Nr. 72 i gazetës në print

0
Falsiteti e fryma e vetpushtimit pjellin vetëm sisteme imorale e kriminale

Tuj iu bindë moralit, për të mos e zhgreh muhabetin krejtësisht siç e meriton për hatër të disa gjërave më të mëdha e fisnike, por edhe me njetin e mirë të një qytetari, por edhe tuj u matë të mos gaboj, më duket se koha i ka ardhur disa gjërave t’i themi siç janë, ku pa pikë friget ma për dreq s’ka ku shkon se me falsitet nuk kalohet jeta. Përndryshe falsiteti kthehet mjet pune e jetese, ideal e çdo gjë bashkë me të. Ky do ishte fundi jonë, i qenies shqiptare. Sa për ta bërë të besueshme këtë po jap vetëm një shembull, ku siç shihet konkretisht del se si ne i bëjmë shkrimet në gjuhën standard, vetëm e vetëm për diçka më të madhe se ne, por ama të jem i sinqertë, në mënyrë absolute familjet bashkë me fëmijët, në Shkodër ruajnë e përdorin në çdo ambjent gjuhën shkodrane, e këtë Shkodra e bën me fanatizëm e mir bën se gjuha, doket, besimi, janë gjëra të shenjta, janë pasuria reale e jonë e ne jemi një pjesë e saj por kalimtare, kurse ato janë të përjetshme, janë vetë Shkodra në të mirë e në të keq e s’ka tjetër, bile as që mund të vihet në diskutim. Mbasi fjalët e vjetra kanë vlerë aktuale edhe sot, më pëlqen të përdor në shkrimet e mia vetëm për faktin që del i kuptueshëm shkrimi, mendimi, muhabeti apo edhe shamata pa sherr, kjartë e bukur të bardhës thuaji e bardhë e të zezës kurum thuaji e zezë, por mvaret se si kuptohesh mirë apo keq kurrë mos pretendo se pse e thashë unë ashtu është, por edhe s’ka arsye të tërbohet kush për mendimin e tjetrit. Ne nga Shkodra i themi “qesh e ngjesh”, “përralla në lesh e e mira prej nesh”, thelbi i kësaj bisede është t’i ikim përrallave e të flasim se si të mirat don Zoti të vijnë prej nesh kur ka transparencë, qytetërim e civilizim, e kur gjërat thuhen troç e me qëllim të mirë ke arsye të ulesh e të besosh në mirëkuptim, mirëbesim e të pretendosh për zgjidhje të problemeve. Sa kena me ia arritë kësaj shohim, se gjatë historisë tonë ne ia kemi arritë kësaj mrekullie në sajë të patriotizmit, besës e burrërisë. Sot e kemi shumë të vështirë se patriotë të besës e burra gjen pak, atëherë zgjidhje për mendimin tim por edhe e besueshme është fjala carta canta ose shqip letra këndon. Për të mos e zgjatur duhet dokumentuar siç i kanë shtetet e përparuara të shkruar në letër por edhe të zbatueshme në realitet ku nuk të lë shteg për keqinterpretime ose ndryshe përballesh me ligjin. Këtu tek ne ndryshon puna, se fjalët mbesin veç fjalë e asgjë më shumë, duke mos paragjykuar askënd, se shpirtin nuk ia dimë askujt, mund të ketë edhe që flasin seriozisht por populli ngaqë është toçë (ngopë) me rrena, edhe atij që e ka seriozisht s’i beson, përkundrazi e nënçmon. Atëherë si i bëhet kësaj pune?

Prandaj duhet ta diskutojmë këtë muhabet e ta mbyllim atë kapitull njëherë e mirë, barabar për të gjithë, ku kushtetuta të lexohet për së mbari e jo për së mbrapshti. Gjithashtu ëndërrojmë një shtet tërbjet (që i bën zap) ndaj krimit, korrupsionit e pabarazisë. Po mundohem ta bëj këtë shkrim si bashkëbisedim, po ia nisi me: e tha, s’e tha, kush e tha, pse e tha, si e tha, çka iu desht me e thanë, kush ia tha, për çka e tha, ia tha në sy, ia tha mbas shpine etj., etj., që përmblidhen me fjalën “sa thana janë, kokrra nuk bajnë”. Kështu shkon jeta e shqiptarit e fatkeqësisht kështu e kalojnë kohën shumica që nuk kanë faj, se fundi i fundit pa pare e kanë, prandaj nuk kursehen mbas këtij vesi idiot ardhur nga pushtuesit që futen në mentalitetin shqiptar e thënien “me ujin, me zjarrin e me zabitin mos luaj”. Por si i thonë “nami u baftë” nuk po i ikim zakonit e po themi diçka që ia vlen të thuhet se është e rëndësishme sa vetë jeta se flet pikërisht për jetën e njeriut e të drejtat e tij. Ajo çka është për t’u thënë thuaje, mundësisht si është për t’u thënë. Më duhet të shpjegohem, as më kishte shkuar ndërmend t’u përzihesha gazetarëve se nuk është zanati im, por duke parë që shtypi anashkalonte në probleme anësore apo sallat-mendim, thashë, lëviz një fije e bjeri direkt atje ku ia vlen, tek mentaliteti vetpushtues që dominonte në logjikën e disa shqiptarëve e i kthyer në zakon, i ardhur nga pushtuesit por edhe i imponuar nga komunistët shqiptarë tash 60 vjet, por ka diçka që duhet theksuar e lavdëruar ka gati një vit që shtypi e opinionistët duhen përshëndetur për frymën e guximshme qytetare që po shpërndajnë për qytetarët shqiptarë e rezultati shihet se ka sukses, që shqiptarët dita-ditës po e kuptojnë se çfarë përgjegjësish e të drejtash kanë e si i takon për t’i pasur. Për të transmetuar këtë frymë nuk është e lehtë, se për Zotin kemi ra në hall me disa piça, sa herë mundohena me i thanë gjërat ashtu siç janë e me qëllimin e mirë për të nxjerrë në pah vlerat fisnike tonat, në moment tak-fap tërbohen shumë vetë e kërcejnë përpjetë duke nxjerrë dhëmbët që ne të friksohemi apo të heshtim, diçka s’na shkon ndërmend duke i lënë të qetë në livadhin e tyre Shqipërinë, se e dinë pronë të tyren, prandaj për ta të kërkosh të drejtat e tua është sakrilegj, se janë mësuar të livadhisin e të bëjnë tregti me fatet e të tjerëve. Ama ata duke qenë koshient se koha e tyre po perëndon, se i ka çuar Zoti me u përballë me një hundëlesh që s’i hap rrugë, e ky është shteti amerikan, atëherë tërbohen e s’dinë çka bëjnë, e ngaqë u ka hyrë frika në palcë, lozin pjesën si perëndimorë, e në anën tjetër mundohen me të gjitha format perverse të jenë përsëri të parët e këtij vendi, duke u bërë ferri i këtij populli saqë i kanë detyruar shqiptarët të marrin rrugën e kurbetit, si i vetmi mjet shpëtimi për ta e të ardhmen e tyre. Kjo pra është tragjedia e kulmi i poshtërsisë. Atëherë si dreqin duhet të heshtim duke pranuar këtë realitet qelbanik. Ne shumë pak flasim e veprojmë, për çka është për t’u folur, e bile nuk është çudi aspak, por duhet bërtitur deri në kupë të qiellit për të dëgjuar ato që duhet të dëgjojnë se përndryshe këtë vend e ka marrë lumi. Duke parë realitetin në sy dhe duke mos frikësuar lexuesit e veten, duke paraqitur gjendjen reale në Shqipëri, por edhe duke ditur se ka qytetarë shqiptarë që nuk njohin frikë apo kompromis para disa gjërave që janë të shenjta për njeriun, atëherë bindem se edhe vendi ynë e qytetarët e tij kanë për t’ia dalë nga ky ngërç që i ka mbërthyer. Ka edhe nga ata që me të drejtë pyesin se si, qysh e tek, kush, cili është ai apo cilët janë ata që do të na shpëtojnë nga këto monstra. Unë them që gjithsecili kur të bindet se është qenie e lirë, e shenjtë dhe e barabartë me të gjithë atëherë e do ta kemi shumë të thjeshtë për të pretenduar të jetojmë e trajtohemi si qytetarë normal. Kjo është zgjidhja e parë e më kryesorja se pikërisht kjo i mungon shqiptarëve, mentaliteti id qytetarit të lirë e jo qytetarit frikacak e servil, duke e kthyer veten palaço para përbindëshave me fytyrë njeriu. Më ka qëlluar të trajnohem si nga Instituti Republikan e ai Demokratik Amerikan, dhe pika kyçe e tyre ishte që qytetari duhet të jetë koshient për disa gjëra që Amerika i quan të shenjta, si liria, besimi, familja, historia, ekonomia, atdheu, ligji, etj., janë edhe të paprekshëm e me to nuk guxon të luaj askush. Prandaj Amerika është ajo që është dhe meriton të jetë.

Mbasi zgjedhjet po afrohen, e shoh të arsyeshme të transmetoj në popull se shqiptari duhet t’i dijë të drejtat e veta e bashkë me zgjedhjet duhet të kërkojmë edhe zgjidhjet e të luftojmë fort për të drejtat tona, e mënyra më demokratike në prag zgjedhjesh është pjesëmarrja në votime, duke votuar e duke ruajtur votën si diçka të shenjtë e të paprekshme. Po u bë kjo, Shqipëria do të jetë ndryshe, siç e meriton të jetë. Duke e lënë për një herë tjetër se nuk po ia kemi besën se si do të vijnë punët e në ia vleftë do përgatis si bëhet fushata për në Kongresin Amerikan dhe cilat janë sukseset e bashkëpunimit të të zgjedhurve atje dhe si punon një kongresmen amerikan e sa i interesuar është ai me çdo pjesë të jetës por edhe autoriteti që gëzon, ku trajtimi nga administrata është i barabartë, si republikanë e demokratë, duke mos bërë diferencime pozitë-opozitë, por edhe çfarë të drejtash ligjore e morale ka ai para ligjit e zgjedhësve, pra deri ku janë kufinjtë e tij. Nuk po eci më tepër se i del lezeti e krahasimet Shqipëri-Amerikë as që mund të bëhen.

Përfundimisht pra nderi më i madh që mund t’i bëhet këtij populli është që fryma qytetare cilivizuese mos të jetë e përkohshme por mundësisht e përjetshme, pavarësisht tallazeve të jetës që i dalin përpara e shemujt nuk mungojnë në Shqipëri. Në sajë të kësaj fryme të trashëguar brez pas brezi, Shqipëria e fisnikët e saj i përballuan me sukses tallazet e shumta ndër shekuj, prandaj jam mbasi i bindur e fatlum që edhe tallazet e sotme do përballohen me sukses, po ia lëmë kohës se ajo do ta tregojë, don Zoti nuk gaboj. Gjithsesi më pëlqen të shpresoj e këtu s’ka asgjë të keqe e të dëmshme, përkundrazi ia vlen më tepër se leku, që i shkreti lek nuk din në dorë të kujt ka rënë se ta dinte do shifshim hordhek me sy.

Për të mos i lënë shteg sulmi lekistave apo lekisteve që për hatër të lekut shesin gjithçka të shenjtë, e këtë ne po e shohim, më duhet të them se leku ka rëndësinë e vet për jetën e zhvillimin e vendit, se të mirat materiale prej tij vijnë, por unë po i kjaj hallin lekut të shkretë se në duar të kujt ka rënë e asgjë më shumë se përndryshe fitoj titullin xheloz që në fakt nuk jam. Më duhet ta ritheksoj që njerëzit me plot kuptimin e fjalës i duhen sot Shqipërisë, për këtë kemi shumë nevojë. Në fillim të shkrimit e cilësova se po e quaj bashkëbisedim e jo shkrim, e me mendjen time iu drejtova atyre që janë aktiv, si miq e si armiq të mendimit tim, e këtu nuk ka asgjë të keqe, se dihet se të gjithë njësoj s’mund të jemi, por ngaqë jemi shqiptarë e ka ardhur koha e internetit e civilizimi na sillet nëpër këmbë, e mira është që mbas këtyre zgjedhjeve të ketë zgjidhje për të tërë pa përjashtim e gjithkush të marrë racionin e vet, se ka ikur koha e lëmoshave e fjalëve të bukura, tuj rrejtë njëri-tjetrin me falsitet. Dikush hjek për bukën e gojës e tjetri ka pasuri përrallore, vetëm për faktin se është kriminel apo ka dalë nga fryma kriminale. Të paktë janë ata që kanë vënë pasuri me mund e ndershmëri, prandaj është e kotë të shtyhet më tej. Sa më tepër vonohet kjo punë, aq më për dreq do shkojnë punët në vendin tonë apo qytetin e komunën ku jetojmë. Kësaj zgjidhje duhet t’i prijë një frymë kombëtare e qetë e njerëzore por edhe e ligjshme, e fjalët të kthehen në vepra. Tuj mos i hedhë hi syrit të njëri-tjetrit, por të jetojmë si vëllezër të vërtetë, e deri sa jemi shqiptarë detyrimisht jemi vllazën, prandaj këtë thënie duhet ta faktojmë me vepra, e duhet ta demonstrojmë në jetën e përditshme, se na iku jeta duke i qarë hallin pakicave etnike joshqiptare, kurse për një pjesë të shqiptarëve as s’e vë kush ujin në zjarr e janë lënë në mëshirë të fatit duke i lënë alternativë mbijetesën, e kjo nuk është demokratike e njerëzore. Prandaj bashkë me zgjedhjet duhet të ketë edhe zgjidhje.

Kjo vjen si reagim edhe ndaj disa deklaratave të njerëzve me potencë në shtypin shqiptar që mbasi nuk është kundërshtuar tregon se pranohet e fjala është për fjalët shumicë kombëtare, pakicë kombëtare e të tjera si këto, apo thënien malokë nga disa morracakë kënetash që po fitojnë vota e pushtet shtetëror apo ekonomik. Vetëm për këtë paragjykim të përhapur nga të huajt, vetëm e vetëm që shqiptarët të jenë të përçarë, që duhet thënë funksionon e ka funksionuar për mrekulli e shfrytëzohet gjithashtu për mrekulli nga fanatikët e çdo krahu në bashkëpunim me armiqtë e vendit tonë që ky vend të mos bëjë hajër asnjëherë. Gjithashtu vjen si reagim i sjelljes burracake të Ministrit Toska në Shkodër, ku binte në sy shpirti Toskë anti-gegë, e jo mbiemri Toska. Gjithashtu vjen si reagim ndaj sjelljes së shtetit shqiptar në kohë fatkeqësisht në veriun e Shqipërisë, që në mënyrën më të ulët e provokative shpërndajnë lëmoshë pikërisht ndër ato zona kreshnike, që gjatë gjithë historisë qëndroi në sajë të pasurisë shpirtërore e krenarisë, e nuk pyeti për asgjë e as për kërkënd duke qenë krenaria jonë historikisht. Ka ardhur koha t’i hapim gjërat siç janë e si duhet të jenë, por e ritheksoj me qetësi e logjikë, për të mos i lënë shteg interpretimi maskarenjve tanë si brenda e jashtë vendit që rrinë në pritje të çdo gabimi tonin për ta shfrytëzuar kundër nesh, por sidomos kundër çështjes kombëtare, prandaj duhet t’i kryejmë ato punë njëherë e mirë e të zëmë vend si vendet e përparuara perëndimore, ku qytetari respektohet si i tillë, kurse krimineli shpërblehet me burg e jo pushtet e pasuri si në vendin tonë. Kjo pra është çështja, e për kaq gjë ne besoj se jena në gjendje ta bëjmë e të merremi vesh e këtu nuk ka asgjë të keqe përkundrazi ia mbyll gojën çdokujt. Duke e rrumbullakosur këtë muhabet shqiptarët, një jetë ka në këtë tokë, e kur ai është model apo si i themi ne qelibar në të gjitha pikëpamjet ligjore, morale, civilizuese e kur Zoti i ka dhënë mend sa të duash e shëndet për punë, nuk ka justifikim e asnjë arsye të shtypet pafundësisht nga imoralët maniakë që kanë parim vetëm veset më të ndyra që ka nxjerrë njerëzimi. Siç shihet, është e domosdoshme të flasim shqip kur disa njerëz ulen e diskutojnë për zgjidhjen e problemeve e në rastin tonë flitet për problemet shqiptare se si duhet të zgjidhen, por e ritheksoj, kur njeti është i mirë nuk ka arsye të flitet me përkthyes, kur të gjithë bashkëbiseduesit dinë shqip e besojnë në virtytet njerëzore por edhe kur udhëhiqen nga këto virtyte. Kjo pra do ishte zgjidhja e për këtë kemi nevojë të gjithë pa përjashtim, vetëm kështu jemi të fituar, jashtë kësaj fryme çdo gjë është false dhe e pabesueshme, të paktën për mua e mentalitetin tim, e ndokujt ky arsyetim i duket i gabuar, atëherë me bindje them se më pëlqen ky arsyetim i “gabuar” i drejtë.

