Anti-Berishizmi elektoral i Nanos
Çuditërisht edhe sot pas 8 viteve, vazhdon të përdorë të njëjtat armë, duke harruar se beteja është zhvendosur në tjetër kohë, në të tjera fushëbeteja dhe fatkeqësisht, për të(Nanon), me tjetër mendësi të të dëgjuarit, të të gjykuarit dhe të të vendosurit, të zgjedhësve shqiptarë. Ai para tetë viteve kësaj teze i ka shtuar trazirat e 1997-tës, si pjellë e Berishës dhe pushtetit të tij Nga Albert VATAJ
Kryeministri dhe Kryetari I Partisë Socialiste, Fatos Nano në rolin e promotorit kryesor të betejës zgjedhore të gjithë produktin e propozuar në turret e tija elektorale, në medja, si lëndë të parë vazhdon të preferojë anti-Berishizmin. Çuditërisht edhe sot pas 8 viteve, vazhdon të përdorë të njëjtat armë, duke harruar se beteja është zhvendosur në tjetër kohë, në të tjera fushëbeteja dhe fatkeqësisht, për të(Nanon), me tjetër mendësi të të dëgjuarit, të të gjykuarit dhe të të vendosurit, të zgjedhësve shqiptarë. Ai para tetë viteve kësaj teze i ka shtuar trazirat e 1997-tës, si pjellë e Berishës dhe pushtetit të tij. Të njëjten gjë ai propozon edhe pas tetë vitesh. Natyrisht pas tetë vitesh radhazi të të qënit në pushtet. Filozofia e të bërit fushatë duke sulmuar Berishën dhe vetëm Berishën, dëshmon se ai; Së pari, e konsideron atë si rrezikun më eventual të spostimit të tij nga pushteti, kurrsesi shpalosjen e figurës së Berishës si një rrezik serioz për qeverisjen e ardhëshmë dhe Shqipërinë, për më tepër si një pengesë serioze që qeverisja e drejtuar prej Nanos të ishte më konkrete para zgjedhësve, duke I rikujtuar shqiptarëve arritjet e kabinetit të tij. Së dyti, ai me këtë shpreh haptazi panikun që e ka mbërthyer, shto këtu dhe çarjen e madhe të krijuar nga formëzimi i një PS-je të dytë nëpërmjet krijimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim të Ilir Metës. Një rrezik ky, të cilin vetë Nano ndoshta ka hezituar ta shpreh si të tillë, hapur, por në një farë mënyre, dhe duke sulmuar Metën, ose në rastin më të mirë duke I drejtuar atij gjithfarë ftesash, deri tek “të pendohet”. Së treti, atij s’i ka mbetur mjet tjetër ballafaques, me të cilin do të dilte potencialisht para zgjedhësve në këtë fushatë, pasi 8 vitet e qeverisjes së drejtuar prej tij dhe vetëm prej tij, vendi ynë, pra Shqipëria e drejtuar nga kokërrqefëbërja e tij në PS dhe qeveri, vijon të mbetet në “listën e zezë” të vendeve me shkallë të lartë të kriminalitetit, korrupsionit, papunësisë, varfërisë dhe ngecjes në proceset integruese. Së katërti, Nano duke sulmuar Berishën hamendëson se elektorati vazhdon të shohë tek ai atë Berishë, të cilin Nano e megafonët e tij e anatemuan duke I hedhur mbi shpinë turli lloj akuzash, që për ironi të fatit, koha, si gjykatësi më I mirë ka filluar t’I qartësojë një e nga një, jo si krime të Berishës, por si kurthe që ethet e pushtetit të socialistëve ngritën jo tamam për të hedhur Brenda Berishën, por fatin e shqiptarëve. Së fundi, Nanos duke mos I mbetur si mjet ballafaqimi me premtimet e bëra para elektoratit në fushatat e shkuara, ai preferon të nxjerr nga errësira e kohës, trazirat e ’97-tës dhe Berishën, për të bërë të vetmen gjë që I ka mbetur. Kjo e vetmja gjë është asgjë, sot pas 8 viteve. Sot kur krahas disa arritjesh, realiteti është ai fatali. Sy për të parë pas kësaj davaritje të tymit dhe mjegullnajës socialiste ka edhe I verbëri. Nano me anti-berishizmin e tij të dalë boje, hamendëson se shqiptarët domosdoshmërisht do të mund të harrojnë mungesën e ujit të pijshëm, të energjisë elektrike, të një shtëti ligjor, të mospërfilljes shtetërore, të viktimizimit nga ryshfetet në administratën publike, të papunësisë e bukës me listë, të taksave të larta e pensioneve të ulta, të rritjeve të vazhdueshme të çmimit të dritave dhe ujit, të shpartallimit të personalitetit dhe shkatërrimit të familjes, të emigracionit e trafiqeve të paligjëshme. Natyrisht e plot hendeqe të tjera, të thella ku e fundosi ky Pons Pilat I Partisë Socialiste këtë vend. Logjika e përjashton katërcipërisht motivin me të cilin Nano u servir shqiptarëve Berishën si një e keqe e madhe. Para 8 viteve, pavarësisht se si u bë dhe kush e bëri ’97-tën, do të guxonim të besonim se Nano kishte të drejtë. Sot pas 8 viteve, kur Berisha vazhdon të jetë I lirë, e jo pas hekurave të burgut, do të ishte tepër e vështirë për cilindo, edhe për socialistin më fanatik, ta përtypte këtë pështirësi që u’a servir Nano. Pas hekurave shoku Nano ta plasje Berishën, nëse ai ishte fajtor për trazirat e vitit 1997, pikërisht për ato trazira që u rrinë si kurorë “arritjeve” tuaja në spotin electoral që jepet në television dhe në llomotitjet andej-këndej. Harruat Bënçën?! Natyrisht që jo. As arsyetimi yt, se nuk do ta bëje Berishën të famshëm, ashtu siç ai të bëri ty, nuk ka logjikë, sado i vërbuar nga pasioni politik që të jetë cilido, do ta kishte tepër të vështirë për ta pranuar. Logjika kokëposhtë e të bërit politikë e Kryeministrit dhe kreut të PS, Nano nuk të degdis askund tjetër, vetëm tek mangësitë e mjeteve, që I kanë mbetur për të bërë novacionin e kësaj beteje elektorale. 3 korriku është pas portave. Shqiptarët nuk kanë pse të ndikohen nga antiberishizmi I Nanos apo antinanoizmi I Berishës. Sejcilit, e ardhmja I pikënis nga shtëpija e tij, nga mundësitë ekonomike që zotëron, nga kushtet në të cilat jeton, nga ajo çfarë sejcili di dhe kupton. Vota është një e drejtë kushtetuese, si e tillë ajo duhet të trajtohet si e drejta e çdo qytetari, e çdo votuese të zgjedh atë që sipas tij është alternativa më e mirë. Se duhet ndryshojë diçka në këtë vend, ose jo le ta vendosin ato. Në këtë dergje është katandisur ky vend, kanë mjaftuar 8 vite që të dëgjojë kush s’ka patur veshë, që të shohë, kush s’ka patur shikim, që të vendosë kush ka luajtur indiferentin, në emër të qytetarisë. E rëndësishme është të tregojmë sejcili se sa kushton jeta jonë, jeta e fëmijëve tanë, e familjeve tona, e së ardhmes sonë. Dhe këtë ai ka mundësi ta tregojë më 3 korrik. Antiberishizmi I Nanos është e drejta e Nanos, por jo udhërrëfimi I të drejtës të sejcilit për të vendosur vetë për fatin e së ardhmes së tij. Zoti e dhëntë që shqiptarët të besojnë se janë në gjëndje të vendosin vetë për veten e tyre.
Demokristianët shqiptarë: “vasalë” apo “peng” në politikën shqiptare?! I frymëzuar nga lideri i suksesshëm i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës, Akademiku i shquar, prof.Mark Krasniqi, i frymëzuar nga parimi dhe mesazhet që jep kjo forcë politike në Evropën e qytetëruar, vendosa të aderoj në këtë parti, ndonëse në një moshë jo fort komode për t’i hyrë politikës. Pra, në politikë kam hyrë mbasi kisha hyrë në të gjashtëdhjetepesë vjetët dhe po largohem mbasi kam hyrë në të shtatëdhjetat. Pra, siç mund të më gjykojë çdo njeri, nuk u anëtarësova në këtë parti për të bërë karrierë, as për të hapur ndonjë biznes, por thjesht për të dhënë kontributin tim modest, meqë e ndjej veten idealist. Në fillim e theksova se frymëzimin e gjeta tek prof.Krasniqi, i cili në Kosovë kishte anëtarësuar mbi 70.000 anëtarë dhe ishte bërë forcë e dytë politike duke siguruar 13 deputetë në Parlamentin e Kosovës. Në vitin 2000, kur unë hyra në parti, lider i saj ishte z.Zef Bushati, ndërsa për Shkodrën, av.Fran Dashi, i cili në fillim më ftoi për t’i ndihmuar në fushatën zgjedhore të pushtetit lokal. Bashkë me Lekën (shokun dhe mikun tim), iu përveshëm punës dhe të themi të vëretën, në zgjedhjet e vitit 2000, ku për qytetin kandidonte mjeku Anton Gurakuqi, rezultatet kanë qenë të kënaqshme dhe kjo forcë u rendit në vendin e tretë. Sipas pozicionit politik, partia jonë i përkiste spektrit të djathtë, kuptohet që aleatja jonë më e fuqishme ishte Partia Demokratike. Po çfarë ndodhi më vonë? Në pranverën e vitit 2001 filloi fushata e zgjedhjeve të kandidatëve për deputetë në Kuvendin Popullor. Pikërisht në prag të kësaj fushate vjen në Shkodër kryetari Zef Bushati dhe në mbledhjen e kryesisë së degës njofton për shkarkimin e Fran Dashit dhe zëvendësimin e tij me Anton Gurakuqin. Motivi ishte ky: Jemi para zgjedhjeve dhe kryesia e PDK-së ka menduar se për forcimin e punës, në kushtet konkrete është më i përshtatshëm Gurakuqi, meqenëse ne presim një fitore të bujshme. Kështu u tha e kështu u bë. Po çfarë ndodhi më vonë!… Fushata e hapi “siparin” e saj. Çuditërisht ish-kryetari i PD-së për degën e Shkodrës, z.Astrit Bushati, lëshon një “predhë” të fuqishme në njërën nga mediat e Shkodrës duke deklaruar se Partinë Demokristiane nuk e njohim fare! Ndërsa ish-kryetari i Partisë Socialiste, dega Shkodër, z.Ndrek Ruka, u shpreh pikërisht kështu: Partia Demokristiane është një “fantazëm”!… Ndaj këtyre deklaratave fyese, poshtëruese dhe të papërgjegjshme nuk pati asnjë reagim nga kryesia e PDK-së, as nga kryesia e Degës së Shkodër. Kur e pyeta Gurakuqin, më tha: Mark, në fushatë këto gjëra janë normale. Mirë, i thashë, nëse janë normale për PS-në, për PD-në janë anormale, ose këtu ka tradhëti. Ka tradhëti burra, i thashë shokut dhe mikut tim, Lekës. Dhe leka me atë humorin e tij karakteristik, m’u përgjigj: “Këta punojnë për kombin”… Dhe kjo vepër i dha rezultatet. Nga 9000 vetë që fituam në vitin 2000, ramë në 2500. Ka tradhëti burra… Por, ai që na tradhëtoi e na bëri “zbor” mori “dënimin”: Ambasador! Thoni pastaj se nuk punojnë për “kombin”… Para tre muajsh, në një takim me z.Nikollë Lesi, ai na tha se PDK do të mbulojë 100 zona dhe se ne do të dalim vetëm me siglën tonë të PDK-së, por çuditërisht edhe “ombrella” e Lesit e paskësh “bishtin” apo “dorezën” të thyer dhe po e fut kokën nën ombrellën e PD-së. Urojmë që Lesi të mos jetë si Bushati. Në të kundërt Demokristianët do të bien nga “shtrati”! Mark Bregu
Portretizimi i 30 ditëve të fushatës E panjohur?! Jo! Shqiptare?! E pse jo! Mjet!! Shihemi e na shohin në çdo moment të ditës sonë ata që sot janë kandidatë për deputetë, nesër “përfaqësues” të popullit në Kuvendin e ardhëshëm të Shqipërisë. Ngado që hedhim vështrimin në qytetet tona, në këtë prag fushate e çfarë na gostitet më me bujari, se sa shikimet e qindra portreteve që kanë pushtuar ngado fasadat e mureve, xhamat e dritareve, makinat elektorale, e çmos tjetër. Këto janë portretet e kandidatëve për deputetë të zgjedhjeve të 3 korrikut. E çfarë të keqe do të kishte kjo për realitetin shqiptar, për sytë tanë të lodhur nga pamja mjerane e qyteteve dhe vendbanimeve tona. Portretet të gjithfarëllojshme, shikime ngulmuese, buzëqeshje të stampuara me delikatesë dhe një elegancë që tejkalon çdo gostitje tjetër që të ofron realiteti ynë. Vendin e platformave elektorale, të cilat nuk kanë një përvojë dhe aq pozitive në eksperiencën e derisotme të bërjes politikë, e kanë zënë pispillosjet e portreteve politike që popullojnë ngado vështrimet tona të rraskapirura nga lodhja dhe zhgënjimi. Realiteti shqiptar, praktikat politike të prezantuara gjatë këtyre viteve të tranzicionit dërmues, dëshmohen më së shumti në këtë element të fushatës së zgjedhjeve të përgjithëshme parlamentare. Moda e posterave nëpër mure, xhama, shtylla, porta e gjithsekund tjetër, natyrisht se është një nga përvojat të importuara, që nuk kishte se si të mos bëhej pjesë e imitimeve tona. E veçanta është se ajo tejkalon çdo logjikë. Ajo është aspak në kohën e duhur, për më tepër në vendin e duhur. E megjithatë ne skemi se si mos t’I pranojmë. Se mos i mbetet zgjedhësve të zgjedhin. Ata duhet të votojnë, ashtu siç kanë bërë, bëjnë dhe do të bëjnë verbtazi deri në një të ardhme të zdisekurëshme, deri atëherë kur nuk do të kenë nevojë t’I shohin as të shihen prej tyre një apo disa muaj nga fasadat objektet lëvizëse e dreqi e di se ku tjetër. Klasa politike dhe dirigjuesit e fushatës zgjedhore propozojnë si mjet shumë të rëndësishëm popullimin e vendbanimeve tona me portrete dhe sllogane të dala boje. Pa harruar se ata i përcjellim çdo ditë, çdo mbrëmje në tubime elektorale, në përballje televizive, në dyele zgjedhore. Kjo në vend të një diçkaje më pozitive, më konkrete, më shqiptare. Vetëm nëse bëjmë një bilanc të shpenzimeve që janë bërë për pozimin e kandidatëve për deputetë në çdo cep të Shqipërisë, arrijmë në përfundimin, se ata kanë shpenzuar më shumë se sa ata do të shpenzonin personalisht për të zgjidhur hallet e atyre, të cilëve u drejtohen për t’i votbesuar në Parlamentin e ardhëshëm. Një fryrje e tillë shpenzimesh, një kosto e tillë elektorale, në një realitet ku shumë zgjedhës vuajnë edhe për bukën e gojës, është një fyerje. Se mos ishtë, është dhe do të jetë kjo një nga fyerjet, nga përbuzjet, nga nënçmimet, me të cilat u përballen, po ballafaqohen dhe do të shihen zgjedhësit shqiptarë. Praktika e vlerësimit të elektoratit, si një mjet që justifikon qëllimin, është një filozofi e njohur në realitetin e politikës shqiptare. Varjantet e së kundërtes, kanë qënë, janë dhe do të mbeten tepër të rralla, fragmentare. E vetmja me të cilën duhet të ngushëllohen votuesit është kjo pamje e pështirë me të cilën ato përballen çdo ditë, çdo moment, në çdo kënd të varavingove të tyre rraskapitëse të realitetit tonë. Ata shohin dhe shihen nga ato portrete elegante dhe deri diku përgjëruese, dhe duhet të binden, se kjo është vërtetë ajo fytyrë e politikës mashtruese që njohin. Nuk e di se sa e domosdoshme është që gjithë ky popullim fytyrash të bëhen sundues në të sotmen tonë. Ata janë njerëz që i njohim, i kemi parë dhe do t’i shohim. Me shumë prej tyre do të ndahemi përgjithmonë, jo tamam pas 3 korrikut, por pasi erozioni i kohës dhe inatet politike të fillojnë të shfrejnë dufin e tyre mbi këto postera që po na zënë frymën në këtë verë të parakohëshme. Sokol Pepushaj
Kelmend: Demokratëve u rrezikohet jeta Sot tre ditë, shqiptarët do u drejtohen kutive të votimit për deputetët e Kuvendit. Fushata elektorale ishte shumë e nxehtë, me incidente, dhunime fizike e psikologjike, ku Partia Socialiste në pushtet përdori edhe raprezalje kundër demokratëve. Zona Nr.1, që përfshin edhe Kelmendin, është një ring i ashpër. Demokratët jo në pak raste janë dhunuar, ashtu sikundër përgjatë tetë viteve të pushtetit kriminal të social-komunistëve. Shumë djem e vajza kelmendas, duke patur jetën në rrezik, do detyrohen të ikin, nëse PS-ja riciklohet në pushtet. Ja, konkretisht, në zgjedhjet e fundit, ata të 12 tetorit 2003 për pushtetin lokal, Kelmënd Çekaj, i datëlindjes 24 nëntor 1979, duke qenë komisioner i PD-së, pikërisht dy ditë para votimesh, pra më 10 tetor 2003, vihet në shënjestër të arrestohet politikisht. Forca të shumta policore i rrethojnë shtëpinë. Ai, fatmirësisht nuk ndodhej aty, por i vënë prangat të vëllait Fatmir Çekaj, të datëlindjes 4 tetor 1981. Atë rast u arrestua edhe komisioneri tjetër i PD-së, Vladimir Tataj. 12 orë tortura kafshërore provuan këta dy persona, deri në konferencën për shtyp të liderit të opozitës shqiptare, Sali Berisha. Qe terrorizuar shumë familja Çekaj, duke shkatërruar orenditë shtëpiake, duke shkelur me këmbë fuguret, duke dhunuar një vajzë të re, Laora Çekaj, të datëlindjes 27 shtator 1986, madje edhe duke i hequr kryqin nga qafa. Kështu pra, si në zgjedhjet e tjera, edhe në këta të pas tre ditëve, socialistët po përgatiten për të dhunuar demokratët, të cilët e ndjejnë veten më afër vdekjes se jetës. Edlira Kuka
Eduard Selami: Në demokraci nuk ka të humbur e të fituar, fitojnë të gjitha palët Eduard Selami, ish kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, thotë se sot në Shqipëri ekziston një klimë më e mirë për mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Partia Demokratike, thotë ai, po zhvillon një fushatë mjaft të mënçur elektorale, është e përqendruar në problemet që kanë shqiptarët, përpiqet që të fokusohet në të ardhmen, përpiqet të japë alternativa më të mira zhvillimi.
