë E.Hoxhën, shërbëtorin e tyre të rebeluar, të cilët e kishin vendosur vetë në krye të PKSH dhe e kishin ndihmuar për të shkatërruar nacionalizmin shqiptar.” As kosovarët nuk jetonin mirë. Trajtoheshin keq e paguheshin pak, kishin taksa të rënda, disa cilësoheshin kulakë dhe të tjerë i largonin me dhunë nga vatrat e tyre iliro-dardane, hapën shkolla turka dhe nuk kishte asgjë shqiptare në libra. Prandja jeta e vështirë në kamp, urrejtja e serbëve ndaj mbarë shqiptarëve, gjendja e robëruar në Jugosllavi, me sistem të njëjtë si në Shqipëri, ishin arsyet që Zefi dhe shumë emigrantë të tjerë kërkuan largimin në Perëndim. Pas disa kërkesash, i grumbulluan në kampin famëkeq të Gerovës, ku qëndruan 2-3 muaj. Zefi tashmë kishte me vete edhe tre fëmijë të lindur në Pejë (Angjelinën, Linin dhe Tomën). Në vitin 1955 u del e drejta për të shkuar në Itali, në një kamp në afërsi të Romës. Në Itali qëndruan tre familje në një dhomë për 14 muaj, ku njëri ishte Kol Pali i Pukës. Atje lindën dy djem të tjerë, Mikeli dhe Pali. Gjendja ekonomike mbeti e vështirë, sepse Zefi kreu një operacion të rëndë për shkak të gjendjes së rënduar nga tuberkulozi. Kështu, vetëm Zoja i mbante 5 fëmijët e burrin duke larë pjata me orë të zgjatura. Por në vitin 1959 mundën të shkojnë në Nju-Jork të Amerikës. Kur shkuan në Amerikë, gjendja shëndetësore dhe ekonomike e Zefit filloi të përmirësohet gradualisht. Fëmijët i futi në shkollë dhe Zoja u vendos në punë për disa pallate banimi, kurse vetë u sistemua në një bankë të Bronxit. Shpejt iu bë realitet shprehja e njohur “Të marrtë Amerika me të mirë”. Zefi merrte pjesë në Organizatën Nacionaliste me në krye prof.Vasil Antonin e shumë herë bisedoi për vuajtjet në Shqipëri, për bashkëveprimin me organizata të tjera që të rrëzonin regjimin komunist etj. Nga atje njohu shumë personalitete të diasporës si Dom Prek Ndrevashaj, Dr.Mons Zef Oroshin, At Daniel Gjeçaj (OFM), prof.Martin Camaj, shkrimtarin Ernest Koliqin, prof.Arshi Pipën, dr.Sami Repishtin etj. Shokët e tij të ngushtë, krahas Vasil Antonit, ishin avokati Nihat Bakalli, Ramazan Turdiu etj. Gjithashtu Zefi zhvilloi aktivitet të gjerë fetar duke çuar meshë e lutje për të hequr regjimin ateisto-komunist në Shqipëri, duke ndihmuar në ngritjen e kishës katolike të Nju-Jorkut dhe duke marrë pjesë në shtegtimet shqiptaro-amerikane në Evropë. Midis tyre gjendet më 1968 te Papa Pali VI, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti dhe në festën e Pavarësisë së Atdheut. Më 1988 ishte te Papa Gjon Pali II dhe më 1993 po me të në Shkodër. Shumë herë ka shkuar edhe në kishën amerikane në Chappoqua, ku ishte zgjedhur në këshillin e saj. Shumë kujtime ruhen për Zefin në diasporë. Ja ç’thonë vëllezërit Pjetër e Marash Mernaçaj: Pjetri e kujton Zefin “si njeri fjalëmbël dhe me buzëqeshje fisnike, bujar e mikpritës në shpirt, i dashur dhe i drejtë. Po të rrije me të, fliste ngadalë e plot lezet dhe të bënte me e dëgjue deri në fund”. Kurse Marashi, thekson se “Zefi ishte i respektuar nga të gjithë shqiptarët e diasporës, sepse punonte për mirësi dhe jo për lavdi, mos me