Nikolin Pemaj

 

Financimi i fushatave elektorale rrezikon të sjellë krimin në politikë

Problemi i korrupsionit në Shqipëri është një problem i vjetër i përfolur tashmë shumë. Shqipëria renditet si një prej vendeve më të korruptuara, të paktën në Evropë dhe ndonëse qeveria disa herë ka thënë se po merr masa për ta luftuar, rezultatet kanë munguar. Siç tha edhe ambasadorja amerikane në Tiranë Marsi Ris, duhet kaluar nga fjalët tek veprat. Korrup-sioni, krimi i organizuar, dobësia e sistemit të drejtësisë, zgjedhjet për herë të kontestueshme, janë disa prej elementëve që flasin për dobësinë e institucioneve qeverisëse. Në kush-tet kur tranzicioni po bëhet gjithnjë e më I gjatë, madje deri I pafund ai që mund të gëlojë në një terren të tillë është lidhja e krimit me biznesin, me njerëzit posedues të kapitalit finan-ciar. Vëzhgues të ndryshëm janë shprehur se thelbi i problemit është lidhja e pushtetit me interesat ekonomike, e thënë ndryshe, zyrtarët i shohin postet si një vend për të përfituar dhe jo për t’i shërbyer publikut. Ky në pamje të pare duket si një konstatim, por që përballë realiteti gjen një shprehi të plotë të të qënit një formë sundimi, apo pushteti në Shqipëri. Për ta vendosur më saktë, Shqipëria në ndryshim nga disa vende të tjera të tranzicionet, këtë fenomen, që në një gjuhë më profesionale quhet “kapja e shtetit”, e ka një zhvillim të viteve mbas 1997. Vërtetë korrupsioni predominant në Shqipëri në vitet ’92 – ’97 i ngjante kryesisht korrupsionit administrativ, që shtrihej në nivelet e ulta të admi-nistratës, ndërsa sot ka ndodhur ajo që quhet kapja e shtetit, pra marrja e vendimeve, nxjerrja e ligjeve sipas interesave të grupeve të veçanta të biznesit dhe jo sipas interesave të gjera publike. Ky fenomen në Shqipëri është evidentuar nga të huajt, është evidentuar nga shoqëria civile, është evidentuar nga media dhe do të thoja që përbën për momentin ogurin më të zi të shoqërisë shqiptare dhe nga ana tjetër faktorin që kompromenton më shumë të ardhmen e Shqipërisë. Jo më kot kjo është në epiqendër të çdo kritike që drejtojnë qoftë raportet e Brukselit, qoftë donatorë apo shtete të ndryshëm që prononcohen në lidhje me Shqipërinë. Dalja nga kjo është pa dyshim një rrugë tepër klasike, është vetëm fuqizimi i institu-cioneve dhe një vullnet politik për t’i dhënë fund këtij fenomeni. Unë do të thoja që boll të përmendim eksperien-cën e dy vendeve të cilët në shumë aspekte kanë qënë të krahasueshme me Shqipërinë për një periudhë të gjatë gjatë kësaj dekade të fundit, të cilët me një marrëveshje konsensuale dhe një vullnet tashmë domosdosh-mërisht të arritur, siç janë Bullgaria dhe Rumania, vendosën që forma të tilla të korrupsionit që prishin imazhin e shtetit dhe funksionalitetin e tij të merrnin fund dhe prandaj u shpërbly-en dhe me një hyrje në Bashkimin Evropian ose me afrimin e statusit të kandidatit.

Makthi I zgjedhjeve të ardhshme

Beteja politike në vend kalon nga një front në tjetrin, kalon nga një përpalsje në tjetrën. Nga problemi me listat e zgjedhësve, tek ndarja e zonave zgjedhore, nga kreu I KQZ tek përfaqësimi I partive pretendente në hallkat zgjedhore. Në tërësi, prob-lemi në lidhje me zgjedhjet në Shqipëri është një problem thelbësor fatke-qësisht, edhe në mënyrë të turpshme, ne kemi si kusht kryesor në lidhje me gjithë procesin e asociim-stabilizimit, problemin e zgjedhjeve, në vend që ndaj nesh të kishte kushte që kanë të bëjnë me standartet e institucioneve, me harmonizimin që po i bëjmë politikave të institucioneve tona në raport me ato të Bashkimit Evropian, ne kemi një parakusht të tillë që është gati elementar: “bëni njëherë zgjedhje që janë për të qënë”. Po e them në këtë gjuhë kaq të thjeshtë, sepse vërtetë i tillë është nervozizmi i dona-torëve, i ndërkombëtarëve kur shpre-hen në lidhje me zgjedhjet në Shqipëri. Cili është historiku i këtyre 15 vjetëve? Shqipëria karakterizohet si vendi i zgjedhjeve të kontestuara. Nuk ka asnjë zgjedhje të bëra në harkun e këtyre 15 vjetëve, që të mos jenë kontestuar nga pala që i humb. Përsa i përket fillimit të një fushate të gjatë, unë do të thoja që pikërisht konfliktualiteti karakteristik, shumë agresiv që egziton në politikën shqiptare, bën që Shqipëria të jetë në një gjendje permanente fushate elektorale. Nuk vë re asnjë moment të dobësimit, të uljes, të çtensionimit të konkurencën midis partive, as kur mbarojnë zgjedhjet. Ajo vazhdon me të njejtin intensitet dhe Shqipëria po e përballon, por me kosto të mëdhaja, që pikërisht ka mbetur mbrapa, më mbrapa se vendet me të cilat nuk ishte më mbrapa pak vite më parë, në proceset kryesore të integrimit dhe ka mbetur mbrapa për një kusht kaq elementar, i cili është ABC-ja e demokracisë, që të paktën të bëhen zgjedhje normale dhe të sigurorhet rotacioni normal i pushtetit nëpërmjet zgjedhjeve. A do ta durojë dot këtë kosto për këto muaj Shqipëria? Sigurisht që do ta durojë, është e detyruar që ta përballojë këtë kosto të një fushate agresive. Unë nuk do të doja të mendoja që neve dhe këtë herë do të dëshmojmë që nuk dimë të bëjmë zgjedhje, por sigurisht kjo nuk varet as nga numri i vëzhguesve të huaj që do të vinë, as nga angazhimi i shoqërisë civile shqiptare apo i medias shqiptare në monitorimin e këtyre zgjedhjeve, kjo varet që pari nga vullneti politik i vetë forcave politike. Në fund të fundit, procesin zgjedhor e deformojnë vetë forcat politike dhe vullneti i tyre.

Krimi ekonomik në politikë dhe strukturimi I mafias

Vëzhgues të ndryshëm por edhe përfaqësues ndërkombëtarë kanë shprehur shqetësim për përpjekjet e krimit të organizuar dhe të atij ekonomik për t’u përfshirë edhe në jetën parlamentare të vendit. Kjo tendencë, në dukje e re, është kthyer në një kërcënim serioz për demo-kracinë në përgjithësi, dhe gjithçka që rrjedhon prej saj. Fakti I dy mandatimeve të së majtës në pushtet, e ka bërë më evident këtë kataklizëm politike, e cila kërcënon shoqërinë ton, mendimin politik dhe të gjithë avangardën. Aktorët e brendshëm shqiptarë, se ne e ndjejmë drejtë-përsëdrejti në lëkurë këtë rrezik. Unë do të thoja që pavarësisht debatit shumë konkret, që bëhet mbi çështjet kryesore të legjislacionit elektoral, mbi kompozimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, apo mbi zonat elektorale, problemi i vërtetë në zgjedhjet e ardhshme qëndron jo tek manipulimet e dukshme dhe të kapshme, por tek prishja e asaj që është esenciale në një proces zgje-dhor. Faktikisht procesi zgjedhor është baza e demokracisë, sepse sigu-ron përfaqësimin e vullnetit të qytetarëve nëpërmjet votës. Kam parandjenjën, ndoshta jo vetëm parandjenjën, por edhe llogjika më çon në të, që interesat e partive politike, sidomos dy partive të mëdha, për të përballuar një fushatë që kushton shumë dhe nga ana tjetër lidhjet e forta që kanë krijuar me segmente të mëdhaja të ekonomisë, madje me segmente kriminale të ekonomisë shqiptare, do të bëjë që të financohen nga këto grupe dhe jo vetëm të financohen, por të sjellin pinjollët e këtyre grupeve në politikë. Ky është një rrezik shumë konkret. Në këtë rast procesi mund të duket shumë normal në pamje të jashtme, nuk do të përdoret policia për të manipuluar zgjedhjet, nuk do të ketë manipulim me lista, do të jetë normal procesi në kutinë e votimit, por në vetvete produkti që do të dalë, nuk do të jetë vullneti i shqiptarëve, po do jetë vullneti i një klike, i asaj që e quajmë tashmë koncerni politiko-biznes-media, i asaj pjese të medias, që i është bashkëngjitur politikës dhe biznesit, që do të kapi dhe do të uzurpojë vullnetin elektoral të shqitarëve.

 

Shkodra ecën, po në ç’rrugë?!

Shqipëria mbeti e izoluar për afro një gjysëm shekulli si pasojë e një sistemi totalitar, i cili kalonte kufijtë e çdo absurdi, duke qëndruar “avangardë” e komunizmit botëror. Ky sistem u përm-bys, dhe aspak për meritën e shqiptarëve, por si pasojë e konjukturave të kohës dhe mbarimit të “karburantit” të makinës komuniste në të gjitha vendet e Lindjes. Shkodra (realisht) ishte në vijën e parë të “legjioneve” të përmbysjes së atij sistemi, por (çuditërisht), e fundit në vjeljen e asaj “peme” të ëmbël që quhet Demokraci!… Pas kësaj fitoreje ku paraprinë të rinjtë dhe të rejat guximtarë, në pushtet erdhën ata të cilët gjatë këtyre proceseve kishin “vrojtuar” prapa “kuintave”. Ishin pikërisht “shegertët” e zellshëm që i kishin shërbyer në “hije” sistemit që lamë pas. Pra, godina e re e demokracisë po ndërtohej me “tullat” e thyera, (mbeturina të komunizmit). Dhe padyshim rezultatet e ndërtimit të gabuar të kësaj “godine” i pamë të gjithë në atë mars të trishtuar, të dhimbshëm dhe të turpshëm të vitit 1997!

Ky zhgënjim do t’i detyronte demo-kratët e vërtetë të largoheshin nga Shqipëria ose të përballeshin me pseudo-demokratët e “liçensuar” të cilët ngjyrën e kuqe e kishin kthyer në blu, dhe po përgatiteshin ta kthenin në të gjelbër… Në këto kushte, Shkodra kishte kaluar nga diktatura në anarki, nga shpresa në dëshpërim, nga besimi në zhgënjim.

Për ta bërë sa më konkret këtë shkrim modest jam i detyruar t’i kthehem retrospektivës dhe kush të dëshirojë le t’më etiketojë si komunist, (ndonëse nuk kam qenë asnjëherë). Duke qenë se kam hyrë në të shtatëdhjetë vjetët, dua t’i kujtoj çdo lexuesi se që nga viti 1948, kur Partia Komuniste u kthye në Partinë e Punës, të gjithë sekretarët e parë të Shkodrës i mbaj mend, që nga Adil Çarçani (1948) deri tek (i ndjeri) Xhemal Dymylja (1990). E di gjithashtu se duke filluar nga Tonin Jakova, Pjetër Kosta, Sulejman Bushati, Muho Asllani dhe Dymylja (i fundit), të pestë kanë qenë shkodranë. Vlen t’ju kujtoj të gjithë bashkëqytetarëve se Muho Asllani kontribuoi për Shkodrën më shumë se katër të tjerët (marrë së bashku) e absurdi arrin kulmin kur disa “pseudo-qytetarë” (padrejtësisht) i vunë epitetin e pame-rituar Muho katundari!… Me sa duket ky epitet e ndëshkoi Shkodrën e cila sot ngjan me Kandaharin, Bombein apo Kalkutën… Kush dëshiron të gjejë shkaqet e kësaj prapambetjeje ekstreme, mos ta kërkojë shkakun nga tjetërkush veçse nga ne qytetarët që pranojmë të drejtohemi nga njerëz pa “format” pa “kualitet” dhe ajo që është më e keqja, pa vullnet të mirë për t’i kthyer Rozafës krenarinë. Duhet të ndërgjegjësohemi se qytetar i vërtetë është ai që punon për Shkodrën. Vjetërsia e të qenit qytetar i Shkodrës është e barazvlefshme me vjetërsinë e moshës për të dalë në pension… Shkak për të bërë këtë shkrim ishte ftesa që një miku im më kishte rezervuar për të marrë pjesë në një tubim të zhvilluar në “Milenium”, ku asistonte Kryebashkiaku i Tiranës, z.Edi Rama. Vlen ta përgëzojmë të gjithë, atë elitë intelektualësh të vërtetë që e kishin ftuar dhe në veçanti ata djelmosha që e shoqëruan.

Në këtë shkrim nuk e kam ndërmend të jap superlativa, as të bëj elozhe për zotin Rama, sepse populli ynë i urtë ka një shprehje mjaft kuptimplote: “Fshati që duket nuk do kallauz”… Nuk kam ndërmend gjithashtu t’i bëj koment apo analizë atij takimi (plot pyetje e diskutime), sepse përgjigjet e zotit Rama ishin në “shkallën sipërore”. Ajo që unë si qytetar e kam ndier thellë në shpirt dhe që më ka ringjallur shpresat, ishte prania e Kryebashkiakut të qytetit tonë, zotit Artan Haxhi. Është e para herë që një kryebashkiak (gjatë këtyre 12 viteve), me guxim qytetar i kapërcen “barrierat” e partisë që përfaqëson dhe bëhet pjesë e denjë e të gjithë komunitetit që përfaqëson. Është spekulluar shumë gjatë këtyre viteve me të ashtuquajturën “luftë” kundër komunizmit dhe është abuzuar së tepërmi me ndjenjat e qytetarisë shkodrane, duke e izoluar, ose duke e lënë në “vagonin” e fundit të “trenit” që udhëton drejt të ardhmes, drejt Europës së qytetëruar.

Urojmë që ndërgjegjësimit të Qy-tetarit të Parë të Shkodrës, t’i bashkan-gjitet ndërgjegjësimi mbarëqytetar.

Mark Bregu

Të gjithë për të ardhmen

Nga Marie Medicina (Dvorani)

Realiteti shqiptar sa vjen dhe bëhet më I dhimbshëm, shqiptarët dita-ditës po braktisin vendin, vetëm për një ditë më të mire, për një të ardhme më premtuese për fëmijët e tyre. Fataliteti shqiptar nuk ka të ndalur. Vajzat shqiptare detyrohen të shesin trupin e tyre për të mbajtur fëmijët e tyre. Kjo është tragjike. Vdekja çdo ditë merr jetë njerëzish. Shqipëria dhe shqiptarët po përballën me momentet më të vështira që ka njohur realiteti shqiptar. Kemi qënë pa bukë, pa veshur në të ftohtë, kemi luftuar përkrah njëri-tjetrit për të fituar lirinë, por kemi qënë një. Komunizmi na degdisi nëpër burgje dhe kampe të punës së detyruar, vetëm se mendum dhe deshëm të vepronim për një Shqipëri të të gjithëve. Sot kur mendojmë se gjithçka e kemi lënë pak, është shumë e rëndë, ndërsa realiteti riciklohet, përsërit momentet e saj më të patolerueshme. Ne grate ish të përndjekura, ne grate që sakrifikuam jetën tone për fjalën e lire për Shqipërinë e të gjithëve duhet të ngrihemi të parat të themi fjalën tone. Fëmijët tanë, fëmijët e fëmijëve tanë duhet ta dine se kush ka qënë kalvari nëpër të cilin kemi kaluar ne, që kanë kaluar paraardhësit e tyre. Ata sot nuk duhet të bëhen vegla të politikës, të mafias ekonomike, të grupimeve që duke menduar për interesat e tyre, shkelin mbi parimet e një shoqërie demokratike. Gratë, nënat, motrat tona duhet të edukojmë tek fëmijët, nipërit dhe mbesat tona idealin për një Shqipëri të lire, për një Shqipëri demokratike, për atë ditë fatlume, për të cilën shumë prej nesh u detyruan të sakrifikonin rininë e tyre, familjet e tyre, veten e tyre, që ajo të jetë e jona. Nuk duhet të tolerojmë asnjë klasë politike, asnjë fraksion politik që të shkel mbi idealet tona, mbi gjakun tone, mbi atë që kishim, kemi dhe do të kemi më të shtrënjtë, demokracinë.

Sot kur politika shqiptare po përgatitet të hyjë në një faze të re, lipset që ne grate, nënat dhe motrat ish të përndjekura dhe të përsekutuara politikisht të themi mendimin tone, të tregojmë, se jemi dhe do të vazhdojmë të jemi një factor në jetën politike-shoqërore të vendit. Gjendja ku e ka katandisur kjo qeverisje vendin, është dhe duhet të jetë një shqetësim për ne dhe kushdo që shpreson tek një shtet ku respektohen liritë dhe të drejtat e njeriut, tek një shtet ku të gjithë të jenë të barabartë para ligjit, ashtu si edhe para Zotit. Në këto kushte kur realiteti sa vjen dhe bëhet gjithnjë e më I vështirë, duhet të dëshmojmë si gra, si nëna se kemi në dorë diçka për të ndryshuar. Afrimi I zgjedhjeve, e drejta e sejcilit, që me votën e tij të zgjedh atë që I përmbush detyrimet më jetike, na obligon të jemi të ndërgjegjshëm. Në një shoqëri demokratike, vota është sovrani I fatit tone për të ardhmen. Nuk duhet askush të mendojë dhe të votojë verbtazi, për këtë apo atë parti, për këtë apo atë deputet, por së pari të bindet se kush dhe cili është ai që do të dijë ta përfaqësojë më mire dhe të mbrojë më denjësisht interesat e zgjedhësve. Bindjet janë njëra anë e medalje. Më e rëndësishme është njohja e realiteti dhe kontributi I sejcilit, që me votën e tij, të jetë kontribuesi I ndryshimeve. Nuk duhet t’I presim si një kiamet politik afrimin e zgjedhjeve. Për sejcilin jeta fillon tek vetja e tij, tek familja e tij, tek interesat e tij më jetike. Askush nuk duhet bërë pale e një politike, apo grupimi politik, nëse ajo nuk I garanton asnjë nga ato çfarë dëshiron. Për sa kohë që shumë veta bëhen pjesë e politikës së interesave të disa individëve, aq më pak shpresë do të ketë ky vend të gjejë përgjegjësinë individuale dhe kolektive për të ardhmen. Rruga për të ndryshuar realitetin nuk është dhe nuk mund të jetë vepër e një partie, apo e një grupi deputetësh. Të gjithë, me mundësitë e sejcilit, duhet të kontribuojmë për një të ardhme më të mire. Për ne grate ish të përndjekura, është një përgjegjësi e dyfishtë ndikimi në ardhmërinë e vendit. Kurrsesi nuk duhet të heshtim, apo të luajmë rolin e indiferentit, apo edhe të mënjanohemi. Duke vepruar kështu ne ruajmë të paprekur veprën tone, sakrificat tona, idealin tone, për të cilin ishim gati të jepnim gjithçka, edhe jetën. Të gjithë duhet të tregojmë, së pari politikës shkallën tone të përgjegjësisë qytetare, të ndërgjegjes dhe vullnetit për të ndërtuar një shtet ligjor, një vend që nuk dëbon rininë, që nuk detyron fëmijët të dalin rrugëve të botës për të shtrirë dorë, apo grave për të prostituuar. Kjo Shqipëri nuk është dhe nuk duhet të lejojmë që një grusht njerëzish ta kthejnë në një çiflig të interesave të tyre. Për atë kemi dhënë gjënë më të shtrënjtë, për atë jemi gati të japin gjithçka që na ka mbetur. E koha vjen në çdo 4-vjeçar, atëherë kur përgatitemi për të zgjedhur përfaqësuesit tanë në drejtimin e vendit. Kurrë nuk është vonë për të demonstruar aftësitë tona për ndryshim.