Zëri i Amerikës: Zoti Selami, si do ta vlerësonit atmosferën politike në Shqipëri në prak të zgjedhjeve të 3 korrikut dhe vetë fushatën parazgjedhore?
Eduard Selami: Unë mendoj se këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme. Kuptohet se në çdo proces demokratik zgjedhjet janë momenti i rëndësishëm i tranzicionit të pushtetit. Por për vetë situatën në të cilën ndodhet Shqipëria, për vetë periudhën e saj të gjatë të tranzicionit këto janë në qendër të fokusit ndërkombëtar dhe shqiptar, sepse këto janë zgjedhje të cilat do ta ndajnë Shqipërinë nga tranzicioni dhe unë jam optimist se Shqipëria do të shkojë drejt kësaj rruge.
Kuptohet që sa më tepër afrohet data e zgjedhjeve, aq më shumë ashpërsohet klima politike. Ky është një fenomen normal, nuk është një fenomen tipik shqiptar. Por mendimi im personal është që ka vend për një optimizëm të përmbajtur. Kuvendet e dy partive më të mëdha filluan në një mënyrë më të civilizuar, u adresuan më shumë ndaj problemeve që kanë shqiptarët se sa në sulmet reciproke. Kuptohet që do të ngrihet toni sa më tepër afrohet dita e zgjedhjeve.
Por unë jam optimist, dhe ky optimizmi im i përmbajtur bazohet në faktin se klasa politike shqiptare ka mësuar nga gabimet e së kaluarës. Nga ana tjetër shoqëria shqiptare duket më e pjekur në tërësi. Institucionet janë ngritur, pavarësisht se janë të brishta, shtypi shqiptar po luan një rol më pozitiv, është më profesionist, është më faktik dhe është më i balancuar.
Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara dhe demokraci të tjera perëndimore, kanë kërkuar nga Shqipëria, kryesisht nga qeveria shqiptare të marrë masa që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të drejta. Në Kongresin amerikan këto janë shprehur nëpërmjet rezultateve në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve. Ku e ka burimin ky preokupim?
Eduard Selami: Unë mendoj se ky shqetësim është i drejtë. Optimizmi im i përmbajtur nuk duhet ngatërruar me mungesën e problemeve. Unë mendoj, shpresoj dhe kam bindjen se shqiptarët dhe klasa politike në Shqipëri do t’i kapërcejnë këto probleme. Por ky shqetësim i bazuar është për faktin se shumë pak nga zgjedhjet që janë bërë kanë qënë të lira dhe të ndershme. Pra është një eksperiencë e hidhur. Por nga ana tjetër duhet parë edhe vlerësimi që i bëhet Shqipërisë. Ajo nuk është një vend që i është hequr filli, po të përdorim një shprehje më popullore, por është një vend që ka potencial, klasa politike ecën në drejtimin e duhur. Shqiptarët, të gjitha institucionet demokratike në Shqipëri, shoqëria civile, shtypi, i kanë mundësitë t’i organizojnë këto zgjedhje që të jenë të lira dhe të ndershme. Dhe në këtë rast unë mendoj që shqetësimi i drejtë i tyre do t’i bëjë zgjedhjet të lira dhe t’i japë fitoren atij që e meriton.
Zëri i Amerikës: Përveç pjesëmarrjes tuaj direkte në politikë, ju keni qënë vëzhgues i zgjedhjeve në disa vende të Evropës Lindore? Çfarë paralelizmi shikoni mes Shqipërisë dhe atyre vendeve ku ju keni vëzhguar zgjedhjet?
Eduard Selami: Kur ke mundësi për ta parë fushatën dhe procesin elektoral edhe nga një pozicion tjetër, siç është ai i vëzhguesit, por unë vazhdoj të jem vëzhgues edhe tani që jetoj këtu në Amerikë, të jep një perspektivë më të qartë për procesin elektoral në përgjithësi. Ka paralelizma, unë nuk mendoj se Shqipëria është një rast unikal dhe i pashpresë në këtë drejtim.
Të gjitha vendet që kanë kaluar në këtë proces të zgjedhjeve kanë hasur këto vështirësi që has edhe Shqipëria. Natyrisht, disa më shumë dhe disa më pak. Për vetë mungesën e traditës demokratike, për vetë mungesën e kushteve të lirisë që Shqipëra ka patur gjatë viteve të diktaturës, kuptohet që ky proces është edhe më i vështirë. Por unë mendoj se në këto zgjedhje shqiptarët dhe klasa politike shqiptare do të arrijnë të kryejnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, do të arrijnë që fitimtarët të mbajnë premtimet që i kanë dhënë popullit.
Ata për të cilët populli vendos për t’i kaluar në opozitë do t’u shtëngojnë duart, do t’u telefonojnë ditën e nesërme për t’u urur suksese atyre që fitojnë dhe të dy palët sëbashku do të vazhdojnë të forcojnë demokracinë. Sepse në demokraci, për mendimin tim personal, nuk ka të humbur e të fituar, fitojnë të gjitha palët. E rëndësishme është që ai grupim që ka alternativën më të mirë, që shumica vendos për t’i dhënë votën, ajo votë të respektohet, ata të mbajnë premtimet dhe të përparojnë në forcimin e institucioneve.
Zëri i Amerikës: Gjatë kësaj fushate duket sikur portretet e individëve të caktuar, dhe këtu e kam fjalën kryesisht për figurat kryesore politike, Kryeministrin Fatos Nano, dhe Kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, hera herës eklipsojnë çështjet? Por edhe kur çështjet diskutohen, ato shfrytëzohen si platforma për sulme ndaj individëve. Sa e dëmshme apo e dobishme është për palët rivale në Shqipëri një strategji e tillë?
Eduard Selami: Përpjekjen për të ulur kundërshtarin si rruga më e lehtë për të ngritur veten në politikë unë nuk e shikoj si një fenomen thjesht shqiptar. Ky është një problem i politikës. Ky është më i avancuar dhe duket më hapur në politikën shqiptare se dhe vetë politika shqiptare është në hapat e para. Por ky është një fenomen që ekziston edhe në vendet me demokraci jashtëzakonisht të zhvilluara siç është vendi ku ne flasim. Por në Shqipëri, kuptohet se kjo merr ngjyrime shumë më të theksuara. Për fat të keq një energji shumë e madhe harxhohet në këto sulme personale. Ana tjetër negative është se spostohet vemendja nga çështjet kryesore, nga preokupimet kryesore që ka Shqipëria.
Një vend me demokraci të konsoliduar mund t’ia lejojë vetes luksin e marrjes me jetën personale apo gjëra sipërfaqësore, të cilat edhe këtu janë boshe. Kurse në Shqipëri, kur ka probleme kaq jetike, që kanë të bëjnë me kërkesat minimale, me oportunitetet minimale, që njerzit duan prej demokracisë, kjo e bën kontrastin edhe më të theksuar, dhe e bën akoma më absurd këtë lloj sulmi dhe këtë lloj mbingarkese personale.
Po në këtë pikë, unë mendoj, që ne të gjithë kemi mundësi ta bëjmë këtë fenomen gjithnjë e më të vogël, duke filluar që nga vetë autorët e këtij lloj konflikti absurd dhe të stërzgjatur, ashtu edhe nga partitë politike të cilave ata u përkasin, klasa politike në tërësi, shtypi shqiptar, shoqëria civile dhe shqiptarët në tërësi. Në këtë pikë që të gjithë kanë mundësi për të bërë diçka për ta ulur këtë lloj konflikti artificial, i cili fatkeqësisht jo shumë larg por në 97-tën arriti në pika shumë të rrezikëshme dhe shumë të dëmshme për Shqipërinë.
Zëri i Amerikës: Socialistët po përqendrohen shumë në personin e Doktor Berishës dhe në ngjarjet e 1997. A e rrezikon dhe sa e rrezikon kjo Partinë Demokratike në këto zgjedhje?
Eduard Selami: Unë nuk di se kë dëmton më shumë. Kuptohet se 97-ta është një moment shumë i vështirë për të gjithë shqiptarët dhe përgjegjësia kryesore bie mbi ata që ishin në pushtet. Por të ngrihesh sot dhe ta përqendrosh fushatën në 97-tën, nuk mendoj se kjo i shërben vendit dhe i shërben progresit. Kjo është një taktikë që e kanë zgjedhur ata. Është e drejtë e tyre në demokraci për të zgjedhur platformën që ata mendojnë që do t’u sigurojë më tepër sukses.
Për mendim tim, një nga arsyet është sepse tetë vjet në pushtet, pa i humbur vlerat Partisë Socialiste për të stabilizur Shqipërinë pas 97-tës, ka një konsumim të saj, një konsumim të natyrshëm. Kështu që përpjekja për ta spostuar vemendjen nga ky konsumim tek 97-ta, unë mendoj se është një taktikë e tyre për të mbajtur pushtetin. Gjithësesi është e drejtë e tyre. Mendoj se kjo jo vetëm nuk i shërben frymës, klimes politike, por dhe të ardhmes së Shqipërisë. Ky është mendimi im personal.
Zëri i Amerikës: Në platformën e saj zgjedhore, Partia Demokratike ka përfshirë premtime të tilla si përgjysmimi i taksave, rritja e rrogave të mësuesve, zhdukja brenda gjashtë muajsh e monopoleve ekonomike dhe hapja e dyerve të universiteteve për të gjithë? Sa realiste janë këto premtime?
Eduard Selami: Për mendimin tim Partia Demokratike po zhvillon një fushatë mjaft të mënçuar elektorale. Është e përqendruar në problemet që kanë shqiptarët, përpiqet që të fokusohet në të ardhmen, përpiqet të japë alternativa më të mira zhvillimi. E mbështetur kjo edhe me një prurje të njerëzve të rinj, me një hapje të Partisë Demokratike, jo vetëm me njerëz të rinj por edhe me njerëz që kanë kontribuar më parë, që ishin shkëputur nga Partia Demokratike, dhe që kthehen përsëri, unë mendoj se ky është hap pozitiv.
Premtimet konkrete janë shumë të rëndësishme. Se sa do të mbahen, këtë realiteti do ta tregojë, në qoftë se Partia Demokratike fiton në zgjedhjet e ardhëshme. Mendimi im është që këto premtime duhen mbajtur, duhet krijuar shtrati ligjor që të gjitha këto gjëra të bëhen. Kuptohet që firoja e atyre që premtohen dhe atyre çka bëhen është në politikë. Puna është që të zvogëlohet kjo gjë dhe premtimet të jenë sa më realiste me qëllim që të mos krijohet një iluzion i dëmshëm, i cili, kur partitë vinë në pushtet, kthehet menjëherë kundër tyre sepse njerëzit humbasin durimin, të bazuar në një iluzion apo në premtime, të cilat është vështirë për t’i mbajtur. Por unë mendoj se premtimet e Partisë Demokratike janë premtime plotësisht të mbajtëshme dhe janë në objektivin e duhur, atje ku u dhemb shqiptarëve.
Zëri i Amerikës: Ju ishit një nga figurat kryesore në fillimet e demokracisë në Shqipëri. Ju jeni larguar nga skena politike shqiptare rreth 10 vjet më parë, por mbeteni vëzhgues i saj. A mendoni të ktheheni përsëri në Shqipëri për të marrë pjesë në politikë apo në sfera të tjera të jetës së vendit?
Eduard Selami: Pa tjetër. Dua të shpeh këtu falenderimet e mia për kërkesat dhe ofertat që më janë bërë deri tani. Një mendim kryesor është këtu në këtë gjë. Unë pjesëmarrjen në politikën shqiptare nuk e shoh si karierë politike. Kështu që në këtë aspekt, për mua afrimet që bëhen për poste të caktuara nuk kanë atë peshë që ata mendojnë se unë shikoj në to. Për mua pjesëmarrja në politikën shqiptare, rikthimi në Shqipëri, do të varet nga ajo çka unë do të vlerësoj si kontribut për përparimin e demokracisë dhe Shqipërisë. Sot për sot unë nuk shikoj këtë hapërisë.
Megjithatë, gjërat lëvizin, gjërat ndryshojnë, një gjë dua të theksoj që unë as e kam harruar Shqipërinë dhe as besoj se do ta harroj. E ndjek, nuk jam atje por e ndjek këtu me kujdes dhe gjëja që mua do të më gëzojë më shumë në jetën time është të shikoj një Shqipëri që futet normalisht dhe shkon në drejtimin e duhur të progresit, se kjo është në të mirën e gjithë shqiptarëve të cilët kanë vuajtur shumë. Kjo nëse bëhet pa mua, unë s’kam asnjë qejfmbetje në atë pikë dhe bile do ta uroja. Nëse do të ketë nevojë për kontributin tim dhe unë do ta vlerësoja që ky kontribut do ta ndihmonte Shqipërinë në këtë progres unë nuk do ta kurseja kontributin tim.
Gazmore për ringun elektoral, Shkodër 2005
Paulin Sterkaj – Pjetër Arbnori Dueli i ujkut dhe dhelprës Ke kenë bisha e tapetit Bash sa Muji ke pasë takat Në çdo mejdan ia ke lanë vedit Sot po rrokesh në mejdan.