mujtë kurrë me u ba me nerva dhe kur të shihte nervoz mundohej me të largue mërzinë, i ndihmonte shokët me gjetë punë. Dollarët i shpenzonte për shkollimin dhe edukimin e mirë të fëmijëve”. Këto virtyte të mira i edukoi edhe te fëmijët. Të gjithë i pagëzoi me emra shqiptarë, Lini e Toma dolën oficerë policie dhe punuan deri sa dolën në pension me FBI, Pali doli ekonomist dhe Mikeli shofer. Me rritjen ekonomike, Zefi bleu në vitin 1989 një shtëpi të madhe në Chappoqua. Ajo është një mrekulli e vërtetë, ku ka mjaft ornamente e motive shqiptare. Në odën e pritjes qëndron flamuri shqiptar, Gjergj Kastrioti, Nënë Tereza etj. Pra, është një shtëpi e madhe, jo vetëm nga përmasat, por edhe nga njerëzit (djem e reja, nipa e mbesa). Në këtë shtëpi kam qenë dhe kam biseduar gjerë e gjatë me Zefin, por e kishte pikë në zemër që nuk mundi të komunikonte me letra dhe as t’i shihte për së gjalli prindërit e vëllain Ndue. Ai, midis të tjerash, më tha: “Sot jetoj këtu dhe me mendjen e zemër jam në Shqipëri, ku dëshiroj e shpresoj lulëzimin e saj demokratik. Për këtë kam ëndërruarm, punuar dhe luftuar pa kursyer as jetën”. Pas vitit 1990 erdhi pothuajse çdo vit në Shqipëri, sepse donte t’i linte dy djem të lidhur fort me vendlindjen me anë të martesave. Dëshira e tij u bë realitet kur Toma pëlqeu të martohet me Mirlandën nga Shoshi në vitin 1996 dhe Mikeli pëlqeu martesën me Mirelën nga Shala. Tërhoqi nga Shqipëri djalin e vëllait, Gjergjin, dhe e sistemoi me shtëpi e punë në Nju-Jork. Pati edhe një amanet, për librin “Nikaj-Mërturi”, i cili u bë realitet si më sipër. Por sëmundja e rëndë e ndau nga jeta më 25 qershor 2003, në moshën 82 vjeçare. U përcoll me nderime nga njerëzit e vet, të afërmit, miqtë dhe shokë të diasporës për në varrezat e Gaytes Haven, Weschester, Nju Jork. Njerëz të tillë nderojnë jo vetëm Shqipërinë, por edhe Amerikën e madhe. Kujtimi i tij qoftë i përjetshëm! Kolë Progni
“Dimri i Kadaresë dhe dimrat e shqiptarëve Emnin e sajë të vërtetë përse nuk e përmendë autori?! F.86, r.12 “Sa për shoqen që kishte sjellë Mariana në atë shoqri ishte e qartë se nuk e pëlqenin të kërcenin me të”. E çfarë shoqnije asht ajo që pranon ta fyej deri në atë shkallë, nji vajzë të ftueme nga nji shoqe e tyne?!, pastaj në gjuhën e shkrimtarve nuk thuhet kërcen në mbramjen e vallzimit, por vallzon. F.86, r.33 “Pyetën pijanecin se mos kishte parë në bulevard dy vajza me nji djal”. Si mund të pyetet a ke pa në shëtitore 2 vajza me 1 djal?! Kur andej mund të kalojnë mijëra kësi treshesh. F.87, r.78 “Në të gjithë strukturën e eshtrave të krizës, gjatucë, shtrihej nji pikllim”. Si mund të shtrihet pikllimi në eshtna?! E mund të ekzistojë ndonji hiperbolë kaq e papranueshme?! F.88, r.26 “Mira po kërkonte në syrtar nji peshqir të thatë”. Si mund të ishte futë në syrtar peshqiri i lagun?! F.90, r.13 “Darka ishte si nji kal i hazdisur”. Me kal të hazdisur do të mund të krahasohej 1 njiri i hazdisur. Aty ishin shumë njerëz. Në asht fjala për darkën si gjellna, ato janë të pakrahasueshme me kal të hazdisun. F.92, r.21 “Në sipërfaqen e trazuar të kujtesës së