 

Shteti prodhon diktaturë

Shefi i Partisë Socialiste Fatos Nano dhe strukturat e shtetit shqiptar përditë e më shumë po forcojnë dhunën edhe kundër shtypit të lirë. Kjo, sepse jemi në vitin elektoral për zgjedhjet e pushtetit qendror. Nano, me çdo çmim duket se do i dhunojë edhe zgjedhjet e radhës. Kështu, Kryeministri shqiptar, kryesocialisti shqiptar, ose siç është shprehur Mandela shqiptar Pjetër Arbnori, kryespecialisti shqiptar, ka treguar në vazhdimësi dhunë, hakmarrje politike kundër kundërshtarëve, ku vetëm përgjatë qeverisjes së tij diktatoriale janë pushkatuar mbi 6000 shqiptarë të pafajshëm. Shumë janë burgosur politikisht, janë dhunuar kafshërisht, janë rrahur e torturuar dhe shumë kanë arritur pas peripecish të braktisin vendin për të shpëtuar jetën. I tillë është edhe Elvis Simo Hajkoja, lindur më 24.02.1979 në qytetin bastion të antikomunizmit, Shkodër. Atij jeta i ishte bërë e padurueshme në vendin e vet. Sipas një dokumenti zyrtar të Shoqatës Politike Antikomuniste “13 Dhjetori 1990”, me numër 1028, Elvisi si anëtar e aktivist i kësaj shoqate ka investuar shumë për demokracinë shqiptare, prandaj edhe është vënë në shënjestër të krimit. Babai i Elvisit, i quajturi Simo Hajkoja kish marrë pjesë aktive në demonstratat politike antikomuniste të 14 janarit 1990 për rrëzimin e bustit të Stalinit, 16 qershorit 1990 kur populli i Shkodrës protestoi gjatë ceremonisë mortore të dëshmorit të parë të demokracisë shqiptare Pëllumb Pëllumbi, pushkatuar në Han të Hotit me urdhër të ish-presidentit komunist Ramiz Alia, 13 dhjetorit 1990 për rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës, ku u rrahën shumë e u dënuan politikisht shumë, deri në 22 vjet burg, 2 prillit 1991, kur u protestua kundër vjedhjes së votës nga komunistët dhe u pushkatuan katër vetë e u plagosën 163. Elvis Hajkoja, ky djalosh që shihni në foto dhe sot ka marrë rrugët e perëndimit për të shpëtuar jetën, rrjedh nga një familje tradicionalisht atdhetare e antikomuniste. Gjatë viteve të pushtetit të Enver Hoxhës njerëzit e tij janë përndjekur nga regjimi. Gjyshi i tij është dënuar me 15 vjet burg politik. Edhe gjyshi nga nëna Arseni Jovani është pushkatuar në kufi në maj të vitit 1953. Konfiskimi i pasurisë, diferencimi politik si mohimi i shkollimit, punësimit etj., kanë qenë vazhdimësia e kalvarit të persekutimit të këtij fisi. Elvis Hakoja që nga nëntori i vitit 1997, kur është pranuar në Shoqatën Politike Antikomuniste “13 Dhjetori 1990” e deri më 26 gusht të vitit 2004, kur u rrëmbye forcërisht nga forca të errëta të socialistëve, pra me prapavijë politike, ku mbahet peng për 48 orë derisa familja e tij paguan 15000 euro për lirimin, ka dhënë kontribut të çmuar në aspiratat e popullit shqiptar për një Shqipëri demokratike. Ai, në vitin 1997, kur socialistët hapën depot e armatimit, rrëmbyen armët, dogjën bankat, ndërmarrjet e prodhimit dhe institucionet, ka dhënë kontribut në ruajtje të institucioneve të shtetit. Vala e atyre trazirave vrau shumë shqiptarë, ndër ta edhe 82 policë, derisa Fatos Nano mori pushtetin me dhunë, tritol, kallashnikov. Babai i tij, kish kontribuar edhe si inciator i hapjes së besimit fetar, më 1990 dhe sot është sekretar i Shoqatës Ortodokse “Shën Jovan Vladimiri” Shkodër. Mbase që aso kohe kishte prekur në kallo të socialistëve terroristë. Dhe ai sot vuan mungesën e djalit që këtu i rrezikohet seriozisht jeta. Po kështu Elvis Hajkoja, ka edhe shumë të tjerë të kërcënuar. Elivisi edhe sot përmendet si djalosh i pjekur, i qetë, i njerëzishëm, ku në zgjedhjet e fundit si anëtar i komisionit të votimit, në përfaqësim të koalicionit “Bashkimi për fitore”, ka provuar kërcënata serioze deri me eliminim fizik, për të pranuar firmosjen me dhunë të procesverbalit në favor të koalicionit të majtë. I është paralajmëruar edhe familja për dhunë. Por ajo çka përbën vërtet një shqetësim për shoqërinë shqiptare është fakti se shumë demokratë janë nën trysni, nën kërcënata, nën dhunë. Kështu pra, po shkon Shqipëria drejt zgjedhjeve parlamentare të verës së këtij viti.

Marin Vukaj

 

Viktimizohet jeta e demokratëve shqiptarë

Dhuna dhe persekucioni që neokomunistët në pushtet kanë instaluar kundër opozitës, i ka dhënë një goditje tepër të rëndë shkallës së nivelit të demokracisë në Shqipëri.

Shumë organizma ndërkombëtarë kanë bërë thirrje të shuma kundër shkeljes së të drejtave të njeriut, veçanërisht për probleme politike. Por përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për të ndaluar dhunën, nuk kanë mundur të ndikojnë mbi diktatorët komunistë. Kështu, fati i shumë demokratëve q ë nuk kanë ku të denoncojnë dhunën, pasi vetë shteti e menaxhon atë, ka qenë tragjik. Viktimë e një persekutimi deri ditën që arriti të braktisë Shqipërinë ishte edhe Lekë Ndokë Luca, i datëlindjes 11.02.1978. Po pse ky djalosh e ka jetën të rrezikuar në vendin e vet? Ja të rendisim faktet që gazeta jonë ka të arkivuara, si prova të gjalla të ndëshkimit të paligjshëm nga ky shtet anarshist. Sipas dokumentit me numër 1030 të protokollit të Shoqatës Politike Antikomuniste “13 Dhjetori 1990”, Lekë Luca anëtar dhe aktivist i kësaj shoqate, së bashku me të atin kanë marrë pjesë në të gjitha demonstratat politike antikomuniste si më 14 janar 1990, 13 dhjetor 1990, 2 prill 1991 dhe i ati i Lekës ka qenë ndër të parët iniciatorë të hapjes së besimit fetar. Por djaloshi rrjedh nga një familje e persekutuar ndër vite. Gjithnjë sipas burimit të këtij dokumenti zyrtar, gjyshi i Lekës ka qenë në burg politik në vitet 1946 deri 1955 duke iu eliminuar këtij fisi të drejtat edhe më elementare të jetës, duke i dërguar në kampe përqendrimi për të punuar, si dënim. Gjithashtu, sipas një tjetër dokumeni zyrtar me numër 72 të protokollit, lëshuar nga Instituti i Integrimit të të Përndjekurve Politikë, daja i Lekës, i quajturi Gjelosh Nik Vuksani, ka kryer gjashtë vjet burg politik, ndërsa sot Lek Luca po vuan njëlloj si në kohën e Enver Hoxhës paraardhësit e tij, ku jeta i është kërcënuar shumë herë.

Si një viktimë e bindjeve të tij, megjithëse në të vërtetë është një vlerë për demokracinë shqiptare, Lekë Luca dhe familja e tij, pas rikthimit në pushtet në vitin 1997 të socialkomunistëve, u përball me përndjekje e persekutim. Ditën e varrimit të deputetit demokrat Azem Hajdari, më 14 shtator 1998, i cili u pushkatua në mes të Tiranës nga komunistët, Lekë Luca qe arrestuar, ku u keqtrajtua për tre ditë, bile në kundërshtim me ligjin. Po ku pyesin për ligje anarshistët që vrasin e presin? Edhe familja dhe të afërmit iu paralajmëruan për dhunë e hakmarrje. Ka qenë prag zgjedhjesh të vitit 2000 kur Leka është keqtrajtuar nga persona të paidentifikuar, për të mos e lejuar të kryejë detyrën e vëzhguesit të Partisë Demokratike. Por ai e mbrojti votën e sovranit. Ne kemi shumë aktivitet të këtij djaloshi, si në mitingjet kundër manipulimit të referendumit kushtetues të vitit 1993, zgjedhjeve lokale të 1 tetorit 2000 apo atyre parlamentare të 24 qershorit 2001, por problemi është më i mprehtë. Deri kur demokratët shqiptarë do të përndiqen nga socialkomunistët që përditë viktimizojnë jetën e shoqërisë shqiptare?

Vasel Gilaj

 

Edi Rama flet në Shkodër si Mehmet Shehu

-Kryebashkiaku i Tiranës pjesë e iluzioneve momentale, e bracaletave të kafeneve, e debatit hokatar-

Vërtet i mungon Shkodrës shumëçka krahasuar me Tiranën, vërtet i mungon Shkodrës një Edi Ramë. Por duhet ta ndajmë punën nga qëllimi. Edi Rama është një dështak në thuajse tërë punët siç është një i suksesshëm kur paratë i ka lumë nga Fatos Nano dhe biznesi i pistë. Ka dështuar si sportist apo jo, ka dështuar si piktor apo jo, ka dështuar edhe në punë të tjera apo jo? Madje edhe si emigrant në Francë ka dështuar. As qëndrimin permanent s’ka arritur ta fitojë, apo nuk është kështu, ndërkohë që edhe dhjetra mijëra njerëz me ngjyra e kanë arritur një qëllim të tillë.

Që të jemi realistë, bashkëbisedimi në Shkodër me kryebashkiakun Artan Haxhi, ishte i pranueshëm, pasi kryeqendra e veriut shqiptar normalisht mund të shndërrohej në një kostum kulture, prandaj edhe i treguam vëmendje numrin e kaluar. Por takimet ende pa asnjë shpjegim të Edvinit në veriun shqiptar, duket se janë metastazë e të keqes.

Pjesë e asaj që Shkodrën e bën të shumërespektuar, të shumëvlerësuar, është pastërtia shpirtërore, sjellja e njerëzishme, prodhimi i kapaciteteve intelektuale. Por çuditërisht, Edi Ramës nuk i duket produktive as Shkodra, as Veriu. Veriorët, veçmas shkodranët, ky Edi me thonj të prera e pa vath në vesh, i quajti karrocierë që kanë lidhur nga një kalë para parlamentit këtu në Tiranë. Ky sistem fyes që drejton procesin mendor të Edi Ramës, i përafërt me atë të Mehmet Shehut dikur që i pat quajtur shkodranët “Qafëleshë”, apo Ilir Metës që kur ishte kryeministër, në një tubim para Prefekturës së Shkodrës tha: “Nuk u trembem unë rrugaçëve të Berishës”, pra ky sistem rregulli i Edit anti-Berishë, e normalisht edhe anti-Veri, në pafundësi të batutave pa fund, bile shumë më të dobëta se ato të humoristit Paulin Selimi, vjen dhe e zbeh edhe më tepër sjelljen e pasjellshme të Ramës, pasi ky kryebashkiaku i Tiranës flet për zgjidhje kompleksesh dhe në krah të tij ka njerëz pa personalitet, të cilët doc.prof.Sali Berisha ka dhjetë vite që i ka larguar.

Që këtu humbi Edi Rama. Ai humbi edhe pse policia e shoqëroi me eskortë në takime sipas kryeministrit Nano, private. Ai humbi, pasi edhe nga Garda e Republikës  dukeshin fytyra. Ai humbi pasi publiku pëshpërit se pavarësisht eklektizmave komuniste, atë e ka ngarkuar me detyrë pikërisht Fatos Nano që në zgjedhjet e ardhshme të përkrahë për deputet ndonjë kandidaturë të Nikollë Lesit.

Politika komuniste gjithherë vepron sipas parimit racional, ndërveprimit të mashtrimit, pandërgjegjshmërisë, premtimeve për “lugë ari”, gjetjes së mënyrave të pranueshme duke thënë dua ti çoni votat aty ku them unë.

Nëse kërcënim të drejtpërdrejtë ofroi Ministri i Rendit Igli Toska mbi policinë një muaj më parë, mbi njerëzit, mbi Kushtetutën që gënjen se “policia është e depolitizuar”, ku në ambientet e policisë u shpreh se Berisha është taksidar gjaku, duke i thënë po kështu edhe sovranit që i ka dhënë pikërisht votën Berishës, Edi Rama ofron kontroll të drejtpërdrejtë, provokon komplekse e disfunksione.

Pra, nëse Shkodra e Veriu janë të varfër, politika keqfunksionon, pasi tetë vjet më parë Shkodra ishte më e pasur se Tirana dhe ekzaminimi i veprimeve shfrytëzuese, fyese, të prodhuara nga Nano, Toska, Meta, Rama, sikundër dikur Enveri, Mehmeti, Kadriu, është i lehtë, fare i lehtë, për tërë sferat e shoqërisë, përjashto ca djegës bankash, shpërthyes deposh armatimi, vrasës policësh e shikasish.

Duke parë se Edi që në Shkodër ka ardhë pa vath në vesh, nuk është i qartë në qëllimin final, të lind e drejta të gjykosh se si për atë, si për tërë ata që nuk kanë bërë një punë të mirë, s’janë veçse pjesë e përvojave të hidhura, e iluzioneve momentale, e barcaletave të kafeneve, debat i mendimit hokatar.

Sokol Pepushaj

 

Fantazmat shqiptare

Gjithmonë, ne të rriturit, mendojmë se kemi braktisur përgjithmonë fëmijërinë tonë, e bashkë me të edhe fantazinë apo edhe shumë gjëra të tjera fëminore. Sigurisht nuk u besojmë më as përrallave të dikurshme që gjyshja na i tregonte përpara gjumit dhe ne krijonim botën tonë, fantazinë tonë nëpërmjet tyre. Por tashmë i kemi lënë shumë pas ato kohë dhe jemi zhytur në të përditshmen tonë monotone, larg përrallave, në problemet e shumta të të rriturve. Megjithatë edhe sot që jemi të mëdhenj realiteti ku ne sot jetojmë na duket një përrallë. E ndryshimi i vetëm është se ne e besojmë këtë përrallë. E janë të shumta përrallat që ne i jetojmë çdo ditë, i shikojmë dhe i besojmë.

Po nis edhe unë t’ju tregoj një përallë, një përrallë të rriturish. Ah, edhe diçka tjetër përpara përrallës. A besoni në fantazmat? Në qoftë se besoni do t’ju thoja ju lumtë, e nëse nuk besoni unë vetëm mund t’ju thoja se ato janë prezente, ju i shikoni çdo ditë. Dhe po fillojmë me përrallën tonë:

“Na ishte seç na ishte…

Na ishin njëherë disa fantazma që për çudinë e të gjithëve thonin se ishin shqiptarë. E sigurisht kjo përralla e të rriturve që po tregojmë ka edhe ajo të pavërtetën e saj dhe kjo që sapo përmendëm është një ndër trillimet e përrallëzës sonë. E të flasim pak për personalitetin e tyre të pashoq. Spikatnin për kulturën e tyre të pakufishme që i mbulonte nga fija e flokut e deri tek këmbët. E fantazmat tona të mençura ishin aq të shumtë në numër sa formuan një koloni të tërë. Të gjithë kishin të njëjtën origjinë, jepnin përshtypjen sikur të gjithë kishin të njëjtin surrat, ishin të njëllojtë. Karakteristikë e tyre parësore kishin një bark plot dhe një kokë bosh. E siçduket qartë njeriu i thjeshtë, i zakonshëm nuk e ka këtë karakteristikë. Personazhet tanë të nderuar ishin oratorë të shkëlqyer. Ai truri prej letre që mesa dukej rrënjët i kishte në bark ishte i takuar gjatë gjithë kohës dhe nuk bënte asgjë tjetër veçse fliste e fliste pa kuptuar as vetë se çfarë po thonin. Por mund të pyesni natyrshëm: -Çfarë mund të pritet nga një tru prej letre?! Asgjë, veç një prodhimi të cilësisë së fundit të fjalëve të pakuptimta…

E që thoni, fantazmat tona të dashura dhanë një ndihmë të pazëvendësueshme për sa i përket hartimit të fjalorit më bashkëkohor të fjalëve të pista shqiptare. Fjalët më të reja duke përfshirë këtu edhe ato të vjetrat duke mos harruar as ato të huazuarat. Kjo sigurisht meriton një shpërblim të madh sepse ato kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë ndryshime të dukshme në mënyrën e të folurit. Specialistë të zotë!!!…

Edhe diçka tjetër që nuk duhet kurrsesi të lihet pa përmendur në përrallën tonë sepse bëjnë pjesë në karakterin e tyre të mrekullueshëm. Se ku janë stërvitur aq mirë, nuk e di, por në fushën e karatesë janë aq të zotë sa nuk e kanë shokun kund. Këtë e praktikojnë në arenën e madhe të mundjes, aty ku praktikojnë shumë shpesh edhe ato që sapo i përmendëm në këtë përrallë. Fillojnë e shfaqin talentin e tyre duke u rrahur me njëri-tjetrin ku me një specialitet dhe profesionalizëm përdorin të gjitha truket që fusha e karatesë u ka mësuar. E ata, si nxënës shembullorë i vënë në zbatim këta stile duke përdorur grushtet, mjetet rrethanore etj. Por asnjëri prej tyre nuk vritej apo prishej, e kjo nuk është ndonjë çudi e madhe sepse fantazmat janë të pavdekshme. E në arenën e tyre të mundjes na bëjnë të shijojmë emocione të papërsëritshme. Por e keqja e kësaj ndeshjeje është se nuk ka as të humbur e as të fituar. Dëgjohet gongu për fillimin e ndeshjes ku si nxemje përdorin falët e kulturuara që duam apo s’duam ne nxjerrin në pah fare mirë kulturën dhe inelektin e pakufishëm që ata mbartin. Ata gjuhen, rrahen në sheshin e betejës së tyre me emrin “Parlament” pa e marë vesh asnjëherë pse po ndodh e gjithë kjo mesele. E më pas për të rifituar energjitë bie gongu i dytë për dhjetë minuta pushim. E kështu me radhë shpalosin zotësitë e tyre të boksit duke i demonstruar njëri-tjetrit se sa të aftë janë, dhe duke na dhuruar ne ndjesi të këndshme që me plot siguri mund të themi se nuk mund të përjetohet një gjë e tillë as në ndeshjet e kampionatit të boksit. Është kaq bukur të shikosh por nga ana tjetër edhe ta këpusin shpirtin tek i shikon ashtu që rrahen vetëm për atë trurin prej letre.