Në kjosh Paulini qi ke kenë Qëndro fort e ban gajret Pjetri asht peshë e randë Asht kampion për deputet
Valentin Palaj – Tomë Doshi Lufta e çuditshme Toma s’ka pushtet hyjnor Mrekullina s’mundet me ba For ma mirë një zog në dorë Se 100 tuj shku në hava
Ti, o Tomë, je “Bota” Vali thotë me ironi Deputeti nuk mbushë gropa Kërkund tjetër veç në Shqipni
Më vjen keq ke me u shpenzue Por populli trim e demokrat Veç për mu ka me votue Tanë në i bash ti Tomë çirak
Unë s’kam hy si shyta në lojë As për një rrogë deputeti Atë zhavorr që po e shtroj Në qoftë se humbë s’e marr me vedi
Astrit Bushati – Pal Lera Sfida e ferrit Tit Bushati veshë opingat Turr po ngjitet Gurit të Kuq Në kuvend i mbledhë trimat Bini burra, t’mos dalim huq
Dukagjin t’kam ardhë në votër Hera e parë që dal në fshat Do t’i vras dy zogj me nji kokërr Nji socialist e nji demokrat
Unë kam ardhë me marrë hak Për Mark Krroqin e Ali Spahin Dukagjini e ka zanat Nuk i don bijtë e tij
Ma ngadalë, o Astrit “Beg” Bani mirë ti llogaritë Pa karrike në Shkodër ke mbetë Në Dukagjin ke dalë me lypë
Dukagjini po s’e diti Ku e ka vendin, ku e ka hisen Ta gëzojë postin Astriti Ne në hi të rrimë me gjyshen
Arenca Troshani – Ramadan Hasani Lufta e ftohtë Me çka po shofin sytë përditë Horoskopi flet për Arenca Troshanin Veç mos na kalo Jozin në opozitë Se hallall ta bajmë Ramadanin
Të uroj suksese, zoti Ramadan Kujdes prefektët në Shkodër s’kanë fat Burri i vërtetë shihet në mejdan Mjerë ai burrë që rrëzohet nga gratë
Zef Çuni – Jozefina Topalli Kush do ua fitojë zemrat çorapegrisurve Karl Gegë Shkodra të ka Për kulturë e për zanat Por në Shkodër s’vlen asgja Po të mos jesh demokrat
Me kenë trim sa Gjeto Gega E me pasë një shtëllungë mustakë Të kërrleshun në dy dega Vështirë me Jozin me u matë
Jozefina nuk njeh humbje Asnjëherë në asnjë tapet Me shigjeta të helmume Socialistët tanë po i vret
Nard Ndoka – Nikolin Dedvukaj Para Laçi! Buka e thyeme ja që u ngjitka Këtë risi nga politika e mësuam Pështyma e nxjerrun prapë u përtypka Sala me Nardin ja që u pajtuan
Nardi thotë ndihem i fituar Qyshë se Sala më fali bekimin Laçin krejt e kam privatizuar Nuk ka tapi për Nikolinin
Qysh se vdiq Lekë Zaharia Ia la Danjën me tapi Nuk ia merr te tanë Shqipnia Pa e mbytë Nardin në Dri
Lekë Çukaj – Ramiz Çoba Përplasja e demave Unë i hyra Salës në fortesë Dukagjinin ia mora për gjinit Jam tmerri, paniku i PD-së Siç është mica tmerri i minit
Dy mandate nuk janë pak Të korra në pashallekun e PD-së Edhe njëherë do fitoj prap Dhe pastaj le të vdes
Me ushtat tuja, o trima U bana burrë kuvendi, thotë Leka Përpara dukagjinas në rrethina Tani është e treta e vërteta
Malësori në mal s’dorëzohet Po i thotë Ramizi Lekut Në fushë i shqet e rrëzohet Do të varrosë në fushë të bejlekut
Lekë, ti je nji Mao Ce Dun Që thoshte qyteti të rrethohet nga fshati Investimet ti i çove në katund Dhe qytetit i ngeli trapi
Në zonën tre do ndeshen demat Nji komisar e nji deputet Kanë me u shkrra e me thy brenat Esmeralda u hyn ndërmjet
Esmeralda u hyn ndërmjet Ulni armët qofshi bekue Me pasë mend ky milet Deputete zgjedhin mue
Musa Heta – Gilman Bakalli Dueli i heshtur Heta e Bakalli s’po bëjnë poterë Ditën e madhnueshme në heshtje tuj pritë Duket se janë burra me vlerë Por ç’e do i shvirgjëruan partitë
Priten në fund shpërthim rrufesh Bakalli mallkon PS-në e qeverinë Shkodra e përmbytur në ujra VC-shë Pasqyrë, thotë Heta kemi Bashkinë
Shkodra pa punë, pa rrugë, pa drita Mbytu në ujë sa herë bie shi Shkodër me zgjebë të bani politika Të dogj e të poq e prapë tallet me ty
Populli do fitojë lesht e Marikës Si fitoi Bakalli, si shoku Hetë Popull i dehur prej politikës Pjerdh politika, e ti i thue shëndet
Kush do fitojë PS në Shkodër do korrë një ndonjë deputet Po fitoi në Shkodër, do humbë tjetërkund Shkodra gjithmonë e ka adet Të shkojë pas atij që humb
Shkodra ka le për art e tregti Politikën nuk e ka zanat Nji kryeministër në nji shekull pavarësi Kuislingun e mjerë Maliq Bushat.
Shtojzovallet Esmeralda e Jozefina Borziloku e trëndelina Dallëndyshja e kanarina Sikur Diana e Afërdita Njena ylli, tjetra drita Opozita dhe pushteti Njena vala, tjetra deti Në daç parajsa, në daç xheneti Lum ata që i kanë për vedi Herë si zjarri, herë si prushi Herë si flladi e zagushi Njena vena, tjetra mushti Ju paçin, Iliri e Salia Fatosin e ka zanë mërzia Me fund e pin bardakun Ma dehën gratë elektoratin Në Shkodër më lanë pa PS Qenë dy zana u bënë tre Që të bajnë luftë me zana Unë kam dy kapedana Le t’i vinë Tosit inat Burrat vdiqën, rrofshin gratë Politikën e mbyti mëkati Le të rrojë matriarkati Politika do ish ndrysh Fytyrën tuaj po të kish Nuk do ishte imorale Por do ishte shtojzovalle Prelë Milani
Dhjetra aleanca fitoresh të malësorëve dhe ajo me deputetin Arbnori Këto ditë kandidati për deputet i PD-së, zoti Pjetër Arbnori u ndodh në mes banorëve kreshnikë të Kelmendit, në mes të malit, fisit apo bajrakut që historia rreth dymijëvjeçare e ka vendosur në majën e Shqipërisë, në piedestalin e historisë, si kështjellën e pamposhtur ku shqipja gjeti folenë për të jetuar e lirë dhe për të ruajtur e shumuar pa ndërprerje bijtë e saj ilirë. Ky Kelmend që njohim sot është i fiksuar në histori të paktën që në shekullin e parë të lindjes së Krishtit, e pikërisht në vitet 90-101, kur në selinë e shenjtë ishte zëvendës i tretë i Shën Pjetrit, Papa Klementi I. Kështjella Klementina njihet dhe pranohet si fortesa më famëmadhe ku banonin vetëm nga raca hyjnore ilire, dhe për këtë kanë shkruar e shkruajnë historianë, shkencëtarë, studiues e albanologë të huaj e vendas. Jeta e kësaj kështjelle të pamposhtur shqiptare ka vijuar pa ndërprerje deri në ditët e sotme, edhe pse për këtë u pagua çmimi më i shtrenjtë i një populli europian. Për të vërtetuar këto, ne vetëm sa po kujtojmë se pushtuesi i tmerrshëm aziatik, Perandoria Otomane arriti të shkelë në Kelmend jo në vitin 1479, kur thuajse kishte pushtuar krejt Malësinë e Shqipërinë, por rreth 20 vjet më vonë, por edhe atëherë e mbrapa në Kelmend pushtuesi kurrë nuk gjeti rehati, por ndodhej në një trevë ku i digjte toka nën këmbë. Viti 1614 shënon aleancën ndërballkanike antiturke, që në histori njihet si Kuvendi i Kuçit, ku rol kryesor kishin klementinët (kelmendasit). Dhjetra aleanca e luftëra të mbushura me fitore, por edhe tragjedi e kishin themelin në Kelmend, ku përveç burrave këtu luftonin me heroizëm edhe gratë Malësore, e një ndër këto është Nora e Kelmendit e cila vrau në çadrën e pashait, vetë pashain turk, duke i lënë nderë e burrëri Kelmendit, Malësisë e Shqipërisë. Viti 1911 për kelmendasit ishte viti i një kryengritjeje të madhe që solli jo vetëm ngritjen e flamurit kombëtar për herë të parë pas 450 viteve robëri Otomane, por në Greçe të Kelmendit u zhvillua kuvendi famëmadh i 10-23 qershorit 1911, që ishte edhe programi i parë politik që çonte mbarë shqiptarinë drejt pavarësisë. Viti 1913 shënon një eveniment tjetër që krerët e Kelmendit kërkojnë mbrojtjen e trojeve shqiptare nga lubia sllave serbo-malazeze, e ky eveniment njihet në histori si Memorandumi i 13 majit 1913, të nënshkruar nga krerët e Kelmendit e të Shqipërisë. Gjatë këtyre viteve del në pah një burrë trim, i urtë e i palëkundur në mbrojtje të kufijve të Shqipërisë Veriore, e ky burrë është Prek Cali, të cilin populli dhe historia e kanë përjetësuar si piramidën e gjallë të kufinjve shqiptarë. Lufta e kelmendasve nuk reshti kurrë kundër çdo pushtuesi, qoftë ky sllav, austro-hungarez, italian, gjerman e deri ndaj një ideologjie komuniste që kishte marrosur, qorruar e tërbuar një pjesë të shqiptarëve, që kërkonin të mbysnin me gjak trevat antikomuniste shqiptare. Një fat të tillë të mjerë në janar 1945 kishte pasur edhe Kelmendi, ku në këtë luftë mbrojtëse humbi jo pak por rreth 150 burra që rridhnin nga elita e trimërisë dhe shqiptarisë në këtë trevë, pa llogaritur dhjetra shtëpi të djegura, qindra vite burgje, internime e persekutime të gjata. Meqenëse gjatë takimeve që zoti Arbnori zhvilloi në Kelmendin e Malësisë së Madhe, aty ishin ndër të parët djemtë, nipat e mbesat e martirëve të martirizuar nga paraardhësit e socialistëve të sotëm, komunistët, ne menduam të përshkruajmë fare pak nga tragjedia kriminale që shkaktuan pa mëdyshje komunistët e djeshëm (1945-1990) dhe socialistët e sotëm… (Janar 1945). Gjatë luftimeve u vranë Zhukë Toma nga Broja, Kolec Uci nga Vishnjeva e Gucisë dhe Luc Gjoni nba Vukli. Flaka e shtëpive të djegura shkrumboi gjallë Lukë Tomën nga Vishnjeva dhe Dedë Gjon Bajraktarin nga Vukli. Me bajonetë ia nxorën sytë dhe e varrosën të gjallë Fran Zef Ucin. Nga shkëmbi hodhën Rrok Zefin dhe e varrosën në një varrezë të përbashkët në Kodrën e Kuklit (Kozhnje) me dy djem të rinj, Ujk Nikën e Farn Alinë. Dhe po të gjallë varrosën Lucë Gjokë Bajraktarin e Lucë Gjon Rapukën. Masakruan mizorisht Gjergj Qosen nga Broja, Losh Fran Bracaj nga Vukli. Pushkatuan gjatë rrugës për në Shkodër Dedë Gjon Dedën, Gjekë Selcën, Gjergj Lulë Tomën dhe tre djemtë e Mar Bikut (Ujkën, Nduen, Marashin). Pushkatuan në Shkodër legjendarin Prekë Cali e Dedë Lulash Smajlin nga Nikçi, bashkë me 12 të tjerë nga zona të ndryshme të Rrethit Shkodër. Gjatë kryerjes së dënimeve me burgime të gjata kanë varur Mark Gjeloshin nga Broja, Gjelosh Fran Zefin nga Nikçi, Dedë Gjeloshin nga Vukli e dhjetra të tjerë që për mungesë kohe nuk po i shkruajmë, por që i ka shkruar historia e martirizimit nga komunizmi i pafe e atdhe, dhe që i kujtojnë jo pa dhimbje pasardhësit e tyre, në këto ditë që kërkojnë të ringjallen pasardhësit e djajve të kuq, socialistët. Natyrisht historia e martirizimit të Kelmendit dhe zotit Pjetër Arbnori është e njëjtë dhe për të njëjtat ideale të demokracisë, lirisë e shqiptarisë. Kelmendasit për ta përforcuar këtë në këto ditë takimesh jo vetëm i garantuan zotit Arbnori një fitore të thellë, por shtuan radhët e Partisë Demokratike me 30 anëtarë të rinj, që votojnë për herë të parë dhe për herë të parë do të votojnë për demokracinë e vërtetë, për të cilën u sakrifikuan gjatë të parët e tyre. Fitorja e z.Pjetër Arbnori, siç u shprehën anëtarët e rinj të PD-së në Kelmend, do të bëjë që tragjedia e të parëve të tyre të mos gënjejë asnjë shqiptar të vërtetë, përveçse krijesat e tyre që komunizmi i quante njeriu i ri… e natyrisht të tillë ka kudo, por ata tashmë janë pak e fati i pakicës dihet, ndërsa fitorja i takon shumicës së shqiptarëve që duan ndryshimin. Ndue Bacaj
616 vjet pas betejës së Fushë-Kosovës Pak kujt mund t’i shkojë ndërmend se datat 15 deri 26 qershor për ne shqiptarët janë ditë të shënuara, jo vetëm për dëshmorët tashmë thuajse të panjohur që dhanë jetën në betejën antiotomane të Fushë-Kosovës të vitit 1389, por mbi të gjitha këtu fillon tragjedia e trojeve tona që sot janë të ndara në pesë shtete. Gjithsesi, kjo kohë e fundshekullit XIV kishte detyruar popujt ballkanikë e më gjerë që rrezikut që u kërcënohej nga perandoria aziatike t’i përgjigjeshin me një koalicion të paparë. Mjafton të kujtojmë se këtu bënin pjesë bullgarët, rumunët, hungarezët, polakët, serbët e mbi të gjitha shqiptarët, të cilët komandoheshin nga Gjergji II Balsha dhe nga Teodor Muzaka i Beratit, si dhe prijës të tjerë me më pak emër… Duhet theksuar se prijës i këtij koalicioni antiotoman u emërua Knjaz Llazari i Serbisë. Beteja ishte nga më të tmerrshmet dhe u zhvillua në afërsi të Prishtinës së sotme. Koalicioni me gjithë luftën e tij burrërore mjerisht jo vetëm humbi, por la pas një tragjedi të vërtetë për fatet e popujve të Ballkanit në përgjithësi, dhe për popullin e trojet shqiptare në veçanti. Në këtë betejë ne shqiptarët, sipas dokumenteve të ndryshme historike, treguam se jemi populli më luftëtar në mbrojtje të qytetërimit dhe besimit, ku në fushën e betejës kanë rënë qindra dëshmorë, e së bashku me ta edhe vetë Teodor Muzaka. Për këtë betejë ne malësorët dhe shkodranët kemi edhe një arsye më shumë që ta kujtojmë e nderojmë, pasi Gjergji II Balsha ushtarët e tij i kishte me shumicë nga trevat tona, ku njëri nga këta, trimi Mirash Kopili u bë kryeheroi i kësaj beteje pasi vrau në çadrën e sulltanit (apo duke luftuar) vetë Sulltan Muratin e Perandorisë Otomane. Mjerisht, edhe pse kanë kaluar mbi gjashtë shekuj nga ajo kohë, jehona e kësaj beteje ende nuk është shuar, ndërsa heroin shqiptar Mirash Kopili shpesh janë munduar ta bëjnë të tyre serbët apo popuj të tjerë që morën pjesë në këtë betejë. Shpesh në literaturën historike apo artistike e gojore emrin e Mirash Kopilit e gjejmë të deformuar në Millosh Kopiliqi, duke i dhënë trajta sllave. Natyrisht kjo ka arsyet e veta, se këtë kryehero kushdo po ta kishte do të krenohej dhe do t’i thurte këngë e legjenda, e ndërsa ne shqiptarët pak kemi bërë për këtë, serbët thuajse nuk kanë guxuar ta bëjnë një gjë të tillë, pasi e kanë ditur se nuk ishte serb, por shqiptar. Për Princin Llazar popujt sllav kanë thurur qindra këngë, legjenda e gojëdhëna pasi në fakt ishte i tyre edhe pse ai nuk u vra nga otomanët duke luftuar, por duke ikur nga fusha e betejës. Kujtojmë se në versionet e gjuhës latine të asaj kohe Mirash Kopili cilësohej si Miros apo Milos Cobilitzius, ndërsa në shkrimet e Marin Barletit e gjejmë Miroso apo Miloso Cobilichia. Në burimet osmane mbiemrin e këtij shqiptari të madh e gjejmë në format Kuple apo Keple, çfarë do të thotë Kopili, mbiemër i njohur jo pak edhe sot… Për origjinën e heroit të Fushë-Kosovës edhe brenda nesh ka versione të ndryshme, thuhet se origjina e hershme ka qenë nga Kopliku i asaj kohe, apo nga Blloshmit e Librazhdit, por që gjithsesi një gjë është e sigurtë, në Kosovën martire, Mirash Kopili ka të trashëguar, siç thonë vendasit, rrënojat e kullës në Drenicë, si dhe ka dhjetra këngë epike që i kushtohen këtij trimi legjendar. Ndue Bacaj