tij”. A asht e përcaktueme nga mjeksia sipërfaqja e kujtesës?! F.92, r.26 “Hija e 1 njiriu zvoglohej e zvoglohej, si orët e jetës së tij”. Orët nuk zvoglohen, as nuk shkurtohen, shkurtohet jeta me kalimin e orve. F.93, r.24 “Mendoi me një gëzim, pothuaj tragjik”. Vallë si mund të quhet gëzimi tragjik, kur gëzimi asht ekstremi i nji mjerimit tragjik. F.93, 3.26 “Gjith aj kompleks pjatash”. Kompleks nuk mund të thuhet për pjata, por për 1 grup të vogël kangtarësh, a instrumentistash, ose për 1 problem të vështirë me u zgjidhë. F.95, r.11 “Sinjalet e përgjumuna kishin në grihin e tyne nji gja të paafrueshme”. Sinjali po të jetë i përgjumun, pushon si sinjal. Kishin në grihin e tyne nji gjë të paafrueshme. Fjali që nuk i jepet maje. F.96, r.1 “Sinjalet e aeroportit për Zanën ishin ca njerëz të pandërgjegjshëm e hallexhi”. Si mund të jenë sinjale njerzit, si mund ta dinte Zana se janë hallexhi, atë veç në qoftë se e ka ditë ngase në atë kohë hallexhi ishte i gjith populli shqiptar. F.97, r.13 “Zana nuk i hiqte sytë nga aeroplani gjigant”. Si mund të ishte ai aeroplan gjigant, në kushtet e athershme të aeroportit tonë?! F.98, r.2 “Njerzit për të parë më mirë, ngrejnë kokat e ngriheshin në themrat e këmbëve”. Themrat dihet se janë të kambve, lind pyetja: a ma mirë shihet nga lart-poshtë duke u ngritë në majet e gishtave të kambve, a në themra?! F.99, r.1 “Dera e avionit u zgjat si gojë drejt tij”. A i afrohet dera Besnikut, a Besniku derës?! Pastaj goja nuk zgjatet. F.100, r.23 “Ky njeri nuk kishte asgjë që të kujtonte traktatin në mes shteteve”. Si mund të ekzistonte nji njeri që të kujton me pamjen e tij traktatet në mes shteteve?! F.103, r.30 “Po të mos bënte aq ftohtë, Besniku do të buzëqeshte”. Pse, a vetëm në mot të ngrohtë buzëqeshet?! F.103, r.22 “Qielli i pafund, deri në shqetësim”. Çfarë shqetësimi sjell qielli i pafund, kur dihet se qielli asht i pafund?! F.104, r.11 “Grumujt e borës po përpiqeshin t’i shtynin jetë ditës, por ishte vonë”. Thuhet me zgjatë jetë, jo me shty jetë e si mund të përpiqen grumujt e borës me i zgjatë jetën ditës?!, por ishte vonë. Çfarë don të thotë në këtë rast “por ishte vonë”?! F.104, r.18 “Bora kishte nji heshtje të çuditshme”. Përse e ka të çuditshme heshtjen bora?! Mos vallë bora ka heshtje të ndryshme?! F.104, r.13 “Drujt e rrallë aty-këtu e kishin pranuar prej kohe vetminë e plotë të asaj dëbore”. Se mos i kishte pyet bora a jeni dakort. F.108, r.5 “Po ngrysej, ishte nji orë kur nuk mund të punohej”. A ka ndonji orë kur njeriu nuk mund të punojë, qoftë ajo edhe orë e natës?! F.108, r.14 “Të gjitha ishin vila partie”. Jo partie, se partia përbahet nga njerëz të rëndomtë, por të udhëheqësave të partis. F.109, r.13 “Ata vrisnin çdo qenie të gjallë, zogj, bisha të egra, gjarprinj, e megjithatë e fshehta nuk u mbajt dot”. Bishë të butë nuk ka. F.112, r.4 “Nji aviator i don gjithmonë vendet e vogla”. A ka mundësi çdo aviator me pasë të njëjtin mendim?! F.117, r.23 “Fluturimi ishte diçka i ngjashëm me leximin e një teksti latinisht”. Çfarë ngjashmrije ka fluturimi i avionit me leximin e nji teksti