E meqë mora përsipër të vë në pah personalitetin e fantazmave të përrallës sonë, po ju flas pak edhe për paraqitjen e tyre të jashtme. Një uniformë e zezë përpinte mbarë trupin e tyre. E kjo ishte uniforma e tyre e preferuar. Ndoshta sepse thonë se e zeza është të të mbrojë nga syri i keq. Ngaqë ata ishin kaq të bukur në pamje, ishin të siguruar, larg syrit të keq. E siç pandehnin ata për të ngritur nderin e tyre, që të themi të vërtetën nuk arrinte as deri tek gjuri i mizës, kishin të varur në atë qafën prej kauçuku një litar. Kjo ishte pak a shumë pamja e tyre madhështore pa përmendur ndonjë detaj tjetër që kam bindjen se do ta plotësonte më shumë figurën prej dështaku të gjithsecilit prej tyre. Por nuk mund të rri pa treguar edhe një tjetër hollësi. Ditëlindja e të gjithëve ishte 1 prilli. E kjo datë e shënuar në historinë e njerëzve dhe shumë e rëndësishme për personazhet tona, kishte ato pasojat e veta të natyrshme. E kjo spikatej fare lehtë në fjalimet e tyre madhështore lehnin diçka e të nesërmen thonin se këtë fjalim e ka thënë “vëlla hajduti”. Ah nuk duhet harruar se kishin një dashuri vëllazërore ndërmjet tyre, një respekt që nuk kishte limit. E kështu pra fantazmat tona shfaqnin talentin e tyre që vihej re në të gjitha ato anë që me pasigurinë më të madhe mund të gënjej se janë pozitive. Megjithatë… vetëm ta shikonit njërin prej tyre, me një ecje klasike prej fotomodeli, me atë mantelin e zi dhe me atë litarin në fyt me një copë letër në dorë e cila shërben për fresk në të gjithë vapën e madhe, sepse në vathën e tyre fatkeqësisht mungon ajri i kondicionuar. Ai del përpara të gjithëve. Më trim se kurrë, i vendosur, sypatrembur, gjithë mend etj. E me një nostalgji që të emocionon fillon të kujtojë datëlindjen e tij e të të gjithë shokëve të tij nëpërmjet atij fjalimi ku tema dhe ideja kryesore mbajnë titullin gënjeshtër. Pasi fjalët e tij të prekin në sedër, një tjetër që sapo ishte zgjuar nga gjumi i bën sinjal që e kishte ai radhën të na mallëngjente.

Tani përrallës sonë të dashur lexues po i vjen fundi. Por fund në të vërtetë po i jap unë këtij shkrimi, por ju mund ta ndiqni çdo ditë nëpërmjet mediave përrallën e fantazmave të nderuara shqiptare.

Dhe meqë as unë, as ti dhe askush nuk e di se si do të përfundojë kjo përrallë, gjithmonë duke shpresuar se do të ketë një fund, do t’ju thoja një të vërtetë. Përralla që sapo treguam po e jetoj unë, po e jeton ti, po e jetojmë të gjithë ne, duke e emëruar thjeshtë si një moment komik në ditët tona, ndërsa zotërinjtë e nderuar fantazma, vazhdojnë të luajnë rolet e tyre në mënyrë të mrekullueshme. E në fakt ky çast komik po na zë frymën.

A nuk mendoni se ka ardhur momenti që të themi:

… fantazmat u zhdukën dhe populli jetoi i lumtur dhe i qetë përgjithmonë…

Emiranda Lukaj

 

29 nandori 1944 asht (ç)lirimi i Shqipërisë!

Së pari, kini durim e ndiqni nji leksion të shkurtë gjuhe (ma saktë: fjalëformimi): Prej mbiemnit “i lirë”, vjen folja “liroj” e prej andej rrjedh emni foljor “lirim”. Po më kujtohet, për ilustrim, poema “Liria” e Dom Ndre Mjedjes, ku, ndër të tjera, lexojmë:

    “Lirimlirim! Bertet gjithkaj malcia;

    a ka lirim ky dhe qi na shklet kamba,…”

e ma poshtë:

“… e veshtroje ku i del lirimit ama.” (theksimet e mia)

Ju kujtoj se D.Nd.Mjedja asht kryemjeshtri i gjuhës shqipe.

Vazhdojmë leksionin… Edhe pak durim, ju lutem… Me mbrapashtesën –im, folja “liroj” na jep emnin foljor “lirim”. Po t’i vëmë rrajës “i lirë” parashtesën me kuptim kundërshtues ç-, përftojmë emnin tjetër foljor “çlirim”, e kundërta e “lirim-it”. (Kujtojmë edhe fjalë të tjera të përgiashme me të: çmall, çnjerëzor, çarmatim, çorganizim, etj.).

Qe pra, se e kanë gabim ata qi e kundërshtojnë se çlirimi i Shqipnisë ka kenë me 29 nandor 1944… Po! Atë ditë ka fillue çlirimi! Lirimi ishte ba me 28 nandor 1944!!!

Dritëshkurtët (fusim këtu të gjithë nostalgjikët e komunizmit, sllavofilët e grekofilët, antishqiptarët, tregtarët e flamujve, sharlatanët e të gjitha kallepeve), këta pra, mund të më thonë, me neveri: “Ti ende nuk kishe le atëherë. E çka din ti?!… Na kemi luftue vetë, ani pse ato ditë kemi kenë në Tiranë, në Krujë, në Kukës, në… (Gjithkund, por në Shkodër jo, – ua kthej unë, tue u nisë prej dëshmisë së tem atë, ish-pjesëtar i Brig.XXIV, mandej, a nuk ju mjafton dëshmia e mësuesit të nderuem z.Ibrahim Miloti?!… E, ma në fund, ju (komunistat e djeshëm e të sotëm), vetë e keni pasë shkrue datën 28 nandor 1944, si ditën e lirimit, në pllakën përkujtimore qi ka kenë e vume në qendër të Hotit (e qi e keni thye ju vetë, komunistat e kuq, per me zhdukë gjurmët e së vërtetës, kur rierdhët në pushtet, me dhunë, më 1997): “Në këtë vend, më 28 Nëntor 1944, kaloi Brigada e 6-të Sulmuese e Ushtrisë Nacional-çlirimtare, për të ndihmuar në çlirimin e popujve të Jugosllavisë.” (Shih “Kumtar” i Muzeut Popullor të Shkodrës, vjeti 1978, f.128. Mos harroni se atëherë, pra me 1978 kanë kenë të plotfuqishëm prindtë tuej).

Ndoshta do të ishte ma mirë me gjetë nji datë tjetër o ndoshta mos me e marrë parasysh aspak, pse Lufta e Dytë Botnore nuk ka kenë vetëm ndër ne…

Sidokjoftë, ju kërkoj të falun për kohën qi ju mora…

Mësimi mbaroi. U pafshim me të mira!

Palokë Rrotani

Mësues e studiues i gjuhës shqipe

 

Zonja e hekurt socialiste Merita Fanko bllokon forcën politike të PS-së

Pas një barazimi të Lushnjes 2:2 me Dinamon në një ndeshje miqësore, shumë vite më parë, Lenka Çuko thërret trajnerin:

-Ekipi i futbollit nuk po e justifikon besimin e partisë, ç’bën ti aty?

-Po ja, shoqja Lenka, ne shënuam gol…

-Duhej të shënonit dy gola.

-Dy gola shënuam, po edhe ata të Dinamos shënuan dy, shoqja Lenka.

-Atëherë të bënit tre, katër, pse jo edhe pesë, po nejse, si jemi në renditje?

-Po mirë jemi, nga kreu i kategorisë së dytë.

-Hajt, shko, vitin e ardhshëm e dua Lushnjën në kategori të tretë.

Trajneri u përpoq t’i shpjegonte se luftonin për të parën, por Lenka duke ngritur receptorin, i thotë: -Jashtë, jashtë, se po më telefonon shoku Enver.

Kështu si Lenka Çuko dikur edhe Merita Fanko në Shkodër, është shndërruar në objekt barcaletash nga shumë mësues dhe flitet se herë pas here, njëlloj si Lenka që merrte nëpër gojë Enverin, merr nëpër gojë shefin socialist, Fatos Nano, saqë është krijuar një bindje, ndoshta edhe false, se ajo ka përkrahjen e Fatos Nanos, sido të punojë, sado dobët apo indietro.

Pra, si për t’i ardhur në ndihmë PS-së, të “shtypur” nën peshën e kulturës së Drejtoreshës së Asimit Rajonal të Shkodrës, Merita Fanko, njëri ndër eksponentët socialistë, Mëhill Shkalla, për të mos bërë bujë publike, ka nxjerrë një laps, lapsin e ka drejtuar mbi letër, letrën e ka mbushur me probleme e akuza, problemet e akuzat ia ka dorëzuar partisë së tij në Shkodër, partia i ka arkivuar, ne kemi gjetur mundësinë e fotokopjimit të origjinalit, dokument të cilin po e botojmë të pjesshëm si faksimile.

Një mendje e kujdesshme vëren se socialisti Mëhill Shkalla, duke sulmuar egër Merita Fankon si të paaftë, bile deri në krijimin e një krize morale në qeverisjen socialiste, ka dashur të filozofojë se në PS shiu assesi nuk duhet të lagë të tharin, por pikërisht të lagurin. Sipas tij, Merita Fanko është e “lagësht qull” me kohë e me vakt zyrë më zyrë e “mal më mal”. Merita Fanko nuk mund të veshë Partinë Socialiste me “rroba” besimi, duke e zhveshur nga morali, duke lënë të nënkuptohet se abuzimi me detyrën më së pari është mungesë morali, ashtu sikundër janë të tëra gjërat që diktohen e komandohen nga ndjenjat.

Në dokumentin në fjalë, zoti Shkalla i kujton partisë së tij se ka lindur më 10 maj 1962, se është diplomuar në degën Gjuhë-Letërsi, se ka dhënë mësim në gjimnaz nga viti 1987 deri më 1997, se ka qenë inspektor i Drejtorisë Arsimore Shkodër nga viti 1997 deri në vitin 2002, se ka qenë shef kuadri nga viti 2002 deri në vitin 2004, se momentalisht është zëvendësdrejtor i shkollës 9-vjeçare “Pashko Vasa”, se është këshilltar i PS-së që në zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri, dhe sot këshilltar i Bashkisë Shkodër.

Në momentin që Merita Fanko është emëruar nga PS-ja Drejtoreshë e Arsimit Rajonal të Shkodrës, unë takova konkretisht krizën morale të PSSH-së, deklaron shprehimisht Shkalla, duke theksuar se flet edhe si anëtar i kryesisë së PS-së. Duke i përkujtuar partisë edhe detyrat e tjera të rëndësishme të Merita Fankos, si sekretare e Partisë Socialiste, si anëtare e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, lë të kuptohet se ndryshe nga Partia e Punës që kishte shumë Lenka Çuko, për Partinë Socialiste çdo gjë e vështirë mund të kthehet në mundësi. Më thjeshtë, Merita Fanko, sa kohë që ende nuk është shumë vonë, mund të shkarkohet nga detyra e drejtimit të arsimit më së paku, pasi, gjithnjë sipas socialistit Shkalla, ajo deformon, shkatërron konkursin në DAR, duke thelluar në krizë mundësinë e standardizimit. Në të vërtetë Shkalla nuk thotë se ajo ia ka marrë dorën si sekretare afër prefektëve. Po nejse, këto janë punë të përbrendshme partie dhe punët e tilla nuk është mirë të “çahen” si burgu i Shkodrës, apo të “shpërthejnë” si ujërat e zeza që kanë bërë pellgje nëpër Shkodër. “Erë” të keqe në të vërtetë ka shumë zyrave të shtetit, sa edhe kundragazi del jashtë funksionit. Madje edhe ligji për ndalimin e minifundeve sikur nuk po i funksionon Nanos nëpër zyra, as këtu në Tiranë, le më pastaj provincave ku këmbët ngrihen shkallëve të institucioneve lart e më lart, në detyrë normalisht, e s’ka burrë shteti pastaj t’u thotë atyre këmbëve, zbritni këto shkallë po kaq shpejt sa i ngjitët.

Po le të kthehemi tek problemi i Shkodrës. Ka aty akuza se është shkatërruar Arkiva e Drejtorisë Arsimore, pra puna shumëvjeçare, ku dokumentacioni sot është birucave të prefekturës, ka aty akuza për bllokimin e punës së nisur për verifikimin e diplomave, sipas porosisë së Ministrisë së Arsimit e Shkencave. Edhe regjistrat thuhet të jenë deformuar, duke zvogëluar, duke eliminuar rubrika etj.

Në të vërtetë, pa pretenduar se për rastin konkret gjithçka mund të jetë e vërtetë, në administratën e shtetit shqiptar, sot ka spekullime mes leverdisë e drejtësisë, apo jo? Sidoqoftë, Mëhill Shkalla, duke vënë të zezën mbi të bardhë, për të zbardhur sadopak “faqen” e partisë së vet, duke nënshkruar nën përgjegjësinë e tij në fund të dokumentit, thotë se Fanko largon nga puna kontingjentin më të mirë të inspektorëve, shkel ligjin, nëpërkëmb etikën administrative, shkarkon shefin e personelit në maj dhe e emëron në shtator (të vitit të shkuar), ende nuk ka emëruar inspektorët e larguar, bën shkurtime pagash pa i paraprirë me përqendrim shkollash, ka marrë dieta sa tërë drejtorët e arsimit së bashku të emëruar që nga viti 1997 e këtej. Madje, Shkalla deklaron me shkrim, se një pjesë të dietave e ka firmosur edhe vetë. Shkalla është i gatshëm për verifikim të tërë këtyre e edhe të dukurive të tjera që mund të jenë objekt i vëmendjes sonë në të ardhmen.

Së fundi, në fund të fundit, mund të themi se veprimet e shkeljes së etikës, dhunimit të emëruesit të përbashkët socialist, tingëllojnë si fenomene që mbajnë peng institucionet e bllokojnë forcën politike të PS-së, paçka se të tëra i ngjajnë një emocioni që të sjell gjëja e ndaluar.

Sokol Pepushaj

 

Polemikë

Kur biem pre e stilit kaçiram…

Kushdo që shkruan, apo tenton të thotë fjalën e vet publike, jo thjesht për edukatë qytetare, por si obligim serioz ndaj kontratës së heshtur me lexuesin, nga cilido kah që ta shohësh, është i detyruar të jetë tepër korrekt.

Në këtë vështrim si njeri “i letrave” ka shumë rëndësi të jetë tepër i sinqertë, i argumentuar me fjalën e tij për ato që shkruan, çka mund të ngjasë realisht vetëm kur ai është i sinqertë me vetveten.

Vërtet po jetojmë epokën e një kapitalizmi të ri, atij kulturor, ku natyrshëm cilado media, qoftë e përditshme, e përjavshme, apo e përmuajshme, ballafaqohet dhe synon të realizohet maksimalisht në treg, si domosdoshmëri i mbijetesës. Kështu gjykuar nga sensi i këtij sinqeriteti me vetveten dhe lexuesin kapitalizmi që synojmë mund të na shfaqet me dy pamje, siç e thekson me të drejtë studiuesi i mirënjohur i “letrave” shqipe, dr.Moikom Zeqo:

“Ai mund të bëhet një Rilindje e Re, ose mund të kthehet në një shekull të murrëtyer” (M.Zeqo, “Globalizmi dhe shqiptarët”, fq.179).

Ata që fillojnë t’i fusin fjalës “mish dhie” për motive që e dinë vetëm ata, thënë ndryshe, në emër të interesave “të tjera”, të antivlerave, apo sipas filozofisë së përjashtimit, pragmatizmit banal, entusiazmit provincial, apo atij modern, saktësisht publikisht nxjerrin kunjin me vetveten, denigrojnë “fjalën” si vlerë kulturore, etike dhe estetike. Për pasojë soj-sorollopë të tillë duke synuar të korrin “karabusha” kthehen për vete në kaçiramë (kaçamolë) të mendimit, përndryshe në karabush, kokerrlodhur.

Janë dy mënyra që të çojnë në të njëjtin status, apo në fatin e fikces, vetvrasjen morale me gojën tënde:

Kur abuzon me atë që shtiresh se të preokupon duke injoruar deri minimumin e kulturës profesionale e qytetare që duhet të kesh si qenie njerëzore dhe e dyta:

Kur denigron me fjalën parazitare deri integritetin moral të tjetrit i nxitur nga instinktet më të errëta që burojnë nga thellësitë e subkoshiencës.

Ngado që ta vlerësosh këtë sjellje publike të përçudshme, antinjerëzore, jashtë të gjitha almiseve normale që mund dhe duhet të përdorë një njeri kompetent i “fjalës” bilanci mbetet i njëjtë: Pre e llojit të vet, apo më saktë pre e një të shkruari sipas stilit sakat kaçiram, që për kokrra na servir kashtë.