Shkodër. Çmenduria e ka emrin 1997. Megjithëse kanë kaluar 8 vjet që nga viti I mbrapshtë I 1997,ai është akoma I pranishëm. Jo në ato përmasa ,jo me ato çfarë u panë në ato ditë tragjike të atij viti ,por me pasojat e tij,me viktimat e tij të cilat sa vinë e po shtohen.Kërcënimet, kanosjet dhe deri në tentativa, apo në rastin më të keq akoma në vrasjet në emër të gjakmarrjes apo të hakmarrjes janë fenomene, që edhe pse kanë kaluar 8 vite janë të pranishme edhe sot. Për rrjedhojë të këtyre kërcënimeve apo edhe në tentativave për hakmarrje ka bërë që me qindra e me qindra bij e bija të Shqipërisë të largohen kush në mënyrë ilegale e kush në mënyrë legale (me një vizë të siguruar nën dorë) kanë marrë rrugët e botës nuk dihet se ku me qëllim për ti shpëtuar këtij realiteti që është I pranishëm edhe sot në Shqipëri. Njerëzit e kërcënuar janë të disa kategorive .Ka nga ata që janë kërcënuar se kanë bërë vrasje me arsyet nga më të ndryshmet,ka nga ato që kanëe mbrojtur nderin e familjes së tyre me armë e meghjithë atë askush nuk don tia dijë për te .Por ka edhe nga ajo kategori që u përpoqën të mbrojnë detyrat shtetërore sepse ashtu e kërkonte ligji, rregullorja, e mira e shtetit ,duke mbrojtur me armë institucionet shtetërore ,repartet ushtarake,magazinat e ndryshme kundër lukunive të disa njerëzve të babëzitur të cilët nuk ndaleshin para asgjëje,me qëllimin e vetëm të shtinin në dorë çdo gjë pasi shteti kishte rënë .Kishte nga ato bij nënash që iu dhimbs një pasuri e tillë ,që I mbrojtën vendet e ngarkuara nga ligji edhe me armë ,duke iu përgjigjur zjarrit me zjarr,kuptohet duke lënë prapa edhe viktima.E në vend që shteti ti dekorojë këta njerëz ,në vend që ti mbrojë ato si njerëz që u përpoqen t’I dalin zot shtetit Shqiptar ,pikërisht atëherë kur këto pushtetarë kishin braktisur zyrat, punen dhe ia kishin mbathur së bashku me familjet e tyre ,nuk morën as mundimin më të vogël që tu dalin për zot. Sot, kur kanë kaluar 8 vite nga ajo kohë, njerrëzit që mbrojten me armë shtetin e tyre,nga këto turma njerëzish, ato u detyruan që të fshihen pasi kërcënoheshin vazhdimisht nga të afërmit e viktimave të atyre ngjarjeve.Shumë prej tyre u fshehën ,shumë prej tyre akoma kanëe mbetutr të traumatizuar nga ato çfarë kanë parë,por ka edhe nga ato që u vranë,gjoja nën emrin e hakmarrjes ,nën emrin e gjakmarrjes ,pasi kështu e thotë Kanuni,kështu çohet nderi në vend I të vrarit. Si sot më kujtohet 12 marsi I vitit 1997,kur n\oficeri Agim Zyberi,magazinier I një reparti ushtarak në Shkodër, 18 km larg saj ,luftonte me armë për të mbrojtur magazinen që I kishin besuar.Dhe ai me atë idealizmin e tij nuk mendonte se do të vinte një kohë, që jo vetëm se do të mbeste pa punë ,por atij do ti rrezikohej jeta seriozisht,dy herë ka shpëtuar për mrekulli nga pritat ,sepse dikush është kujtuar që I vëllai qenkërka vrarë nga Ai?!Sepse Kanuni e don që Zyberi të vritej për të çuar në vend nderin e familjes së viktimës ?! O zot deri kur do të vazhdohet kështu?Deri kur njerëzit të kërcënuar me jetën e tyre dhe të familjarëve të tyre do të detyrohen që të marrin rrugët e botës për të shpëtuar koken, vetëm e vetëm se guxuan të mbrojnë shtetin,se nuk pranuan që edhe pse nuk kishte shtet, të lëshojnë postin që u kishte besuar detyra ,pasi ato mendonin se ajo pasuri ishte e shqiptarëve dhe jo e pushtetarëve . Prandaj ajo çmenduri, që e ka emrin 1997 deri kur do të vazhdojë ?… Vasel Gilaj
“Dosja” e persekutimit të famijes Gjinaj nga komunizmi në dy kohë Familja Gjinaj nga rrethi i Malësisë së Madhe, njihet të paktën prej një shekulli e këtej si familje patriotike, besimtare e mirë katolike, por edhe si antikomuniste e vendosur. Është pikërisht antikomunizmi i njohur i kësaj familje që e bëri të vuajë për rreth 60 vite rresht, me përjashtim të një pushimi të shkurtër nën qeverisjen e demokratëve në vitet 1992-1996, për të rifilluar në vitin 1997, kur në pushtet u rikthyen komunistët e vjetër me emrin e ri, socialistë. Kësaj radhe, ne si gazetë zgjodhëm për të publikuar “Dosjen” e familjes Rrok Gjinaj, i cili si për t’i “shtuar” vetes persekucionin komunist kishte lidhur miqësi me familjen shkodrane Shllaku, e cila edhe kjo njihej si antikomuniste dhe besimtare e denjë katolike. Vlen të theksohet se At Gjon Shllaku, prift katolik në shërbim në kishën e Shën Nikollës Lezhë, pushkatohet nga komunistët më 2 mars 1946 dhe pas kësaj dhëndri i derës Shllaku, zoti Rrok Gjinaj internohet si antikomunist rreth 25 vjet në kampin famëkeq të Torovicës, ku ai dhe familja e tij persekutohet e privohet nga gjithçka, duke kaluar një tmerr pa fund. Lirohet nga internimi në vitin 1970 duke e kthyer të jetonte në fshat nën survejimin e vazhdueshme të spiunëve të sigurimit të shtetit komunist, të cilët më 4 nëntor 1980 e arrestojnë zotin Rrok Gjinaj, të cilin e dënojnë 8 vjet burg, me akuzën agjitacion e propagandë kundër partisë e pushtetit komunist, si dhe për tentativë arratisjeje. Dënimin e dërgojnë ta kryejë në burgun e Burrelit ku edhe e ridënojnë me të njëjtën akuzë. Është interesant se me gjithë persekutimin e familjes Gjinaj, djali i Rrokut, Valmiri, në moshë fare të re, tenton të arratiset, por më 29 korrik 1988 e kapin forcat kufitare duke u arratisur në Shishtavec të Kukësit. Valmir Gjinaj, edhe pse vetëm 16 vjeç (datëlindja 1972), dënohet, por me gjysëm dënimi. Valmiri lirohet nga burgu më 29 prill 1991 dhe një muaj më vonë edhe i ati, Rrok Gjinaj. Lirimi erdhi si rezultat i rënies së përkohëshme të komunizmit dhe lejimit të pluralizmit politik në Shqipëri. Fillë pas lirimit, i riu Valmir Gjinaj afrohet pranë Partisë Demokratike dhe pa vonuar shumë bëhet edhe anëtar i saj. PD-ja zotin Valmir e ngarkon me detyrën e sekretarit të PD-së në zonën e Koplikut (Llazan), për të organizuar partinë në këtë vend që njihej si bastion i komunizmit. Këtë detyrë, ky demokrat e kryen mjaft mirë. Duhet theksuar se Valmir Gjinaj gjatë asaj kohe gjen kohë që të ndihmojë në rindërtimin e kishës së Shën Nikollës, punë të cilën duket se e bëri për shpirtin e dajës së tij, Gjon Shllaku, i cili para pushkatimit kishte qenë famulltar në këtë kishë historike. Në vitet e pushtetit të PD-së (1992-1996) familja Gjinaj filloi të jetojë siç e meritonte kjo familje atdhetare e fetare, por kjo nuk paska qenë e shkruar veçse deri në vitin 1997, kur komunistët e rinj (socialistët) u rikthyen në pushtet siç dinë të kthehen veç ata (me revolucion bolshevik). Persekutimi i ri do të binte pa vonuar mbi pinjollin antikomunist të familjes Gjinaj, ku Valmiri, më 22 gusht 1997, kur ishte duke pritur një prift italian në Portin e Shëngjinit, i cili do të celebronte një meshë në kishën e Shën Nikollës (Lezhë), kapet nga dy civilë (punonjës të SHIK-ut) dhe çohet në polici, ku keqtrajtohet mizorisht. Gjatë torturave, Valmirit i kishin thënë se ti je këlysh demokrat i Saliut (Berishës), ndërsa priftin italian as nuk duam ta shohim, pasi ata janë agjentë të Vatikanit… Torturat zgjatën rreth tre ditë, që kur e liruan i thanë mos u merr me PD-në se të marrim jetën. Më datën 31 gusht 1997, kur familja Gjinaj nuk ndodhej në shtëpi, ia djegin shtëpinë dhe në një faqe muri i lënë të shkruar “Poshtë katolikët, poshtë demokratët, që do të digjen si shtëpia”. Autorët dihet se janë të policisë sekrete, por kush guxoi t’i denonconte. Duke parë rrezikun për jetën, në shkurt 1998 zoti Valmir Gjinaj siguron një pasaportë fallso dhe me një çmim shumë të shtrenjtë largohet nga Shqipëria, pasi më e shtrenjtë ishte jeta e tij e rrezikuar. Fatkeqësisht në qershor të vitit 2004 rikthehet në Shqipëri, por socialistët sapo e marrin vesh tentojnë të hakmerren ndaj këtij demokrati. Më 1 korrik 2004, kur Valmir Gjinaj ishte duke pushuar në plazhin e Velipojës, dy civilë (punonjës të policisë sekrete) e ofendojnë dhe e kërcënojnë publikisht, madje tentojnë ta marrin me vete, por falë pushuesve që u grumbulluan menjëherë, shpëtoi, por dy civilët kur po largoheshin i thanë mbaje mend se ne socialistët do t’ju gjemë kudo që të shkoni, dhe do ta paguani me jetë antikomunizmin tuaj… Valmiri pas kësaj ndërpreu pushimet dhe kaloi thuajse në ilegalitet. Më 16 nëntor 2004, kur po kalonte para Bibliotekës “Marin Barleti” në Shkodëre, i ndalet para këmbëve një furgon me xhama të zinj dhe pa targa dhe pasi ulen 4 policë (të veshur civil), e rrahin barbarisht dhe në fund njëri nxori një pistoletë që ia vuri tek koka duke i thënë se nëse të shohim më në Shqipëri, do të të vrasim, se ju demokratët jeni të huaj për ne. Nga kjo gjendje e rëndë e nxorën dy të afërm të tij, duke e dërguar Valmirin në shtëpi. Gjithsesi më 12 shkurt 2005, Valmiri shpëton për mrekulli, pasi kur po priste makinë për t’u kthyer nga një tubim me rastin e 60-vjetorit të kryengritjes antikomuniste në Bajzë, tre persona (policia sekrete civile), e keqtrajtojnë dhe e kërcënojnë se antikomunizmin do ta paguash shtrenjtë, ashtu siç e kanë paguar ata që deshën të na rrëzonin nga pushteti në janar 1945… Gjatë muajit prill intensifikojnë presionet dhe kërcënimet persona të veshur me pushtet të Partisë Socialiste, të cilët i thonin Valmirit se ose ik nga Shqipëria socialiste, ose do të të zhdukim ne, se ti qëndron këtu se kujton se na merr pushtetin të cilin na e ka lënë amanet i pavdekshmi Enver Hoxha, e ne socialistët jemi bij të tij. Përsëri Valmiri tenton të largohet nga Shqipëria, por i paaftë të kthehet në Shqipëri, me sa duket Europa nuk e beson se në shekullin XXI mund të ketë një shtet që persekuton, kërcënon e dhunon qytetarët e vet për bindje politike, që në fakt kjo ndodhë në Shqipëri… Këto ditë përsëri ne mësojmë si gazetë se Valmir Gjinaj kërcënohet me të gjitha mënyrat nga civilë dhe policë të socialistëve, ku i thonë se kot rrinë në Shqipëri, se as më 3 korrik nuk ua lëshojmë pushtetin ju demokratëve të Saliut, prandaj zgjedhjet ne i njohim veçse nëse fitojmë ne, e kundërta, ti Valmir je i pari që do ta paguash me kokë nëse humbin socialistët… Në këto kushte represioni e kërcënimi për jetën, Valmir Gjinaj është larguar për diku larg Shqipërisë që e deshi aq shumë… Një konfirmim të tillë e mësojmë edhe nga Dega e PD-së Malësi e Madhe, ku i mungonte ky demokrat. Pas kësaj, ne si gazetë vetëm pyesim, deri kur kështu?! Ndue Bacaj
Mesazh të gjithë shqiptarëve T’i përgjigjemi dashurisë së Zotit. Le të ecim në shembullin e martirëve të kombit. Le të kujtojmë veprat e kryera të njerëzve të nderuar të kombit tonë, ashtu siç kanë vepruar shumë i nderuari Xhemal Naipi dhe Padër Gjergj Fishta, të cilët patën lidhur me flamurin kombëtar minaren e Xhamisë Ebu Beker dhe kompanjelin e Kishës Françeskane për të treguar dhe vënë në jetë dashurinë që kemi për krijuesin tonë, cili na mëson duke na thënë “Duajeni shoqin ashtu si ju kam dashur unë juve”. Të duam qytetin tonë, të duam Shqipërinë me të njëjtën forcë siç na ka dashur vetë krijuesi ne, që na solli në këtë tokë për të përmbushur detyrimet për të lënë pas breza të mirë. Le të kujtojmë lutjen e Dom Preng Lazraj, i cili kur lutet thotë: “O Zot na fal sytë e tu të shikojmë botën simbas vullnetit tënd! O Zot na fal veshët e tu, të dëgjojmë ty si të ka dëgjuar biri yt hyjnor! O Zot na fal gojën tënde, të komunikojmë me të njëjtën forcë dashurie!” Kjo është thirrja që na jep Radio Maria, me dëshirën dhe dashurinë. Gjergj Çamuku, ish – i dënuar politik
Lubonja: Zgjedhësit duhet të ndërgjegjësohen për të drejtat dhe për rolin që ata luajnë në një proces demokratik Publicisti Fatos Lubonja në intervistë për DW analizon luftën elektorale në Shqipëri: Spektri politik shqiptar ndodhet në krizë përfaqësimi. Grupimet dhe njerëzit që bëjnë forcën politike duhet të ndryshojnë, të shkëputen nga kultura e prodhimit të liderëve. Dushku i madh, që është në kontradiktë me kushtetutën mund t´ua zbehë rolin partive të reja.
DW: Fushata elektorale në Shqipëri ndodhet në kulmin e saj. Megjithatë si sot edhe qysh në fillim të këtij viti është dëgjuar rëndom në opinonin jashtë dhe brenda Shqipërisë atributi se “zgjedhjet parlamentare 2005” janë shansi i fundit, apo shumë të rëndësishme: Ç´të veçantë kanë këto zgjedhje dhe përse të tilla atribute?