latinisht?! F.123, r.4 “Një seks tinzar, shkonte aty-këtu në atë darkë”. Çfarë seksi tinzar, mashkull a femën e përse të quhet seks tinzar?! F.125, r.23 “Varre, Lula u ba si opera”. A opera, apo si opera?! Mos vallë varet e lulet e përbajnë operën?! F.125, r.5 “Ata shfaqeshin në horizont”. Asht fjala për në nji mbrëmje vallzimit. Çfarë mund të quhet horizont në nji sallë vallzimi?! F.125, r.9 “Prapashtesat e tyre ou e isk valonin në qenien e tyre si eshtra e si krah peshku”. Krahë të çfarë peshku?! Peshku a ka krahë, apo fletë. F.125, r. i fundit “Mëngjesi hidhte mbi ëndrra një ndriçim të turbullt, gëlqeror”. Ndriçimi nuk mund të jetë i turbullt, se ma gëlqeror jo e jo. F.127, r.2-3 “Më falni, tha Andropovi, se erdha pa ju lajmëruar”. Si mund të shkojë befas e fillikat vetëm nji figurë politike si Andropovi tek Enver Hoxha?! F.129, r.1 “Forma e tryezës bënte që heshtja të ndihej më shumë”. Sikur të ndihej nuk do të ishte ma heshtje, e nëse do të flitej për diçka që ndihet, cila formë e tryezës e shton të dëgjuemit?! F.131, r.14-15 “Kontra-admirali juaj, gjithçka mund të jetë, por kontra-admiral nuk është”. Grada asht e aftësisë se asaj dege e jo e karakterit. F.131, r.24-25 “Nuk mund të dorzohet nëndetset se erdhi dimri e ka shumë dallgë”. A nuk lëvizin nëndetse kur ka shumë dallgë?! Përse erdhi dimri, a nuk pushojnë dallgët asnji herë gjatë kësaj stine?! F.132, r.18-19 “Sy të piklluar prej armeni”. Pse, të gjithë sytë e armenve janë të piklluem?! F.127, r.9 “Enver Hoxha solli sytë nga dritarja dhe mbet pak i habitur se përjashta kishte filluar të binte dëborë”. Autori e ka fjalën për në Moskë në nandor. Pak i habitur, nuk thuhet, pasi habija nuk asht sasijore pastaj përse të habitej që në Moskë mund të bijë borë në nandor?! F.137, r.28 “Ajo që në rrethana të tjera do t’ishte dukë absurde, tani që po shikonte borën, iu duk 1000 herë ma absurde”. Përse e shtoka bora 1000 fish absurditetin?! F.141, r. i fundit “Ma e vështirë tha Enver Hoxha asht të përkthesh dialogun e kësaj drame se Eskilin”. Mos vallë ma i vështiri për t’u përkthye asht Eskili?! F.142, r.4 “U ba një heshtje delikate si nji qelq i madh”. A sa ma i madh të jetë qelqi, aq ma delikat asht?! F.145, r.15 “Duke hapur me mëshirë zingjirët e çantave”. Çfarë mëshiret nevojitë hapja e zingjirëve të çantave?! F.145, r.21 “Ata memzi prisnin rastin për një masakër të re në çanta”. Cila ishte arsyeja e masakrimit të çantave?! F.146, r.14 “Delegacioni shqiptar as nuk u ngrit, as nuk duartrokiti”. Ky gjest a i përkiste edukatës?! F.146, r.21-22 “Përpara tyre nxinin çantat si në një gosti anormale, absurde dhe të përjetshme”. Një gosti mund edhe të shndërrohet në anormale e absurde, por e përjetshme si mund të jetë?! F.147, r.11 “Sidomos kopsat e ruanin një të fshehtë”. Çfarë të fshehtet mund të ruejnë kopsat?! F.147, r.20 “Kishin sjellë një govatë me ujë e krypë”. Autori e ka fjalën që me at ujë e krypë shëronin duart e gjakosuna nga duartrokitjet. A mund të quhet gjetje kjo?! F.152, r.5 “Qielli ishte i shterpët, pa kontura reshë e horizontesh”. A ka si të quehet shterp qielli aq i pasun