Pa dashur të moralizoj, aq më pak të përjashtoj nga respekti im cilindo, në kuadrin e këtij konteksti, u ndjeva i befasuar, kur sipas stilit të dhunës me fjalën mbi 13 vjet nga klasa jonë politike, që vazhdon të mbajë portokalli këtë vend, botuesi dhe bashkautori i 13 numrave aq simpatikë të “Oranës” gjatë viteve ’90, z.Blendi Kraja, plot 13 herë i karrikuar karabushërisht i drejtohet me këtë nofkë redaktorit kulturor të të përditshmes kombëtare “Ballkan”, z.Ilir Bushi në mars 09.2004, me shkrimin mjerisht mjeran “Sakatimi i mendimit shqiptar”.

Kodi i të shkruarit sipas këtij stili (stili identifikon autorin) natyrisht do t’i shkonte për shtat një humori kooperativist, por kurrsesi një njeriu “të letrave” që respektojmë dhe dëshironim të rishpalosej si i tillë edhe kësaj radhe. Me të drejtë mund të polemizonte ai dhe cilido krijues, apo mediatik, qoftë edhe ndaj intervistës sonë të dt.17.08.2004 dhënë gazetës “Ballkan”, nëse do të prononcohej profesionalisht, siç i ka hije një shkrimi serioz.

Përjetuam në Shkodrën tonë të injoroheshin përvjetore të panteonit tonë letrar, të shpallej poeti “i dashnores së shekujve” Shkodërloces, Migjeni, “shpirti sllav që flet shqip”, heshtjen mizore ndaj Mjedës, poetit brilant që do t’i këndonte mjeshtërisht si ai i Abraham Linkolnit, themeluesit të demokracisë amerikane moderne, injorimin denigrues ndaj poetit tonë kombëtar, politikanit dhe klerikut të përmasave evropiane At Gj.Fishtës duke e etiketuar si anakronik dhe të epokës së majmunërisë së bashku me Koliqin e Migjenin.

Përjetuam të anatemohej idiotërisht si kamikaz O.Kuka, apo të zhdukej pa lënë gjurmë Shtëpia Muze e poetit të talentuar, politikanit modern dhe “Mësuesit të Popullit” Luigj Gurakuqi, siç vazhdojmë të përjetojmë të mos ketë shtëpi, një varr normal, të padhunuar Migjeni ynë, poeti “më i madhi i elitës së shkrimtarëve shqiptarë edhe sot” sipas dramaturgut të shquar Fadil Paçrami, siç po shkatërrohet shtëpia e muzikologut të madh R.Sokoli, etj., etj. Dhe përballë gjithë kësaj maskarade moderne suigeneris nordike asnjëri nga “arsianët”, qoftë edhe z.B.Kraja nuk tregoi një moment të tronditjes shpirtërore, aq sa e tronditi deri një lapsus redaktimin Leshanaku për Lleshanaku, apo ndonjë pasaktësi tjetër përfshirë edhe dozën entusiazte mbi jetën kulturore-artistike, aq më pak letraro-erotike në M.Madhe, gjatë intervistës së lartpërmendur.

Kjo pa mundur njeri të injorojë interesimin e lakmueshëm për letërsinë, artin, kulturën dhe librin në këtë trevë, falë punës së mirë të gjimnazeve Koplik, Gruemirë, Bajzë, Reç e Tamarë, apo punës sistematike serioze të bibliotekës “E.Durham”, aq të pasur e funksionale të qytetit të Koplikut nën shembullin e pëlqyer të krijuesve malësorë me bibliotekat e tyre personale mjaft të pasura në tituj libri të traditës dhe të librit bashkohor shqiptar e të huaj.

Jo rastësisht u arrit që kohët e fundit Teatri “Migjeni” në Shkodër vuri në skenë premierën “Lugina e Shpirtërave” sipas librit poetik “Mbi varre fryn erë” të poetit malësor T.Kaçaj, apo dhënia e çmimit “Penda e Argjendtë” poetit Sokol Zekaj për vitin 2004 në Konkursin Kombëtar për Letërsi organizuar nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve, tetor 2004, Tiranë. Personalisht kam respekt për bashkëpunimet serioze të “Arsit”, veçmas për miqtë e mi bashkëpunëtorë si dr.Ardian Marashi, për kodin e tij mjeshtëror të dekodifikimit estetik të krijimtarisë letrare të Koliqit etj., dhe dr.Begzad Baliun me përpjekjet për të stakuar profesionalisht dhe me guxim frymën e kultit në krijimtarinë letrare. Aty ku fillojnë të ngihen, apo nyjëzohen kultet, fillon të marrë jetë ngerçi krijues, degradimi i shijes estetike, sindromi i “normativizmit” të djeshëm.

Po kaq kam respekt për cilindo krijues shkodran, krahas atij shqiptar në tërësi, çka e dëshmon qartaz libri im i kohëve të fundit “Kurthi i Fjalës”. Ndërsa qëndrimin nihilist “me inventar”, si qëllim në vetvete, ndaj gjithçkaje të krijuar nën diktaturë e vlerësoj si një handikap intelektual, apo si fytyra moderne e platformës estetike totalitare në kodin “krijues” të ithtarëve të këtij kalibri mjeran, që nuk jetojnë dot shpirtërisht jashtë tablove sinoptike.

Madje gjithëherë jam ndjerë në vetvete pjesë e atij angazhimi publik me po atë ndjesi dhe dashuri për Shkodrën si cilido prej tyre. Natyrisht kur vlerësoj trevën time, aspak nën kurthin e entusiazmit provincial, kam parasysh numrin e banorëve që ka në krahasim me Shkodrën duke mos llogaritur kurrë tek kjo e fundit studentët e USH, që vijnë nga të gjitha anët e Shqipërisë natyrore.

Ajo që të mbetet në vëmendje për nga motivi i të shkruarit tek artikulli i lartpërmendur në “Ars” nuk është interesi objektiv i njeriut të “letrave” por, qofsha i gabuar, por mungesa e të preferuarve të tij në “10 shkrimtarët më të mirë”, po aq sa ndjenjë e imponimit të sensacionit vulgar në emër të komercialitetit banal. Pak rëndësi ka nëse nuk u pëlqen të gjithëve iniciativa e “Ballkan” lidhur me “10 shkrimtarët më të mirë”, sipas meje filluar me Kadarenë, vijuar me Agollin, patjetër përfshirë edhe Trebeshinën dhe mbyllur me Mustafain, të cilët po na dhurojnë vlera krijuese të nivelit bashkëkohor, të konfirmuar në Shqipëri dhe jashtë saj.

Me këtë rast do të kujtoja edhe arritjet e kolegeve tona krijuese, si M.Ahmeti, V.Allmuça, mjeshtërore në kodin e saj të shprehjes së përjetimit si krijuese, V.Zllami, apo e talentuara E.Dones, krahas “veteraneve” të letrave shqipe si N.Lako, D.Çuli, M.Meksi, H.Kadare etj.

Pa u nxituar të paragjykoj askënd, dua të theksoj se kushdo mund të plotësonte dëshirën e shprehjes së mendimit të lirë në “Ballkan” për të “preferuarit” e tij në atë anketim krejt të hapur. Nuk më shkon ndërmend të mbroj njeri, besoj transparenca ime flet vetë, por turravrapi i zotërisë në fjalë, me ngutjen e pajustifikueshme, e banalizon problemin duke rënë pre e stilit kaçiram.

Madje i parë në thelbin e vet, problemi në vetvete na sjell ndërmend domethënien se ruajtja dhe konsolidimi i vlerave tona sa vjen e më tepër do të “varet nga fakti se sa ne jemi në gjendje të drejtpeshojmë maninë e tregtimit të çdo gjëje me kulturën, pra sa jemi në gjendje të ruajmë hapësirat kulturore deri tani të pashitura, si bie fjala: Vullnetarizmin, fenë, artin, muzikën, afërinë vetiake midis njerëzve, bashkësitë reale… përkatësinë tradicionale” (M.Zeqo, vep.cit., po aty) si gurët themeltarë të mbrojtjes së identitetit tonë si komb, ku secili prej nesh me punën dhe preokupimin maksimal mund të vërë një guralec sado modest, në ngrehinën tonë të përbashkët si pjesë e Evropës së RE, kundër çdo etiketimi banal, denigrimi moral, apo përjashtimi si deri dje.

U nisa në këtë shkrim kurrsesi për të replikuar, por nga parimi universal “sa më shumë respekt për njeriun, aq më shumë kërkesa ndaj tij” me shpresën se në vend të kokrrave të thara të kaçiramit, të integruar mes vedi, në diversitet mendimesh dhe idesh, kudo, kurdo dhe ngado që të shprehemi, me shumësi zgjidhjesh të afruara, ku asnjeri nuk ka të drejtë të pretendojë monopolin e dijes, me stilin normal (letrar, shkencor, publicistik) të të shprehurit, sidomos publik, mund të sjellim në jetë kokrra të shëndetshme.

Kadri Ujkaj, kritik letrar

 

Ne mësuesit veteranë, të harruar

Më shtyu 90-vjetori i fidanishtes së parë të përgatitjes së mësimdhënësve të Normales Elbasan, që të shpreh disa mendime të mia rreth ne, mësuesve të parë dukagjinas që jemi diplomuar në këtë fidanishte të nderuar të gjuhës shqipe.

Është fakt i pamohueshëm që nga viti 1936 në Thethin pikturesk është hapur shkolla e parë shqipe në zonën e Dukagjinit. Dhe kjo shkollë nën kujdesin e etërve françeskanë. Do kalojnë vite e vite gjer në çlirimin e Shqipërisë që krahas reformave të tjera në fusha të ndryshme të jetës, regjimi komunist i Enver Hoxhës mori edhe atë në fushën e arsimit. Kjo reformë u bë e mundur me hapjen e dhjetra shkollave në fshatra të ndryshme të Dukagjinit. Por këto shkolla donin patjetër dhe kuadrin mësimdhënës që duhej përgatitur nga bijtë dhe bijat e Dukagjinit. E kjo përgatitje u bë në shkollën shumë të nderuar Normale Elbasan. Të flasësh për profesorët e nderuar mësimdhënës të kësaj shkolle do duheshin qindra fletë radhori apo qindra faqe gazete. Por në këtë shkrim dua të shpreh disa mendime rreth harresës që qeveritë post komuniste, qofshin të majta apo të djathta, kanë bërë për neve mësuesit e parë të Dukagjinit, pas vitit 1945 e në vazhdimësi të përgatitura në këtë shkollë të nderuar. Është fakt i pamohueshëm se nga bankat e kësaj shkolle u përgatitën kuadro mësues jo vetëm për zonën e Dukagjinit, por për tërë Shqipërinë.

Në radhë të parë është meritë e kësaj fidanishteje dhe mësuesve që nxori nga dyert e saj zhdukja e analfabetizmit, jo vetëm në Dukagjin por në të katër anët e atdheut. Shumë nga këta mësimdhënës bij dhe bija të Dukagjinit të cilët filluan detyrën e shenjtë për zhdukjen e analfabetizmit, në zonë dhe përgatitjen e kuadrove të rinj të cilët po shërbejnë në çdo fushë të shkencës në Shqipëri, sot kanë vdekur. Për ne, shokët dhe shoqet e tyre, vdekja është vetëm fizike. Ata kanë jetuar, jetojnë dhe do jetojnë edhe në të ardhmen në zemrat e kolegëve të tyre, ish-nxënësve të tyre dhe mbarë banorëve të trevave të Dukagjinit dhe më gjerë.

Në këto 14 vjet tranzicioni që po jetojmë ne jemi lënë në harresë. Më e keqja është në zonën e Dukagjinit jemi në pragun e analfabetizmit. Kjo një fatkeqësi lokale, pse jo edhe në shkallë kombëtare. Të harrosh mësimdhënës të tillë si Ndue Çuni nga fshati Plan që vdiq në klasë duke dhënë mësim apo Mëhill Deda, Mirash Zef Preka, Shkurte Rusheta, Gjok Pjeter Voci, Gjin Kola Avdija, Pal Mirashi, Mirash Zef Shytani, Pëllumb Lulash Malaj, Zef Gjeloshi, Ndoc Marashi nga Thethi, mësues nga Kelmendi, Nikoll Mark Bujaj, Mark Lumaj, etj., është e pajustifikueshme. Unë dhe ish-kolegët e mi ish-kuadro të arsimit të përgatitur në Normalen e Elbasanit, në asnjë rast feste të mësuesit 7 Marsin apo jubile tjetër apo përvjetori të ndonjë shkolle nuk jemi ftuar.

Drejtoritë e arsimit, prefekturat, këshillat e komunave të fshatrave të ndryshme na kanë harruar. Të flakur si limon i shtrydhur me një ish-rrogë qesharake, po e ngrysin moshën e tretë me mallin e nostalgjinë e viteve të mësimdhënies në vendlindjen tonë të dashur, Dukagjinin.

Apeli ynë është ky: Mos qitni në harresë problemin e arsimit në zonën tonë. Drejtues të dashur të Drejtorisë Arsimore, mjaft shkolla janë mbyllur. Të paktën në shkollat ekzistuese të bëhet mësim sepse analfabetizmi po troket në dyert tona.

Ju na keni harruar në kohë e ne ish-mësuesit e parë dukagjinas të periudhës pas çlirimit mos na detyroni të veshim opingat si dikur, të marrim trastat me libra, lapsa e fletore, t’u ngjitemi maleve dhe, si dikur, të rifillojmë punën në luftën kundër rezikut që cilësova më lart.

Nikoll Gjokë Bregu

Pensionist, ish-nxënës i Shkollës Normale e mësues i viteve ’50

 

Djaloshi 14-vjeçar në pranga

Kemi shkruar shpesh herë për njerëzit e besës e të pushkës, mikpritës dhe bujarë. Rrallë herë gjen vend me këto karakteristika si gjen në Pukë. Disa kilometra larg qytetit të lashtë të Pukës gjendet fshati Mzi. Ky fshat është në afërsi të hidrocentralit të Fierzës. Në vitin 1950 shumë nacionalistë u larguan drejt Jugosllavisë, meqë u hap një dritë e zbehtë jeshile për këta njerëz të shumëvuajtur nëpër male për vite me radhë. Mirëpo, siç thamë më sipër, Mziu ishte fshat me probleme nga më të përmendurit në këtë krahinë. Nacionalistëve u duhej të kalonin Lumin Dri për të kaluar në Jugosllavi. Fshati kishte disa komunistë të ishin të lidhur me Tiranën zyrtare. Këta gjurmonin ditë e natë dhe Sigurimi i egër lidhej ngushtë me këta komunistë për të eliminuar sa më parë nacionalistët. Mirëpo, kishin një bazë të vogël që mund t’i ndihmonte për largimin e rrezikut të tyre, pra ishte djaloshi 14-vjeçar nga fshati Mzi, Kol Bib Doda, i cili kishte në shtëpi vetëm dy pleq dhe ishte djal i vetëm. Kola mundohej që këta të largohen nga ky fshat i rrezikshëm se fshati ishte i grupuar dhe shumë njerëz kishin armë me leje të sigurimit. Një natë me errësirë pa hënë, këta nacionalistë u nisën drejt Vaut Dardhës për të kaluar Drinin drejt Jugosllavisë dhe mbasi ata hipën në varkë për të kaluar Drinin Kola ishte me ta. Mirëpo kryetari i këtyre ishte Mark Zogu nga Arst-Miliska, i cili po nisej me 20 vetë për në Jugosllavi, kur në errësirën e natës diktoi djaloshin. Urdhëroi të ulet nga varka sepse ishte djalë i vetëm dhe duhej të shkonte në shtëpi. Kola u largua, por shumë i mërzitur dhe lidhjet i mbajti vazhdimisht por nuk kaluan shumë kohë dhe erdhi vera e vitit 1951, kur policia e postës Iballë bashkë me oficerin e Sigurimit të Degës së Brendshme Pukë erdhën tek shtëpia e Kolës dhe pasi e morën babën e Kolës në pyetje ata arrestuan Kol Bib Dodën në moshën 14 vjeç dhe kaloi disa muaj në Degën e Punëve të Brendshme Pukë. Ai u dënua 41 vjet burg politik. Populli i fshatit dhe mbarë fshatarët për rreth u mërzitën për djalin e vetëm të kësaj familjeje. Mbas 4 vjetësh, në moshën 18 vjeç Kola u kthye nga burgu dhe pas një viti ai shkoi ushtar. Mbas lirimit nga ushtria ai u martua me një vajzë të fisit të mirë dhe nuse e mirë, megjithëse Sigurimi nuk donte që Kola të ketë miqësi me këtë familje, por ai ia arriti qëllimit duke u martuar dhe lindi disa fëmijë dhe kjo familje u bë shumë e mirë. Gjithmonë Kola u ruajt sepse Sigurimi, hijet e zeza e ndiqnin pas. Ai u detyrua disa vite me radhë të jetonte larg fshatit, në bjeshkë të larta me bagëti e fëmijët e tij. U ruajtën nga komunistët famëkeq. Ata punuan shumë sepse këta e dinin se ç’ka hequr babai i tyre në moshën e vegjëlisë në kampet e burgjet e diktaturës komuniste ku ai mori edhe një sëmundje reumatizmale që më vonë i kushtoi shtrenjtë shëndetit të tij. Pra për 20 vjet me radhë, siç shkruam më sipër, ai jetoi si çoban nën mbikqyrjen e degës Pukë në vendin e quajtur Zhavor. I shkruajmë këta rreshta në gazetën “Shqipëria Etnike” për të kujtuar burrërinë e djalit 14 vjeçar Kol Bib Doda dhe vuajtjet e tij nga diktatura komuniste. Le të mbetet kujtim ky shkrim në mbarë malësinë e Veriut.