Lubonja: Të them të drejtën unë nuk i mendoj kështu, shansi i fundit. Mendoj, se sigurisht Shqipëria është bërë vendi më problematik përsa u përket zgjedhjeve si test i demokracisë. Dhe mendohet që këto zgjedhje janë një test për të treguar se sa ka ecur Shqipëria. Por opinioni im është që tashmë i gjithë ky tension, e gjithë kjo situatë e krijuar është tregues, se proceset demokratike në Shqipëri nuk është se kanë ecur kaq mirë, pra zgjedhjet nuk janë thjeshtë test, por zgjedhjet janë i gjithë procesi. Tek e fundit ideja që kam thënë shpesh është: sikur një i sëmurë që gjatë gjithë kohës ka lënguar dhe ecur keq me shëndetin të tentojë të provojë se me një ditë zgjedhjesh, me një analizë gjaku si të thuash është i shëndoshë. Ndërkohë që është e vështirë të dalin të gjitha analizat në rregull, kur gjatë gjithë kohës proceset nuk kanë qenë aq të mbara. Ky është problem i madh, megjithatë është në njëfarë mënyre edhe një lloj presioni që bën komuniteti ndërkombëtar ndaj Shqipërisë me këto zgjedhje. Por tek e fundit unë jam gjithmonë dhe kam qenë i mendimit që Shqipëria dhe shqiptarët duhet t´i zgjidhin vetë punët e tyre.
DW: Zoti Lubonja, duke folur tani me të njëjtën terminologji që përdorët edhe ju: d.m.th. Shqipëria ka 15 vjet që e ka nisur procesin e shërimit, pra të demokratizimit: Megjithatë ajo konsiderohet ende si e sëmurë dhe jo e shëndoshë nga pikëpamja e demokratizimit dhe zgjedhjet janë larg standardeve. Përse ndodh kjo?
Lubonja: Arsyet janë të shumta dhe është e vështirë t´i ezaurosh me një bisedë të shkurtër. Arsyet janë një pjesë nga vet prapambejta që ka pasur Shqipëria, në kuptimin e pranimit të ideve të ndryshme, të një pluralizmi ideshë dhe të bashkëjetesës së të ndryshmeve. Një diçka tjetër ka qenë dhe është sistemi që u ngrit gjatë kësaj kohe: ku politika u bë një mjet pasurimi për një grup njerëzish dhe këta njerëz në një farë mënyre nuk kanë menduar më të përfaqësojnë shtresat e ndryshme nëpërmjet partive të ndryshme, por kanë menduar vetëm për t´u pasuruar. Lufta e tyre ka qenë shumë konfliktuale edhe për këto arësye. Arsye të tjera mund të gjesh plot. Mendoj, se një prej tyre është në përgjithësi kriza e madhe e identitetit dhe e hapjes ndaj Evropës që pati Shqipëria në të gjitha drejtimet. Ikja e trurit nuk ka lejuar që shumë njerëz që mund të luanin rolet e tyre në demokraci kanë ikur, të gjitha këto janë faktorë që e kanë çuar Shqipërinë në një rrugë jo fort të mbarë, përsa u përket zhvillimeve demokratike dhe implementimit të institucioneve demokratike.
DW: Atëherë ç´motive mund t´i shtyjnë zgjedhësit më 3 korrik për të dhënë votën e tyre për të zgjedhur partinë që do t´u përfaqësojë interesat?
Lubonja: Përgjithësisht zgjedhësit e kanë shprehur zhgënjimin e tyre me klasën politike duke mos shkuar të votojnë. Por ndërkaq unë nuk mendoj se kjo është thjeshtë çështje e klasës politike. Eshtë po aq edhe çështje e vet zgjedhësve, e emancipimit dhe ndërgjegjesimit të vet zgjedhësve për të drejtat e tyre dhe për rolin që ata luajnë në një proces demokratik. Në këtë kuptim është e gjithë shoqëria në një farë mënyre e sëmurë dhe nuk mund t´ia vesh përgjegësinë vetëm klasës politike. Kjo thjesht përfaqëson si të thuash një lloj elektorati. Tek e fundit vazhdon edhe ajo tradita e vjetër, kur një grup aventurierësh vijnë e marrin përgjegjësinë për të udhëhequr vendin dhe pjesa tjetër i ndjek në mënyrë indiferente, u nënshtrohet. Gjithësesi besoj, se gjithë kjo zhurmë e madhe që po bëhet mund në një farë mënyre të ketë ndërgjegjësuar ca më shumë zgjedhës. Por le të shikojmë.
DW: Juve thoni, gjithë kjo zhurmë e madhe, që unë po e përmbledh me slloganet e fushatës së dy forcave kryesore politike: Kemi nga njëra anë slloganin e PD-së “Koha për ndryshime” dhe “Voto të ardhmen” i PS-së. Ndërkohë që kemi të bëjmë me një fenomen të tillë: Një PD me në krye nje politikan që e ka kaluar kulmin e karrierës politike. Ndërsa kemi një PS me në krye një politikan i cili premton ndryshime, por që u thirr në krye të qeverisë përpara ndryshimeve demokratike në vend. Si mund ta formësojnë të ardhmen këto dy forca politike?
Lubonja: Mendimi im është që në mënyrë ideale Shqipëria do të kishte nevojë që të binte nga qielli, ose të lindte nga toka një forcë e re politike. Por kjo është shumë ideale dhe është shumë e pamundur, sepse edhe për arësyet që thashë: një pjesë e rinisë, veçanërisht e një pjese të shëndoshë të shoqërisë është ose indiferente, ose e ka braktisur vendin. Në qoftë se do të mendohet një lloj mekanizmi që mundet sado kudo të krijojë hapësira ndryshimi dhe përparimi, mekanizimi është ai i demokracisë në kuptimin e rotacionit, e ndryshimit, e ndeshjes së të kundërtave. Kuptohet që do të ishte shumë më mirë që kjo ndeshje të vinte bashkë me njerëz të rinj, që përfaqësojnë ide të reja. Në Shqipëri, kjo për fat të keq nuk ndodh, ndaj dhe rreziku është në futjen në rreth vicioz që rrota të rrotullohet në vend.
DW: Edhe kësaj here në fushatë bie në sy, se toni jepet nga liderë dhe jo nga forca politike me program. Përse ndodh kjo dhe ç´mund të ofrojnë më këta dy liderë?
Lubonja: Problemi nuk është thjeshtë tek liderët. Sipas mendimit tim, problemi nuk është se janë këta të dy që me disa aftësi të mbinatyrshme kanë uzurpuar skenën politike. Problemi, sipas meje, është më i thellë. Ne i krijojmë liderët, d.m.th. ne duke mos pasur kulturën demokratike shkojmë dhe ua japim pushtetin liderëve dhe kushdo që del në krye bëhet si ata. Nuk është se ata kanë aftësi të mbinatyrshme, ose janë ata një e keqe e veçantë, ata janë shprehje e gjithë kulturës sonë demokratike. Pra kushdo që vjen në Shqipëri dhe merr pushtetin, është një pushtet që nuk e merr vetëm vetë, por që ua japin edhe të tjerët duke hequr edhe përgjegjësinë nga vetja. Në këtë kuptim mendoj, që është problemi emancipimit të të gjithë shoqërisë, emancipimit të vet këtyre partive. Çdokush i ka përgjegjësitë e veta dhe në mënyrë demokratike debaton dhe vendos për fatet e veta, jo duke ia dhënë një personi të vetëm pushtetin, por duke e shpërndarë atë sipas kompetencave, sipas zotësive në mënyrë demokratike, me debat, me dialog, etj.
DW: Zoti Libonja, sa u përket aleancave elektorale në Shqipëri vërejmë: kalime të ndërsjellta një PAD aleate e dikurshme e PD-së ka dy legjislatura që koalon me PS. Ndërsa aktualisht papritur një pjesë e PBDNJ-së, parti kjo e lidhur dikur me demokratët, në koalicion së fundi me Socialistët, është hedhur sërish në kampin e së djathtës. Konstelacionet politike që mbajnë emrin “të majtë” apo “të djathtë”, a u përgjigjen grupimit klasik të forcave të afërta politike?
Lubonja: Në përgjithësi i gjithë spektri politik shqiptar ka krizë përfaqësimi. Eshtë vështirë të thuash, se kë përfaqësojnë, në kuptimin tradicional: se kush është ajo shtresë sociale që është më afër një partie të majtë, apo më afër një partie të djathtë. P.sh. partinë socialiste, sipas sondazheve që janë kryer, e voton më shumë pjesa më e pasur e Shqipërisë. Ndërkohë që me PD-në është më shumë pjesa më e brishtë e shoqërisë. Po kështu partitë e vogla nuk janë më shumë se sa grupime që lindën ndoshta edhe nga ndonjë qëllim i mirë për të përfaqësuar, por që janë katandisur në përgjithësi në parti satelite. Në një farë mënyre unë i kam quajtur si kioska që mbajnë dy tre politikanë në pushtet dhe këta politikanë mbajnë familjet e tyre duke i bërë ministra. Por ato thjeshtë nuk kanë përfaqësim të ndonjë shtrese të caktuar. Ndoshta me përjashtim të PBDNJ-shit, meqenëse është minoriteti grek. Por edhe kjo është një parti që më shumë ka luajtur me pushtetin duke qëndruar gjithmonë në pushtet dhe nuk ka përfaqësim interesant, të veçantë në spektrin politik shqiptar.
DW: Por janë edhe dy forca të reja që kandidojnë të mëvetsishme, deri tani: LZHK-ja nga njëra anë, dhe LSI-ja nga ana tjetër, që kandidon më vete e shkëputur nga PS-ja. A mund të kenë shanse këto parti?
Lubonja: Këto parti ndoshta mund të kishin shanse, por siç mund ta dini, partitë e mëdha kanë adaptuar atë që është Dushku i madh. Kjo është një strategji për të ndarë nëpërmjet aleatëve të tyre numrin e 40 deputetëve që vjen nga lista proporcionale mbi 100 që fitohen direkt nga mazhoritari. Kështu që këto parti edhe pse realisht mund të përfaqësojnë diçka të re kam frikë, se në përfundim si numër deputetësh dhe në përgjithësi siç është sistemi ynë me Dushkun e madh do të jenë në kontradiktë me kushtetutën, e cila thotë: se pak a shumë numri i deputetëve duhet t´i përgjigjet proporcionalit që marrin partitë. Kjo mund të bëjë që këto dy parti, që janë një zë tjetër pak i ndryshëm, që mund të shërbejnë dhe për moderim dhe për balancë, por edhe si për kontroll të partive të mëdha, ka mundësi të mos e luajnë atë rol që pritet.
DW: Zoti Lubonja, përse është kaq relevant faktori ndërkombëtar: shpesh herë vërejmë që partitë politike, por edhe media që raporton për aktivitetin e tyre u referohen kontakteve dhe opinioneve nga jashtë vendit. Përse është kaq relevant ky element?
Lubonja: Ndërkombëtarët në përgjithësi në Shqipëri i kanë mëshuar idesë së stabilitetit edhe nga një mosbesim që kanë tek klasa politike shqiptare, që s´është e aftë të luajë lojën demokratike si duhet. Por edhe nga një nënçmim, që unë nuk e konsideroj si diçka pozitive. D.m.th. kanë luajtur standarde të dyfishta me shqiptarët, nga ana tjetër problemi nuk është i ndërkombëtarëve. Problemi është i shqiptarëve, sepse pikërisht pasi nuk kanë ndërtuar dot institucione të pavarura që të jenë institucionet që kanë autoritetin për t´i gjykuar zgjedhjet, për t´i vlerësuar, apo për t´i anulluar zgjedhjet në raste të caktuara dhe për të bërë numërimin egzakt të votave. Mungesa e të gjitha këtyre institucioneve që ka ardhur nga fakti, se demokracia shqiptare ende nuk ka arritur të krijojë atë që quhet ndarje pushtetesh, pra mbetet faktori I huaj i vetmi arbitër me një autoritet suprem që mundet të diktojë. Ndërkombëtarët kanë qenë gjithmonë ata që kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm për të pranuar ose mospranuar zgjedhjet.
DW: Pra për të forcuar kredibilitetin ndaj tyre (zgjedhjeve)?
Lubonja: Po.
DW: Zoti Lubonja, që të dy krerët e partive kryesore kanë premtuar largim nga skena politike në rast se dështojnë. Si mund të jetë e ardhmja e tyre dhe cilët mund të jenë sipas jush kryetarë të ardhshëm i PD-së, apo PS-së në rast dështimi?
Lubonja: Për mua po qe se nuk ndryshon kultura ne do të prodhojmë liderë të rinj, që në një farë mënyre do të jenë një replikë, një përsëritje e liderëve të vjetër. Sigurisht diçka të re mund të sjellin, por pak gjë mund të ndryshojë në qoftë se poshtë figurës së parë ka vetëm njerëz jesmenë. Dhe përgjithësisht, ne kemi shumë jesmenë dhe kulturën e jesmenëve. Mendimi im është se gjithësesi mund të ishte pozitive largimi i liderëve të vjetër. Gjithësesi do të krijohej një hapësirë, gjithësesi dikush do të mësonte, se nuk është i përjetshëm. mendoj, se për lider të rinj është pak e vështirë të mund t´i parashikosh: Realitetet e atyre partive janë shumë të ngatërruara dhe vështirë të mendosh, se kush mund të jetë duke ikur Sali Berisha. Shpesh herë mund të mendohet se mund të jetë vetëm një njeri që gjithësesi do të jetë nën hyqmin e tij. Ashtu sikurse edhe në krahun e Nanos, është vështirë të mendosh, se duke ikur Nano mund të vijë ndonjë njeri që nuk do të jetë nën kontrollin e grupit të tij. Prandaj ideja ime është, që më shumë se sa çështje e ndryshimit të një lideri është çështje e ndryshimit të grupimeve, të kulturës së njerëzve që bëjnë forcën në ato parti.
DW: Kjo fushatë pati dy “risi”, siç u quajtën në mediet e Shqipërisë: Një premierë ishte i ashtuquajturi kodi i etikës. Kongreset elektorale të dy partive të mëdha politike patën një regji krejt ndryshe nga herët e tjera. A mund të binden zgjedhësit nga këto risi për të dalë në votime?
Lubonja: Unë nuk i kam konsideruar këto risi. PD-ja bëri diçka duke futur atë që quhet, Kopi, komiteti që bën politikat. Por mendimi im ka qenë që kjo më shumë u bë për një ndryshim imazhi, se sa për një ndryshim të thellë të përmbajtjes. Gjithësesi në ndonjë gjë të veçantë nuk kishte, sepse ka kohë që PD-ja ka tentuar të ndryshojë imazhin duke futur njerëz të rinj, edhe njerëz që më parë janë dënuar. Nga ana tjetër konventa e PS-së ishte një show elektoral më shumë, në kuptimin e një demonstrimi të liderëve, por nuk pati asnjë lloj debati për ato kritika që janë bërë për partinë socialiste sa u përket kandidatëve. Sepse kjo ishte dita kur prezantoheshin kandidatët, ndërkohë që debati i madh ishte, që një pjesë e kandidatëve ishin shumë të kompromentuar sa i përket së kaluarës së tyre të korruptuar. Edhe kodi i etikës që u nënshkrua sipas meje ishte në traditën tonë bizantine, do ta quaja. Më një anë më shumë bëhej një paradë për të huajt për të firmosur një kod etike, ndërkohë që ishte edhe një tregues i faktit, se ne nuk kemi ndërtuar institucionet. Në një vend demokratik normal këto gjëra i garanton ligji, institucionet, që merren me zgjedhjet dhe jo kryetarët e partive. Ndaj kjo nuk ishte aspak risi, ishte një ripërsëritje e së njëjtës kulturë të bizantinizmit, të dyfytyrësisë nga një anë, dhe nga ana tjetër e kulturës së dhënies së pushtetit vetëm liderëve dhe jo institucioneve.
DW: Megjithatë zoti Lubonja, a do të mund të përcaktoni diçka si tri suksese të mëdha të shoqërisë shqiptare vitet e fundit si dhe tri detyra imediate që do të duhet të shpallen nga forca politike që do të marrë pushtetin?
Lubonja: Kërkoni nga unë tri suksese të shoqërisë shqiptare gjatë këtyre viteve!
DW: Mos vallë, mendoni se s´ka?