gjithmonë?! F.154, r.2 para fundit “Fjala kurr vërtitej përmes heshtjes si një shpend dimror”. Po të vërtitej fjala përmes heshtjes, ajo do ta thente heshtjen e si mund të krahasohet fjalë me nji shpend dimnor?! A mund të imagjinohet fjala “shpend”?! F.155, r.1-2 “Gandi i ngjante një varfanjaku që i ishte afruar heshturazi një sherri”. Si mund të quhet varfanjak figura madhore e Gandit?! Ai ishte nji bust i vendosun aty, jo i afruem. F.155, r.21 “Enver Hoxha kishte fluturuar gjatë gjithë ditës me një aeroplan ushtarak për të arritë në Moskë”. Ul Mushak. F.155, r. “Tasat e mbuluar me kapak dukeshin si enigma”. Çfarë enigme mund të shtihet në tas e ta mbulojë kapaku i tij?! A i ngjet tasi i mbuluem me kapak enigmës?! F.156, r.11 “Enver Hoxha e tundi kokën një copë herë”. Një copë herë nën. F.160, r.14 “Enver Hoxha i ra tryezës me grusht në zyrën e Krushovit, e ata në vend ta arrestonin, u nguruen”. F.161, r.10 “Hieroglife kërcnuese”. Çfarë kërcnimit mund të bajnë hieroglifet?! F.161, r.1 “Pamja e grumbujve të dëborës ishte shtypëse”. Çfarë do të thotë pamje shtypse?! F.161, r.23 “Taman borë e vdekur”. Çfarë dallimit ka bora e vdekun nga e gjalla?! F.162, r.2 “Asgjë e partisë tonë të mos tingllojë si serenatë nokturne”. Ktu do të mjaftonte fjala serenatë, mbasi serenata ditën nuk bahet. F.164, r… “Buzqeshje neutrale”. A ekziston buzqesha neutrale dhe cili asht kuptimi i kësaj lloj buzëqeshjeje?! F.165, r. “Në kohën që ata po shkulnin nga tamthet tentakulat mizore të kufjeve të cilat linin me siguri gërvishtje e plagë të tmerrshme aty ku ishin ngulur”. Në qoftë se ka ndonji gja mizore në këto fjalë, asht formulimi i tyne nga autori. Si asht e mundun të shkaktojnë gërvishtje e plagë mbajtset e kufjeve?! E kush do të pranonte me vu kufje të tilla?! Sipas këtij përshkrimi shpiksi i kufjeve asht shpiksi i nji torture. F.165, r. i parafundit “Ai e hapi gojën shumë ma tepër se ç’ishte e nevojshme për të krijuar fjalët”. Hapja e gojës ai flet, a i krijon fjalët?! Unë për si e dij, goja flet fjalët e krijueme. F.167, r.6 “Ç’kërkon z. Enver Hoxha, thirri Dolores Baruri”. Nji komuniste si Baruri nuk i thotë nji komunisti zotni. F.166, r.29 “Ai trishtim Spaje, iberikësh”. A ndryshon trishtimi spanjol nga të tjerat trishtime?! F.167, r.8 “Kjo mbledhje është vetëm sy”. Sipas meje kjo fjali nuk shpreh asgja. F.167, r.3 “Nga shumë drejtime të ndryshme ndiheshin shikime njerzish”. Shikimet nuk ndihen, por shihen. F.170, r.6 “Hapnin krahët tragjikisht”. Si mund të quhet hapje tragjike e krahve?! F.171, r.20 “Enver Hoxha kishte vënë përsëri kufjet”. Pak ma parë autori na tha se kufjet shkaktojnë gërvishtje e gërvishtjet plagë të rënda, si e pranoi Enver Hoxha torturën e kufjeve?!, e vazhdon “Ai nuk dëgjonte fjalë, veç intonacione”. A veç sa me dëgjue intonacionet i vuni sërish kufjet?! Vetëm për hir të intonacioneve e pranoi gjithë atë sfilitje?! F.176, r.6 “Minutat po kalonin me shpejtësi e ngadalsi”. Dy të kundërta për nji herë nuk kanë si ngjasin e sidomos ky rast nuk e justifikon antitezën që përdor autori. F.176, r.14 “Ishte goditja e një