Shan Sokoli

 

Haberret e akshamit në gazetën “Shqipëria Etnike”

Veteranët (komunistë) hapin fushatën e pranimit dëshmorë…

Nuk do t’i kishte shkuar kurrë kujt mendja se veteranët e “Luftës Nac-Çl.” do të hapnin fushatën e pranimit “dëshmorë”. Për të realizuar këtë organizatat e veteranëve na vjen haberri se paskan marrë një letër nga kryesia e PS, ku u porositkan që me çdo kusht të bëjnë evidentimin e të vdekurve nga familjet komuniste (dhe ato të spiunëve të tyre) që nga viti 1941 deri në vitin 1950. Të gjithë këta të vdekur në çfarëdo rrethane duhet të regjistrohen si dëshmorë të luftës për fitoren dhe instalimin e komunizmit në Shqipëri. Gjithsesi për të realizuar këtë organizatat e veteranëve duhet të formulojnë regjistrat e tyre, dhe t’i raportojnë në komitetet drejtuese të Partisë Socialiste nëpër rrethe. Natyrisht vdekja në dyshek apo në hendek do të shkruhet ra dëshmor në luftë. Pas realizimit të kësaj detyre organizata e veteranëve do të përmbushë numrin e dëshmorëve 28 mijë që ka deklaruar me kohë Partia Komuniste (e Punës). Në haberrin e ardhur thuhet se kjo është një detyrë e “shenjtë” e veteranëve të cilët duhet t’i shpëtojnë nderin partisë, pasi sipas shifrave të gjetura në arkivat e shtetit (komunist) nuk gjenden veç fiks 4300 të rënë në Luftën Nac-Çlirimtare, dhe thuhet se shifra 28 mijë ka qenë thjesht një numër që ishte raportuar pranë organizmave ndërkombëtarë, për t’u dukur një kontribut i madh që kishin dhënë komunistët shqiptarë në luftën antifashiste. Ndonëse Partia Komuniste e plakur ka vdekur, por shërbëtorët e saj gjallë dhe partia bij po përpiqet me çdo kusht të mos e korisë “varrin” e s’ëmës. Deri tani thuhet se me aksion me goditje të përqendruar janë regjistruar mijëra “dëshmorë”, madje sipas të dhënave për një person janë bërë edhe 2-3 regjistrime, ku ka gjasa që shifra 28 mijë dëshmorë të tejkalohet dukshëm. Për këtë tejkalim pëshpëritet se vetë Fatos Nano është i shqetësuar, mirëpo veteranët (komunistë) nuk ndalen, pasi siç thonë ata janë mësuar që detyrat e partisë t’i realizojnë gjithmonë jo 100%, por 130 deri 150%…

Tre të burgosur në Shkodër punësojnë 1300 malësorë

Këto ditë shkurti thyen burgun e Shkodrës dhe u arratisën tre të burgosur. Menjëherë pas kësaj SHISH-i mori masat e veta për t’i gjetur se ku ishin strehuar të burgosurit, që dyshohej se ishin diku nëpër Malësi të Madhe. Me gjithë angazhimin e policisë së shtetit SHISH-i u hodh menjëherë në aksion, por për këtë nuk aktivizoi vetëm oficerët e vet që ka efektiv, por si dikur Sigurimi i Shtetit (komunist) me lista në dorë thirri “nën armë” 1300 malësorët spiunë që si në një kohë u organizuan në grupe vëzhgimi në çdo cep të Malësisë. Është interesant se 1300 spiunë është thënë se kanë qenë në vitin 1990 dhe përsëri thuhet se janë edhe tani, kur dihet se një pjesë kanë vdekur apo larguar në emigracion, por me sa duket shifra është ruajtur me pranimin e të rinjve. Gjithsesi siç i vjen gazetës tonë haberri përsëri këta 1300 SHISH-as janë të kënaqur pasi jo vetëm jaën mbledhur kështu për herë të parë pas 14 vjetëve, por mbi të gjitha për këto ditë “zbori” paguhen mirë, apo më shqip janë të punësuar në zanatin e tyre të vjetër apo të ri… por edhe lusin Zotin që kjo punë të zgjasë, e Zoti i tyre thonë është Shteti dhe Qeveria Socialiste…

Malësorët përkujtojnë edhe të rënët komunistë dhe antikomunistë

Më datën 1 shkurt 2005 përkujtohet në Vrakë 60-vjetori i rënies së “Heroit të Popullit” Vasil Shanto. Në këtë përkujtimore merrnin pjesë veteranë komunistë, drejtues të Partisë Socialistë e partive të tjera të majta, si dhe meritokratë të këtij shteti, madje në këtë “miting” përkujtimor u morën me “dëshirë” nxënës të shkollave që thuhet se shkollat janë të depolitizuara. Fjalimet për Vasil Shanton ishin me një mllef të pashoq kundër atyre që e vranë “heroin” e tyre i cili në atë kohë ishte duke u kthyer nga Jugosllavia me një mision (për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë, si republika e shtatë)… Përkundër kësaj pas 12 ditëve Shoqata e të Persekutuarve Politikë (prej shokëve dhe idealeve të Vasilit), përkujtuan 60 vjetorin e kryengritjes antikomuniste të Malësisë së Madhe. Ndërsa në përkujtimoren e V.Shantos folën e shanë me emra konkretë vetëm veteranë komunistë, në përkujtimoren e kryengritjes antikomuniste folën jo vetëm antikomunistë, por edhe “komunistë” të rinj socialistë, të cilët kishin një kontribut të rëndësishëm në mediat e shkruara në vitet e para që triumfuan idealet e antikomunistëve malësorë. Gjithsesi malësorët e tubuar e duartrokitën “komunistin” e rinovuar në perëndim, i cili në këto vite ishte burrëruar dhe “penduar”… Pjesa më interesante e tubimit të 12 shkurtit ishin disa fytyra që kishin marrë pjesë e duartrokitur edhe në tubimin e Vasilit, ku për këtë ne nuk mundëm të marrim një haberr të saktë, përse kishin ardhur, pasi qarkullojnë dy versione: I pari që thotë se këta “veteranë” kishin ardhur me mision; dhe i dyti që thotë se këta ishin ngatërruar me thashethemin se do të ndaheshin distinktiva me germën SS… E pabesueshme, kur ne po mbyllnim këto haberre na vjen një tjetër që thotë se në tubimin antikomunist morën pjesë edhe nga ata që në Vlorë kishin ngritur tre gishta (në 1997) që janë simbole Serbe-Sllave, për idealet e të cilave ishte vrarë edhe “heroi” Vasil Shanto…

PS-ja ia fut PD-së për zonat zgjedhore në minoritetin grek

Është interesan se si PS po menaxhon ndarjen e zonave zgjedhore për minoritetin grek në jug të vendit, por është më interesant se si PD ra në kurthin e Partisë Socialiste. Thuhet në kurthin, pasi siç dihet PS është parti komplet me orientim pro-grek, ku minoriteti është në mbështetje të plotë të kësaj qeverie e këtij shteti. Mirëpo dikush mund të pyes atëherë përse PS-ja nuk pranon për të krijuar zona zgjedhore të pastra me minoritetin grek??? Haberri që na erdhi këto ditë nga zonat e jugut i jep përgjigje mjaft të besueshme kësaj pyetjeje. Së pari PS me kundërshtimin e zonave të “reja” zgjedhore për minoritetin fiton kredibilitetin e humbur si vasale e Greqisë, duke u treguar nacionaliste e tërbuar, si dhe krijon përkohësisht një alibi për të larguar vëmendjen e shqiptarëve e më gjerë nga dreqninat që kanë zënë Shqipërinë tonë. Së dyti, ul përkohësisht nacionalitetin e Partisë Demokratike, e cila e etur për pushtet pranon çdo kompromis edhe në dëm të Shqipërisë. Së treti, PS jo vetëm do ta pranojë variantin, por për këtë do të fajësojë PD si pro-greke dhe komunitetin ndërkombëtar, por tashmë minoritetin grek do ta quajnë minoritet etnik e jo diasporë siç është në të vërtetë, duke krijuar kështu “idenë” se trojet e minoritetit janë toka greke, ndonëse këtu nuk është e gjithë popullsia etnike greke… E këto pasoja do t’i heqë edhe vetë PD-ja nëse vjen këtë vit në pushtet. Gjithsesi PS-ja e “kreu” detyrën, dhe PD-ja e hëngri për bukuri… hë i bëftë mirë, siç përfundon haberri.

Përse vjen Edi Rama në Veri të Shqipërisë?

Nga takimet e Edi Ramës në Veri të Shqipërisë, duke përfshirë edhe Shkodrën e Malësinë e Madhe nuk kemi mundur të marrim asnjë haberr “serioz” për qëllimin e Edushkës. Ne në fakt menduam të mos i lëmë pa asnjë haberr lexuesit tanë, edhe pse haberri nuk mund të jetë shumë i besueshëm. Fillimisht u tha se Edi ka ardhur për të shitur mend tek banorët e veriut, mirëpo vetë Edushka e mohoi këtë, pasi tha se nuk ka nevojë për para, pasi këto i ka me bollëk në Tiranë, dhe mendtë i jep falas. Më vonë u hap fjala se Edi ka ardhur për të gjetur një nuse këtej nga trevat tona, mirëpo vetë Edi dhe stafi i tij e mohuan këtë pasi Edi nuk martohet kurrë me një femër, pasi i ka inat këto, madje kjo vërtetohet edhe nga mungesa e femrave për të qenë në këto takime. Ndërsa haberri i fundit na u duk më interesanti, pasi Edi kërkon pranë vetes djem të bukur e të shëndoshë, që ai i quan “intelektualë”, e ndërsa këtë haberr nuk e mohoi askush, në një takim të fundit një “malok” i veriut qiti “kushtrimin”: Ruani djemtë e bukur e të shëndoshë nga Edi Rama, pasi ai për këta ka ardhur, se të tillë nuk gjen në Tiranë…

I mblodhi si i mblodhi këto haberre Ndue Bacaj

 

Magjistari i dashurisë

“Në duart e mia unë kam zjarrin”

Garsia Lorka

E njoh mirë të gjithë krijimtarinë letrare të Shpendi Topollajt. Arti që lëvron ai është shumë zhanresh, ku nuk mund të ndaj Shpendin tregimtar, romancier, apo kritikun më dashamirës të letërsisë shqipe pa njolla konjukturale, nga Shpendi poet. Më kujtohet një thënie e poetit Konça Sardojës që thoshte: “Të qënurit poet e detyron t’i mprehë shqisat, t’i hapë në kanatë dritaret e shpirtit e të mendjes, t’i ngulë këmbët paq në truallin ku shkel”. Shpendi tashmë e ka “zaptuar” këtë truall poetik me talent, me punë, dije e kulturë shumëdimensionale.

Hyj në truallin poetik të tij dhe e kundroj me ëndje, e lidhur ngushtë me krahët e dëshirës dhe mendimit lëvizës; poete-lexuese. Shëtis në kopshtin poetik, këpus lulet e poezisë Topolljane, t’ia përcjell lexuesit aromën njerëzore-poetike. Edhe në skutat e padukshme të poezisë, shkëlqen drita e artit që kullon dashuri. Vëllimi poetik “Magjistari i dashurisë”, ka “pushtuar” lëndinën e letërsisë shqipe dhe pa asnjë fije xhelozie citoj vargjet e Uollt Uitmanit:

“Ti më shpreh veten time më mirë nga sa mund ta shpreh unë vet; Ti më je m’afër zemrës

Nga ç’më është vjersha ime”.

Poezitë e këtij libri në tërësi kanë karakter substancial-refleksiv. Komunikimi i poetit zhbirilon anët e errëta të dhembjes njerëzore dhe i ngre ato në art, duke ndërtuar portretin e Unit të tij. Forma e jashtme e poezisë derdhet e shkrihet në përcaktimin e formës së brendshme, që është e lakmueshme për ritmin e muzikalitetin e këndshëm në një vepër arti. Poezia e Shpendit është poezi e vetëdijes të qëllimtë, kundra qëllimit në vetvete.

Poeti ndërton boshtin e poezisë, spontanisht, fuqimisht pa patur frikë nga luhatjet e murit të ftohtë, të vjetëruar nga lagështira e Piramidës vibruese në letërsi.

Shpendi Topollaj është poet i ngrohtë, të ndjell dëshirën për t’u dashuruar me të bukurën, me idealen, me të përsosurën. I respektoj të gjithë ata poetë që investojnë nga shpirti i tyre për të krijuar art, por jo të gjithë e kanë “fatin” të kenë në mendje gjilpërën e talentit, të qendisin artin e kërkuar.

Në sitën e shijeve të mia për poezinë (midis dhjetra poetëve, që gjunjëzohem para vlerave të tyre), do të veçoja edhe Shpendi Topollajn.

Gjilpëra e shpirtit poetik, qëndis hijshëm magjinë e vlerave artistike. Shpendi është arkitekt i gjendjes poetike, ku me tingullin e brendshëm i këndon ndjenjave njerëzore. Me zërin e tij origjinal na imponohet, duke na përndezur edhe ne si lexues të këndojmë këngën e Shpendit, simbol i shpendit grabitqar, që me poezinë e tij na “grabit” zemrat, duke na kthyer në robër të poezisë.

Një fakt “flagrant” e gjejmë në këtë vëllim, ku miqtë e Shpendit kanë shtruar në tapetin e respektit, vlerësimit, mirënjohjes për poetin, poezi vetëm për poetin njeri, zi B.Agasi, M.Gjergji, Y.Nurka, R.Gole, V.Bejko e A.Bajrami.

Poezitë e Topollajt, rreken të ndihmojnë gjendjen shpirtërore-morale të shoqërisë sonë, ku individi s’tërhiqet nga veset, herë të mbartura si mendësi e vjetër, e herë të pjella nga gjendja e tranzicionit të gjatë socialo-politik.

Shqetësimet e poetit gërryejnë me penë të hollë ligësitë, gjurmët e hirta që shkelim përditë, duke skalitur me mjeshtëri, guxim e qytetari një veprë arti.

Dhe kjo vepër gdhend një personalitet poetik: Shpendi Topollajn

Edhe kur fijet e nervave poetike janë gati në këputje të emocionit, poeti hyn në gjendjen e artit tolerant e human. E lufton të keqen me armën e penës. Një situatë të tillë e hasim tek poezia “Me ty o botë luftoj”. Shqisat e poetit preki mprehtësisht çdo situatë të errët, duke e sintetizuar në dritë dhimbjen e lindjes së vargjeve. Me mençuri e shpirt i lartëson ato në qiellin e letrave shqipe. Veçoj në këtë vëllim poezitë “Ironia e moshës”, “Dinjiteti”, “Na lodhi errësira”, “Nuk na mençuron dajaku”, ku dhembja e poetit është dhembja e plagëve të njerëzve të thjeshtë.

Duke shëtitur në kopshtin poetik “Magjistar i dashurisë”, ndalem me vetëdije tek poezia “Sa vjet”, ku poeti përpëlitet në agoni, duke përjetuar një gjendje mosmirënjohëse të vetëekzistencës së tij. Sinqeriteti i dyluftimit me gjendjen e egërson poetikisht poetin, duke kërkuar krahët e durimit ta degdisë në botën irreale, për të gjetur qetësi.

Duke udhëtuar butësisht në truallin e lirikave topolljane nuk mund të harrojmë se jemi njerëz, dhe duhet të jetojmë, punojmë, dashurojmë si njerëz të qytetëruar. Në poezitë “Pse kjo torturë”, “Fjalët e fundit të poetit”, “Kur dikush shpif për mua”, “Pse kështu”, në gjendjen poetike përplasemi, rrëzohemi e sërish ngrihemi emocionalisht në shkallët e mençurisë të poetit, që di të “gatuaj” tharmin e gjendjes poetike, di të “luaj” me fjalën, me emocionet.

Shpendi nuk është skllav i emocioneve, emocionet janë skllave të poetit, pasi ai është poet me shpirt të madh, që rrezaton gjithnjë mirësi e potencial vlerash. Këtë rrezatim vlerash poeti e pasqyron tek poezitë kushtuar dy gjigandëve të letërsisë shqiptare e botërore, të Lasgushit e Gëtes. Poezi të shkruara me ndjenjë, me dashuri, me mirënjohje të thellë si poeti poetit.

Poezitë e Sh.Topollajt janë si pëlhurë e mëndafshtë, të ledhatojnë me lirizmin burimor që rrjedh i freskët, i ëmbël, gurgullues.

Substanca poetike është thelbi i ujdisjes së fjalëve në Universin poetik. Burimi i poezive të deh me kompozimin shpirtëror të poetit, si afresk pulëbardhe në shtegtimin e qiellit të pathyeshëm të poetëve.

Tek burimi i poetit Topollaj, shkon me dëshirë për të larë mëkatet, sikurse shkojmë në kishë për t’i rrëfyer e falur ato.

Tek burimi “Magjistari i dashurisë” shkojmë të zhveshim lëkurën e veseve, të smirës, të urrejtjes, të shqyejmë lëkurën e hakmarrjes dhe të mbathim këpucët e arta të dashurisë.

Në këtë burim poetik të ndizet etja për të pirë flladin esencial të vetë jetës.

Vëllimi poetik “Magjistar i dashurisë” është lidhur pazgjidhshmërisht në buzë lakonike dhe këndon këngën e poetit, që do të këndohet sot dhe nesër. Do të këndohet gjatë si kënga e Naimit, Mjedës, Migjenit etj., etj.

Shpendi Topollaj është dishepulli i tyre në konservatorin e fjalës artistike.

Po e mbyll këtë parathënie me një mendim të poetit spanjoll, Migel Ernandes, mbi konceptin për poetët dhe poezinë: “Ne poetët jemi erë e popullit; lindemi për të kaluar duke fryrë nëpër poret e tij dhe për t’ia shpënë sytë e ndjenjat drejt kulmesh më të bukura.

E sotmja, kjo e sotme pasioni, jete, vdekjeje na shtyn me një vrull të papërmbajtshëm mua, ty dhe të tjerët drejt popullit. Dhe populli i pret poetët me vesh e shpirt ngrehur përfund çdo shekulli.”

Fatime Kulli

 

600 vjet s’po gjejmë një mbret

Lekës s’Madh Mbret i vërtet,

T’mirat në Shkodër ia kemi gjetë.

Dhe Leka i Madh e tha açik,

Jam i biri i Zeusit Pellazgjik.

Shqiptarët flasin me histori,

Jo si kojshitë kta batakçi.

Para njiqind vjetve kemi shkrue tek Lisi;

Nji numer njerz Shkodra e Parisi.