Lubonja: Eshtë e vështirë, unë kam një vizion jo shumë optimist në kuptimin, se e shikoj pak me shumë kompleksitet këtë periudhë dhe e kam të vështirë të pranoj termin progres. Nga njëra anë është e vërtetë që mund të vesh re një Shqipëri që ka një lloj ndryshimi, por ndryshimi jo gjithmonë është progres. Ndonjëherë ndryshimi mund të jetë edhe regres. Dhe nganjëherë ndryshimi i jashtëm nuk është reflektim i një ndryshimi të rëndësishëm të thellë të brendshëm. Ndaj e kam të vështirë të gjej tri gjëra pozitive në Shqipëri për t´i quajtur ato si progres dhe suksese. Sipas mendimit tim, vendi ka mbetur shumë me më pak shpresa se sa pas viteve ´90. Vendi ka një imazh aspak pozitiv edhe në Evropë, ku kërkojmë të hymë. Ndoshta, ndoshta mund të quaj pozitiv faktin që kjo ndeshje e madhe, kjo hapje e madhe në një farë mënyre u ka mësuar shqiptarëve mjaft gjëra. Shqiptarët janë ende në një proces, janë akoma në një turbullirë dhe nga kjo turbullirë ndoshta diçka do të kthjellohet më vonë. Dhe mendoj, se ndoshta njëri sukses do ta quaja është mposhtja e autoritarizmit në vitet ´97. Por edhe ajo ishte një mposhtje gjysmake.
DW: Ndërkohë që edhe tani flitet për autoritarizëm …
Lubonja: Pikërisht, por tani mendoj më shumë se sa autoritarizmi, problemi më i madh është ndërprerja, ose më mirë të them shkatërrimi i atij sistemi politko-ekonomiko-mediatik që është ngritur, që ka ndërtuar një shtet të kapur nga mafia, siç quhet. Më shumë se sa nga frika ndaj autoritarizmit, ndaj një personi, apo ndaj autoritarizmit tradicional që u shfaq në kohën e Berishës, tani për mendimin tim, është problemi dhe frika ndaj kësaj mafies që ka kapur shtetin. Ajo jo vetëm po i pi gjakun në një farë kuptimi shoqërisë, por po kërcënon edhe lirinë, kërcënon edhe të drejtat dhe ka ndërtuar një sistem të pandëshkueshmërisë. Asnjë politikan sot për sot, megjithëse Shqipëria është një nga vendet më të korruptuara nuk është dënuar. Mendoj, se kjo është detyra kryesore tani.
DW: Nga të gjitha këto që analizoni ju, mos ndoshta kemi të bëjmë me “një punë Sizifi”, për secilën forcë politike që do të vijë në pushtet?
Lubonja: “Punë Sizifi”! … Edhe kur flitet për botën e qytetëruar termi progres është mjaft i dyshimtë. Unë do të dëshiroja ta masja progresin me lirinë, me dinjitetin e njeriut. Dhe këto në krahasim me vitet ´89, ´90, ´91 padyshim se mund të konsiderohen si ndryshim. Ka më shumë liri mund të thuhet në Shqipëri. Përsa i përket dinjitetit e kam përsëri vështirë të them, por ndoshta ka më shumë dinjitet. Nga ana tjetër ka shumë kërcënime të lirisë, shtypje dhe përdhunime të dinjitetit: sigurisht në një formë tjetër, jo më në formën e autoritarizmit dhe të burgjeve, por në formën e presioneve të mëdha që ka ndërtuar ky sistem që quhet sistemi i shtetit të kapur nga mafia mbi individin.
DW: Por zoti Lubonja, përse njerëzit e dijes në Shqipëri nuk kanë arritur të krijojnë një elitë, që të mund ta drejtojë vendin në mënyrë vizionare?
Lubonja: Po…Kjo është një pyetje e ngatërruar. Nëse doni të dini mendimin tim, një nga shkaqet kryesore është, se pushtetin e ka ajo që mund të quhet elita e vjetër. D.m.th. njerëzit e dijes… Fjala dije është shumë e gjerë. Në fakt ata njerëz, ajo elitë që kishte Shqipëria në kohën e komunizmit, po atë elitë ka sot në krye, dikë në politikë dhe dikë në fushat e tjera të kulturës. Kjo elitë për fat të keq ka qenë me vite e kontaminuar, një elitë që në një farë mënyre ka jetuar nën ndikimin e diktaturës për një kohë të gjatë, është rritur nën diktaturë, ka pasur shtrembërime që i ka shkaktuar diktatura. Unë mendoj, se një nga shkaqet që Shqipëria është në këtë gjendje është pikërisht, sepse vazhdon të jetë nën sundimin e kësaj elite dhe ndërkaq nuk ka mundur dot të nxjerrë një elitë të re, jo vetëm se koha është e shkurtër, por edhe për shkak se një pjesë e mirë e të rinjve kanë ikur, ose ikin jashtë shtetit të studiojnë dhe nuk kthehen më në Shqipëri.
DW: Juve do ta preferonit ndonjëherë politikën?
Lubonja: Po, unë politikë bëj. Çdo gjë politikë është në një farë kuptimi, nuk është vetëm të marrësh pushtetin. Edhe kur shkruaj në një farë kuptimi bëj politikë, edhe kur mbroj të drejtat e njeriut bëj politikë, edhe kur shkruaj letërsi bëj politikë kështu që…
DW: E kam fjalën e politikës në kuptimin për të drejtuar fatet e shtetit?
Lubonja: Ajo është një gjë që sa më shumë e njoh klasën politike që ekziston sot aq më shumë i largohem. Do të duhej të ishin të tjera kushte, tjetër klasë politike që ndoshta ta ndjeja veten se mund të hyja. Por, më duket se nga ana tjetër edhe koha kalon, energjitë nuk janë më. Janë disa punë, disa libra, që duhen mbaruar, ndaj nuk besoj se më mbetet të merrem me politikë. Gjithësesi siç e thashë, edhe kjo që bëj unë është politikë.
Kryengritja e Pukës rreth vitit 1912 Në pranverën e vitit 1912 filloi lëvizja e kryengritjes mbarëpopullore në shtatë bajrakët e Pukës. Në zonën e Iballës, kryengritja u organizua nga patrioti Bibë Miraka dhe për zonën Kabash-Qelëz nga Marash Marku. Meritën e organizimit dhe të orientimit politik të kësaj kryengritjeje e ka Don Gaspër Thaçi, prift në Qelëz. Në këtë përfundim asht arritë nëpërmjet dëshmive të drejtpërdrejta të personave që kanë marrë pjesë në këtë kryengritje, si: Llesh Marku e Martin Prela të Iballës, Hajdar Nimani e Rexh Frroku prej Bugjoni, Zef Pjetër Ndou prej Berishe, Frrok Kolë Prendushi prej Midhe, Nikollë Gjoka prej Qelze etj. Merita asht e natyrshme për këtë prift të ri, sepse një vjetë ma përpara kishte kryer studimet në Austri, rritë në një atmosferë, ku përparimi nëpërmes lirisë kishte mrritë kulmin, nuk mund të rrinte me duarkryq e vetëm me uratë, tuej iu shtrue fatit, kur e shef kombin e vet n’atë errësinë të shëmtuet katërqindvjeçare. Pra, do të kërkote shesh me shfrytzue idealet e tija dhe ktë e gjet me të mrritë famullitar në Qelëz të Pukës, ku erdh në kallnuer të vjetit 1912. Prej ktyne, e të tjerave, që kishem mbledhë ma parë, zhvillimi i kryengritjes së vjetit 1912 në krahinën e Pukës, pa asnjë ndryshim rezulton në këtë mënyrë: Dom Gaspër Thaçi, porsa erdh si famullitar në Qelëz filloi propagandën për organizimin e nji kryengritjeje kundër Turkisë. Shumicës së krenëve të popullit, sidomos katolikëve, tuj u diftue të vërtetën se do të luftojnë me dalë shtet në vedi, me ngritë flamurin tonë e me u sundue prej vetvedit, e ndonji tjetri qi i e lypte nevoja, tuj i thanë se dona me rrëzue “xhamijat”. Nga Kabashi morën pjesë Koliq Koca, Prendush Gega, (rapsodi i famshëm) Çoban Deda, Marash Preçi. Prej frorit e deri në qershor Dom Gaspri vijoi propagandën në famulli të vet ku mbarë populli e priti me gëzim thirrjen e tij. Propagandën e zhvilloi jo vetëm ndër mbledhje me njanin e tjetrin, qi kurr nuk la rasë pa përfitue për këtë qëllim, por për ma tepër çdo ditë të dielë e të kremte. Mbas funksioneve e prediktit fetar në kishë, e mblidhte gjith popullin para qelet e i mbante fjalime patriotike. Kështuqë nuk vonoi me u nxe populli, sa jo vetëm me u dashtë ma me e shtye kah nji mësymje, por edhe mos me mujtë me e ndalë. N’anën tjetër në tre bajrakët e epër, Thaç e Berishë, kishte fillue propagandën Bibë Ndoja, i ndihmuem prej famullitarëve të vendit, At Danjel Stajkës, famullitar i Fierzës dhe At Tomë Bicajt, famullitar i Berishës. Famullitari i Iballës, ndonëse me kombësi të huaj, nuk u nda prej shokësh, mbasi edhe ky, si të tjerët, ishte i influencuem prej dom Gasprit. Bibë Ndoja së pari ia shfaqi mendimin e vet e u kërkoi pjesëmarrjen këtyne: Palush Pjetër Mirakajve t’Iballës, Frrok Kolë Bajraktarit të Bugjonit e Pjetër Ndue Prendit të Berishës, të cilët u besatuen me te e pak ma vonë Frrok Kolë Marashi e Zejnel Aga prej Iballjet, Marash Ukë Delija prej Kokdodet, Shyt Gjergji prej Fierit e Qerim Sokoli prej Bugjonit, Prend Uka, Ndrek Markiçi, Gjokë Marashi, Palë Ndou e Mhill Shpendi prej Berishe, Pjetër Mema, Ndre Nika e Sadri Sheqeri prej Dardhe, Kolë Nikë Alija prej Fletit e Dodë Preka prej Kryeziut. Mbasi besatimet krahinore ishin lidhë gjithkah e populli mbarë i të gjitha katundeve të famullisë së Qelzës, të Thaçit e të Berishës bashkë me krentë e tyne ishin pregatitë shpirtnisht e veç pritshin kushtrimin, Dom Gaspër Thaçi dau me i dhanë një formë të rregullt organizimit dhe thirri një mbledhje të përgjithshme të famullisë së vet, me 12 qershor, te kisha e Qelzës, ku erdhën të gjithë burrat e katundeve. Mbasi asht e pamundun me i rreshtue emën për emën, se janë mbi 400, po përmend vetëm krenët kryesor. Prej Qelzet: Marash Marku, Nikoll Gjoka, Mark Kolë Gjergji, Marash Pjetër Kola, Prendush Gjoka, Ndue Prendushi e Çun Llesh Gjoni me krejt burrat e katundit. Kryesija që i takonte në këtë katund Marash Kolë Dedës i kje thanë Marash Markut, me pëlqimin e vetë Marash Kolës, mbasi ky ishte në gjaqe e mashkujt i kishte në burg. Prej Dedajsh: Mati Jaku, Zef Gjergji e Pjetër Simoni me të tanë burrat e katundit tyne. Pjetër Marku e Gjergj Kola me Ukth; Frrok Kolë Gjoni e Lup Nika me Qerretin e Poshtëm, Mirash Marku me Blinisht, Nikoll Marku, Nikoll Ndreca e Kolë Përmema me Bicaj. Gjithashtu prej myslimanëve të Kabashit, Halil Musa e Hasan Neziri. Nuk duhet lanë pa lavdrue Halil Musën, bajraktar i Tërthores, qi edhe pse nuk e ndoqën shokët e vet, posë Hasan Nezirit, u bashkue qyshë në fillim me Dom Gasprin e ndejti besnik deri në fund. Prej Midhet: Gjergj Gjoni, Kolë Gjoni, Perdodë Prendushi, Nikë Deli Tmungu e Frrok Kolë Pjetri, Marash Mark Nika e Çun Hasa me krejt burrat e Midhës e të katundeve Dushnjez, Lërushk e Buzhalë që ishin nën influencimin e Midhës. Posë këtyne kjenë edhe përfaqësuesit e Thaçit e të Berishës. Dom Gaspri u spjegoi qëllimin e mbledhjes tuj u thanë se do të formohej një komitet qendruer e komitetet krahinore, dhe kush të jetë besnik duhej betue për ndigjesë komitetit e mos m’ju shtrue ma Turkisë. Propozimet u realizuen tuj e caktue qendren e përgjithshmenë Qelëz, nën kryesinë e Dom Gaspër Thaçit. Të gjithë burrat qi u ndodhën u betuen nën këtë formulë: “Shejtë benë e Zotit e si e basha më ndihmoftë, kemi me ndigjue e ndihmue komitetit me të tanë fuqinë e pasuninë qi të kena dhe kurr ma nuk kemi me i sherbye flamurit me Hanë e Hyllë”. Menjëherë u formuen komitetet krahinore në Berishë nën kryesinë e At Tom Bicaj me krentë që përmendëm, në Thaç – të Bibë Ndojës me krentë e tjerë dhe u lidh besa. Katundet qi përmenda, me Thaç e Berishë, gjithashtu edhe krentë e Kçirës: Zef Nikolli, Ndrel Ndue Marku, Nikoll Gjini e Llesh Kovaçi me krejt burrat e fisit të tyne, ashtu edhe Komani e Karma. Këshilli i burrave nën kryesinë e Dom Gasprit danë me përfitue prej rastit të festës Shën Palit qi e lut Qelza, kshtu me ardhë edhe bajraktë e tjerë, që të mos kujtohej qeveria turke se bahej ndonjë mësymje, por se kanë ardhë për festë, e po bash ktë natë me u ba mësymja. Me 28 qershor burrat e tre bajrakve të epër Thaç-Berishë, të primë prej Bib Ndojës, Palush Pjetrës, Rexh Frrokut (i biri i bajraktarit), Pjetër Ndue Prendit e tjerëve krenë qi u përmenden, ranë në Qelëz ku gjetën të bashkuem Qelzen me katundet e tjera dhe po kte natë msynë Pukën afër 400 vetë. Një tradhtar kabashas duel në Kodër Cinë e shprazi një pushkë, duke lajmëruar kështu ushtarët turq. Kryengritësit u ndeshën befas në prita të xanuna e mbas një përpjekjeje disprimi nëpër dritë, të mbetun pa fishekë, u zbrampen. Në këtë përpjekje të parë mbeten dëshmorë Mhill Marashi e Jakë Marka Ndreca prej Qelzet. Këtij të fundit i kanë pre edhe kryet mbasi ishte vra dekun. U plagosën Rexh Frroku, i biri i bajraktarit të Bugjonit e Ndue Kukeli prej Bugjonit. Pesë ditë mbas kësaj ngjarjeje msyni ushtrija turke e u dogj shtëpijat e u preu kallamoqët Halil Musës prej Kabashit, Marash Markut, Deli Nikollit, Frrok Nikës, Nikoll Gjergjit prej Qelzet e Frrok Kolë Gjonit prej Qerretit të Poshtëm. Mbas ktyne ngjarjeve lëvizja u përgjithësue. U ba prap një mbledhje tu kisha e Qelzës prej të gjithë krenëve qi u përmendën ma parë e u vendue: Çdo burrë i shtatë bajrakëve asht i detyruem me dalë në luftë me pushkë e pa pushkë, kur të qitet potera. Ata qi tradhtojnë tuej dhanë lajme ushtrisë turke ose tuej i ndihmue në luftë, digjen e u merret gjaja e gjallë, dhe ata qi nuk i gjegjen kushtrimit gjobiten me një vendim të krenve të komitetit, dhe vërtetë kshtu u veprue. Frrok Kolë Prendushi prej Midhet tregonte se tri herë i çoi fjalë komitetit, një fshatari të Dedajve, me ardhë me u besatue me neve (sepse e kishim në rrugë-kalimi për Pukë) dhe kishim dyshim mos t’apin lajme, mbasi nuk erdh, Bibë Ndoja, Marash Marku e Halil Musa na kanë urdhnue me i marrë dymbëdhetë berre gjobë të cilat u poqën fërliqe në Qafë Cinë për një drekë të komitetit. Kjo ka ndodhë me 10 korrik 1912. Me 16 korrik 1912, po me urdhër të ktyne, unë me Kolë Ndue Gjokën e Kurt Gjonin prej Berishet i kemi grabitë tradhtarit