rrafshire”. Rrafshira nuk qëllon askënd e asgjë. F.176, r.17 “Njerzi po blenin gazeta, njerzit ishin absurd e gazetat ma absurde”. Nga i njeh autori këta njerëz se qenkan absurd?! F.177, r.10 “Shifrat e orareve mbi dyert e kafeve kishin vdekur”. Mbi cilën derë kafeneje shkruhen shifra e përse shkruhen?! Nuk e justifikojnë lejimet letrare vdekjen e shifrave. Për shifrat mund të thuhet fshihen ose shlyhen. F.177, r.12 “Tek baraka e vogël vazhdonin të shiteshin gazeta, qysh prej fillimit të botës”. As hiperbolat nuk janë të pakufishme, biles kur e stërkalojnë kufinin si në këtë rast, bahen shumë qesharake. F.177, r.2 “Kampi socialist kishte humbur gjumin e unitetit”. Ndoshta krenat e shteteve të kampit socialist, popujt as gjumin, as unitetin, e vazhdon “E nuk flinte ma”. Kur të thuesh ka humbë gjumin, nënkuptohet se nuk ka si flenë. F.180, r.1 “Në këtë kohë Enver Hoxha, qe autori ma shumë aludon se përmend, bashkë me delegacionin shqiptar udhëtonte në vagonin e trenit Moskë-Varshavë”. Lind pyetja, sa mirë qe i zoti t’i binte grusht tavolinës në zyrën e Krushovit e nuk qe i zoti t’i siguronte vetes e delegacionit të tij 1 aeroplan Moskë-Tiranë?! F.192, r.2 “E nji të qeshur prej mvarsi”. A nuk e ngacmon e qeshuna edhe mvarsin si eprorin?! F.192, r.9 “Duke mbyllë njërin sy në mënyrë familjare”. Si asht xhanëm kjo mbyllja e synit në mënyrë familjare?! F.197, r.16 “Besniku pau ambasadorin sovjetik duke biseduar me një zezak e i erdh për të qeshur”. A asht ky shkak nxitës për me qeshë?! F.198, r.5 “Megjithse shifrat e orareve ishin po ato, u kishte ndodhë diçka të djelave planeve të martesave, mobilerive, autobuzave, ishte tamam luftë”. Në atë kohë luftë në Shqipni?! Po me kë?! Ndamja nga kampi socialist ishte shkëputje, jo luftë. F.203, r.1 “Po ankoheni i pyeti Besniku plepat se nuk u kam përkthye mirë?”. Si mund të përkthehen plepat?! F.207, r.34 “Plaga ishte malësuar”. Folja kadariane me malsue nuk asht shpikë natyrësh si edhe folja drusue, apo fjala burrvdekur, ngase “S” e këtyne foljeve nuk gjindet në asnjë rasë të emnave mal as dru. Ndërsa burrvdekur, thuhet vejane, ndajpo të thuhet burrvdekur, do të duhej thanë edhe gruavdekur, apo djalëvdekur e të tjera. F.209, r.34 “Me pague 18 vjet, as piramidat e Egjiptit nuk kanë vazhduar kaq kohë”. Jo nuk kanë vazhduar, por nuk ka zgjatë ndërtimi i tyre se me vazhdue do të thotë me vazhdue ekzistenca e tyne. F.210, r.7 “Të krijonte ajo marrdhënie me një tjetër që mos të mund të vërtetësohej atsia e fëmijës”. Kjo do të mund të ndodhte nëse nuk do të ekzistonin analizat mjeksore. F.211, r. i fundit “Kjo gjë iu duk e largët dhe e pabesueshme, si vdekja”. S’ka gja ma të besueshme se vdekjen. F.212, r.9 “Rruga dukej sikur do të shtremrohej nga dyndja e kalimtarve”. Me çfarë lante të shtremnueshme ishte ndërtue ajo rrugë?! E këtu asht fjala për nji rrugë shetitorje. Ka disa hiperbola që i thonë shkrimtarit kujdes në përdorimin tim. F.212, r.12 “Kishin blerë greipfrute”. Lexuesi duhet të dijë anglisht për me e kuptue këtë fjalë. F.215, r.5 “Ideja se ata po shkonin në ndihmë të dikujt, Zanën e rrënqethte”. A