Tash krejt Shqipnia s’është sa Parisi!

Dy milion na i muer Greqia,

Tre milion na i muer Serbia!

Tre të tjerë na i muer Azia!

Po i lamë të tjerët se kah kan tretë

Gjashtëqind vjet pa dal nji Mbret!

Që t’i afrojnë njerzit e vet.

Por do prijësa të mallkuem prej Zotit,

E shkelen ligjin e Kastriotit

Se nuk punuen per Shqipni!

Por per Grek e per Serbi!!!

Shkelën Zeusin, shkelen Leken!

Shkelën Pirron të gjallë e të vdekun!

Shkelë Kastriotin edhe veten.

Po kta hajdutë s’i ka pjellë dosa;

Por janë kopila Enver-Fatosa.

Njiqind vjet nuk janë plotësue,

Që Helen Shqipen e kan ndalue.

Se shum herë është kan perfolë,

E cilla gjuhë në Greqi me u folë.

E ka lanë Leka historin.

Që nga Shkodra në Janinë.

Edhe Pirro fill mbas tij,

Por Helen janë faqezi.

Tuj na shty gjithnjë në kufi…

Mbreti Pirro me tagan

Kundër helenve si luan

Përpara Shqipe i thrrasin shokët

Se mbas teje jemi tok.

Në qofsha Shqipe unë po ju prij

Por edhe ju jeni shqiptarët e mi.

Dhe atë ditë na u dha ky emën.

Përgjithmon mashkull e femen

Tash ne jem shqiptarët e ri;

Nga pellazgët në Iliri

Pa liri mos kjoftë njeri.

Ja si ngjet në shekullin njizet!

Nga kopilat Serb e Grek!

Në nandëdhet e shtaten andërr e gja

M’u ba në Tiranë nji demonstratë!

Edhe unë e pyes nji plak:

Ende kërkojnë Enver hajdutin?!

Kta janë nipat tha të magjupit

I asht msue hunda me erë mutit.

Pal Delia, New York

 

Çmimi i hyrjes ne histori dhe karta e veteranit per Enver Hoxhen

Ndërsa njeriu hipën në një autobuz ndërqytetas në paretet e brendshme të tij sheh shenimin se hipja në atë mjet bëhet gratis për fëmijët nën 16 vjeç, për invalidët paraplegjikë dhe ata tetraplegjikë, po ashtu edhe për të verbërit. Ndjen emocion, sepse kur makina e madhe, shpesh edhe e ftohtë, e shtetit i vihet në ndihmë shtresave më të brishta e më të pafat të shoqërisë, duke i marrë në mbrojtje, një nderim të vjen natyrshëm për të. Si edhe dëshira që shteti të njerëzohet më shumë në këtë fazë të ndërkryer tranzicioni, ku shoqëria e hapur ngjason jo pak me kapitalizmin e egër të më tepër se dy shekujve më parë. Shpreson patjetër që shteti, brenda mundësive maksimale të tij, të ketë më shumë dhembshuri për të braktisurin, për të ngujuarin nga gjakmarrja, për të papunin, për emigrantin, për të paralizuarin, për të burgosurin, për të moshuarin.

Kur lexon se në një autobus urban invalidët, përfshi edhe ata të Luftës,  paraplegjikët dhe tetraplegjikët, të verbërit dhe fëmijët nën 16 vjeç, mund të udhëtojnë falas nuk e kundërshton atë që edhe veteranët e Luftës ta gëzojnë këtë përkrahje sociale. Saktësisht siç është shkruar në ato tabelëza në paretet e brendshme të urbanëve. Në rast se tek gjithë të tjerët (invalidët apo fëmijët) ky lloj statusi publik rrjedh prej konceptit të mbrojtjes dhe ndihmës sociale, tek veteranët buron nga ai i nderimit të merituar për kontributin e tyre në çlirimin e vendit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nga kjo sjellje një shtet apo qeveri, ca më shumë një shoqëri, fiton respekt për nivelin e saj të qytetarisë.

Mirëpo kur sheh se një shtresë e tërë shoqërore, siç janë veteranët e Luftës së Dytë Botërore, rrethohet me përkujdesje një mendim dhe merak të rri i trazuar. Nuk ka vend për paragjykim përse veçohet nga shtresat e tjera ky brez veteranësh, sepse të jesh veteran e të udhëtosh gratis në një autobuz publik qytetës nuk është një privilegj i panevojshëm apo i fryrë prej sfondesh ideologjike, i lidhur patjetër me qënien në pushtet të një kabineti të majtë etj etj. Veterani i Luftës është njëkohësisht edhe një pensionist në moshë të thellë, kështu që dyshimet për panevojshmërinë e këtij statusi janë të tepërta. Mendimi që të shtyn të reflektosh për këtë status ka të bëjë me një shtresë tjetër të madhe, e cila e përmbush statusin e ndihmës e nderimit social. Si do të mendonim, përshembëll, në rast se në paretet e brendshme të autobuzave qytetës shenimi do të ishte riformuluar nga “Udhëtimi është gratis për invalidët e Luftës, invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë, të verbërit, fëmijët nën 16 vjeç dhe Veteranët e Luftës” në “Udhëtimi është gratis për invalidët e Luftës, invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë, të verbërit, fëmijët nën 16 vjeç, Veteranët e Luftës dhe të Persekutuarit Politikë nga diktatura”.

Çdo njeri që do të propozonte një korregjim e plotësim të tillë do të përpiqej ta argumentonte.

– Ditët e fundit ngriti një furtunë të madhe përpjekja për të hapur mundësinë ligjore të pajisjes së Enver Hoxhës me statusin e veteranit të Luftës. Edhe pse ngjarja në vetvete paraqiste variantin e një absurdi (diktatori nuk është gjallë që të mund ta kërkonte vetë këtë gjë apo edhe për pasojë të përfitonte materialisht nga ky status) zjarrmia me të cilën u debatua të linte gojëhapur. Duke lënë mënjanë urinë e vjetër të medias për lajme jo të zakonshme (dhe kjo kërkesë deri tek Presidenti, e bërë nga bashkëshortja e diktatorit, ishte e pazakonshme) në rreshtimin pro dhe jo të statusit të Veteranit të Luftës u vendosën jo vetëm ish- partizanë e ish- ballistë, monarkistë dhe republikanë, por edhe publicistë, historianë e politikanë. Sigurisht përderisa çështja u hap mbyllja më e mirë nuk do të ishte heshtja, por e folura, mundësisht analiza. Mirëpo një pjesë e politikanëve, që u thirrën të sqaronin pozicionet e tyre, u përfshinë në debat nga interesat e përpunimit të elektoratit. Ndërkaq fragmente jo të vogla të opinionit ende nuk janë të prirura të reflektojnë thellë e t’i shmangen emocioneve. Shoqërisë sonë akoma i duhet shumë kohë e mjaft maturim që më në fund të mos e konsiderojë lajm të dorës së parë përpjekjen për ta pajisur me kartë veterani njeriun, i cili me dorë të hekurt e të përgjakur drejtoi Shqipërinë për pothuaj një gjysëm shekulli. Po ashtu do të duhet shumë kohë edhe prej vetë veteranëve të Luftës të binden natyrshëm që “komandanti” i tyre nuk u ka qendruar fort besnik idealeve që ata kishin kur vunë në qafë shallin e kuq të partizanit. Ndoshta për shkak të viteve të largët shumë nga këta guximtarë e atdhedashës nuk kujtohen dot mirë se ai shall i flaktë atëhere, kur e lidhën në qafë me shumë dëshirë e ëndërra, i ngjante ngjyrës së flamurit kombëtar dhe aspak yllit të eksportuar nga revolucioni bolshevik sovjetik, i cili është dëshmuar përfundimisht që ishte një grusht shteti. Do të nevojitet shumë kohë që luftëtarët e epopesë partizane të kuptojnë masivisht se edhe lufta e drejtë çlirimtare u mpleks që në fillimet e veta, jo për fajin dhe përgjegjësinë e tyre, me parime dhe praktika të këtij grushti shteti. Kështu revolucioni shqiptar i messhekullit të shkuar për një sistem shoqëror demokratik u devijua dhe në thelb u tradhëtua. Sigurisht në këtë botë e në këtë vend ai nuk është i tradhëtuari i parë dhe as do të jetë i fundit. Duhet kohë që pjesa më “kokëforte” e veteranëve, përgjithësisht nga njerëzit më të ndershëm e më të thjeshtë të saj, ta kuptojnë këtë vërtetë. Do të ishte pa efekt çdo përpjekje e sforcuar per t’i “detyruar” tani apo për t’i paragjykuar si bashkëkombas që “u ka mbetur ora në vend”.

Tashmë në vitin 2005 duke qënë se jemi një shoqëri, e cila inspiron të mëkembet sa më shpejt nga një traumë kombëtare (ne përveç diktaturës patëm traumatik edhe vitin 1997), efektin kohë që mund tua lëmë dashamirësisht shumë veteranëve të luftës, nuk mund ta presim duarkryq ne të tjerët. Të paktën ngjarja e statusit të veteranit për Enver Hoxhën është një rast i mirë për të reflektuar edhe njëherë e parë objektivisht ku gjendemi. Ajo ishte një “lakmus”, i cili hidhet në një epruvetë dhe sipas ngjyrës që merr dëshmon llojin e lendës kimike brenda saj, në është acid apo bazë. A thjesht ujë. Ngjarja dhe debati për atë kartë veterani provoi se në shoqërinë tonë akoma ka mjaft “acid”. “Lakmusi” kësaj rradhe u ngjye me të kuq. Dhjetë vite të shkuara u mbulua i gjithë nga një blu e fortë.

Rrjedhojë e kësaj situate tej mase ngjyrëkuqe është edhe ai shenimi i dhimbshur në faqet e brendshme të çdo autobuzi urban. Ai status nderimi publik edhe për ish-partizanët, por ku mungojnë mijra të persekutuar nga diktatura. Shumë nga këta të fundit, njëlloj si të parët, janë në prag të pensionit apo në moshë të thellë. Mos nuk ishte luftë ajo ku u përfshinë dhe ku thjesht për bindje të tjera politike një pjesë humbën jetën e të tjerët kaluan kalvarin e burgjeve? Në një farë mënyre a nuk janë edhe ish-të persekutuarit veteranë të një lufte të gjatë për demokraci? Me mijra janë dëshmorët e betejës antifashiste dhe veteranët e saj, me mijra edhe dëshmorët e luftës antidiktatoriale dhe veteranët që ka. Atdheu është mbi të gjitha, në çdo sistem apo regjim. Mirëpo atdheu vlerën e vet si mëmëdhe dhe patriotizmi kuptimin e plotë e ka vetëm në liri. Veteranët e luftës dhe ish-të përsekutuarit janë dy pjesë të vyera të shoqërisë shqiptare, dy faqe nga më demokratiket e historisë së saj. Moskuptimi (dhe keqkuptimi) është në interpretimin sipërfaqësor e në mos arbitrar se njëra palë është viktimë e tjetrës, se ish-të persekutuarit nga diktatura janë therrorët e veteranëve të Luftës. Ndërsa në të vërtetë sëbashku të dy palët janë viktima të pafajshme të një sistemi, të një rrethane madhore gjeostrategjike si edhe të një njeriu e një grupi personash pranë tij.

– Shoqëritë e hapura nuk mund të kenë ekuilibra të brendshëm të fiksuar në nivelin e një harmonie të përsosur. Parametrat e tyre politikë apo ideologjikë, si çdo përmasë tjetër, lekunden vazhdimisht, por ndryshe nga një shoqëri e mbyllur, ku dhunshëm vendoset një baraspeshim i sforcuar, lëvizja dhe riekulibrimi i parametrave në shoqërinë e hapur kryhet natyrshëm dhe lirisht. Në rast se një dekadë më parë “blu”-ja ishte e fortë dhe tani po kaq e fortë po spikat e “kuqja” kjo do të thotë se në thelb asgjë alarmante nuk ka ndodhur, thjesht shoqëria shqiptare vijon kërkimin normal të një rikuilibrimi. Duke e mirëkuptuar këtë situatë të gjithë, njerëz të pajisur me pushtet apo ndikim ekzekutiv, mediatik e legjislativ apo edhe pa atribute të tilla, por gjithsesi njerëz të lirë, sëbashku mund ta moderojnë edhe më jetën e tyre. Këtu nuk është fjala që të gjithë të kujdesemi të baraspeshojmë raportet formale mes veteranëve “të kuq” (ish-partizanëve) dhe atyre “blu” (ish-të persekutuarve nga diktatura). Po u kuptua kështu atëhere do të mjaftonte vetëm një korregjim i thjeshtë në atë shenimin brenda autobuzave brendaqytetës. Ishte një fazë e parë e pasdiktaturës kur deri edhe një grup komunistësh të një partie të re enveriste, me një motivacion fals si terroristë, u burgosën. Iu hodhën prangat me zell politik deri edhe Ilir Hoxhës, qartësisht vetëm se ishte i biri i Enverit. Këto gjeste asnjë proçes deenverizimi nuk realizuan. Përkundrazi, në mos e bënë më agresiv, e konservuan për të dhënë shenja të forta gjallimi më pas.

Në këtë panoramë, ndërsa shumë ngjarje tronditën qendrueshmërinë e brendshme të vendit dhe për ndërhyrje të dhunshme mbi stabilitetin u lakuan shumë emra, kurrkush nga komunistët e hapur e të rreshtuar në partitë e tyre enveriste nuk u gjet si zjarrvënës. Po kështu edhe pjesëtarë të familjes Hoxha. Në Shqipëri ka katër apo pesë parti enveriste e puniste, tashmë të gjitha të lira të kryejnë aktivitet politik dhe asnjëra e nxjerrë jashtë ligjit, por kurrkush prej tyre deri tani nuk ka nxitur e provokuar dhunë ndaj institucioneve, personave apo edhe vetë sistemit shoqëror. Në shumë vende të zhvilluara ektremistë të majtë kryejnë akte terrori, në Shqipëri, edhe pse disa komunistë janë enveristë, nuk veprojnë aspak kështu, janë shumë luajalë. Kjo ndodh jo vetëm sepse ata ndihen patriotë, por edhe sepse në lidhjen e tyre problematike me sistemin e dështuar realsocialist dhe instaluesin e tij kanë më së shumti nostalgji se teori e praktikë veprimi. Fakti që enverizmi, kjo strukturë politike e njohur botërisht si nga më të egrat në kontinent, pasohet nga dishepuj kaq paqësorë, dëshmon se ekzistojnë shumë gjëra ende të panjohura në atë që quhet komunizmi shqiptar. Zbulimi i tyre është detyrë e analizës, jo e interpretimit masovik nga politika. Jo rrallë kjo e fundit, duke e polarizuar opinionin, në vend që të “zbardhë” dukuritë komplekse, vetëngjyroset fort me të kuqe apo blu, rozë apo jeshile, për t’u dalluar nga rivalja dhe interceptuar sa më shpejt nga votuesi.

Analizë, sa më shumë analizë, do të thotë edhe më pak faqe gazetash me histori byroistësh apo punistësh që e tregojnë gati heroike e trendafili të shkuarën. Vala e tyre ka dy-tre vjet që po nxjerr shkumë pothuaj çdo mëngjez.

– Duke lënë mënjanë indiferencën apo kujdesin se mos gjendesh në mes të ndonjë pakënaqësie apo sulmi të palësh qejfmbetura nga një prononcim publik, përpjekja për t’i dhënë statusin e veteranit të Luftës Antifashiste Enver Hoxhës nuk ishte thjesht zbatimi i kulturës së shtetit ligjor. Pra, përderisa ai ka qënë, përveç shef i Partisë Komuniste edhe drejtuesi i njësive ushtarake partizane, sipas ligjit njihet si veteran. Të ishte vetëm kjo problemi mbetej plotësisht në autoritetin e Kuvendit të gjykonte ta mbante ligjin ashtu siç është apo për raste të veçanta kompromentimi të rendë të parashikonte mosdhënien apo heqjen e kartës së Veteranit të Luftës. Mirëpo rruga institucionale që bëri letra e të vesë Hoxha ishte sprova e saj e vendosur për të filluar një proçes rehabilitimi të diktatorit, opinion që nuk e ka vetëm ajo. Mes nesh gjenden bashkëkombas të cilët shpresojnë në një të ardhme, ku do të përfundojë ringjallja morale e pjesë-pjesë e Enver Hoxhës. Kësaj rradhe përpjekja e të vesë së tij ishte inkurajuar prej kërkesës së një pakice komunistësh në këshillin e qytetit të Gjirokastrës për t’i vënë emrin e tij njërës prej rrugëve. Siç dihet ajo çështje u mbyll nëpërmjet funksionimit normal të pluralizmit. Këshilltarët politikë kundërshtarë të komunistëve, të cilët ishin më të shumtë në numër, propozuan emrin e Ismail Kadaresë dhe ky i fundit, tepër në kohë dhe energjik, ndërhyri duke propozuar emrin “Rruga e Gjimnazit”.

Përpjekja e dytë brenda vetëm pak muajve për rehabilitimin gradual të Enver Hoxhës ishte mjaft e studjuar, shumë më pak e kundërshtueshme. Nuk kërkohej t’i jepej emri i tij ndonjë rruge apo objekti, nuk lutej rivendosja publike e ndonjë busti. Thjesht bëhej e ditur se ai nuk mund të lihej pa një kartë të thjeshtë veterani. Një arsyetim i tillë pajtohej me një opinion jo pak të përhapur, sipas të cilit gabimet e fajet e regjimit të vendosur nga Hoxha kanë të bëjnë me periudhën e pasçlirimit, kurse vitet e luftës antifashiste për formacionet ushtarake partizane, të drejtuara prej tij, mbeten një epope e mbuluar nga lavdia.

Mbase do të ishte interesante një zhvillim i tillë i fatit të Shqipërisë, por provat me shumicë po depozitohen rreth të vërtetës se diktatura hodhi bazat dhe u formësua që në vitet e luftës çlirimtare. Fshehurisht, mbuluar me shumë demagogji. Formula e “diktaturës së proletariatit” gjendej që në fillesën e platformës komuniste të vitit 1941.