kabashas, që lajmëroi ushtrinë turke për fillimin e kryengritjes, tuben e dhive, e na i ka nda Bibë Ndoja të tanë komitës me i pre në Tmug të Llesh Gjonit. Me kenë se ky tradhtar vijoi në tradhtinë e tij, na i kena djegë edhe shtëpinë. Parija e komitës kishin vue rojet qysh në Dedaj (afër Pukës) me porosi qi kur të nisej ushtrija prej Puket me msy ndoj vend, me dhanë lajmin me nga nji pushkë të zbrazun prej vendeve të caktueme. Kishin lanë edhe nji pakicë njerëz roje nder prita në Rrvisht të Midhës me i ndalë hovin deri sa të mrrijnë potera, në rast se msynë ushtrija. Me 22 korrik ushtrija nën komandën e një koloneli (allajbeg) e të Mustafë Agë Kryeziut nisen prej Puket me qëllim me dalë me djegë Thaçin e Berishën. T’u nismen ushtrija, Zef Gjergji prej Dedajve qi ishte e para roje, shprazi pushken e lajmit, tjetri lajmtar prej Kodër Bojës e tjetri prej Qafë Bushatit, kshtu qi roja e Rrvishtit u lajmue dhe menjiherë u nisën njerzit me qitë poteren në Thaç e Berishë. Kur mrrijti ushtrija në Rrvisht, ai grusht trima nën kryesinë e Ndue Dashit, të Ndoc Mar Dedës prej Berishet, Llesh Markut prej Iballet e Ndue Markut prej Midhet nisi pushken e qindruen deri sa mbeten pa fishekë. Ktu mbet dëshmor Ndue Marku prej Midhet e u plagosën Frrok Kolë Prendushi e disa të tjerë. Natën mrrijtën Marti Prela prej Iballës e Mark Koliku prej Berishet me çetën e parë të poterës 50 vetëshe, e nëpër dritë filloi pushka për së dyti në Qafë Tmugut, ku nuk vonoi me mrrijtë potera e Thaçit, e Berishës e mbas nji dite lufte ushtria u shpartallua krejtësisht. Mustafë Aga vetë pshtoi i mshehun në skllat të një mullinit në prrue të Rrvishtit. Mbas ksaj lufte, Bibë Ndoja pa u kthye në shtëpi të vet aspak, shkoi në Mirditë, ku lidhi besë me Zef Ndocin, Ndue Për Dodën, Nikoll Pjetrin e Nikoll Currin, qi Pukë e Mirditë ta rrethojshin ushtrinë turke në Pukë në një ditë të caktueme. U kthye për Iballë tuj marrë me vedi Prend Nikoll Dedën e Marka Ndue Çupin prej Spaçit, qi t’u vertetojshin bajrakve të Pukës se kishin në ndihmë edhe Mirditën. Një javë mbas Zojës së Alshiqes, me 21 gusht, rrethuen Pukën për së dytit herë, por edhe kso heret Mirdita mrriti vonë, sepse kur kta duelën në Tërbun (prej ku shifet Puka), bajrakët e Pukës kjenë thye, e Mirdita atëherë u shtrengue me u zmrapë pa hi në luftë, posë Nikoll Currit me Arstë qi kje bashkue qysh një ditë përpara me bajrakët e Bugjonit. Kët rasë mbet dëshmor Keqa Qerimi prej Truenit të Thaçit e disa të plagosun. Mbas ksaj thyemje krentë e Kçirës me njerzit e vet msynë një natë befas sarajin e ri, qi kishte pak roje dhe e dogjën. Bibë Ndoja duel nëpër Thaç tuej pregatitë tinëz njerëzit ma trima e të armatosun mirë. Në Berishë dërgoi Llesh Markun te Pjetër Ndue Prendi. I çoi fjalë Nikoll Gjokës së Qelzës e Frrok Kol Prendushit me ma të zgjedhunit e Midhës, e me 5 shtator u mblodhën tinëzisht në Krrab të Iballës. Me 6 orë mbramje mrrinë në Preçaj të Kabashit, prej ku kishin qëllim me u nisë natën me i ra Pukës befas, por ktu mueren lajmin se ushtrija e lodhun prej msymjesh të padame e në dijeni të nji msymje t’afërme e kishte lshue e ikë për Shkodër e kish lanë vetëm disa xhandarë për roje. At’herë venduen me u ndalë atë natë në Preçaj e Bicaj, e të nesërmen hinë në Pukë e zaptuen Sarajin (nënprefekturën). Tuej çelë dita 8 shtator, në shej demostracioni e kunorim fitorje, dogjën sarajin. Kishte mbetë pa u dënue Mustafë Agë Kryeziu, simbas dispozitave të besës së bajrakëve. Mbasi Kryeziu mvarej aso kohe prej bajrakut të Iballës, Bibë Ndoja, Zenel Aga, Pjetër Kolë Koprati e Palush Pjetra ju çuen fjalë po n’at vjeshtë krenëve të Berishës e bajraktarit të Bugjonit dhe mblodhën bajraktë e epër, Thaç e Berishë e disa krenë të bajrakëve të poshtëm, e dogjën Mustafë Agën. Prej andej u nisën për Pukë me djegë disa shtëpi në Pukë e Qerret. Rrugës prej Kryeziut e deri në Preçaj u kishin shkue tuej u fluturue mbi krye dy shqype të bardha e dikush kishte fillue me i gjuejtë me pushkë. Bibë Ndoja kishte nga para e mbrapa tuej u bërtitë: “Mos i gjueni se janë Ora e Shqypnisë!”. Në Pukë, mbas një grindje qi patën Marash Mark Palushi i Qerretit me Mark Marashin e Bugjonit u shpërndanë pa ekzekutue ndonji vendim. Dom Gaspër Thaçi, i lajmruem prej Emzot Kolecit se në Vlonë ishte ngrehë flamuri i Shqypnisë qysh me 28 nëntor, menjëherë me 8 dhjetor 1912 mblodh pari e popull të katundeve më të afërm dhe tuej mbajtë një fjalim të rastit, tuej lavdue trimninë e atyne bajrakëve e tuej deklarue fitimin e lirisë së Atdheut, ju njoftoi se Shqypnia ishte njoftë prej Fuqive të Mëdhaja si shtet më vedi e se ishte ngrehë flamuri i Shqypnisë në Vlonë qysh dhetë ditë ma parë, e sod po ngrehet këtu tu kisha e Qelzës (qi kujtoj asht i dyti në Shqypni ku u ngreh flamuri kombtar). Populli që u ndodh prezent, tuej derdhë lot përmallimi e gzimi bani ceremoninë me batare pushkësh simbas dokes së vet e po at ditë ai flamur iu dha Marash Mark Palushit tuj e deklarue Bajraktar. Menjëherë u lajmuen komitetet krahinore e gjithkund valoi flamuri kombtar. Ushtrija serbe, qi asokohet ndodhej gjithkund rrugës së madhe ç’prej Kosovet e deri në Lezh e nder rrethinat e Shkodrës, u alarmua tuej ndie kto batare pushkësh e mbledhjen, menjëherë garnizoni serb i Pukës tuej pasë frigë se mos i bahej ndonjë mësymje, kërkoi spjegime. At’herë dom Gaspri dërgoi tre përfaqsuesa: Nikollë Gjoken prej Qelze, Marash Mar Niken prej Midhet e Kolë Gjergjin prej Dedajsh dhe tuej u paragjikue si do të rridhte biseda, i përgatiti se ç’gjegje do të epshin ndër të gjitha pvetjet qi mund t’i bajshin. Biseda me komandantin serb shkoi simbas parashikimit të Dom Gasprit. Asht për t’u çuditë se si u liruen ata njerz pa u damtue prej serbve, qi vetë ata e kush i përcuell e dijshin se do të marojshin. Në kallnduer pat dalë Dom Gaspri me katër djelm t’armatosun në Pukë për me i ba një vizitë komandantit serb, ku kje pritë mirë, por ndërkohë këshilli i gjyqit ushtarak kishte vendue me e gri, por duket nuk kish marrë pëlqimin e komandantit për ndonjë arsye politike e ushtarake, pse n’at rasë sigurisht bajrakët e Pukës, qi asokohe ishin mirë t’armatosun, do t’i kishin ra në shpinë. Mbasi u çue ushtrija serbe, menjëherë Dom Gaspri mbledh krenët e shtat bajrakëve e duelën e ngrehin flamurin në Pukë, ku e mueren tanë bajrakët mbi vedi me e ruejtë me rend, tuej përba kësisoj një autoritet lokal dhe po kshtu vijuen me bukë të vet, disa tuej e pru nji ditë larg shtëpijave të veta. Nuk duhet lanë pa përmendë edhe Zenel Hoxhën e Pukës, i cili ndonse i pakulturë, e rritë n’atmosferë anadollake, qysh në fillim kje simpatizues i lëvizjes e kurdo qi e qitte rasa, kur nuk kishte frikë, bate njisoj propagandë në favor të kryengritësave. Me shka shkrova deri ktu deshta me diftue se krahina e Pukës, me burrat e vet në krye e dhanë pa kursim kontributin e vet në themelimin e Shtetit Shqiptar, qysh nga Lidhja e Prizrenit, ku pat marrë pjesë Prel Mehmeti i Mirakajve, bashkë me Bajraktarin e Bugjonit, e tekndej, dhe asht po nji krahinë qi kurdoherë ka me kenë e gatshme për Atdhe. Zef Koliqi
Fatime Kulli, një speriologe e thellësive të shpirtit njerëzor Poeti është një lloj mistiku, është një lloj magjistari që përmes një errësimi e shtrigëzimi të realitetit arrin të depërtojë në zonat e thella të reales. Atje gjen fjalën kompensatore të imazheve që percepton, perceptimin që është pronë vetëm e vetë poetëve, i cili shërben si shkallë ngjitjeje për të arritur në parajsat qiellore, por njëkohësisht edhe për të zbritur në ferr, ku mbisundon flligështia e zvarritet krimbi. Me magjinë e fjalës poeti vetëkryqëzohet në përpjekjet e kësaj bote dydimensionale, nga njëra anë qielli dhe ferri, nga ana tjetër toka dhe ëndrra. Në këtë vetëkryqëzim poetesha Fatime Kulli nuk vuan për të gjetur fjalën dhe mjetin shprehës për të përballuar gjithë atë amalgamë ndjenjash, vrullesh, emocionesh, që provon kjo grua e mbarus me pjalmin pllenues poetik në mitër dhe siç shprehet liriku i madh Frederik Rreshpja, “i ngjan Safos”. Fatime Kulli nuk urren e nuk mbushet me mllef për të gjetur frymëzimin e për të shkruar vargje, ajo dashuron e përkëdhel me sinqeritet. Dashuria e saj nuk është e shpifur, nuk është një zhytje në mamierizëm, por thellësisht njerëzore, e çiltër me fytyrë vërtetësie. Fatime Kulli i ngjan një blete që milkon në çdo lule dhe lulet e stinëve nuk i mungojnë ndaj mbush hojet plot e përplot. Ajo e shpërbën personazhin e saj lirik në dhjetra personazhe duke i dhënë secilit mëvetësinë dhe karakterin që e dallon nga tjetri. Vërtet kjo poete është bohemiane, rebele, “vagabonde”, trimëreshë, por të gjitha këto i ka vënë në funksion të poezisë, me të cilat ka shaluar pegasin e vargjeve drejt lartësive. Ajo që bie në sy në librin “Mitra e Zjarrit” është indipendencë e pashoqe e autores dhe një lloj mërgimi vetjak në univers, sa të bën të kujtosh shprehjen e personazhit të Xhojsit, pikërisht të Stefan Dedalusit, që thoshte: “Nuk do t’i shërbej asaj në të cilën nuk besoj më, le të quhet kjo familje atdhe ose kishë, e do të tentoj të shpreh veten time në ndonjë mënyrë të jetës o të artit sa të mundem më tepër në mënyrë liberale dhe integrale, duke përdorur për t’u mbrojtur të vetmet armë që i lejoj vetes t’i përdor: heshtjen, mërgimin dhe dinakërinë”. Fatime Kulli është një dashnore e artit dhe e ndjenjës, është e vetëpranishme në të gjitha poezitë, shpërthen lirshëm e sinqerisht në lirikën erotike. Kjo lirikë disi dekorative, ekstravagante i kalon caqet e vetvetes, e fiton rezonancë të gjerë shoqërore. Thyerja e kornizave, shkopsitja e çdo lloj konvencioni, varrmihësja e çdo lloj mentaliteti, lakuriqësia e fjalës përbëjnë kolonat e kësaj ngrehine poetike të titulluar “Mitra e Zjarrit” e autores Kulli. Me dhjetra herë gjejmë të përdorur fjalën epsh, lule, humnerë, stan, ëndrra, seks, dashuri, kopsë, por nga mënyra se si i ka përdorur ajo në kontekstin poetik krijojnë larmi, imazh dhe eksitim ndjesor. Poezia e Fatime Kullit është e rrëmbyeshme aq sa shkulmat e saj janë të pangeshme sa që formojnë një varg të tërë kompozitash në poezi. Këto kompozita i japin poezisë ritëm, gjallëri, ngjeshje të mesazhit që përcjell, i japin poezisë emocione e përjetim të këndshëm. Fatime Kulli i ngjan një Salamoni që noton kundër rrjedhës, që vrapon si e çmendur pas një “mungese” të cilën e kërkon dhe nuk arrin ta gjejë kurrë. Vetë poetesha shprehet: “të gjithë poetët janë të çmendur” dhe reflekset e kësaj thënieje i gjemë të mishëruara në lirikat e saj erotike me ato kapërcime të jashtëzakonshme që i bën monotonisë së mëparshme të lirikës erotike. Lirika e saj është afektive, ndezëse e zjarrtë, dehëse e pushtetshme përballë çdo qëndrestari. Poetesha ka zgjedhur dashurinë për të pushtuar qiejt e parajsës dhe atje gjen përtëritjen e gjithë fuqisë shpirtërore, një përtëritje që i ngjan shprehjes së B.Shout, i cili thoshte: “Njerëzit përtëriten shumë më mirë nga ëndrrat e dashurisë se sa nga ato ekonomike”. Me gjithë atë zbrazje të pashoqe, ajo përsëri falet e gjitha, ruan diçka misterioze diku në një skutë enigmatike që të josh për të rendur pas saj në kërkim të të gjithës, sepse vetë Prusti thoshte: “Dashuron vetëm ajo që nuk zbërthehet e gjitha”. Unë mendoj se Fatime Kulli mund të quhet një speriologe që zbulon impulset më të thella të shpirtit njerëzor duke thyer tabutë që na shpien në magjinë e universit të paeksploruar erotik femëror. Prelë Milani, kryeredaktor i gazetës “Dukagjini”
Gratë në politikë Para çlirimit të Shqipërisë kishte shumë pak apo hiç gra në politikë. Mbas çlirimit, gra e vajza të cilat ishin partizane duke luftuar për të çliruar atdheun u ingranuan në politikë megjithëse pa shkollë por meqë ishin shumë komuniste dhe duhej tani të merren me politikë. Ata gra ishin fejuar e martuar që në luftë, sot u kthyen për të drejtuar vendin duke vazhduar shkollat me korrespondencë. Të tilla gra ishin Liri Belishova, Nexhmie Hoxha, Fiqerete Shehut, Vito Kapo, Eleni Selenica në drejtësi e shumë gra të tjera. Ata u shkolluan siç thamë më sipër me shkollë, me leksione, shkollë partie për Marksin e Stalinin, pra mbaruan shkollën e kuqe sovjetike. Në asnjëherë këta shkolltare nuk ishin për të mirën e popullit. Rrallë herë ka qenë që në asnjë zyrë gratë kanë zgjidhur problemet e popullit, sadoqë hallexhinjtë kishin halle nga më të ndryshmet, tek gruaja zyrtare nuk kanë gjetur rrugëzgjidhje. Jeta e atyre grave politikane u përmirësua çdo ditë deri sa mbërriti kulmi i luksit. Familjet e bllokut të udhëheqjes jetonin si në parajsën e kësaj jete. Populli merrte bukë me listë. Familja e Beqir Ballukut kishte qilim me sustë, orendi luksi që i kishin marrë në Europë. Mirëpo siç është një fjalë popullore, fjala e trimit, si rrufeja e qiellit. Kryeministri i asaj kohe tha një shprehje: Më mirë të më gjykojnë 50 burra se një grua. Nëpër fshatra, ato nuse apo vajza të bukura që ishin apo vinin, ato i pranonin në parti, i gradonin deri sekretare byroje, brigadiere, kryetare kooperative etj. Jeta e popullit ishte aq e vështirë, më shumë se vdekja. Kështu pra asnjëherë politika e grave nuk pati rezultat, vetëm për mirëqenien ekonomike personale. Gratë e bllokut të udhëheqjes duke qenë shumë mirë në jetën luksoze, shpesh grindeshin me njëra-tjetrën. Në politikën shqiptare nuk pat rezultat politika e burrave, jo më e grave. Të jesh politikan duhet të jesh i zgjuar dhe i drejtë. Këto i mungojnë politikës dje dhe sot. Që me Koçi Xoxen e deri me Kadri Hazbiun, Zoti la të gjallë Enver Hoxhën për të marrë hakun e padrejtësisë që i bënë popullit këta politikanë, pra ata i vrau, i burgosi, i internoi dhe kështu këta persekutorë të pashpirt i bënë popullit për 50 vjet. Po ku përfunduan familjet e tyre dhe vetë ata, pra kjo është politika e shtrembër e këtyre burrave e grave që udhëhoqën me padrejtësi dhe diktaturë. Enver Hoxha në vitin 1974, kur pushkatoi Ballukun, Dumen e Çakon, tha në një bisedë të lirë: “Po të ishin anëtarë të Byrosë Politike 5 sharrëxhinj nga Puka dhe 5 minatorë nga Mirdita, do të kisha udhëhequr Shqipërinë 100 vjet”, kjo do të thotë se politika do edhe burrëri, drejtësi, por gjatë punës edhe zgjuarsi; e dyta se ka edhe një domethënie, se tradhëtia vjen nga i tradhëtuari. Të jesh besnik je gjithçka në jetë. Kollaj sistemi komunist iku, por pasojat e tij mbeten të shumta. Filluan studimet me demokraci jashtë shtetit e morën kulturën. Filloi parlamenti pluralist, u bënë shumë gra deputete. Gjatë këtyre 15 viteve nuk kemi parë që gjatë shumë debateve në Parlament të kenë ndonjë grua që të mundohet të shuajë sherret. Se në Shqipëri ka ndodhur kushedi sa herë që gratë burrërore e të zonjat dhe pushkën t’ua heqin burrave prej dore, të shpëtojnë pa u vrarë, por edhe kanë luftuar krah për krah me trima e jo të heshtin, të shikojnë kryetarin e partisë ku bën pjesë, në sy, se ç’thonë sytë e tij. Në një emision televiziv para pak ditësh pashë disa zonja kandidate për deputete dhe i ndoqa me vëmendje. Zonja Jozefina Topalli ishte e pakënaqur me detyrat e saj për 15 vjet deputete e nënkryetare parlamenti e partie, se në bisedë e sipër se gratë nëpër botë, si në Indi e Pakistan etj., janë mbretëresha, prokurore, kurse ajo tërë jetën politike të saj nuk ka ndriçuar puna e saj, kurse zonja Monika Kryemadhi fliste me ashpërsi me kompetenca e urdhëra se ëndërron të udhëheqë Shqipërinë me gjithë burrin e saj komandant i LSI-së, Ilir Meta. Pra shumë e rrezikshme në politikë. Eh, mori zonja Monikë, ka perënduar dielli i Mehmet Shehut, ju ka njohur mirë populli. Asnjëherë në këtë shtet burrë e grua nuk kanë udhëhequr. Zonja Kodheli, ti je e zonja, je ekonomiste, por në debat televiziv, por jo hetuese e sigurimit shqiptar. Fatos Nano nuk është Zoti. Por keni për ta parë se Zoti ka për të vrarë ashtu si fatosat e komunizmit, siç thamë më sipër. Një zonje tjetër që nuk ia mbaj mend emrin, i shkëlqenin sytë nga gëzimi për t’u ingranuar në politikë. Populli ju njeh mirë tash 60 vjet sukseset që ka arritur gruaja shqiptare me djersën e popullit, me padrejtësitë tuaja, ju bëtë vila e pallate, biznese, para në bankat jashtë vendit. Çfarë nuk bëtë sidomos tash 15 vjetët e fundit, se politikanët e monizmit e paguan si ujku me lëkurë, por Zoti është ai që ishte aso kohe dhe ka për të ardhur ajo ditë që shpejt do të paguani ato padrejtësi që keni dhe jeni duke bërë. Lërini fëmijët tuaj të rriten të lirë e të qetë. Mos merrni nënat e fëmijëve të tjerë. Shikoni shtëpitë tuaja, se politika shqiptare, me në krye Fatos Nanon e ka marrë tatëpjetën. Zoti ka për t’i lënduar shpirtërisht atë dhe ushtarët e tij politikanë. Le t’ju vlejë ju femrave politikane ky shkrim i thjeshtë, për të mos u marrë me padrejtësi për të fituar ekonomi mbi kurrizin e njerëzve të lodhur nga hallet e jetës. Shan Sokoli
Beteja e Fushë-Kosovës, 15 qershor 1389 Në betejën e Fushë-Kosovës, ose siç është quajtur “Beteja e Kombeve”, në bazë të dokumentave historikë të argumentuara, thuhet se kjo betejë ishte vendimtare që ia ndryshoi kahun historisë së njerëzimit. Në bazë të këtyre të dhënave të disponuara rezulton se nga dymbëdhjetë princa të koalicionit të krishterë, gjashtë prej tyre ishin arbër (shqiptarë). Këta princa janë: Gjon Kastrioti, Theodhori II Muzaka, Mëhill Nikollë Kopiliqi, Dhimitër Jonima, Lekë Dukagjini dhe Gjergji II – Strazimir Balsha. Nuk është aspak e rastësishme pjesëmarrja e gjerë e princave arbër në betejën e Fushë-Kosovës, përkrah koalicionit ballkanik, sepse ka të bëjë me shtrirjen e gjerë në gjysmën e Ballkanit të sotëm, ku jetonin pasardhësit e fiseve ilire. Është e rëndësishme të theksohet se në atë kohë pjesa më e madhe e këtyre arbërve ishin të besimit katolik, ndërsa pjesa më e vogël e besimit ortodoks. Arbërit e kishin një veçori të veçantë, që nuk e kishin popujt e tjerë; si shqiptarët katolikë dhe ata ortodoksë (në Mesjetë), ishin në vartësi të Vatikanit, kishës së Romës dhe e njihnin Papën e Romës për epror të tyre. Beteja e Fushë-Kosovës e 15 qershorit 1389 ka provokuar dhe vazhdon të provokojë historiografinë dhe publicistikën e Europës Juglindore dhe të asaj europiane përgjithësisht, dhe veçanërisht historiografinë shqiptare, sepse pjesa më e madhe ishin shqiptarë të krishterë në këtë koalicion. Dhe pikërisht në këtë betejë zë fill dhe përpjekja e pseudohistorianëve serb mbi gjoja “të drejtën historike” mbi Kosovën. “Vlen të theksojmë se janë dhe një pjesë pseudohistorianësh shqiptarë që me injorancën dhe antishqiptarizmin e tyre u japin “predha” topçinjve serbë për të qëlluar mbi nacionalizmin tonë, dhe janë pikërisht këta “shqipfolës” të cilët kërkojnë të valëvisin flamurin e “nacionalizmit”… (M.B.). Por dokumenta autentikë dëshmojnë se beteja e Fushë-Kosovës është zhvilluar në mes të koalicionit krishtero-ballkanik dhe atij osmano-aziatik, d.m.th. luftë në mes dy kulturave diametralisht të kundërta. Beteja e Fushë-Kosovës e vitit 1389 është kryesisht e lidhur me fillimin e depërtimeve të osmanllinjve në trojet iliro-albane dhe ky depërtim fillon pas fitores së Moricës më 1371, ku për osmanllinjtë u hapën jo vetëm dyert e Europës Juglindore (Ballkanit), por edhe të tërë Europës. Priftërinjtë e Romës, duke parë rrezikun që u kërcënohej, bënë çmos për t’i pajtuar sundimtarët e krishterë dhe për t’i bashkuar në luftë në një rezistencë të përbashkët. Vetëm në këtë mënyrë mund të zmbrapsej rreziku i madh që i kërcënohej krishtërimit dhe perëndimit. Për ndriçimin e rolit dhe të rëndësisë së princave arbër në këtë betejë, përveç historianëve të tjerë, një rol shumë të rëndësishëm luajtën dhe po luajnë edhe historianët perëndimorë, ku mund të veçojmë historianin anglez nga fillimi i shekullit XVII, Riçard Knolles, i cili, i liruar nga frazeologjia e një humanisti, në mënyrë decidive ka thënë: “Krahas të tjerëve, në koalicionin e krisherë ballkanik pati edhe princa nga Shqipëria”. Ndërsa historiani frëng, nga fillimi i shek.XIX, Le Marje (1821), thotë se në koalicionin e të krishterëve pati edhe njësi hungareze, rumune, dalmatine, tribale dhe njësi të panënshtruara të arbërve, kurse Muratin I e vrau një shqiptar i plagosur. Ndërsa historiani tjetër frëng, Alen Dyselje nga Parisi, me një shkrim ekskluziv, me një pikëpyetje që i vë në krye të titullit “A e kanë pushtuar shqiptarët Kosovën?”, ku bën fjalë edhe rreth betejës së Fushë-Kosovës, thotë: “Popullsia shqiptare jo vetëm që nuk erdhi atje e sjellë nga armiku (osman), ajo, që nga Liqeni i Shkodrës e deri në Kosovë u bashkua dhe rezistoi me popullsitë e tjera të krishtera”, duke vazhduar më tutje se “në kohën e ndeshjes vendimtare më 1389, autorët grekë përmendnin krahas serbëve dhe bullgarëve, edhe shqiparët e veriut, ata të Himarës, të Epirit dhe të zonës bregdetare”. Po ky autor arrin në përfundimin se disfata e vitit 1389, duke e disorganizuar plotësisht shtetin serb, u la fushë të lirë veprimi prijësve vendas më të fuqishëm, midis të cilëve dhe prijësve shqiptarë të veriut dhe të verilindjes. Më i shquari ishte Gjon Kastrioti, baba i Gjergj Kastriotit, i cili, duke u nisur nga krahina malore e Matit, arriti që në fund të shek.XIV dhe në fillim të shek.XV të krijonte një principatë të gjerë, e cila shtrihej nga derdhja e Ishmit deri në Prizren, në qendër të Kosovës. Si pasojë, ai i dha Raguzës një privilegj tregtar që prej bregut të detit e deri në tokat e tij në Prizren. Edhe historiani gjerman Jozef Fon Hamer i kushtoi kujdes të merituar pjesëmarrjes së arbërve në betejën e Fushë-Kosovës, ku, sipas tij, strategu më i aftë ushtarak i krishterë ishte arbëri Gjon Kastrioti, i cili kishte propozuar që osmanët të sulmoheshin ditën dhe jo natën. Përveç kësaj është interesant të theksohet se Jozef Fon Hamer flet edhe për famën e betejës së Fushë-Kosovës. Ai qëllimisht ka përkujtuar se revolucioni frëng i vitit 1789 ka shpërthyer në 400-vjetorin e betejës së Fushë-Kosovës. Ai ka theksuar se kjo betejë hyn në radhën e ngjarjeve të famshme në pikat kyçe të historisë së njerëzimit. Ndërsa La Martin vë në spikatje se ushtria e të krishterëve ishte pozicionuar në shkrepat e maleve të Shqipërisë. Përveç Gjon Kastriotit dhe prijësve të tjerë, kemi të dhëna interesante edhe për pjesëmarrjen e Theodhorit II Muzakës dhe rënien hoerike të tij në fushë-betejë, nga kronika e nipit të tij Andrea Muzakës, i cili ofron këto të dhëna: “Një vit pasi turqit filluan depërtimin në tokat e Arbërit, u formua koalicioni i krishterë ballkanik, që u ndesh në betejën famëkeqe të Fushë-Kosovës”. Andrea Muzaka në veprën “Historia e Genealogia del Muzakja” (Historia e Gjenealogjia e Muzakajve), thotë: “Duke kaluar nëpër të gjitha ato dhera, sulltani pushtoi disa vende, midis të cilave edhe qytetin e Adrianopojës. Pas tij erdhi Sulltan Murati I, e me furi të madhe e mori fushatën kundër Bullgarisë e Serbisë. Atëherë u bashkuan Lazari, despot i Serbisë dhe Marko, Mbreti i Bullgarisë dhe Teodor Muzaka II, i shtëpisë sonë e të tjerë zotërinj të Shqipërisë dhe u thyen të krishterët dhe vdiq Theodori i cili kishte me vete shumë çeta shqiptarësh, ku u zu rob i sipërthëni Lazar, të cilin pastaj e ekzekutuan. Pas kësaj filluan në Arbëri luftëra të pandërprera me turqit, ndër të cilët mbetën dhe shumë zotërinj e bujarë arbër. Njëri ndër heronjtë kryesor të kësaj beteje është Mëhill Nikollë Kopiliqi, i lindur në fshatin Kopiliq të Drenicës, udhëheqësi i kësaj krahine heorike të Kosovës. Momenti më i rëndësishëm dhe akti më heroik i drenicasit Mëhill Nikollë Kopiliqi është vrasja e Sulltan Muratit, nga dora e shqiptarit të krishterë, i cili më pas vritet nga osmanët. Dhe momenti më dramatik është aty ku She-Ul-Islami e këshillon Sulltanin: “Mos ia jep dorën/veç jepja kambën/ndër këmbët tuaja ai për me mbetë”. Këtu është fjala kur Mëhilli shkon në shatorren e Sulltan Muratit. Ai, për ta poshtëruar, në vend të dorës i jep këmbën, por dora e fuqishme e Kopiliqit e godet për vdekje me hanxhar. Në të vërtetë, ky gjest i sulltanit arsyetohet edhe nga disa historianë osmanë, ndër të cilët vlen të përmendet Sadudimi, si dhe Neshriu, krahas me rritjen e madhësisë së fuqisë turke, në lidhje me të edhe në çështjen e paafrueshmërisë mistike të personalitetit të halifesë, nuk lejohej mundësia që as në kohën e kaluar t’i bëhet e mundur, jo muslimanit t’ia puthte dorën Padishahut, porse i caktonte vetëm këmbët dhe zingjirët e qenit. Gjithnjë duke u bazuar në argumente të forta shkencore, vijmë në përfundim se kontributi i princave shqiptarë të krishterë jo vetëm që ishte i madh, por ai ishte edhe vendimtar. Kështu që e vërteta historike qëndron në atë se Beteja e Fushë-Kosovës (1389) ishte zhvilluar në Fushë-Kosovë më 15 qershor të atij viti, në mes të forcave të aleancës së koalicionit të krishterë ballkanik dhe atij osmano-aziatik. Në këtë betejë ngadhnjyen ushtritë osmano-aziatike dhe u hapën portat dhe të gjithë korridoret që të sulmohet dhe pjesa tjetër e Europës, por dhe Konstantinopoli, pra kjo ishte ngjarja që më vonë solli rënien e Bizantit dhe ngritjen e Perandorisë Osmane, përhapjen me dhunë të islamizmit në Europën Juglindore (Ballkan), sidomos ky islamizim u përhap me dhunë më së shumti te shqiptarët, megjithë qëndresën heroike të tyre për të mbrojtur kombin dhe fenë. Falja e muslimanëve shqiptarë në “tempullin” e Sulltan Muratit është fyerja më e madhe e dëshmorëve të rënë në këtë betejë dhe përbaltja e rezistencës antiosmane. “Nuk e quaj të tepërt të them se Mëhill Nikoll Kopiliqi dhe Adem Jashari janë dy luanë të Drenicës, dhe dy heronj të mbarë kombit, që lidhin me një fill të artë dy periudha decizive të historisë”. (M.B.) Ref. “Dëshmi Kohërash”, Ndue Oroshi, Shtëpia Botuese “Lumbardhi”. Në 2000-vjetorin e Krishtërimit – Prizren 2003. Mark Bregu |