rrënqethej ngase e urrente apo ngase i dhimseshin viktima, autori nuk u jep përgjigje këtyne pyetjeve. F.214, r.6 “Kuja madhështore e sirenës, çante qiejt e hapur”. Si mund të quhet madhështore kuja?! F.216, r.14 “Xitela i shau Rrema gjethet”. Përse qenka fjalë fyese “xitel”?! Si mund të krahasohen gjethet e fundit të vjeshtës me xitela, që do të thotë vajzë e pamartueme. Pak ma tutje “1 katror drite dimrore”. Çfarë ndryshimi ka drita e nji tjetër stine nga drita dimnore?! F.220. r.15 “Në qoftë se nuk do të ketë telefon tjetër, do të fle edhe pak”. F.233, r.23 “Bedrije, a të tha njeri ta heqësh portretin e Krushovit?” Heqja e portretit të Krushovit për arsye politike do të fillonte nga komiteti qendror, jo nga institucioni i mesëm ku pastron Bedrija, si u lashka në dorë të pastrueses dhanja e shenjit të nji prishje aq të randsishme?! A mund të hahet me e marrë vesht Bedrija sekretin e prishjes ma parë se mijra zyrtar e politikan rrangu në të gjithë Shqipninë?! F.224, r.13 “1 ndjenjë e hidhur po ngjitej në qenien e tij”. Ndjenja a ngjitet në qenie, apo zbret në qenie?! F.225, r.26 “Raqi e shokët e tij po zbrisnin tek ata në formën e trokitjes së natës, tring, tring, tring”. Cila zbritje asht në formë trokitje?! A trokitet tak, tak, tak, apo tring, tring, tring. Për si e dij unë trin tringllon zilja. F.226, r.26 “1 lëng i verdhë hëne rridhte e rridhte”. Drita s’ka si të krahasohet me lang. F.226, rreshti i parafundit “Me siguri drama e madhe e qenve do të kishte ndodhë dikur në kohrat primitive, në ndonjë natë hane”. A e njeh historia këtë dramën e madhe të qenve?! F.228, r.23 “Në ecjen e pasagjerëve të trenit Durrës-Tiranë kishte diçka nga dhuna e nga pushtimi”. Çfarë dhune e pushtimi mund të ketë ecja e pasgjerëve?! F.228, r.5 “Ishte marrshim somnambule”. Pasagjerët shumës, somnambula njëjës. Si mund të krahasohet ecja e pasagjerëve me 1 marrshim somnambule?! F.229, rreshti i parafundit “Ai e ndjeu se ajo e vështroi”. Vështrimi ndjehet apo shihet?! F.230, r.10 “Ndoshta nga shoqrimi me djem të tillë, që shkojnë jashtë shtetit, sytë e tyre bëheshin misterioz”. Ata që shkojnë e vijnë nga jashtë shtetit t’i bajnë sytë me qenë misterioz?! E përse ndodhte kështu?! F.233, r.10 “Jo se druvari thrriste “Dru me pre” donte të presë dru, por për të bërë njerëzit me nerva”. Përse të bahen njerëzit me nerva kur thrret druvari “Dru me pre”. F.233, r.24 “Ajo kafshonte gishtat me duar”. Gjetja e kësaj figure letrare asht e gabueme, por gishtat e njanës dorë, gishtat e tjetrës. F.235, r.5 “Urrejtja ngjet me atë këmishën e palarë, që kur e hedh në qoshe, fillon të mbajë një erë të stërkeqe”. Urrejtja mban erë të keqe kur e ke, jo kur e hedh. Hedhja tej urrejtjen e mbyt. F.235, r.8 “Buzëqeshja vesh në vesh “. Vesh në vesh mund të qeshet, jo të buzëqeshet. Buzëqeshja asht sinonim me nënqeshjen. F.237, r.1 “Diçka ka ndodhë, atje larg në shkretëtira”. Nurihani e të deklasuarit e tjerë nuk janë aq pa kulturë sa të mos ia dinë emnin Rusisë e Bashkimit Sovjetik. F.237, r.30 “Sytë e tyre të rrumbullakët e të mpirë si xero prapa shifrave”.
Gjokë Vata vijon |