Kështu për fat të keq rodhi historia jonë, por tashmë nuk mund ta flakim fëmijën bashkë me ujin e ndotur të govatës ku u la. Veteranët e Luftës kudo dhe jo vetëm në atë tabelëz brenda autobuzave brendaqytetës, mund të ndihen më të afërt shpirtërisht e në nderime me ish-të persekutuarit nga diktatura. Një gjest i ri mirëkuptimi mes të dy palëve do të ishte njohja më e thellë e vetë diktatorit dhe e sistemit të tij. Enver Hoxha nuk ishte as antishqiptar dhe as një mediokër. Nacionalist dhe politikan dinak ai ishte gjithashtu një person që për etjen e tij të papërmbajtur për pushtet e dobësoi shumë zhvillimin e Shqipërisë dhe e rënoi elitën e saj. Ai ka hyrë në histori, ishte shumë i zoti ta bënte këtë gjë, tanimë nuk ka njeri e forcë ta nxjerrë prej andej. Në histori hyjnë që nga martirët, heronjtë dhe idealistët e deri tek më të mëdhenjtë e sharlatanëve apo rënuesve.

Ja përse, besojmë, se për Enver Hoxhën do të bëhen filma dhe libra, por zor se do të kendohen më kengë. Ai do të jetë në histori, por jo në Panteonin e saj.

Albert Vataj

 

Sa ndryshëm e trajtojnë Shqipëria dhe Arabia Saudite të njëjtin financues terroristësh

Marrë nga revista “The Weekly Standard”

UASHINGTON – Ndërkohë që Viti i Ri fillon, kapitulli i fundit i rrëfenjës për një shtetas të pasur saudit Yasin al-Kadi 47 vjeç, na ofron shumë mësime lidhur me terrorizmin, reagimet ndaj tij dhe rolin e përgjegjësitë e Arabisë Saudite në luftën kundër tij, bëhet e ditur në faqen e internetit të revistës “The Weekly Standard”.

Yasin al-Kadi është një drejtues në fondacionin “Muwafaq” ose ndryshe “Blessed Relief Fondation”, organizatë kjo që është shpallur, zyrtarisht, nga Departamenti amerikan i Shtetit si financuese globale e rrjetit “al-Kaida”.

Në vitin 2001 administrata amerikane e drejtuar nga George W. Bush urdhëroi ngrirjen e aseteve të sauditit al-Kadi. Ky i fundit ishte përfshirë gjithashtu nga Bashkimi Evropian në një listë terroristësh. Al-Kadi është një investitor me një shtrirje të gjërë. Në fund  të vitit 2002 një nga sipërmarrjet e tij, kompania e prodhimit të programeve kompjuterike Ptech, Inc. u kontrollua nga autoritetet federale amerikane.

Kompania Ptech. ka marrë miliona dollarë nga klientë zyrtarë të SHBA-së ku përfshihen Shtëpia e Bardhë, FBI, Shërbimi i Brendshëm i të Ardhurave dhe Forcat Ajrore. Në fund të vitit 2001, al-Kadi ishte lidhur me një kompani për tregtinë e gurëve të çmuar “Global Diamond” me bazë në Kaliforninë Jugore. Vetëm muajin e kaluar, al-Kadi u shpall (jo për herë të parë) në Çikago, në një padi gjyqësore civile nga Matthew Levitt, një hetues i mirënjohur i terrorizmit pranë Institutit të Uashingtonit për Politikat në Lindjen e Afërt, si mbështetës i akteve terroriste të grupit “Hamas” në Izrael.

Këto masa rezultuan në një vendim kundër Institutit të Edukimit Kuranik (QLI), Ilinois, për përgjegjësi në vrasjen e 17-vjeçarit izraelito-amerikan David Boim në vitin 1986. Megjithatë, al-Kadi vazhdon të punojë i pangacmuar në territorin saudit, edhe ndërkohë që mbretëria saudite është shndërruar në një skenë të një fushate të re të barbarizmit të rrjetit “al- Kaida”. Zyrtarë sauditë, të cilët pretendojnë se janë miqtë dhe aleatët më të afërt të administratës së presidentit Bush në këtë luftë, janë paralizuar kur vjen puna për të vepruar kundër njërit prej shtetasve të tyre.

Megjithatë, jo çdo institucion qeveritar ka kaq shumë mungesë vullneti. Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian garantojnë një proces të duhur ndaj sauditit al-Kadi dhe ndërkohë që mbretëria saudite kthen kokën nga ana tjetër, vendi i vogël e i varfër Shqipëria, një vend me predominancë myslimane, në të cilën al-Kadi ka pasur shumë asete ekonomike të shtrira, është duke ndërmarrë një fushatë të qëndrueshme dhe efektive kundër shtetasit saudit.

Në një prej masave më të fundit, autoritetet shqiptare ndërprenë në muajin dhjetor punimet në një projekt ndërtimor në pronësi të sauditit al-Kadi, ku përfshiheshin 22 apartamente në kryeqytetin shqiptar, Tiranë. Al-Kadi ka ngritur në të kaluarën tetë kompani në Shqipëri, kompani këto me pesë emra të ndryshëm, si dhe ka pasur atje 36 llogari bankare. Një prej aseteve të tij në Shqipëri, një kompleks masiv i njohur si “Kullat Binjake” shqiptare u sekuestrua, ndërkohë që ndërtimi po përfundonte tamam përballë zyrave qeveritare.

Ndërkohë, përfaqësues të qeverisë shqiptare shprehen se po vazhdojnë kërkimet për asete dhe pronësi të tjera të biznesmenit saudit në vendin e tyre. Dhe në një vend tjetër të vogël ballkanik me pak resurse por me shumë vullnet për të marrë masa kundër terroristëve, zyrtarët e Bosnjes njoftuan në shtator të vitit të kaluar përfshirjen e sauditit al-Kadi në dy banka lokale, Depozitna Banka dhe Vakufska Banka. Ata njoftuan gjithashtu bllokimin e këtyre aseteve.

Mësimi? Arabia Saudite e madhe dhe e pasur, me gjakun në rrugët e saj, shpreh pamundësinë e veprimit ndaj terroristëve. Shqipëria, ky vend i varfër, vepron me saktësi dhe dedikim për të mbyllur aktivitetet e të njëjtëve terroristë.

Rrjedhimisht, kështu mësojmë se cilët janë miqtë tanë të vërtetë në vendet myslimane. Gjithashtu, Shqipëria e cila ka një ushtri të vogël, ka dislokuar gjithashtu 71 trupa në Irak. Nganjëherë xhestet e vogla flasin më shumë se retorika e ekzagjeruar, veçanërisht kur kjo e fundit vjen nga Riadi, kryeqyteti i mbretërisë saudite.

 

Malësia e Madhe në 60-vjetorin e kryengritjes antikomuniste…

Në janar të këtij viti u mbushën 60 vjet nga ajo kohë kur Malësia e Madhe u hodh në kryengritjen e parë antikomuniste në Shqipëri dhe në Europën e atëhershme. E kjo kryengritje kishte në themel mbrojtjen e lirisë e identitetit të fituar me mund e gjak ndër shekuj, ku Malësorët e dinin mirë se kundërshtimi i komunizmit nuk ishte i lehtë, pasi kjo ideologji kishte pushtuar jo pak nga Europa e bota. Gjithsesi malësorët sakrifikuan dhe u persekutuan gjatë, por edhe qëndruan si asnjë trevë tjetër shqiptare. Mjerisht sot pas 60 vjetëve kur komunizmi ka rënë dhe vendin e qeverisin pasardhësit e tyre me emrin socialistë, Malësia e Madhe përsëri ndodhet në darën e persekutimit të pashoq të kësaj qeverisjeje. E persekutimi sot nuk është klasik si dikur me pushkatime, burgosje, internime e privime për t’i dalur zot vetes e të drejtave që të paktën t’i jep ligji. Po ky persekutim shihet qartë në mungesën e gjërave elementare që duhet të sigurojë një shtet e qeveri e cila pretendon se ka dalë nga një shoqëri pluraliste e demokratike. Mungesa e energjisë elektrike, paunësia skandaloze, shkatërrimi i institucioneve që u krijuan në vitet 1992-1996, rikthimi në drejtim i kastës komuniste janë disa nga ato gjëra jetike që e kanë kthyer Malësinë e Madhe në kushtet e mbijetesës si në 45 vitet e diktaturës komuniste. E për t’i shpëtuar kësaj gjendjeje shkatërruese për Malësinë, e vetmja zgjidhje është emigracioni klandestin me çdo çmim, ku shpesh ky çmim ka qenë jeta. E ndërsa Malësia braktiset qeveria guduliset, se kështu bën zus më lehtë këtë trevë dikur trime e kryengritëse për t’i dalë zot vetes. Mjerisht me gjithë këtë persekutim e privim të pashoq Malësia e Madhe sot pas 60 vjetësh nuk i ngjan më asaj treve famëmadhe, por një treve të urtë e të butë që duron në pafundësi të gjitha eksperimentet e socialistëve. Tashmë kjo trevë ish-“rebele” nuk mund të organizohet e protestojë as për mungesën e dritave, as për papunësinë katastrofale, as për shkatërrimin e institucioneve që ia rikolektivizuan në Shkodër e as për gjë tjetër që ia sollën këto ditë të socializmës së dytë. Ne si malësorë kjo gjendje qetësie e bindje nuk na ka hije, madje duhet të na bëjë të mendojmë se mos vallë në këtë trevë antikomuniste, komunizma paska krijuar kaq shumë “njeriun e ri” të tij që dikur e reklamonte si kryeveprën e vet. Ku ky njeri nuk shqetësohet për veten e familjen e tij, për të drejtat e tij, por veç të jenë mirë partia e qeveria e saj, se është gati të hajë edhe bar. E nëse në Malësi ka ndodhur kështu, na duhet të pohojmë se “sentenca” (erotike), “Një urrejtje e gjatë shpesh herë ka prirje të kthehet në dashuri” është “realizuar” tek banorët e Malësisë me komunizmin apo pasardhësit e tij… Për kundër kësaj heshtjeje apo më saktë këtij nënshtrimi, Partia Socialiste edhe në Malësi të Madhe po krijon komitetet e votimit si në 1997 të “Shpëtimit”, ku nëse në ’97 këto komitete kishin për detyrë shpërthimin e depove të armëve me të cilat rrëzuan pushtetin demokratik, komitetet e sotme të PS kanë objektiv kutitë e votimit të këtij viti me të cilat do të sigurojnë një mandat tjetër qeverisës… e fati i mëtejmë i Malësisë dihet. E ndërsa forcat opozitare, që duhet të ishin në ballë të organizimit të protestave, vazhdojnë të “flenë” gjumë e të shohin ëndrra, ndoshta si ai gomari që ujku po e hante nga vithet e ai mendonte “O Zot bane andërr”…

Ndue Bacaj

 

 

Gjakmarrja, kjo plage që nuk po gjen sherim

Gjakmarrja, kjo plage që shkakton vetem dhimbje njerezore, kjo plage që kurre nuk po gjen sherim, kjo plage që sa here duket që fashitet, ne fakt vetem majiset, kjo plage që ndjell vdekje, mjerim e shkaterrim, kjo plage që qindra familje i ka mbuluar me vellon e zise, e qindra te tjera i ka mbyllur ne kullat e tyre po te zeza.

E fatkeqesisht, vetem presin vdekjen me ankth, vdekjen e menjehershme nga ata që u kane gjakun borxh, apo vdekjen e ngadalte që u shkakton uria, streset dhe izolimi total nga jeta shoqerore. Gjakmarrja është nje plage e trasheguar nga shekujt jo vetem per shqiptaret. Që ne kohen kur shoqerite primitive nuk e njihnin konceptin “shtet” dhe ne fakt hakmarrja ne pergjithesi e gjakmarrja ne vecanti, luanin rolin e paralizuesit tek njerezit kriminele e keqberes, ku parimi “me vrave, te vrara; me demtove ekonomikisht apo materialisht dhe j me te njejten monedhe”, benin që te frikesoheshin jo vetem njerez te vecante, por edhe shtepi e fise, teksa jeta vazhdonte. Është interesnt te thuhet se bashke me njeriun, lindi edhe antinjeriu, pra djalli, që prishte shpirtin e mendjen e njeriut per te vrare deri te vellane e vet, ku per ilustrim mund te kujtojme se që ne momentet e par ate njeriut mbi kete bote, pra që ne kohen e Eves dhe Adamit, vellai vrau villain nga smira, Kaini vrau Abelin,e   ndersa kjo shkruhet edhe ne librat e shenjte, ne gjejme edhe tek libra te tjere si “Iliada” vargjet:

…Deri prej atij që mbyti vellain… Ose prej atij që mbyti te birin…

E ndersa shekujt kalonin, shoqerite largoheshin nga jeta primitive dhe ndertonin kode, ose me sakte ligje te kohes që rregullonin deri ne nje fare menyre, jeten dhe merredheniet mes njerezve, duke bere që ndagale te lindnin shtete e qeveri që merrnin persiper te mbronin te drejtat e njeriut si dhe civilizimin e zhvillimin e vendeve te tyre. Gjate Mesjetes, ne Shqiperi linden disa Kanune, si ai i “Maleve”, “Skenderbeut”, “Laberise” e deri tek ai i “Leke Dukagjinit”. Ky është ndoshta me i ashpri, me jetegjati, vecanerisht ne   trevat e Veriut, duke perfhire edhe M.Madhe. Ky Kanun, mendohet se është i viteve 1459- 1479 edhe është mbledhe nga Princi Dukagjinas Leka III. Mjerisht ne vende te tjera te Evropes, me evoluimin e shoqerive, kodet e gjakmarrjes filluan te zhduken e vendin e tyre ta zene ligjet bashkekohore, që denojne gjakmrrjen e hakmarrjen, e ndersa njerezit filluan te ndergjegjsohen ne kherence me qyteterimin e zhvillimin e tyre. Ne Shqiperi ne pergjithesi, e ne M.Madhe ne vecanti, qyteterimi dhe civilizimi ecen me ngadale. Kjo jo për faj të shqiptareve të pushtuar shkull pas shekulli, ku simbol i këtyre pushtimeve është ai 5- shekullor otoman, dhe sundimi gjysemshekullor komunist. Nese pushtimi otoman, i frynte plages se gjakmrrjes, sundimi komunist bente sikur e ndalonte kete, por ne fakt komunizmi mbyllte me force plage të vjetra dhe akumulonte plage të reja që do të shperthenin me force sapo diktatura të binte pas vitit 1991. Komunizmi zhvilloi luften e klasave, krijoi njeriun e që që spiunonte vellai- vellane, miku- mikun, shoku- shokun e të tjerë e të tjerë, si dhe shkaterroi besimet e mbi të gjitha Pronat, që janë simboli që e lidh çdo njeri me atdheun e tij…..

Qindra vrasje ndodhen për kete plage, të akumuluara nga komunizmi, e veçanërisht për pronesine e tokes, ku kufinjte e vjeter ishin shkaterruar, ku dokumentacioni i pronesise ishte keqperdorur apo deformuar, duke ngjallur meri, inate e hasmeri, të cilat nga dita ne dite, shkaktuan vrasje e me pas gjakmarrje. Edhe sot e kesaj dite, gjakmarrjet trajtohen me kodet e vjetra mesjetare të Kanunit të Leke Dukagjinit….

Për të vertetuar se plaget e gjakmarrjes ende kullojne gjak, veçanërisht ne M.Madhe (ku edhe nuk është ndare toka me ligjin 7501, por me kufijte e vjeter, pra me Kanune), mjafton të shikosh dhjetera familje të mbyllura për Gjak,e dhjetera të tjera që kerkojne të marrin gjakun. Ne kesaj rradhe, për të vertetuar kete, mendum të shkruajme diçka vetëm për një plage të re të gjakmarrjes, e   cila  u hap para pak ditësh, pra me 6 shkurt 2005, kur për probleme pronesie, ne gjaknxehtesi e siper, Ded Dokaj vret me arme gjahu të ndjerin Ndue Nikaj dhe plagos të birin e tij Bik Nikaj. Menjehere familja Dokaj e Hotit që është sot nen administrimin e komunes Kastrat, u detyrua të ngujohet, pasi familja Nikaj i kerkon jo një gjak, por dy. Pra, për të vrarin dhe për të plagosurin. Pas dates 6 shkurt, familja e të ndjerit Ndue Nikaj u vesh ne zi, por një fat i tille e pret edhe familjen Dokaj,e   veçanërisht vrasesin Ded Dokaj dhe të gjithe meshkujt e kesaj familjeje, duke perfshire edhe nipin e Dedes, Nush dokj, i cili është nder meshkujt me të mirë të Dokajve për tu vrarë, pasi siç thote Kanuni i Leke Dukagjinit, gjakmarrja kerkon meshkujt me të mirë e jo të keqinje.

Gjithsesi, misionare e pajtimtare, janë munduar të pajtojne këto dy shtepija, të paktën ju është kerkur të ngushtojne rrethin e gjakmarrjes vetëm tek dorasi, por një gjë e tille, nuk ka pranuar ta bëjë fmilja Nikaj, gjë që ka sjelle të ngujohen apo fshihen diku të gjithe meshkujt e familjes Dokaj. Është interesant se familja e viktimes, nuk ka pranuar të denoncoje ne organet e policise se shtetit emrin e vrassit, pasi siç thone ata, kete nuk ua lejon kanuni, se gjakun duhet ta marrin vetë keta të demtuar e jo shteti. Shteti, ntyrisht tek ne është ende i brishte, e shpesh keqdashes, gjë që ka bërë që të mos japin asnje lloj sigurie për jetën e asnje mashkulli të familjes Dokaj, të cilet çdo dite që klon, presin me ankth se kur pushka e fmiljes Nikaj, do të godase mbi ta….

E ndërsa ne si gazete që shprehim keqrdhje për rastin konkret, por edhe për gjkmarrjen ne pergjithesi, nuk na mbetet gjë tjeter vecse ta mbyllim kete shkrim me vrgjet e poetit tone kombetar At Gjergj Fishta:

…Kush kje, ai mizori,

Që pushken rroku ma se parit,

E duart tash don me i ngjye

Ne gjak të vellezerve kot

Ai kjoft mallkue prej Zotit…..

Ndue BACAJ

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu